E mërkurë, 12.12.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Pra, konkluza që mund të nxirret nga kjo analizë e skenarëve, është se kësaj strategjie nuk ka pse t’i ndihmojë BDI-ja, presioni ndaj së cilës bëhet në mënyrë të argumentuar, por dhe aty qëndron edhe fshehtësia tjetër: Gruevskit do t’i kishte konvenuar një prishje momentale e koalicionit, sepse do të kishte fituar pikë të reja politike, pasi para elektoratit do të dëshmohej se e gjithë kjo u bë ngase ai nuk u lëshon pe shqiptarëve!
Daut DAUTI: Pat pozicioni shqiptar







Daut DAUTI

Në kohën kur ka shumë “gjeneralë” që japin mendimet se si të fitohen betejat politike, topi për të marrë vendime i mbetet liderit të BDI-së, Ali Ahmetit, ndërsa ky para vetes e ka gjithë “fushën e shahut”, me të gjitha finesat që ndoshta nuk i shohin të tjerët. Analistët dhe kritikuesit e shumtë, të shkarkuar nga pesha e vendimeve të mëdha, nuk shohin ose nuk duan të shohin pat pozicionin, jo të Ali Ahmetit por të shqiptarëve, madje dhe të Maqedonisë.

Prandaj, vetë shkruesit dhe deklarata dhënësit e shumtë gjatë kësaj periudhe, të cilëve nuk duhet t’u mohohet brengosja e sinqertë, midis tjerësh kanë përdorur dhe një si apel për shqiptarët: që të mos bien në grackat e pushtetit ose të kujtdoqoftë, pasi kështu do të zbehej imazhi i shqiptarëve si faktorë konstruktivë në Ballkan. Domethënë, sille kah ta sjellësh, me doreza ose pa to, atë që s’e thonë haptas, midis rreshtash nënkuptohet që presioni ndaj Ali Ahmetit duhet të çojë gjer në dalje nga sistemi, gjë të cilën nuk e sugjeron asnjë aleat i vërtetë i shqiptarëve. Nëse sugjerimi për shqiptarët është që të mos bien në gracka, apeli për dalje nga sistemi, është vetvetiu një grackë me shumë të panjohura.

Strategjia e gabuar opozitare

E gjithë atmosfera politike është një presion i fortë i orkestruar mirë, për të bërë të pamundshme mbetjen e BDI-së në qeveri. Blloku politiko-medial opozitar e kanë identifikuar BDI-në si faktorin kryesor që do të ndikonte në dobësimin e Nikolla Gruevskit, duke e parë se ai tashmë po bëhet pengesa kryesore për të zgjidhur çështjen e emrit me Greqinë. Duke pasur parasysh përkrahjen e parezervë nga qytetarët për “pozicionet e forta” kundrejt Greqisë, opozitarët vlerësojnë se megjithatë, një prishje idili me BDI-në do të shkaktonte krizë politikë, që qëllim të fundit do të kishte zbritjen e Gruevskit nga froni i pushtetit, gjegjësisht, do t’i merrej e drejta që ai të vendosë për çështjen e ndjeshme të emrit. Mirëpo, sipas mendimit tim, e gjithë kjo strategji është me llogari të gabuara, sepse edhe për një kohë, do të kisha thënë, të paktën gjer në fund të këtij mandati, nëse jo dhe më shumë, gjerat nuk mund të ndryshojnë rrënjësisht edhe sikur BDI-ja të luante sipas asaj që të tjerët “kërkojnë”. Le të supozojmë se kriza eventuale politike që do të shkaktonte dalja e BDI-së do të çonte në zgjedhje të parakohshme.

Çka pastaj? Ja skenarët më realë

Opsioni i parë: Në zgjedhjet e parakohshme do të fitonte përsëri VMRO-DPMNE! Gjatë fushatës parazgjedhore, duke luajtur me populizëm, do të paraqiste veten si viktimë të komploteve të opozitës “tradhtare” maqedonase (që “e shet” emrin e shtetit!) dhe të partive “armiqësore” shqiptare, të cilët kërkojnë gjëra “që s'i përmban Marrëveshja e Ohrit”. Të dyja këto teza do të shiteshin lehtë te populli që ende po ushqehet me iluzionet antike, ngase ende nuk e ka prekur fundin e katandisë së jetës praktike! Tash për tash shumica e qytetarëve e jetojnë filmin e iluzioneve të mëdha, dhe askush me asgjë nuk mund t’i ç’bindë.

Opsioni i dytë: Ta zëmë variantin e dytë, atë të humbjes eventuale, por gjithsesi minimale, ku VMRO-DPMNE-ja do të izolohej nga një bllok më i gjerë politik maqedonas e shqiptar. Ky bllok do të zgjidhte problemin me emrin? Në asnjë mënyrë! Të paktën jo aq shpejtë dhe jo pa e përgatitur publikun e manipuluar gjer tani, për çka duhet kohë. Asnjë qeveri, qoftë dhe anti-vmro-iste nuk do të merrte vendime kapitale, siç është kompromisi për emrin, nëse nesër do ta kishte popullin në rrugë, para parlamentit dhe para qeverisë, në krye të së cilit do të qëndronte Gruevski! Nëse ka ndonjë parti që më së miri din ta kanalizojë vullnetin e popullit në dobi të veten, kjo është VMRO-DPMNE-ja dhe vetëm të verbëtit politikë nuk mund të shohin se në këtë kartë do të luajë, pasi këtë dhe e paralajmëroi Gruevski kur si apologjet i emrit, qartë e definoi pozicionin e tij referendumin kundër emrit Maqedonia Veriore për përdorim të përgjithshëm. Me këtë ai jo vetëm që ka vulosur fatin e kontestit me Greqinë (pra, nuk ka zgjidhje të shpejtë) por dhe ka çimentuar pozicionin e tij të fortë elektoral për çfarëdo sfide zgjedhore, të parakohshme ose të rregullt. Dhe është për t'u çuditur që strategët opozitarë nuk i analizojnë mirë efektet e veprimeve që çojnë drejt opsioneve të krizave të parakohshme politike.

Pra, konkluza që mund të nxirret nga kjo analizë e skenarëve, është se kësaj strategjie nuk ka pse t’i ndihmojë BDI-ja, presioni ndaj së cilës bëhet në mënyrë të argumentuar, por dhe aty qëndron edhe fshehtësia tjetër: Gruevskit do t’i kishte konvenuar një prishje momentale e koalicionit, sepse do të kishte fituar pikë të reja politike, pasi para elektoratit do të dëshmohej se e gjithë kjo u bë ngase ai nuk u lëshon pe shqiptarëve! Nga veprimi i deritashëm të kësaj partie, është ndërtuar pikërisht imazhi i një partie që ka qëndrim “të fortë” ndaj kërkesave “joreale” të partive shqiptare.
Strategët opozitarë, nëse duan të arrijnë ndonjë efekt duhet të ndërrojnë taktikën dhe të jenë më të durueshëm dhe të punojnë në plan më afatgjatë. Ata duhet të lënë vetëm Gruevskin me “dashurinë e ndërsjellë” me popullin për ta parë ku do të mbërrijë “prerodba” në 100 hapa të cilën ia ka premtuar.

Sigurisht se populli i dehur nga bëmat e kryepushtarit mund të ketë harruar se “prerodba...” nënkuptonte para së gjithash zhvillim ekonomik, pra investime e punësime të reja, të cilat tash për tash po i gëzojnë vetëm aktivistë partiakë. Populli duhet të lehet me dashurinë e pakufi që të shohë se 200 milionë euro të investuara në madhështinë false të antikës, dhe hijen e rrejshme të kalit të Lekës së Madh ose të falsifikimeve arkeologjike, e flamujve gjigantë, nuk mund të mbushet barku. Domethënë, duhet të lehet që të shterohet oferta jo-prerodbiane, dhe të ndodhë procesi i natyrshëm i ç’dehjes (kthjelljes), çfarë e kanë kaluar shumë popuj të tjerë me liderët e tyre narcisoidë, që gjërat të ulen përtokë.

Radikalizim institucional, pse jo?

Rastet e zënies së armatimit, e sidomos vrasja e katër shqiptarëve në rrethana, për publikun e gjerë dhe median, të dyshimta, në Radushë, e kanë luhatur BDI-në saqë janë paraqitur dhe zëra brenda partisë që nuk janë dakord me ndjekjen e rrugës institucionale të zgjidhjes së problemeve. Presioni i publikut më të gjerë, por dhe ai i publikut shqiptar në veçanti, e kanë vënë BDI-në në një situatë të ndjeshme. Të brengosur nga mundësi e braktisjes së qeverisë, përfaqësuesit ndërkombëtarë (Riker, Fuere...) me të shpejtë sqaruan pozicionin e tyre se nuk do të donin një gjë të këtillë. Në këtë situatë lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, shtroi ato disa dilema hamletiane “Nëse del BDI-ja, ku do të shkonim?”. Nga disa opsione “ku do të shkonim?”, një që nuk e përmendi ai, e të cilën më së shumti presin duke pasur parasysh profilin politiko-ushtarak të tij që as pas 10 vjetësh të konfliktit nuk ia harrojnë njerëzit, Ali Ahmeti nuk donë ta thotë.

Parasysh ka disa rrethana gjeostrategjike, të cilat çdo politikan shqiptar duhet ta ketë parasysh: mosrrumbullakësimi i pavarësisë së Kosovës në OKB (mbetet pavarësia ende me njohjet individuale) dhe statusi frenues i Shqipërisë në NATO dhe ajo që është më se argument i fortë është pyetja: A thua për çdo pakënaqësi duhet të dilet në mal dhe a duhet që vetëm pas 10 vjetësh përsëri t’u nënshtrohet psikozave dhe traumave të mëdha të mbijetesës? Por, ta shikojmë mundësisë e daljes së BDI-së nga Qeveria. Nëse do të merrej një hap i tillë, nuk do të merrej as për shkak të problemit të emrit, e as për shkak të presioneve të opozitës maqedonase, por për shkak të pakënaqësisë së shqiptarëve dhe të vetë BDI-së rreth disa çështjeve të zhagitura pa masë dhe disa obstruksioneve që po i bëhen.

Ali Ahmeti ka në dorë të krijojë një krizë politikë nëpërmjet një opsioni që deri tash partitë shqiptare nuk e kanë vënë në lëvizje. Pra, duke vlerësuar se dalja nga Qeveria nuk donë të thotë vetëm hapërim drejt veprimeve radikale jo institucionale, unë kisha sugjeruar një veprim radikal politik pikërisht institucional. Nëse BDI-ja nuk ka garanci të forta për t’i zgjidhur çështjet e hapura(ajo më mirë e di çfarë është disponimi i Gruevskit,pavarësisht nga deklaratat publike të tij), në një moment të caktuar vërtetë duhet të braktisë qeverinë dhe të krijojë bllokun e përbashkët opozitar shqiptar kundrejt pjesës maqedonase të qeverisë. Në këtë rast qëllimi kryesor do të ishte që bashkë me PDSH-në, DR-në dhe PPD-në(si parti më e vjetër), t’i harmonizojnë qëndrimet dhe t’i shtrojnë kërkesat e tyre. Situata do të ishte pragmatike me një forcëri trysnie të padiskutueshme.

Për shkak se do të bllokohej vendimmarrja për mungesë të “shumicës së Badenterit”, do të zgjohej nga gjumi edhe faktori ndërkombëtar që do t’u bënte presion të dy palëve që të gjenin zgjidhje. Ka gjasa që VMRO-DPMNE-ja në situatë të këtillë do të kishte shkuar në zgjedhje të parakohshme, të cilat me siguri se do t’i fitonte lehtë. Edhe sikur të ndodhte kjo, pra, të eskivoheshin kërkesat e shqiptarëve, asgjë nuk ndryshon në thelb, sepse edhe pas zgjedhjeve, partitë shqiptare do të duhej t’i venin të njëjtat kushte, cilit do qoftë grup politik maqedonas që do t'i fitonte zgjedhjet. Kushtëzimet unike shqiptare, me trysninë ndërkombëtare, do të shkurtonin rrugën e realizimit të kërkesave, pasi duket qatë se konstrktiviteti në bashkëqeverisje nuk po çmohet sa duhet nga partia maqedonase në pushtet, për më tepër në shumë raste dhe është keqpërdorur.

Shqiptarët me veprim unik-mision i pamundshëm? Përse të jetë i pamundshëm? Partitë shqiptare ndoshta duhet të bëjnë një unitet ad-hok mes veti kundrejt partive maqedonase. Ato do të duhej ta lënë anash interesat e ngushta partiake, duke shtyrë njëra tjetrën me bërryla, të pushojnë së akuzuari kush më shumë ka dështuar, por të shohin se çka mund të bëjnë të riparohen gjera te projekti Shkupi 2014, te zbardhja e rastit të Radushës (të përkrahet ideja e PDSH-së për një ekspertizë të pavarur ndërkombëtare), çështja e statusit të familjeve dhe të ish-pjesëtarëve të UÇK-së, ndërprerja e procesuimit të rasteve që Gjykata e Hagës nuk ka pasur fakte të mjaftueshme ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së(është koha e fundit që BDI-ja ta organizojë një ekspertizë ekspertes për Lagjin për amnisti kundrejt këtyre rasteve), përfaqësimit të ulët të shqiptarëve në administratë në institucionet ku ka ngecje), gjer te barazia në sferën e ekonomike, kulturës, pushtetit lokal...Kjo do të ishte më produktive se sa të licitoheshin mes veti se kush ka bërë më shumë e kush më pak, të zhvillohen debate shterpe rreth 2001-shit janë joproduktive debatet se a ishte luftë për të drejtat e shqiptarëve apo luftë për pushtet(për ta zbritur PDSH-në nga pushteti), siç thotë kryetari i PDSH-së, Thaçi).

Përvoja e deritashme dëshmon se partitë maqedonase, sidomos VMRO-DPMNE, ka udhëhequr një politikë të prolongimit të zgjidhjes së çështjeve të hapura, në masë të madhe, duke shfrytëzuar edhe përplasjet midis partive shqiptare. Në këtë strategji, ajo i ofroi elektoratit një platformë ekonomike (“Ripërtrirja në 100 hapa”), të cilën në dy mandate e përkrahën pa rezervë edhe PDSH-ja edhe BDI-ja, porse në praktikë kjo platformë zhvillimore u zëvendësua me projekte të cilat jo që nuk e ripërtrinë apo mëkëmbën ekonominë e vendit, por atë e kanë gjunjëzuar për tokë duke e shterur për projektin politik të antikuzimit të vetëdijes dhe krijimit të vlerave false(disa e quajtën “bukefalizim” (sipas kalit të Aleksandërit të Maqedonisë), aq më tepër kur këto projekte jo vetëm që kanë krijuar çarje në etnitetin maqedonas, janë dhe në funksion të krijimit të një realiteti artificial i cili cenon realitetin e vërtetë multietnik e multikonfesional të shtetit.

Duhet t'i bëhet e qartë kujtdoqoftë, se mirëkuptimi për çështjet e ndjeshme maqedonase pushon në momentin kur ato bahen në dëm të shqiptarëve. Por gjithnjë, duke i ikur barazimit të agjendës së opozitës maqedonase në njërën anë dhe asaj të BDI-së dhe partive shqiptare, në anën tjetër, sidomos për shkak të kalkulimeve të gabuara dhe efektet e mundshme të veprimeve politike.

Publikuar: 08.06.2010 | 15:43
Lexuar: 2609 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime