E shtunë, 17.11.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Mbrëmja e të martës kulmon me ndeshjen e madhe Roma – Bayern, një sfidë që etiketohet si e tillë për vetë nivelin e futbollit që përfaqësojnë këto dy skuadra.
Rikthehen emocionet e Champions League




Pas një mungese 3-javore rikthehen emocionet e aktivitetit më të lavdishëm europian, me Champions League që tashmë bëhet gati për ndeshjet e treta të fazës së grupeve duke startuar me Grupet E, F, G dhe H. Mbrëmja e të martës kulmon me ndeshjen e madhe Roma – Bayern, një sfidë që etiketohet si e tillë për vetë nivelin e futbollit që përfaqësojnë këto dy skuadra. Tashmë Roma ka ngushtuar ndjeshëm diferencën me Juventusin në Itali dhe kjo jo vetëm në aspektin e pikëve, por gjithashtu edhe në kontigjentin e futbollistëve dhe me një model krejtësisht të ndryshëm administrimi. Prova e madhe për verdhekuqtë konsiderohej Manchester City, por pas kalimit me sukses të asaj pengese skuadra e Rudi Garcias do të testojë veten me një ndër superfuqitë e Kontinentit të Vjetër, si Bajerni i Mynihut, që me 5 tituj të fituar përfaqëson forcën e tretë të këtij kompeticioni, pas vetëm Realit dhe Milanit. Për drejtuesit e Romës nuk do të ishte fundi i botës një disfatë ndaj një ekipi të tillë, megjithatë në këtë takim pritet të kuptohet forma e vërtetë e klubit bavarez, pasi armata e Guardiolës e ka shndërruar Bundesligën në një “tokë të djegur” përsa i përket rivalitetit për titull. Kampionët e edicionit të parafundit në Champions kanë shënuar 10 gola në dy ndeshjet e fundit të kampionatit gjerman dhe për më tepër nuk pësojnë gol prej plot 52 ditësh, që nga sfida e gushtit me Schalken kur ishte pikërisht mbrojtësi i përfaqësueses Benedikt Howedes ai që depërtoi në kasafortën e Manuel Neuer. Bajerni ka humbur vetëm 1 nga 11 ndeshjet e fundit jashtë në këtë event pa harruar që një vit e gjysmë më parë bavarezët eliminuan Juventusin duke fituar 2-0 brenda në Torino, gjithsesi katër vjet më parë po në fazën e grupeve verdhekuqtë përmbysën disavantazhin e dy golave në pjesën e dytë duke fituar 3-2 përballjen e fundit ndërmjet këtyre dy klubeve. Asokohe Bajerni i Van Gaalit lëshoi shumë në lojë dhe kurioz është fakti që goli i fitores u realizua nga “Mbreti i Romës” Francesco Totti, me të cilin kryeqytetasit nuk kanë humbur kurrë një ndeshje në Olimpico ndaj klubeve gjermane. Ndeshja do të gjykohet nga milioneri suedez Jonas Eriksson, sidoqoftë po në Grupin E në një stadium të boshatisur si “Arena Khimki” Manchester City do të bëjë cmos për të regjistruar fitoren e parë në grup, ndaj një skuadre si CSKA e Moskës, ekip të cilin 12 muaj më parë e mposhti po në të njëjtën fushë falë dy golave të sulmuesit argjentinas Sergio Aguero.

Në Grupin F Barcelona e Luis Enriques me “el clasicco”-n në mendje ka rastin për të hedhur pas krahëve disfatën e Parisit, teksa do të presë në Camp Nou Ajaksin e një ish-i si Frank De Boer, për më tepër që 11 muaj më parë katalanasit falë tre shigjetave të Messit ndëshkuan 4-0 harkëtarët nga Amsterdami. Në krahun tjetër parizienët kanë shansin për të ruajtur kreun pasi impenjimin e radhës do ta kenë në kryeqytetin e Qipros Nicosia, ndaj APOEL-it. Në Grupin G Chelsea duhet të harrojë sfidën e të dielës në OLd Traford ndaj Manchester United për t’u fokusuar në përballjen me Mariborin, ekipin surprizë të këtij grupi, ndërkaq Roberto Di Matteo pritet t’i përcjellë Schalkes gjithë eksperiencën e grumbulluar me blutë e Londrës që e dërgoi Chelsean te trofeu i vitit 2012 teksa klubi nga Gelsenkirchen ka shansin për të shtuar edhe Sportingun e Lisbonës në listën e skuadrave luzitane, që në fakt janë mundur gjithmonë në fushën e Schalkes. Grupi përmbyllës është ai H, ku Porto do të presë në “Dragao” Athletic Bilbaon. Këto dy skuadra rikthehen për t’u përballur në kompeticionet europiane pas plot 58 vjetësh, gjithsesi dragonjtë kanë në favor eksperiencën ndërsa klubi bask në anën tjetër duket në rënie të lirë. Kuriozitet ngjall edhe përballja e dy klubeve Bate Borisov – Shakhtar Donetsk, sidoqoftë edhe në këtë takim eksperienca flet qartë për trajnerin Mircea Lucescu dhe ekipin ukrainas që do të bëjë cmos për të kaluar në klasifikim një rival të drejtpërdrejtë, sidomos pas ndeshjes së 30 shtatorit kur minatorët cuan dëm një avantazh prej dy golash, në momentet e fundit të takimit me Porton.

Publikuar: 21.10.2014 | 08:25
Lexuar: 546 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime