E diel, 18.11.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Shqiptarët, kudo që janë, brenda dhe jashtë trojeve etnike, e nderojnë këtë ditë të madhe, ditën kur Kosova ligjëroi mëvetësinë e saj, më 17 shkurt 2008”, tha mes tjerash Prof.dr.Vullnet Ameti, Rektori i USHT-së.
USHT e shënoi 20 vjetorin e ligjëratave të para
Universiteti Shtetëror i Tetovës, me një sërë aktivitetesh e shënoi 20 vjetorin e ligjëratave të para. Sot u përkujtua 17 shkurti i vitit 1995, kur në mejtepin e xhamisë së fshatit Poroj u mbajtën ligjëratat e para të studentëve të Universitetit të Tetovës dhe po këtë ditë, në fshatin Reçicë ra edhe dëshmori i arsimit në gjuhën shqipe, Abdilselam Emini.

Drejtuesit e Universitetit Shtetëror të Tetovës me në krye Rektorin, Prof.dr.Vullnet Ameti, bashkë me profesorët dhe studentët, gjatë paraditës vendosën kurora lulesh tek busti i dëshmorit Abdilselam Emini dhe bënë homazhe tek vari i Rektorit të parë të Universitetit të Tetovës, Prof.dr.Fadil Sulejmani. Më pas, delegacioni i USHT-së e vizitoi edhe Muzeun e Universitetit Shtetëror të Tetovës në fshatin Poroj, vend ky ku para 20 vitesh u mbajtën ligjëratat e para.

Po ashtu, delegacioni i USHT-së vuri kurora lulesh edhe tek busti i dëshmorit të kombit Mujdin Aliu.

Për nderë të 17 Shkurtit, ditës së fillimit të ligjëratave të para në Universitetin e Tetovës, në amfiteatrin e rektoratit u mbajt një akademi solemne.

Rektori i Universitetit Shtetëror të Tetovës, Prof.dr.Vullnet Ameti theksoi se kjo datë është një ditë e veçantë për të gjithë shqiptarët e Maqedonisë. “Kjo datë shënon ditën më të ndritshme të arsimit sipëror në gjuhën shqipe dhe ditën e veçantë për shqiptarët e Maqedonisë, sepse vendimi historik për themelimin e Universitetit me mësim në gjuhën shqipe ishte një hap historik dhe vizionar, për zgjidhjen njëherë e përgjithmonë të çështjes së arsimit sipëror në gjuhën shqipe në Republikën e Maqedonisë, ndërsa fillimi i ligjëratave të para shënon datën e fitores së madhe të arsimit mbi padrejtësitë shekullore, shovinizmin dhe barbarinë mbi arsimin në gjuhën tonë amtare.

Në historinë e tij 20 vjeçare, Universiteti ynë shënoi të arritura kolosale në fushën e arsimit, shkencës dhe kulturës, përkundër problemeve të shumta me të cilat u ballafaqua gjatë këtij rrugëtimi. Gjatë kësaj periudhe, ky institucion i arsimit të lartë e realizoi misionin e vet, i realizoi objektivat e veta dhe u shndërrua në Universitet publik të respektueshëm brenda dhe jashtë vendit”, tha Rektori i USHT-së, Prof.dr.Vullnet Ameti.

Ai, gjithashtu tha: “Më 16 dhe 17 shkurt të vitit 1995, në fshatin Poroj u mbajtën ligjëratat e para të Universitetit të Tetovës, i cili atë kohë ishte i kontestuar nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë. Po të njëjtën ditë, në fshatin Reçicë e Vogël, nisja e ligjëratave u shoqërua edhe me konfrontim mes qytetarëve dhe policisë, i cili përfundoi me shumë të lënduar, të burgosur dhe me rënien e dëshmorit të arsimit në gjuhën shqipe, Abdilselam Eminit. Sot, më 17 shkurt 2015, ne drejtuesit e Universitetit, mësimdhënësit dhe studentët i përkujtomë këto ngjarje, i përkujtojmë ligjëratat e para të mbajtura nga profesorët e Universitetit të parë shqiptar në Maqedoni.

Ende janë të freskëta kujtimet që na e sjellin pamjen e asaj kohe, kur Universiteti i Tetovës ishte më shumë se një institucion arsimor, ishte një tempull i shenjtë i diturisë që po lindte në horizontin e dritës dhe diturisë për një të ardhme më të ndritur të brezave të rinj.

Sot, pas 20 vjetësh pune akademike, numri i studentëve të diplomuar, i magjistrave dhe doktorëve të shkencave është i madh dhe për t’ia pasur lakmi edhe universitetet me përvojë shumë më të gjatë. Në këtë rrugë të gjatë të sfidave të mëdha, pas 10 vjet jetë akademike dhe veprimtari mësimore-shkencore, falë udhëheqjes politike shqiptare në Republikën e Maqedonisë, në vitin 2004, Universiteti Shtetëror i Tetovës u zyrtarizua përfundimisht, dhe sot funksionon si universiteti i vetëm publik me mësim në gjuhën shqipe, sipas Ligjit për arsimin e lartë në Republikën e Maqedonisë”, shtoi më tej Rektori i USHT-së, Prof.dr.Vullnet Ameti.

Në akademinë solemne kushtuar 20 vjetorit të mbajtjes së ligjëratave të para, Rektori i USHT-së, Prof.dr.Vullnet i ka uruar edhe të gjithë shqiptarët me rastin e 7 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. “Meqë përvjetori i ligjëratave të para të Universitetit tonë përkon edhe me një datë tjetër historike për kombin tonë, me 7 vjetorin e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, me lejoni që në emër të Universitetit dhe në emrin Tuaj, vëllezërve tanë t’ua përcjell urimet më të përzemërta për këtë përvjetor të Pavarësisë.

Shqiptarët, kudo që janë, brenda dhe jashtë trojeve etnike, e nderojnë këtë ditë të madhe, ditën kur Kosova ligjëroi mëvetësinë e saj, më 17 shkurt 2008”, tha mes tjerash Prof.dr.Vullnet Ameti, Rektori i USHT-së.

Për rëndësinë historike të ligjëratave të para të pranishmëve me referat iu drejtua Prof. dr. Ejup Ajdini, i cili ndër të tjera tha: “Një ditë para ligjëratave të para, më 15.02.1995, në tubimin madhështorë në Reçicë të Vogël erdhi nga Amerika kongresisti me prejardhje shqiptare, Xhozef Dioguardi, për të përcjellë për së afërmi vuajtjet dhe krenarinë kombëtare të gjakut të vet dhe në anën tjetër të ndjek dhunën dhe ligjet fashizoide të asaj kohe, që ishin tërbuar kundër Universitetit të Tetovës, simbolikë kjo, e cila nënkuptoi se Dioguardi erdhi për të paralajmëruar se Universiteti i Tetovës ka mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, vlerësoi Prof.dr.Ejup Ajdini.

Në emër të gjeneratës së parë të studentëve të Universitetit të Tetovës foli Dr.sc.Dashmir Idrizi, i cili evokoi kujtime nga ligjëratat e para. “Unë si ish studentë i këtij institucioni dhe tani si ligjërues ndjej përgjegjësinë që këtu para jush periudhën historike të UT-së, tani USHT-së, ta ndaj në 4 periudha kohore: Themelimi, koha e errët kur pushteti i asaj kohe në nëntor - dhjetor të vitit 2000, me vendim të Qeverisë së Maqedonisë mbështet projektet e Komisionerit të Lartë të OSBE-së për minoritet, MAKS van Der-Shtul për themelimin e një institucioni të ri privat të shkollimit të lartë i cili do të quhej UEJL. Qëllimi i të cilit ishte zëvendësimi i UT-së. Por, fatmirësisht sot për të mirën e studentëve ekzistojnë të dy institucionet”, deklaroi Dr.sc.Dashmir Idrizi.

Akademia solemne përfundoi me një program artistik të përgatitur nga studentët dhe profesorët e Fakultetit të Arteve të Universitetit Shtetëror të Tetovës.

Publikuar: 17.02.2015 | 18:30
Lexuar: 929 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime