E mërkurë, 12.12.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Për ta shpëtuar librin e ndjekur, Zafon sajon një fiction-gjetje duke e vendosur në një ‘varr-muze’, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të ruhej trashëgimia e një kohe e cila nuk mund të kompensohej me asgjë nëse mungonin librat
Qoftë i fundit ky zjarr që na i merr librat!









Shkrimtari spanjoll, shumë i dashur për mua, Carlos Ruiz Zafón, ka një lajtmotiv ‘udhëtues’ nga vepra në vepër që përshkruan ‘golgotën’ e librit për t’i shpëtuar ‘zjarrit’ të inkuizitorëve.

Për ta shpëtuar librin e ndjekur, Zafon sajon një fiction-gjetje duke e vendosur në një ‘varr-muze’, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të ruhej trashëgimia e një kohe e cila nuk mund të kompensohej me asgjë nëse mungonin librat


Emin AZEMI

Djegia e librave nuk është një lajm i mirë. Asnjë motiv nuk jusitifikon dënimin me zjarr të librit. Nuk po jetojmë në mesjetë që mosleximin e librit ta ndalojmë me zjarr, para se për të njerëzit të shprehin hapur mendimet.

Patriotizëm nuk është të djegësh libra. Patriotizëm është të shkruash libër. Qoftë edhe i keq ai. Fundja, i keq apo i mirë është një libër, këtë nuk mund ta përcaktojë një tufë njerëzish.

Valorizimin e jep mendimi kritik dhe vetë koha, e cila shpesh na ka tregu se kufiri në mes të mirës dhe të keqes është zhvendosur herë majtas, herë djathtas.

Libra kanë djegur inkuizitorët e Mesjetës dhe fashistët. Në Ferizaj u dogj libri i Veton Surroit. Kjo u bë në emër të mbrojtjes së vlerave të luftës që paska përdhos ky libër. Por, ata që dogjën ‘Këmbët e gjarpërit’, kanë djegur duart e veta për të prekur më afër vizionin e një shoqërie të hapur e demokratike.

Hiri i këtij libri të djegur më kujton kohën jo bukur të largët kur ishim të detyruar të djegim ndonjë ‘libër të ndaluar’ para bastisjeve policore. Atëherë librat i digjnim nga zori.

E tash? Kush mund të ma spjegoj se cila është ajo kënaqësi që na shtyn të hedhim një libër në zjar. Aq të padurueshëm paskemi qenë sa të mos presim që mbi atë libër fjalën e vet meritore ta jep opinioni kritik, ai i specializuari që na tregon se cili libër i reziston zjarrit të kohës dhe cili bëhet blozë.

Ka rrezik që këso pamje nga Ferizaji të reprizohen edhe në ndonjë kënd tjetër të Kosovës. Del ndonjëri që nuk i ka shum në huj librat dhe ia fut shkrepsën.

Sepse gjithmonë ka ndonjë libër që nuk na pëlqen. Ka edhe libra të shkruar dobët, dhe kot ne e marrim në qafë autorin duke e urrejtur në kufijt e patologjisë mentale.

Shkrimtari spanjoll, shumë i dashur për mua, Carlos Ruiz Zafón, ka një lajtmotiv ‘udhëtues’ nga vepra në vepër që përshkruan ‘golgotën’ e librit për t’i shpëtuar ‘zjarrit’ të inkuizitorëve.

Për ta shpëtuar librin e ndjekur, Zafon sajon një fiction-gjetje duke e vendosur në një ‘varr-muze’, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të ruhej trashëgimia e një kohe e cila nuk mund të kompensohej me asgjë nëse mungonin librat.

Edhe Spanja pati diktator, por atje libri mbrohej me xhelozi, qoftë edhe duke ia bërë ‘varrin’ për së gjalli.

Në Kosovë dikatorët kanë perenduar, por mania për të djegur libra ta kujton diktaturën, nga e cila të gjithë ne kemi ikur si prej djallit të zi.

Qoftë i fundit ky zjarr që na i merr librat!

Publikuar: 17.07.2014 | 16:06
Lexuar: 1963 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime