E premte, 14.12.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Dallimi i madh në kohë dhe peripecitë e ditëve moderne mund të kenë bërë që ne t’i harrojmë disa nga qytetet e pasura antike, të cilët, sikurse edhe qytetet moderne, kanë qenë qendra kulturore, për shkak të pasurive të mëdha.
10 qytetet më të pasura në histori


Kur mendojmë për qytetet e pasura të ditëve moderne, përfytyrojmë ndërtesat e mëdha dhe infrastrukturën e zhvilluar. Dallimi i madh në kohë dhe peripecitë e ditëve moderne mund të kenë bërë që ne t’i harrojmë disa nga qytetet e pasura antike, të cilët, sikurse edhe qytetet moderne, kanë qenë qendra kulturore, për shkak të pasurive të mëdha.

Më poshtë, mund të kuptoni më shumë për disa nga qytetet më të fuqishme dhe më të pasura që kanë ekzistuar në periudhën antike.

1. Tenoktitlani

I ndërtuar në vitin 1325, ky qytet ka qenë qendër e meksikanëve. Karakteristikë e këtij qyteti, i cili ka qenë i ndërtuar në tokën ku sot gjendet Meksika, ka qenë fakti se i tërë qyteti ka qenë i ndërtuar drejtpërsëdrejti në ujë. Sikur Venediku, edhe ky qytet ka ofruar atraksione të ndryshme, pasi që ka mundur të vizitohet edhe me anije të vogla apo me varka. Qyteti ka pasur një qendër të madhe tregtare të ditëve antike, ku banorët kanë blerë ose shitur gjëra të ndryshme, ndërsa përbrenda qytetit ka pasur shumë tempuj.

2. Zimbabveja e Madhe

Një qytet antik në Zimbabve – Zimbabveja e Madhe – ka qenë kryeqytet i Mbretërisë së Zimbabvesë në Kohën e Gurit. Qyteti ka qenë një qendër e pasur tregtare, pasi që njerëz nga të gjitha anët e botës kanë shkuar për të bërë tregti atje. Burim kryesor i qytetit ka qenë Miniera e Arit, ndërsa në brendësi të tij ka qenë i ndërtuar një pallat mbretëror, i mbrojtur me mure të larta. Qyteti është braktisur në vitin 1450, kur miniera e arit ishte harxhuar, ndonëse, edhe në ditët moderne, mund të gjenden rrënojat e mermerit antik.

3. Damasku

Damasku është qyteti më i vjetër në botë, i cili është ende i banuar. Fillimisht qyteti ishte bërë i famshëm për tregti, ndërsa më vonë, xhamitë dhe monumentet e tjera fetare kishin bërë që qyteti të merrte një karakter tjetër. Pikërisht në Damask gjendet Xhamia “Umayyad”, ndërsa një pikë tjetër shumë e rëndësishme e qytetit është edhe infrastruktura antike rrugore.

4. Xi-an

Kryeqyteti i Provincës Shaanxi në Kinë është plot 3100 vjet i vjetër. Ky qytet konsiderohet si njëri ndër katër kryeqytetet më të mëdha antike të Kinës, për shkak të pasurisë dhe pushtetit që ka pasur përgjatë historisë. Qyteti ka qenë i njohur për tregti dhe tempujt e shumtë, andaj edhe ka pasur një rëndësi të madhe për regjionin.

5. Kahokia

Ky qytet ka qenë i ndërtuar në afërsi të lumit Misisipi, aty ku sot ndodhet Shën Luisi në Misuri. Përkundër faktit që shumë pak njerëz kanë dëgjuar për këtë qytet, ai ka pasur një rëndësi të madhe historike. Arkeologët kanë arritur të gjejnë një numër të madh faktesh që dëshmojnë se ky qytet, jo aq i famshëm, në të kaluarën ka qenë qendër e madhe e tregtisë dhe bujqësisë.

6. Pllovdivi

Pllovdivi është një qytet bullgar, që është më shumë se 6000 vjet i vjetër dhe në një periudhë ka qenë një pjesë shumë e rëndësishme e Perandorisë Romake. Shkrimtari i famshëm romak – Lucian-i – e kishte përshkruar Pllovdivin si qytetin më mbresëlënës, gjë të cilën e vërtetojnë edhe rrënojat e qytetit që janë hulumtuar nga arkeologët.

7. Babilonia

Babilonia ka qenë njëri ndër qytetet më të pasura në botën antike dhe një rol të madh në këtë gjë e ka luajtur edhe Lumi Eufrat, i cili ka rrjedhur nëpërmes qytetit, duke i furnizuar banorët me ujë. Për më tepër, Babilonia është e njohur edhe për punimet e shumta në fushën e artit me punime prej arit. Pallati i Mbretit në Babiloni konsiderohet si njëra ndër veprat më të mëdha të artit dhe pallati më i famshëm i ndërtuar ndonjëherë.

8. Athina

Athina është një tjetër qytet i njohur i botës antike, për të cilin thuhet që ka shtruar themelet e civilizimit perëndimor. Besohet që Athina ka qenë e banuar të paktën në 7000 vitet e fundit. Kontributet në fushën e filozofisë, religjionit dhe artit kanë qenë më të famshmet për qytetin e Athinës. Pasuria e Athinës ka ndikuar shumë në lulëzimin e demokracisë bashkë me jetën kulturore, për mijëra vite.

9. Roma

Siç mund të keni dëgjuar edhe ju, Roma ka qenë një qendër e madhe e pasurisë, artit, kulturës dhe politikës. Për më tepër, ky qytet konsiderohet si vendlindja e civilizimit perëndimor. Koloseumi është vetëm një nga monumentet e shumta, të cilat kanë bërë që Roma të konsiderohet një qytet shumë i pasur antik.

10. Kostandinopoja

I emëruar në bazë të Perandorit Konstandin, ky qytet ka qenë qendër e Perandorisë Bizantine për një mijë vite dhe ka lulëzuar për shekuj të tërë. Teknologjia, arti dhe kultura në këtë qytet kanë qenë të zhvilluara si në asnjë qytet tjetër të asaj kohe. Në shekullin e dymbëdhjetë, në Kostandinopojë kishte filluar të zhvillohej arti mozaik dhe përpunimi i mëndafshit e pambukut.

Publikuar: 16.11.2014 | 10:19
Lexuar: 1644 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime