E diel, 16.12.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Të gjata, flokëverdha, gjak gjerman ose italian dhe prejardhje sllave. Kjo është përzierja gjenetike e manekinave. Zbuluesit e modeleve kanë gjetur një zonë të re: Rio Grande do Sul, ku ka lindur Gisele Bundchen.
Në fermat e Brazilit shumetnik, në kërkim të top modeles perfekte













Para se të fillojë udhëtimin me makinën e tij të kuqe për të kontrolluar oborret e shkollave dhe qendrat tregtare të Brazilit jugor, Alisson Chornak studion libra, harta dhe sajte interneti, në mënyrë që të kuptojë përbërjen etnike të qyteteve të ndryshme për të krijuar një ide mbi paraqitjen e banorëve të saj me prejardhje europiane. Qëllimi i Chornak dhe i “zbuluesve të tjerë të modeleve”, është të gjejnë përzierjen e duhur gjenetike të gjakut gjerman dhe italian, ndoshta duke i shtuar edhe pak rus e sllav. Sipas tyre, ky është kombinimi që “prodhon” vajzat e gjata dhe të dobëta, me flokë të drejtë, bardhoshe, sy bojëqielli ose jeshile, që Brazili i eksporton suksesshëm në pasarelat e Nju Jorkut, Milanos dhe Parisit.

Që nga 1994-a, vit kur u zbulua Gisele Bundchen, modelja më e paguar në botë, në një qytezë jo shumë larg prej këtu, situata e vendit ndryshoi: sot, në fakt, ndryshe nga lloji i bukurisë që përfaqësohet me sukses nga Bundchen në Brazil dhe jashtë tij, vajzat braziliane e kanë të errët ngjyrën e lëkurës. Me debatin e ngritur për pamjen e jashtme të shoqërisë braziliane dhe se si ajo duhet të përfaqësohet, janë angazhuar edhe përfaqësuesit ligjorë, të cilët me rastin e Javës së Modës të San Paolos, ngjarja më e rëndësishme e modës në vend, kanë vendosur punësimin e modeleve me prejardhje afrikane ose indigjene në një përqindje jo më të ulët se 10.

Por, pavarësisht këtyre ndryshimeve, sot modelet e reja zbulohen zakonisht në fermat e vogla të Rio Grande do Sul, një shtet që u kolonizua kryesisht nga gjermanët dhe italianët, popullsia e të cilit është pothuajse e barabartë me një të njëzetën e asaj kombëtare. Duke qëndruar te “modelet e zbuluara”, në 70 për qind të rasteve modelet braziliane vijnë nga tri shtete jugore të vendit, të cilat nuk kanë përzierjen shumetnike të Brazilit, ku më shumë se gjysma e popullsisë nuk është e bardhë.

E ndërsa faqet e revistave ilustrojnë gamën e gjerë të bukurive vendase, duke përzier modelet e bardha me femrat me ngjyrë lëkure të errët, nëpër pasarela, sheshi i vërtetë i provës për modelet që shpresojnë të punojnë jashtë shtetit, kërkesat sa vijnë e rriten. Përfaqësuesit ligjorë që kanë hetuar rreth akuzave të diskriminimit drejtuar revistës së përjavshme të modës të San Paolos, kanë zbuluar se vetëm 28 prej 1128 modeleve të punësuara në fillim të 2008-s e kishin lëkurën e errët. Ky është një fakt, i cili tregon hapur diskriminim mes asaj që shumë brazilianë e konsiderojnë “të bukur” dhe llojit të bukurisë që vendi eksporton jashtë.

E ndërsa aktoret zezake, Juliana Paes e Camila Pitanga, janë konsideruar si brazilianet më seksi, jashtë mbahen Bundchen dhe modele të tjera me origjinë nga jugu. Disa “zbulues modelesh” kanë filluar të kërkojnë zona “më pak të bardha” të vendit dhe kohët e fundit një stilist brazilian, Walter Rodrigues, e ka inauguruar Javën e Modës së Rios me 25 modele, të gjitha me ngjyrë lëkure të errët. Për më tepër, në jug të Brazilit zbuluesit vazhdojnë t’i kushtojnë më shumë kohë kërkimit të Giselave të ardhshme dhe nuk kanë ndërmend të heqin dorë që të sjellin një tendencë të re, sepse motoja e tyre është: “Shesin mirë”.

Dilson Stein, i cili zbuloi Bundchen kur modelja ishte vetëm 13 vjeçe, e ka përkufizuar Rio Grande do Sul një kuti vajzash të bukura dhe modelesh të fuqishme. Një vit para se të zbulonte Bundchen, prindërit e së cilës janë me origjinë gjermane, Stein kishte bërë të famshme Alessandra Ambrosio, që në atë kohë ishte 12 vjeçe, ndërsa sot është e famshme për fotografitë e shfaqura në katalogët e “Victoria’s Secret”. Kërkimi i talenteve të reja sot u besohet fotografëve të rinj e të famshëm si Chornak. Me gatishmëri të madhe, ai zbret menjëherë nga makina për të ndjekur një vajzë të gjatë, e cila ka veshur një xhup me kapuç.

“Të ka shkuar ndonjëherë ndërmend të bëhesh modele?” - e pyet ai. Pastaj Chornak merr një cigare dhe shkon për t’i bërë një vizitë Michele Meurer, një 16-vjeçare me sy të kaltër, e cila është zbuluar nga ai ndërsa shkonte në shkollë me biçikletë. Herën e parë që shkoi në San Paolo, vajza, e turpshme dhe shumë e rezervuar, qau jashtëzakonisht, ndërsa herën e dytë rezistoi vetëm gjashtë ditë, para se Chornak ta rikthente sërish në shtëpi. Para se ta shoqëronte të bijën për në San Paolo, e ëma nuk ishte larguar kurrë më parë nga vendi.

Chornak e këshilloi vajzën të përdorte kremra solarë, ndërsa punonte nëpër fusha dhe të bënte kujdes me ushqimin. I ati, shumë krenar, e regjistroi në një kurs anglishteje, në rast se do të qëndronte jashtë shtetit. “Dua t’u jap atyre një jetë më të mirë”, pohon Michele në lot, duke iu referuar prindërve të saj. Së fundmi vajza ishte sërish në San Paolo, ku Chornak e çoi në një apartament me tri dhoma së bashku me njëmbëdhjetë vajza të tjera. Por 14 ditë para Javës së Modës së San Paolos, Michele bëri gati valixhet dhe u rikthye në shtëpi. “Më vjen shumë keq që Michele la gjithçka. Kisha investuar shumë tek ajo”, përfundon Chornak. (gazeta shqip)

Publikuar: 11.06.2010 | 13:06
Lexuar: 4208 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet
nore (09/08/2011 19:00:48) jo edhe shum te bukura kosova i ka vajzat ma te bukura

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime