E enjte, 13.12.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Forca të shumta të Njëjësisë Speciale të Policisë së Kosovës kanë qëndruar prapa rrethojave të barrikaduara për të ndalë demonstruesit nëse do të tentonin të futeshin brenda objektit. Faruk Dakaj, aktivist i Vetëvendosjes në Prizren ishte i pari që iu drejtua demonstruesve të mbledhur te Shatërvani.
Arrestohen në Prizren aktivistë të Vetvendosjes











Mijëra qytetarë në 132 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, të enjten, kanë demonstruar qetazi në Prizren kundër ndryshimit të logos së kësaj komune, që me vendim të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës është cilësuar si antikushtetuese, me arsyetimin se nuk janë përfaqësuar komunitetet jo shqiptare në të.

Aktivistë të lëvizjes “Vetëvendosje”, që kishin organizuar këtë demonstratë me moton “Lidhja është Gjallë”, kanë marshuar nga sheshi “Shatërvan” përgjatë rrugës “Adem Jashari”, tek Kuvendi Komunal, ku kanë vendosur në hyrje të objektit logon aktuale të kësaj komune, që përmban objektin e LSHP-së, vitin 1878, dhe vendin e lidhjes, Prizren.

Forca të shumta të Njëjësisë Speciale të Policisë së Kosovës kanë qëndruar prapa rrethojave të barrikaduara për të ndalë demonstruesit nëse do të tentonin të futeshin brenda objektit.
Faruk Dakaj, aktivist i Vetëvendosjes në Prizren ishte i pari që iu drejtua demonstruesve të mbledhur te Shatërvani.

Ai tha se Plani i Ahtisaarit, në emër të të cilit është marrë vendimi për ndryshimin e emblemës komunale, është veprim shkombëtarizues. Ky vendim po vjen pas një varg veprimesh tjera që filluan me heqjen e flamurit kombëtar, himnin pa tekst, serbizimin e objekteve fetare, kurse tash po synohet që ky shkombëtarizim të shkojë thellë edhe deri te vetë institucionet lokale

Glauk Konjufca ka thënë se janë mbledhur në kryeqytetin politik të kombit shqiptar për të demonstruar kundër sulmit që po i bëhet Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Konjufca ka shtuar se “nëse sot rrezikohet Lidhja e Prizrenit, kjo vjen për shkak se nuk kemi udhëheqës politikë sikur ata të Lidhjes së Prizrenit”.
Arrestohen në Prizren aktivistë të Vetvendosjes

“Krerët e Lidhjes së Prizrenit luftuan me armikun për t’i mbrojtur tokat shqiptare, kurse krerët e sotshëm luftojnë me njëri-tjetrin për t’i shitur trojet shqiptare. Krerët e Lidhjes së Prizrenit bashkoheshin vetë për të pasuruar popullin.

Krerët e sotshëm pasurohen prej parasë së të varfërve, prej buxhetit të popullit të Kosovës. Krerët e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit u bashkuan për shpëtimin e popullit, krerët e sotshëm po bashkohen për të shpëtuar prej popullit. Udhëheqësit e Lidhjes e lidhën besën për të dhënë jetën e tyre për të shpëtuar kombin, kurse krerët aktualë po e japin kombin për ta shpëtuar jetën e tyre”, ka vlerësuar Konjufca.

“Këta politikanë që e kanë pranuar Planin e Ahtisaarit kanë hequr dorë nga identiteti shqiptar, sepse Plani i Ahtisaarit na shkombëtarizon. Gjykata Kushtetuese është e Planit të Ahtisaarit dhe merr vendime kundër identitetit kombëtar shqiptar. Ata të cilët marrin vendime të tilla, në emër të Planit të Ahtisaarit, pa e vënë dorën në zemër e gishtin në kokë, pa menduar fare se çka do të thotë kjo, ata njerëz janë pa identitet”, ka thënë më tutje aktivisti i lëvizjes “Vetëvendosje!”.

Më pas afër kompleksit Lidhja Shqiptare e Prizrenit, demonstruesve u është drejtuar me një fjalë edhe Gani Krasniqi, ish-i burgosur politik dhe njëri ndër themeluesit e UÇK-së, dhe profesori nga Tirana Hysamedin Feraj. Sipas tij, “Plani i Ahtisaarit po e shfytyron kombin shqiptar, sepse po ia shlyen atij vetitë e tij thelbësore”. Në fund Feraj ka thënë se “atë që nuk e ka bërë sulltani, e bëri vetë Enver Hasani”.

Lideri i lëvizjes, Albin Kurti nuk ka marrë pjesë në këtë demonstratë. Visar Ymeri, nga kjo lëvizje, i ka thënë Kohës Ditore se nuk kanë dashur që ai të jetë prezent, ngase nuk kanë dashur që të fokusohet vëmendja nga ai nëse policia do të përpiqej ta arrestonte.
“Nuk kemi dash të largohet vëmendja nga demonstrata tek ai”, ka thënë Ymeri.

Sipas një komunikate të lëvizjes “Vetëvendosje”, pas përfundimit të demonstratës, shumë pjesëtarë të Policisë së Kosovës filluan t’i përcillnin aktivistët e Vetëvendosjes dhe demonstruesit që po shpërndaheshin. “Policia arrestoi pesë aktivistë të kësaj lëvizje: Arianit Sadikun, Muhamed Shemsiun, Durim Jasharajn, Hekuran Sejfullahun dhe Durim Xhemajlin.

Udhëheqja politike e Kosovës jo vetëm po na sjell vendime antishqiptare, por po i mbron ato edhe me kërcënime policore dhe arrestime. Në këtë mënyrë, ky regjim politik jo vetëm po na shkombëtarizon, por edhe po i terrorizon e frikëson qytetarët me arrestime, ashtu që të ta japin porosinë se të jesh shqiptar dhe ta mbrosh identitetin tënd tashmë është edhe e ndëshkueshme. Të njëjtën janë munduar ta bëjnë edhe Rankoviqi e Milosheviqi, por të gjithë ata që deri sot janë munduar ta zhbëjnë identitetin shqiptar, kanë dështuar dhe aspak ndryshe nuk do ta kenë fatin as robotët e sotshëm antishqiptarë.

Thërrasim Policinë e Kosovës të mos veprojnë tinëzisht, por t’i bashkohet popullit të bashkuar”, thuhet pos tjerash në komunikatën e “Vetëvendosjes”.

Publikuar: 11.06.2010 | 01:59
Lexuar: 1702 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime