E mërkurë, 12.12.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Jo së fundmi, por që në fillim të deklarimeve të tyre në media, dy përfaqësuesit e lartë evropianë në Kosovë, kanë lavdëruar kryeministrin Thaçi “për sjellje konstruktive gjatë hetimeve” për luftën ndaj korrupsionit.
Xhavit HALITI: Arsye për shtyrjen e afatit









Xhavit HALITI

Këshilli i Bashkimit Evropian vendosi, më 7 qershor, zgjatjen e mandatit të misionit EULEX në Kosovë deri në vitin 2012. U bë një shtyrje e mandatit të këtij misioni, që ka filluar më 4 shkurt të 2008-ës dhe që pritej të përfundonte më 31 gusht të këtij viti. Shtyrja nga Këshilli i Bashkimit Evropian i mandatit të misionit të EULEX-it në Kosovë edhe me dy vjet (deri më 8 gusht 2012) kushtëzoi deklarimin para medieve të dy përfaqësuese të lartë evropianë në Kosovë për marrjen dhe arsyet e marrjes së këtij vendimi.

Më 8 qershor, Yves e Kermabon, shefi i EULEX-it dhe Piter Faith, i parashtruan publikut argumentet për zgjatjen e qëndrimit dhe veprimit të EULEX-it në Kosovë mbi dy shina: - Mbi shtimin e shembujve të punës ndërinstitucionale në shtetin e Kosovës. - Mbi bashkëpunimin e drejtësisë me institucionet shtetërore. Feith vuri theksin te domosdoshmëria e ruajtjes së tërësisë territoriale të Kosovës, e shtrirjes së sovranitetit tonë shtetëror në tërë këtë territor të njohur dhe në shmangien e çdo mundësie për shpërthimin e ndonjë konflikti të dhunshëm mes Serbisë dhe Kosovës për këtë çështje.

De Kermabon shfrytëzoi për shtyrjen e mandatit të EULEX-it edhe për 2-vjet disa shembuj të punës së institucioneve vendore për të goditur, në zbatim të ligjit, trafiqet, korrupsionin dhe sinjalet të bashkëpunimit të organit të akuzës (prokurorisë) në Kosovë dhe Serbi për të zbardhur krimet e luftës (identifikimin e kosovarëve të gjetur në varrezën e përbashkët në Rashkë) dhe “për të identifikuar, po ashtu, eshtrat e serbëve, që supozohet të jenë groposur në Kosovë, në mënyrë që të kemi balancim dhe pozitë të barabartë, e cila është e rëndësishme për ripajtim”.

Në përforcim e detajim të deklarimeve P. Feith dhe De Kermabon, një dit më pas, vihet edhe një zëdhënëse e EULEX-it, Kristina Herodes, e cila, në një intervistë bërë BBC-së tha se Misioni Evropian për sundimin e ligjit ka paralajmëruar shtrirjen e hetimeve në veriun e Kosovës për një numër rastesh, përfshirë ato të korrupsionit, krimit, të organizuar dhe vrasjeve. Sipas znj. Herodes, asnjë strukturë apo organizatë në veri, që mund të jetë përfshirë në krim të organizuar ose në kontrabandë, pavarësisht përkatësisë etnike të tyre, nuk do të mbeten pa u hetuar.

Jo së fundmi, por që në fillim të deklarimeve të tyre në media, dy përfaqësuesit e lartë evropianë në Kosovë, kanë lavdëruar kryeministrin Thaçi “për sjellje konstruktive gjatë hetimeve” për luftën ndaj korrupsionit.

Kaq janë arsyet e bëra publike deri tashmë për shtyrjen e afatit të misionit të EULEX-it në Kosovë nga Këshilli i Bashkimit Evropian. Për aq sa janë, a janë të argumentuara! Por, mendoj se këtë shtyrje afati të misionit të EULEX-it, të këtij angazhimi të përgjegjshëm dhe të kushtueshëm të BE-së në Kosovë, ato nuk janë të mjaftueshme. Duke gjykuar në bllok, pa hyrë në një analizë të detajuar të dyfishtë të afatit të qëndrimit të EULEX-it në Kosovë, kujtohet përshtypja se misioni i tij, i planifikuar, për 2-vjet ose ka qenë i keqplanifikuar nga BE-ja ose ka qenë i keqmenaxhuar nga strukturat tepruese të EULEX-it.

Shteti ynë ka dy vjet që bashkëjeton, që respekton dhe bashkëvepron me misionin e BE-së, por që po vlerësohet prej tij vetëm për dy tre javët e fundit. Dhe, meqenëse vlerësimi për “ ecurinë” shtetërore të Kosovës nga misioni i BE-së në fillimin e pranverës së 2010-ës, Këshilli i BE-së e fillon numërimin e afatit kohor të veprimit të EULEX-it në Kosovë nga fundpranvera e 2010-ës. Shtohen 2 vjet në afatin e një misioni ndërkombëtar, me kompetenca, aftësi vepruese, mbështetje të gjithanshme ndërkombëtare dhe me tagër të njohur për të kufizuar e orientuar pushtetet në një shtet të shpallur të pavarur.

Shtyhet afati i misionit nga Këshilli i Bashkimit Evropian pa ndonjë kërkesë të njohur (së paku unë nuk jam në dijeni) të strukturave tona të lartë shtetërore dhe, menjëherë krerët më të lartë të Kosovës shtet deklarohen jo vetëm miratues, por edhe “entuziastë” të këtij akti. Kam qenë mbështetës i pranisë së EULEX-it në Kosovë dhe për këtë jam shfaqur edhe në media, kur, shumëkush nga elita politike e shtetërore janë shfaqur hezitues ose kundërshtues.

E kam mirëpritur dhe e vlerësoj veprimtarinë e derisotme të misionit evropian për sundimin e ligjit në Kosovë, por dyfishimi i afatit të qëndrimit të tij te ne më duket një akt që kërkon ose një argument më të plotë, të bërë gjerësisht publik, ose një rishikim e kufizim nga Këshilli i Bashkimit Evropian të afatit 2-vjeçar të shtyrjes së qëndrimit dhe veprimit të EULEX-it në mbështetje, e ndihmë të formësimit e konsolidimit të shtetit të Kosovës. Pavarësisht nga “thatësia” e argumenteve të rrjedhura kryesisht në respektim të logjikës formale, personalisht dëshiroj dhe shpresoj se kjo shtyrje afati e EULEX-it do të jetë më kontribuuese në konsolidimin e shtetit dhe sundimin e ligjit në Kosovë.

Publikuar: 12.06.2010 | 22:02
Lexuar: 4192 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime