E diel, 18.11.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Ai tha gjithashtu se Hungaria nuk do t'i shesë Rusisë asnjë nga objektet e saj të magazinimit të gazit.
Hungaria dhe gazi natyror rus











Hungaria synon që Rusia të depozitojë më shumë gaz në rezervuaret e mëdha nëntokësore të vendit, për të rritur sigurinë e furnizimeve. Hungaria, e cila ndodhet në zemër të Evropës Qendrore, ka rreth 6 miliardë metra kub kapacitete për magazinimin e gazit. Ajo e merr pjesën më të madhe të furnizimit me gaz natyror nga Rusia nëpërmjet një tubacioni që përshkon Ukrainën dhe që rrezikon ndërprerjen për shkak të konfliktit mes Moskës dhe Kievit.

Hungaria, e cila është mjaft e varur nga gazi rus, kërkon të sigurojë mundësi të reja furnizimi me gaz pas anulimit nga Rusia të projektit South Stream vitin e kaluar.

Ministri i jashtëm i Hungarisë Peter Szijjarto tha në një intervistë për televizionin Reuters se, në këtë proces, Budapesti pret ndihmë dhe fonde nga Bashkimi Evropian, duke shtuar se krahas konfliktit në Ukrainë, çështjet e energjisë do të zenë një vend kryesor gjatë vizitës së kancelares gjermane Angela Merkel muajin e ardhshëm në Hungari,.

Peter Szijjarto është Ministër i jashtëm i Hungarisë

"Të gjitha vendet që kanë një farë lidhjeje me këtë konflikt janë partnerë shumë të rëndësishëm të Hungarisë, në ekonomi, në tregti dhe në aspektin e sigurisë energjitike. Pra, në qoftë se ka një vend në botë që është i interesuar për një zgjidhje të shpejtë bazuar në negociata sipas protokollit të Minskut, kjo sigurisht është Hungaria."

Zonja Merkel ka thënë se sanksionet e BE-së kundër Rusisë do të mund të hiqen vetëm kur marrëveshja e Minskut mes Kievit dhe rebelëve pro-rusë të jetë zbatuar plotësisht.

Partnerët perëndimorë po ndihen gjithnjë e më të alarmuar nga ajo që ata e shohin si prirje drejt orbitës së Kremlinit nga ana e kryeministrit hungarez Viktor Orban. Furnizimi me energji është faktori më i rëndësishëm që lidh Budapestin me Moskën.

Zoti Orban ka mohuar se Hungaria po afrohet me Kremlinin. Ai ka thënë se Hungaria mbështeti integritetin territorial të Ukrainës ndërkohë që përpiqet edhe për interesat e veta ekonomike.

Zoti Szijjarto tha se ai i kishte propozuar ministrit rus të Energjisë Aleksander Novak se Rusia duhet të depozitojë më shumë gaz në rezervuaret nëntokësore të Hungarisë. Që nga viti i kaluar, Gazpromi rus ka depozituar deri në 700 milion metra kub gaz në Hungari.

"Hungaria ka një pozicion strategjik, si gjeografikisht ashtu edhe përsa i përket kapaciteteve nëntokësore të magazinimit. Sa më shumë që ata të depozitojnë këtu, aq më mirë është për Hungarinë. Dhe ky gaz nuk ka asnjë pengesë për t'u dërguar kudo në Evropë nga ne," tha zoti Szijjarto, i cili shtoi se asnjë marrëveshje është arritur ende për këtë çështje.

Ai tha gjithashtu se Hungaria nuk do t'i shesë Rusisë asnjë nga objektet e saj të magazinimit të gazit.

Kompania Rosatom e Rusisë do të zgjerojë gjithashtu një uzinë bërthamor në Hungari, të ndërtuar në kohën e Bashkimit Sovjetik.

Ministri i jashtëm hungarez tha se siguria energjitike e Evropës Qendrore është "një çështje evropiane".

"Ndërtimi i projektit South Stream nuk është vetëm në interes të Evropës Qendrore, por edhe të Bashkimit Evropian," tha ministri i jashtëm hungarez.

Ai tha se Hungaria synon ta marrë gazin rus edhe nëpërmjet Turqisë, dhe shtoi se pritet intensifikimi i bisedimeve me Turqinë, Greqinë, Maqedoninë dhe Serbinë rreth një tubacioni të ri të mundshëm që do të arrinte deri në Evropën qendrore.

I pyetur për marrëdhëniet e tendosura diplomatike të Hungarisë me Shtetet e Bashkuara rreth akuzave amerikane për korrupsion, zoti Szijjarto tha se ardhja së shpejti e një ambasador të ri amerikan në Budapest do të ishte një mundësi për të zgjidhur mosmarrëveshjet.

Publikuar: 16.01.2015 | 10:21
Lexuar: 920 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime