E martë, 11.12.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Për dore shtrëngonte nipin që ende si kishte mbushur dy vjet, shëtiste në oborrin e tij që sikur ishte lënë në mëshirën e fatit e të kohës. Arsyet!!! Nuk e kuptova emrin e këtij vogëlushi, unë e pagëzova Jetëroi.
Si të gjeta Kumanovë ?!
Lagjja e trimave


Sadije Aliti, Kumanovë


Buzëmbrëmja bëhej gati të shtrijë krahët mbi qytetin e Kumanovës, qytet që muaj më parë tronditi, jo vetëm vendin por, edhe vendet e vendimmarrjes botërore e evropjane për të ardhmen e Ballkanit.
Një lagje, një pjesë e qytetit me banorë të përzier të popullatës. Gjuha e kombit tim e kishte pagëzuar me një emër e kuptim të fuqishëm “Lagjja e trimave”, e gjuha e shtetit e pagëzonte me një emërtim të vrazhdë “vendbanim i egër” (“diva nasellba”), e dinë vetëm ata që e kanë pagëzuar dhe e thërrasin kështu?!. Edhe në këtë lagje jetojnë njerëz të njëjtë si edhe në pjesët tjera qytetit duke i kryer obligimet e njëjta ndaj qeverisjes vendore dhe shtetërore.

Rrugicat e lagjes sikur dëshironin që sa më shpejtë të fshinin gjurmët e atyre netëve të fundjavës së majit, gjurmët e netëve të trishtimit, ku mbi kokat e tyre u bë hataja e një lufte, apo një çmendurie, që askush ende nuk e di se pse. Ajo mbetet enigmë. E tëra mbeti në ato të përfolme që dëgjohen si nga zyrtarë andej e këndej kufijve, si nga politikanë, si nga gazetarë e të mediave të shkruara apo elektronike, si nga njerëz të rëndomtë. Secili jep nga një version e përfundim, nga një mendim, po ai mbetet aty edhe ku jepet.
Rrugicat e lagjes kishin rimarrë veten. Aty këtu në ndonjë skaj, në ndonjë mur, apo në ndonjë derë porte të larguar anash, shiheshin vrimat e mbetura nga gjuajtjet e sulmit të majit.
Jeta dukej sikur po ecte normalisht nëpër ato shtëpi të një rrugice të përbaltur. Shtëpi të reja të ndërtuara nga themelet, apo të riparuara ishin ngritur në këmbë nga të dy anët e rrugicës, shiheshin mjeshtër të shumtë që po punonin për të shfrytëzuar kohën në këtë fillim vit.

Në krye të rrugicës takojmë një zonjë që po vraponte mbaronte punët e mbrëmjes. Me një buzëqeshje të ndrojtur na ktheu përshëndetjen. Bisedë spontane e të thjeshtë, po në sytë e saj sikur lexohej fjalia: “Aman, mos ma kujtoni atë ditë e natë maji”.
“Nuk dimë, kemi qenë të ngujuar të gjithë, bashkë me fëmijët, mbi kokë na kanë rrëshqitur plumbat që vinin nga rruga poshtë”- rrëfen shkurt ajo, e me dorë tregon shtëpinë pjesërisht të riparuar. Pranë saj ishte muri, që fliste si dëshmi për atë katrahurë të përjetuar, e muri mbetej dëshmi e kohës. Kur kuptoi se në praninë e saj gjendet një gazetare, heshti për një çast. “Nuk dimë gjë”-ishte shkurt përgjigja e saj.

E ndërpreva bisedën, nuk e zgjata, mu dhimbs shumë kjo zonjë, nuk desha që të ndihej e shqetësuar apo e frikësuar më shumë, ngase i rikujtohen edhe kujtime jo të mira të atyre ditëve.
Kumanova

Derisa po bëheshim gati të ndahemi nga kjo lagje, më zgjoi kërshërinë një gjysh me nipin e tij. Një kopsht i harbuar, një shtëpi që nuk ishte prekur nga asnjë dorë. Një shtëpi sikur fliste në numrin shumës: “Ju tregoj, ju dëshmoj unë se çka ndodhi në Kumanovë”. Djegie, shkatërrim, dyer e dritare të thyera, mure të rrënuar me vrima trishtuese, që mund të shihen vetëm në sekuenca filmi, po vështirë në realitet.

Gjyshi u afrua e me ngrohtësi na ftoi brenda në konakun e kësaj shtëpie që muaj më parë nga oxhaku i dilte tym e jeta rridhte normalisht. Këmbyem disa fjalë. Ishte një burrë i fortë që sikur nuk donte të tregonte shenja të dobësisë, por zëri i mekur dhe sytë e mbushur me lot sa nuk kishin shpërthyer, shqetësuan penën gazetareske.

Për dore shtrëngonte nipin që ende si kishte mbushur dy vjet, shëtiste në oborrin e tij që sikur ishte lënë në mëshirën e fatit e të kohës. Arsyet!!! Nuk e kuptova emrin e këtij vogëlushi, unë e pagëzova Jetëroi.

Zotëri gjyshi rrëfeu me dhembje të thellë shpirtërore se babai i vogëlushit ishte në mesin e të burgosurve të këtij rasti, pseja e madhe, mbetet PSE. Pse-ja e Kumanovës?
Jetëroi do të thërriste baba, kjo fjalë e therte në shpirt gjyshin, nga dita në ditë ai rritej, rritet e do të rritet, do të jetojë e do të rojë në këtë Lagje të Trimave. Ata që janë në dhe i treti dheu, ata që janë mbi dhe i tret burgu, por çfarë do t’i tret ata që bartin përgjegjësinë e asaj Pse-je të majit të Kumanovës. A i mbetet historisë? Edhe historia sikur ndihet më e lodhur.
Jetëroi dhe Lagjja e trimave vazhduan jetën edhe ditëve tjera të javës, muajit, vitit ....

Publikuar: 11.04.2016 | 09:13
Lexuar: 1906 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime