E premte, 14.12.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Fshati Kukaj i komunës së Prishtinës për pesë ditë radhazi do të jetë pikëqendra e etnosit tonë kombëtar. Kjo për shkak të edicionit të katërt të festivalit të artit dhe kulturës tradicionale, Etno Fest.
Etno Fest gati për edicionin e katërt












I gjithë fshati është i ambientuar ekskluzivisht vetëm për këtë festival, i cili synon që fshatin Kukaj ta bëjë pikëqendër të gjithë krijuesve të artit dhe kulturës.

Drejtori i këtij festivali, Fadil Hysaj në një konferencë për medie tha se gjithçka është bërë në frymën tradicionale dhe, sipas tij, gjithçka në atë fshat frymon “shqip”.

“Hapësira është e krijuar enkas për këtë festival, e tërë hapësira është e natyrës autoktone. Vendet e ndryshme botërore kanë hapësira të improvizuara që mund të ju përshtaten festivaleve të këtij lloji. Në fshatin Kukaj janë krijuar ekskluzivisht hapësirat autoktone.

Tani i kemi pesë skena të hapura dhe tri të mbyllura, janë krijuar hapësira të veçanta të këtij lloji. Hapësira për organizimin e ekspozitave të ndryshme në eksterier por edhe në enterier.

Është krijuar një infrastrukturë për festival edhe të karakterit ndërkombëtar, por që ende nuk kemi krijuar bujtina të ndryshme për të pritur mysafirë. Kjo është e vetmja çështje që ka ngelur pa u zgjidhur, përndryshe gjithçka tjetër është e rregulluar”, ka thënë Hysaj.

Sipas tij, në edicionin e sivjetmë do të shfaqen tri kategori programesh. Pos ekspozitave fotografike që kanë për temë folklorin, do të ketë edhe ekspozita të natyrave të ndryshme, por që do të jenë me frymë autoktone.

Pjesa tjetër u takon riteve të ndryshme të shqiptareve, duke filluar nga ato më të vjetrat që janë stolisja e nuseve nga Malësia e Prizrenit, e që njëherit është riti i vetëm që ka ngelur nga koha ilire i pa ndryshuar, që na kthen dy mijë vite prapa.

“Gjithçka do të jetë në mënyrë publike, rituali i nuseve dhe martesës së vajzave nga zona e Shkodrës; pastaj palosja e pajës dhe gjithçka që nevojitet për martesën e asaj zone.

Gjithashtu do të improvizohen bisedat e odës, në të cilat pjesëmarrës do të jenë kolosët e kësaj filozofie të cilët Kadare i ngrit si dy paralele, duke parashtruar pyetje se a duhet të mbizotëroj kultura e të folurit apo ajo e të shkruarit. Ne shqiptarët jemi më shumë të njohur për kulturën e të folurit”, ka sqaruar Hysaj.

Sipas Hysajt, Etno Festi është njëri prej festivaleve që më së shumti ka tërhequr vëmendjen mediatike.

Organizimi i edicionit të sivjetmë bëhet me një mbështetje të vogël institucionale (15 mijë euro) ndërsa pjesa tjetër mbulohet nga buxheti vetanak, ka thënë Hysaj.

“Ministri i Kulturës, Memli Krasniqi ka pasur një vullnet të madh për ta mbështetur këtë festival, mirëpo mundësitë buxhetore nuk e lejonin për më shumë. Mua do të më duhet që të punoj edhe për një kohë si profesor e si regjisor që të mund të mbuloj shpenzimet e pambuluara të festivalit” ka përfunduar drejtori i festivalit të artit dhe kulturës Etno Fest, Fadil Hysaj.

Etno Festi do të fillojë me 30 korrik dhe do të mbahet deri me 3 gusht, në fshatin Kukaj të Prishtinës.

Publikuar: 22.07.2014 | 17:16
Lexuar: 1190 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime