E shtunë, 17.11.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Miqtë dhe marrëdhëniet sociale, martesa e lumtur, dashuria, besimi i palëkundur në vetvete, suksesi në punë e studime dhe shëndeti i mirë. Janë këta disa nga përbërësit e recetës që psikologët dhe shëruesit e shpirtrave këshillojnë për të arritur lumturinë.
Përbërësit e recetës së lumturisë










Miqtë e mirë dhe marrëdhëniet sociale, martesa e lumtur, dashuria besimi i palëkundur në vetvete, suksesi në punë e studime dhe shëndeti i mirë. Janë këta disa nga përbërësit e recetës që psikologët dhe shëruesit e shpirtrave këshillojnë për të arritur lumturinë. Edhe pse shumë gjëra nuk i kemi në dorë, duhet të mbështetemi fort te të tjerat që mund t’i arrijmë më lehtë. Kështu nëse shëndetin e mirë apo sukseset shpesh nuk i kemi në dorë, nuk mund të themi të njëjtën gjë për ushtrimet fizike të paktën tri herë në javë, bisedat e vazhdueshme me prindërit dhe miqtë e ngushtë, apo orët e pakta para televizorit.

Edhe pse mund të duken “përbërës” me jo shumë vlerë, psikologët mendojnë se të gjithë së bashku ndikojnë për të na përmirësuar gjendjen shpirtërore dhe për t’u ndier më të lumtur. Por nëse këta përbërës ndikojnë tërësisht pozitivisht mbi psikikën tonë, është vërtetuar se paratë, fatkeqësitë, humbja e punës dhe rutina e përditshme janë armiqtë kryesorë të saj. Kështu receta tashmë është evidente, nuk ndodhet as te shuma e parave dhe as tek ilaçet antidepresive. Që në hartimin e Kushtetutës së parë amerikane, lumturia është një objektiv i pacenueshëm në jetën e çdokujt dhe shkencëtarët, nisur nga kjo, kanë bërë një kërkim për të parë se cilët janë përbërësit e saj realë.

Martin Seligman, drejtor i Qendrës së Psikologjisë Pozitive në Universitetin e Pensilvanisë, ka krijuar disa lloj ushtrimesh për të rritur nivelin e lumturisë individuale. Çdo ditë, vullnetarët e Seligman duhet të regjistronin në një ditar tri episode pozitive, emrat e tre personave që janë sjellë mirë me ta (të cilët duhet t’i falënderosh personalisht ditën tjetër), për të provuar një rrugë të re për të përdorur më mirë cilësitë personale.

Sipas Seligman, këto ushtrime të thjeshta kanë ndihmuar 92 për qind të vullnetarëve, që demonstronin simptoma depresioni. Por pa marrë parasysh rezultatet e qarta nga "shkenca e lumturisë" mbetet ende një pengesë e madhe për t’u kapërcyer ajo e bashkimit të masës. "Kur i referohemi kënaqësisë, thotë Lord Layard, që shpjegon ekonomi në ‘London School of Economics’, mendojmë ende për tullumbacet që valëviten në qiell ose diçka mendjelehtë.

Në fakt, duhet të mësojmë të arsyetojmë në mënyrë shkencore". Për Ed Diener, psikolog në Universitetin e Illinois, zgjidhja më e mirë është t’u kërkohet vullnetarëve: "Nga 1 deri në 7, sa je i lumtur"? Duke e përsëritur pyetjen në momente të ndryshme të ditës është e mundur që gjithsecili të formojë grafikun personal të kënaqësisë. "Si metodë nuk është perfekte, por funksionon", thotë Diener. Duke ndjekur një teknikë të ngjashme "British Household Panel Survey" në vitin 2003 ka arritur në përfundimin se rinia nuk është sinonim i kënaqësisë. Kurba e kënaqësisë regjistron në fakt një pikë negative për 40-vjeçarët, por arrin pikën maksimale në momentin e daljes në pension.

Përfundime të kundërta ka arritur një studim i Universitetit të Goteborg në janar të 2009-s. "Lumturia nuk është që të rrish gjithë ditën para diellit, por të punosh", shpjegon profesor Bengt Bruelde. "Sa më shumë impenjohemi, aq më tepër i afrohemi lumturisë". Gabimi më i madh është që të mësohesh pas të mirave që të japin një kënaqësi të shpejtë. "Paraja të bën të lumtur deri në njëfarë pike, tamam si ndjesia e blerjes së një makine të re. Kur mësohesh shumë me diçka, kënaqësia ezaurohet".

Përbërësit e recetës së lumturisë


"British Medical Journal", në një editorial të dhjetorit 2009, tregonte sesi me rritjen e pasurisë në vende të ndryshme të botës kishte rënie të kënaqësisë personale. Pak stres dhe kohë për t’u dedikuar të tjerëve vijnë si sekretet që janë klasifikuar në vendet e para të shkallës së lumturisë. Në gusht të vitit 2005, një kërkim amerikan i "American Sociological Association", shpjegon se pasuria të bën të lumtur vetëm nëse është më e madhe në krahasim me të njohurit. Por shumë mendojë se dashuria është një tjetër përbërës i rëndësishëm i lumturisë. Prej 72 vjetësh, Universiteti prestigjioz i Harvardit është përpjekur t’u japë përgjigje të sakta këtyre pyetjeve të vështira, përmes një studimi të quajtur "Grant Study", i cili është konsideruar edhe më i gjati i këtij lloji i realizuar deri më sot.

Qëllimi? Për të sqaruar misteret që trazojnë njerëzimin që në fillimet e historisë. Përgjigjja që japin studiuesit është shumë e qartë dhe e thjeshtë: lumturia dhe dashuria. Vetëm ai që do dhe duhet jo vetëm nga partneri, por edhe nga prindërit, miqtë, motrat, vëllezërit, mund të jetë i gëzuar dhe të jetojë një jetë të qetë e të lumtur. Një tjetër e dhënë që ka dalë nga studimet tregon se meshkujt në përgjithësi janë më të lumtur se femrat. Sipas studiuesve, niveli i përgjithshëm i lumturisë së femrave është ulur gjatë 40 viteve të fundit. Rënia nuk varet nga fakti se femrat kanë një ose më shumë fëmijë, situata ekonomike, gjendja shëndetësore, puna që bëjnë dhe nëse janë ose jo të martuara.

Femrat e fillojnë jetën më të lumtura se meshkujt, por kur shkojnë drejt fundit të ekzistencës së tyre, nuk janë më aq të lumtura sa në fillim. Lumturia martesore e femrave ulet më shumë se ajo e meshkujve kur janë 39 vjeçe, në moshën 41-vjeçare ulet kënaqësia ekonomike, në moshën 44-vjeçare femrat janë më të pakënaqura se meshkujt rreth asaj që kanë arritur. Në moshën 47-vjeçare, femrat nuk janë dhe aq të lumtura për jetën e tyre sa meshkujt. Kështu, kurba vazhdon të zbresë. Trajektorja është koherente dhe vazhdimisht në rënie. Ndërsa për meshkujt ndodh e kundërta: deri në njëfarë pike, kurba rritet dhe kur meshkujt e femrat arrijnë të 50-at, fatet e tyre ndahen. (gazeta shqip)

Publikuar: 18.06.2010 | 01:09
Lexuar: 1486 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime