E premte, 14.12.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Shënimi i përvjetorëve për njerëz që kanë kontribuar qoftë në jetën kulturore, politike, apo shoqërore ose duhet të bëhet mirë ose të mos organizohet fare. Hajgare nuk ka.
Sa për sy e faqe







Kohëve të fundit, jo rrallë, ndodh që shënimet e përvjetorëve për njerëz që kanë kontribuar në fusha të ndryshme, bëhen vetëm sa për sy e faqe. Kjo ndodhi edhe me shënimin e përvjetorit të Anton Çettës, i cili u mbajt të ënjtën në kuadër të Panairit të Librit në Prishtinë, ku të pranishëm ishin jo më shumë se 15 veta.

Përpos organizatorëve të Panairit të Librit dhe disa të pranishmëve të tjerë, aty nuk qe asnjë përfaqësues i ndonjë institucioni qoftë politik, qoftë kulturor, qoftë arsimor. Madje të pranishëm nuk qenë as kolegët e tij të Universitetit të Prishtinës e as ata të Institutit Albanologjik, përveç referuesit që është punonjës në këtë institut.

Edhe pse Daut Demaku, kryetar i Shoqatës së Botuesve dhe organizator i Panairit të Librit, tha se do ta bëjnë një takim shumë të thjeshtë, krejt spontan, për, siç u shpreh ai, profesorin tonë shumë të dashur dhe të nderuar Profesor Anton Çettën, prapëseprapë kjo nuk e justifikon organizatorin për organizimin sa për sy e faqe të këtij përvjetori. Kjo për shkak se, përveç 90 vjetorit të lindjes, në këtë vit bëhen edhe 15 vjet nga vdekja e tij, e po ashtu, ky vit, siç e tha edhe Demaku, koincidon edhe me 20 vjetorin e pajtimit të gjaqeve, të cilave u ka prirë profesor Antoni.

Duke folur për njeriun që përpos që ka dhënë kontribut në studimin dhe mbledhjen e folklorit, gjithashtu u ka prirë pajtimeve të gjaqeve gjatë viteve nëntëdhjetë, Demaku tha se ai është një figurë shumë e fuqishme, shumë e pasur, për të cilin mund të flitet shumë, por është shumë vështirë të thuhet diçka e panjohur për të, për arsye se edhe publicistika në njëfarë mase e ka prezantuar në mënyrën më të plotë tërë veprimtarinë e profesor Antonit.

“Ai ka qenë njëri prej profesorëve më të disiplinuar, më korrekt, por edhe më i thelli, një prej atyre edukatorëve që nuk ishin vetëm ligjërues ex katedra, por gjithmonë ishte me studentët për secilën problematikë të tyre”, tha Demaku.

Me një referim më të gjatë dhe gjithashtu monoton u paraqit Mehmet Rukiqi, folklorist, i cili profesor Anton Çettën e konsideroi si misionar të arsimit dhe pajtimit kombëtar.

Mirëpo, ndryshe nga Demaku, i cili tha se sivjet mbushen 15 vjet nga vdekja e Anton Çettës, Rukiqi tha se në këtë vit mbushen 12 vjet nga vdekja e tij.

“Sivjet mbushen 20 vjet nga formimi dhe veprimtaria e lëvizjes gjithëpopullore të pajtimit të gjaqeve, në krye të së cilës ishte profesor Anton Çetta. Po në këtë vit mbushen 12 vjet nga vdekja e këtij personaliteti”, tha Rukiqi. Kjo i la të habitur disa të pranishëm që e vërejtën këtë mospërputhje të datës së vdekjes së Anton Çettës, megjithëse dihet që ai ka vdekur në vitin 1995, e që i bie rrafsh para 15 viteve. Pasaktësia e kolegut të tij nga Instituti Albanologjik mund të kuptohet lehtë. Sigurisht ai këtë referat e ka shkruar para tri viteve dhe nuk është lodhur të shkruajë edhe ndonjë tjetër. Mirëpo, ai ka harruar se para tri viteve ka qenë 12 vjetori i vdekjes së profesor Antonit, ndërsa tani kanë kaluar edhe tri vite dhe janë bërë 15 vjet që nga vdekja e tij. (express)

Publikuar: 12.06.2010 | 00:11
Lexuar: 1906 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime