E hënë, 10.12.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Festivali i parë i këngëve dhe i valleve popullore dhe i aktiviteteve të tjera kulturore-artistike në komunën e Klinës u organizua në qershorin e vitit dymijë në shenjë të ditëlindjes së komandantit Mujë Krasniqit.
Festivali me publik më të madh në trojet shqiptare




Hasan Hasanramaj

Festivali folklorik “I këndojmë lirisë” në Klinë


Kremtimin i dhjetëvjetorit jubilar të festivalit folklorik “I këndojmë lirisë - Klina 2010” – ishte tema rreth së cilës biseduam me drejtorit artistik të komunës së Klinës, Ismet Krasniqin i cili në mes tjerash na tha së këto ditë në kuadër të kremtimit të dhjetëvjetorin të manifestimit të madh kulturor shoqëritë kulturore-artistike, grupet artistike, ansamblet dhe individët e tjerë – mbi tridhjetë mijë dashamireve të muzikës folklorike, popullore nga Rrafshi i Dukagjinit dhe nga trojet e tjera shqiptare e më larg u ofruan programe të pasura dhe të larmishme kulturore-artistike të cilat nuk do të harrohet kurrë. . .

Festivali i parë i këngëve dhe i valleve popullore dhe i aktiviteteve të tjera kulturore-artistike në komunën e Klinës u organizua në qershorin e vitit dymijë në shenjë të ditëlindjes së komandantit Mujë Krasniqit. Ky ishte festival i veçante, i cili atëbotë kishte të bëjë me krijimtarinë folklorike të dedikuar kryesisht frymës së luftës për liri dhe komandantit Mujë Krasniqit - Kapuçit dhe Beqir Gashit, rapsodë dhe dëshmorë të kombit që luftuan me pushkë në dorë për ta çliruar atdheun dhe për t’u flijuar për liri. Karakteri i festivaleve të kaluara dhe i këtij sivjet ishte epik, prandaj edhe kënga edhe vallja ishin epike. Tani, në dhjetëvjetorin e festivalit, edhe lirika popullore ishte e pranishme. Sigurisht kjo është e arsyeshme, nëse dje është dashur të luftohet për ta çliruar atdheun e quajtur Kosovë, sot të gjithë ne duhet ta adhurojmë Kosovën dhe të luftojmë për ta bërë më të mirë e më të lumtur. Atmosferën e këtij festivali folklorik me programet e veta të pasura dhe të larmishme kulturore-artistike e bënë edhe më madhështore grupet artistike, shoqëritë kulturore-artistike dhe ansamblet nga Kosova, Tetova, Shkupi, Struga, Vlora, Gjirokastra, Tirana, Lezha, Shkodra, Mirëdita, Kukësi, Tropoja e Kruma e Hasit, Kosova Lindore, Plava e Gucia, Tuzi e Ulqini dhe nga diaspora..

Festivali me publik më të madh në trojet shqiptare
Festivali folklorik “I këndojmë lirisë”, që është tradicional në komunën e Klinës, si çdo vit edhe sivjet kishte karakter garues. Për më të mirët, si për çdo vit edhe sivjet ndau nga dhjetë çmime. Kryetari i Kuvendit të Komunës së Klinës, z. Sokol Bashota , njëherësh drejtor i festivalit, ndau nga një çmim special për të gjitha grupet pjesëmarrëse në festivalin jubilar.

Për dhjetë vjet në skenën e Festivalit Folklorik në Klinë defiluan me këngë e vallen mbi gjashtë mijë artistë, rapsodë e valltarë, ndërsa festivali i Klinës u shpall nga profesionistët e muzikës dhe organizatorët e festivaleve shqiptare - si festival me publik më të madh në trojet shqiptare. Sipas disa vlerësime thuhet se tri net, sa zgjati festivali në Klinë, ishin të pranishëm mbi tridhjetë mijë shikues, shumica të rinj.

“Ajo që më inkurajon, -na tha në vazhdim të bisedës Ismet Krasniqi, -është se festivali folklorik “I këndojmë lirisë”, që u mbajt në Klinë, tani është institucion kulturor i cili ka nevojë për një këshill të përgjithshëm udhëheqës, për një këshill artistik dhe për një rregullore të mirëfilltë, sepse kjo e tanishmja është tejkaluar, sigurisht se në të ardhmen ky këshill do të duhej të shqyrtonte mundësinë a do të mbetet edhe më tutje ky festival në nivelin kombëtar, apo do të ndërkombëtarizohet, siç ka propozuar regjisori i festivalit z. Sejmen Gjokoli.

“Pavarësisht nga pozicioni im, -na tha Ismet Krasniqi, -a do të jemi në të ardhmen brenda strukturës organizative të festivalit apo jashtë, më gëzon fakti për nivelin e lartë - ku kanë mbërritur festivalet dhe grupet artistike në të gjitha hapësirat shqiptare... Festivali i sivjetmë në Klinë kishte tri shtylla artistike: defilimin artistik, hapjen e festivalit në fshatin Çabiq, defileun artistik në qytetin e Klinës dhe paraqitjen e artistëve në skenën e festivalit, e cila në dhjetë vjetët e Festivalit ka pasur dukje më të bukur dhe shumë funksionale dhe me ide epike e projektuar nga skenografi, piktori, Idriz Berisha.

Në të ardhmen u duhet dhënë mundësinë të rinjve që edhe ata nëpërmjet këngës popullore ta kenë ndonjë mbrëmje me muzikë të zhanreve të ndryshme dhe fëmijëve deri në moshën gjashtëmbëdhjetëvjeçare.

Në kuadër të këtij festivali u organizuan edhe aktivitete të tjera kulturore, si hapja e ekspozitës së fotografive nga festivalet e kaluara, promovimi i librave, i tribuna shkencore, i gara sportive e të tjera. Në dhjetëvjetorin e mbajtjes të festivalit folklorik “I këndojmë lirisë - Klinë 2010” përveç aktiviteteve kulturore-artistike, gjatë tri ditëve, sa zgjati ky festival, u zhvilluan edhe shumë aktivitete të tjera kulturore dhe sportive: Një nder këto aktivitete ishte edhe promovimi i botimeve të reja të shkrimtarëve të mirënjohur të komunës së Klinës, si të Sabit Istogut, me dramën me titull “Të vrarë e të uritur”, pastaj Gjon Gjergjaj me poezi “Vjersha me mjaltë”, Venera Shaqir Malokut me librin “Jam faqe pranvere” dhe Riza Lahit nga Tirana “Nën hënën e Ulqinit”, ”Drenica - qeleshja kosovare” etj.

Festivali me publik më të madh në trojet shqiptare
Kërkohet një përkushtim më i madh nga Ministria e Kulturës, komunat dhe Qeveria e Kosovës për një mbështetje me të madh të aktiviteteve kulturore

Edhe në festivalin folklorik “I këndojmë lirisë” në Klinë vlerësimi i përgjithshëm i aktivistëve, aktorëve të mirënjohur të trojeve shqiptare ishte se festivalet kombëtare, të cilat po organizohen në trojet shqiptare dhe në diasporë, të cilat po e ndihmojnë shumë bashkimin dhe afrimin e popullit shqiptar në një anë, kurse në anën tjetër këto festivale janë bërë panaire të vlerave etnike-kulturore të popullit shqiptar.

Një ndër brengat më të mëdha që është e pranishme te grupet artistike, te shoqëritë kulturore-artistike, te ansamblet dhe te tjerët në periudhën e pas luftës, është përkrahja e vogël dhe mungesa e vogël e mjeteve financiare që duhet të sigurohen nga ana e kuvendeve të komunave, nga Ministria e Kulturës dhe nga Qeveria ?!

Kjo neglizhencë e atyre që janë në krye të shtetit po krijon vështirësi të mëdha në zhvillimin normal të veprimtarive kulturore-artistike në Kosovë dhe në trojet e tjera shqiptare.

Edhe në Festivalin Folklorik në Klinë aktorët e mirënjohur të trojeve shqiptare dhe të diasporës dërguan kritika të ashpra në adresë të shoqërive kulturore-artistike dhe atyre që po punojnë me to rreth veshjeve të aktorëve me rroba kombëtare, të cilat ashtu si po veshën çdo ditë e më shumë po i shëmtojnë manifestimet tona kulturore-artistike. Kur jemi këtu duhet veçuar së në këto festivale dhe manifestimet të tjera kulturore-artistike shihen këngëtare, valltaret dhe të tjerët me veshje që nuk i përkasin folklorit shqiptar të trevës që e përfaqësojnë.

Andaj, edhe nga manifestimi folklorik në Klinë u kërkua që valltarët, këngëtarët dhe të tjerët që veshja kombëtare -duke fillua nga koka e deri në opinga t’i përgjigjet origjinalitetit dhe vendit ku duhet veshur - duke filluar nga plisi, shoka, jeleku, pështjellakët, këmisha, tirqit e deri te opingat e tjera.

Festivali me publik më të madh në trojet shqiptare
Promovimi i botimeve të reja dhe organizimi i turnirit në futboll të vogël

Në tubimet të cilat u mbajtën me rastin e promovimit të këtyre botimeve të reja folën emra të njohur të letërsisë të Kosovës: Prend Buzhala, Riza Lahi, Ismet Krasniqi, Agim Desku, Gjon Gjergja, Mahir Morina, ndërsa në emër të DKKRS të pranishmit i përshëndeti drejtori Ahmet Krasniqi.

Në kuadër të këtij festivalit u organizua edhe tribuna shkencore me temën “Krijimtaria dhe lufta”, ku me kumtesat e tyre u paraqitën: prof. dr. Asllan Krasniqi, Izber Hoti, publicisti Prend Buzhala, prof. dr. Sabaudin Cena, Hajdin Morina, e të tjerë.

Po çdo mbrëmje, gjatë tri netëve sa zgjati festivalit, u botua buletini informativ me titull ”Lyra”, i përgatitur nga gazetarët lokalë që raportonin nga Klina, si dhe u botua buletini solemn nën përkujdesjen e Skënder Behramajt “Lyra plus”. Po ashtu gjatë këtij manifestimi kulturor në Klinë u hap ekspozita me foto dhe shkrime të gazetave gjatë nëntë festivaleve të kaluara, të cilën e përgatiten Skënder Behramaj, Ahmet Krasniqi, Idriz Berisha, Ismet Krasniqi dhe Elmi Berisha.

Aktiviteteve kulturore të festivalit folklorik “ I këndojmë lirisë” gjatë tri ditëve sa zgjati ky manifestim kulturor, u vizituan nga aktorë dhe piktorë të mirënjohur nga Gjirokastra dhe trojet e tjera shqiptare. Shumë dashamirë të artit figurativ e vizituan atelienë e artit figurativ të Idriz Berishës në fshatin Ujmir dhe Muzeu dhe atelienë e skulpturave të Gjon Gjergjajt në fshatin Krushevë të Vogël.

Po ashtu nga aktivitete sportive të cilat i udhëhoqi Xhafer Ademi u zhvilluan turniri në futboll të vogël.

Publikuar: 09.07.2010 | 02:06
Lexuar: 3223 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime