E mërkurë, 19.12.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Punimi është strukturuar në pesë krerë, abstrakt (në anglisht), hyrje dhe shqyrtime përmbyllëse. Pjesët janë sistematizuar në pika dhe nënpika me tituj dhe nëntituj, me çka sigurohet ndjekje adekuate e materies që është përpunuar në këtë hulumtim.
Profesor Nazmi Beqiri e mbrojti me sukses disertacionin e doktoraturës nga fusha e shkencave filologjike


Profesori i Katedrës së Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe të Universitetit të Tetovës, mr. sc. Nazmi Beqiri, më 28 prill të këtij viti, në Fakultetin Filologjik ,,Bllazhe Koneski” të Universitetit ,,Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup, e sukses e mbrojti disertacioni e doktoraturës dhe me këtë e fitoi gradën shkencore: Doktor i shkencave filologjike.

Disertacioni e doktoraturës, me titull “Modelimi i personaliteteve (me shembuj nga letërsia popullore shqiptare)”, kandidati mr. sc. Nazmi Beqiri e mbrojti para Komisionit në përbërje: dr. Hamit Xhaferi, profesor i rregullt, i cili ka qenë udhëheqës shkencor (mentor) i kandidatit, dr. Zeqirija Neziri, profesor i rregullt, dr. Marko Kitevski, profesor i rregullt, dr. Avzi Mustafa, profesor i rregullt dhe dr. Asllan Hamiti, profesor i rregullt.
Komisioni në përbërjen e lartpërmendur, pas shqyrtimit me vëmendje dhe vlerësimit të disertacionit të doktoraturës së kandidatit, Këshillit mësimor – shkencor të Fakultetit Filologjik ,,Bllazhe Koneski”, ia paraqiti Raportin vlerësues, në të cilin mes tjerash thuhet:

,,Punimi është strukturuar në pesë krerë, abstrakt (në anglisht), hyrje dhe shqyrtime përmbyllëse. Pjesët janë sistematizuar në pika dhe nënpika me tituj dhe nëntituj, me çka sigurohet ndjekje adekuate e materies që është përpunuar në këtë hulumtim.

Hyrja përbëhet me shënime hyrëse. Përndryshe, në hyrjen e punimit janë dhënë lënda dhe qëllimet e hulumtimit, hipoteza, çështjet hulumtuese, korniza teorike dhe metodat e hulumtimit. Qëllimi i këtij punimi është që të pasqyrohet modelimi i personaliteteve në bazë të letërsisë gojore shqiptare.

Kandidati thotë se nxitje në punën e tij i kanë dhënë edhe mendimet e shkencëtarëve elitarë të kësaj lëmie, si akademik Rexhep Qosja, i cili për këto krijime gojore thotë: “Gati të gjitha pjesët e strukturës së tyre siç janë rrëfyesi, personazhet, situatat, vendi, koha, aspektet, dialogjet e bartin domethënien nacionale të mbështetur në mbamendjen historike”, e cila “realizohet brenda, në strukturën e saj, pasi që është përmbajtje e saj estetike”.
Në kreun e parë kandidati mr. Nazmi Beqiri fillimisht e definon termin personalitet me çka nënkupton tërësi të vetive dalluese psikologjike të karakterit, sjelljes dhe veprimtarisë njerëzore, me çka dallohet nga individët tjerë. Ai thekson se me studimin e personalitetit merren disa disiplina, si historia, sociologjia, filozofia, psikologjia, etj. Personaliteti luan rolin kryesor të rëndësishëm, bile edhe parësor në shoqërinë njerëzore që të përparojë kah e mira, më e bukura, më e vlefshmja, pa e dëmtuar njerëzimin, gjegjësisht duke e shëruar urrejtjen, xhelozinë dhe duke u kujdesur për dashurinë ndërnjerëzore.

Materien e kreut të parë kandidati e përpunon në shumë tema: personaliteti, familja si bërthamë e parë e formimit të personalitetit, kulti i matriarkatit, kulti i patriarkatit, letërsia gojore dhe personaliteti, veçoritë në folklorin shqiptar, veprimtaria e personaliteteve në folklorin shqiptar, fillet e edukatës dhe arsimit në botë, pasojat e edukatës, pabarazia me tjetrin, vlerat, nëna dhe motra në kuadër të fjalës së dhënë (besës), respekti, roli i familjes më të gjerë në formimin e personalitetit, fillet e krijimtarisë gojore për personalitetet, mënyra e përcjelljes së konsekuencës së personaliteteve që nga fillimi e deri sot, llojet e personaliteteve, elementet për përcjelljen e vlerave, institucionet e edukimit të përkushtuar arsimor. Të gjitha shprehitë, aftësitë fizike, e tërë sjellja, përshtatja nuk mund ta krijojnë personalitetin e mirë, nëse praktikisht ai nuk është edhe vetë human, dorëdhënë dhe nëse nuk i ka të gjitha vlerat pozitive njerëzore dhe para së gjithash nëse nuk ia parashtron si detyrë vetvetes që të punojë për paqen dhe integrimin në tërë shoqërinë.

Në hulumtimin e tij të mëtutjeshëm kandidati vëmendjen e tij e drejton kah shqyrtimi i modelimit të personalitetit përgjatë zhvillimit historik te shqiptarët përmes krijimtarisë popullore që nga filozofia e hershme, mesjeta e deri në kohën e sotme. Korpusin e hulumtimit për modelimin e personalitetit te shqiptarët, me të drejtë Beqiri nuk ka mundur ta ndajë sipas qytetërimeve, pasi që personalitetet pellazge, ilire ose shqiptare janë ngushtë të lidhur mes vete përmes elementeve shpirtërore njerëzore. Për atë, shembujt e personaliteteve ai i ka ndarë në: mitik, legjendar, historik, të kohës më të re dhe bashkëkohore.
Interesante është çështja e besimit në një Zot, si për mitet ashtu edhe për heronjtë. Ngjarjet janë përplot adhurime, por asnjë hero nuk i është lutur dikujt, ndonjë qenie të gjallë ose ndonjë elementi, përveç fjalës që e gjenë në çdo krijimtari gojore, bile ajo haset edhe te shkrimtarët e mëdhenj.

Lënda qendrore e hulumtimit ose qendra e këtij punimi të doktoraturës është bazuar mu në këtë pjesë, duke i theksuar disa vlera njerëzore gjatë modelimit të personaliteteve të shprehur përmes letërsisë gojore shqiptare, siç janë fjala e dhënë (besa), nderi, dorëdhënësia, nderi ndaj familjes dhe vlerave të tjera madhore, sinqeriteti, heroizmi, sakrifikimi për atdheun dhe familjen, toleranca, etj. që kanë arritur të ruhen deri në ditët e sotme me përkushtimin më të madh.

Të dhënat përmes gojëdhënave, kandidati thotë se na vijnë që nga koha e lashtë për çka nuk kemi të dhëna të shkruara, përveç disa fjalëve të shkruara në vargje që i quajmë mit. Këto pak të dhëna na paraqesin krijesa, mjete dhe energji të panjohura për ne. Bartësit njerëzor të veprës na paraqiten po aq mistik. Kjo na mëson se këto krijime, nuk kanë qenë, thënë kushtimisht, nga koha e ngjarjes, por janë transmetuar prej se janë ndryshuar si vendi i ngjarjes ashtu edhe personalitetet që prezantohen në to.

Kreu i dytë i këtij disertacioni të doktoraturës u kushtohet këtyre temave: relacioni familjar, kuvendi, kuvendi adekuat, rrethi më i gjerë shoqëror, arsimi edukativ i obligueshëm fillon në bajraqe, letërsia, mbretëria, faktorët e jashtëm në zhvillimin e personalitetit, hulumtimi i arsimit të përkushtuar është arritur në dy mënyra, spontane dhe përgatitore; mjetet mësimore, lojërat, veshja, kafshët, puna në arë, ndërtimi i shtëpive ose objekteve për ruajtjen e kafshëve, ushqimi, oda e burrave, gjuha, kujdesi për shëndetin dhe shëndetësinë, këshilla për dijen, bujqësia dhe blegtoria, njohja e mbrojtjes shëndetësore të kafshëve, shënimet dhe llogaritë, aftësitë fizike (edukata fizike), kuvendi i burrave, rregullat e pa shkruara (mënyra e ligjërimit të lëndëve) mësimi përmes aktiviteteve fizike dhe mësimi përmes të folurit (komunikimit).

Kjo fushë ka zgjuar shumë interes, ku me të merret sociologjia, pedagogjia, metodika, psikologjia, normalisht këtu nuk mund ta përjashtojmë historinë, etikën, filozofinë dhe shkencat tjera që merren me studimin e shoqërisë.

Kreu i tretë i përmban këto tema: individin dhe formimin e modelimit të personalitetit, llojet e personalitetit dhe shembuj të modelimit, personalitetit në krijimet mitike, Isufi dhe Çiçe Fata, rrugëtimi i bartësit të fabulës mitike nëpër kohë, fjala e dhënë (besa) krijimi i botërave, e përbashkëta e figurave mitike / personaliteteve, në rrëfimet për mitet nuk ka luftë ndërmjet njerëzve, në mite fillon paraqitja e përgatitjes së personalitetit, figurat legjendare (heronjtë): Tali i Budinit, Gjeto Basho Muji, Gjergj Elez Alia, Vajza e Osman Agës, personalitetet historike: Bato, Pirro, Leka, Skënderbeu, personalitetet e kohës së re: Oso Kuka, Mic Sokoli, Islam Zuba. Personalitetet bashkëkohore: Adem Jashari, strategjitë e formimit të personalitetit, fëmijëria – ninullat, krijimi i personalitetit përmes këngës, edukimi i fëmijëve përmes përrallave, krijimi i personalitetit përmes miteve dhe legjendave.

Kandidati konstaton se vlerat kanë gjenezë të njëjtë me njeriun. Dhe për atë, edhe në epet më të vjetra botërore (“Gilgameshi”, “Mahabharata”, “Ramajana”) figurat mitike me të cilët ballafaqohen personalitetet paraqiten pa forma dhe pa një porosi të caktuar. Bile edhe krijesa dhe natyra nuk janë ndarë qartë. Krijuesit e këtyre tre epeve, sikur të përpiqen ta lidhin gjenin njerëzor me paraardhësit e tij. Vlera të tilla të qytetërimit mbarë njerëzor janë të pranishme edhe në qytetërimin shqiptar.

Mitet shqiptare dhe legjendat karakterizohen me qartësi në të menduarit, në jetë, kohë, natyrë dhe ekzistencë. Në krijimtarinë gojore qartë janë përcaktuar format e krijesave, organizimi i familjes dhe etnitetit, njohuritë e tyre i tejkalojnë kufijtë botëror dhe depërtojnë thellë në tërësinë që shihet përmes besimit të tyre, respektit në nivel më të lartë ku respektohen qartë si titujt ashtu edhe njohuritë që shpesh e tejkalojnë moshën dhe gjininë. Titulli hero është respektuar dhe trashëguar pavarësisht moshës (heroi ka qenë hero): Tali ishte fëmijë, vajza e Osman Agës ka qenë e re, si edhe Ali Spahija. Sokol Halili ka qenë i rritur, por pasi që ai ka qenë vëllai i madh paraqitet si aventurier, më shumë se të gjithë heronjtë tjerë. Muji, Durdulli, Arnaut Osmani, Gjergji, etj. kanë qenë të pjekur, kurse më i rritur ka qenë Osman Aga.

Prezantimi i moshës nuk është rastësi, por ka edhe logjikë, pasi që këto këngë dhe tregime janë krijuar si një lloj libri që i përmban tridhjetë këngë, ku janë përfshirë të gjitha moshat, gjinitë, të shëndoshët, të sëmurët, pleqtë. Nga e gjithë kjo, është logjike të mendohet se krijuesit e këtyre veprave kanë pasur qëllime të caktuara për ruajtjen e vlerave dhe ata askë nuk e kanë liruar nga këto detyrime, pavarësisht se është i ri, i vjetër, i shëndoshë ose i sëmurë, gjithkush është dashur të luftojë për familjen dhe atdheun. Ndoshta këto vepra, ose këto këngë janë të parat që kanë pasur karakter edukativ, për zhvillimin, krijimin dhe formimin e personalitetit. Besimi në një krijues i lidh qytetërimet.

Në kreun e katërt kandidati mr. sc. Nazmi Beqiri përqëndrohet te përshkrimi dhe interpretimi i lidhjes ndërmjet personalitetit dhe idealit, idealit të ruajtjes së nderit familjar, idealit të ruajtjes së atdheut, idealit të besës dhe idealit të solidaritetit. Në këto krijime popullore zbulohen: besimi jo pagan, gjuha me kanunin, alfabetizmi dhe përcaktimi territorial.

Në këtë kre, kandidati mr. Nazmi Beqiri konstaton se administrata nuk ka mundur të realizohet pa komunikim. Këto dy punë etike nuk kanë mundur të ndodhin pa ekzistuar institucionet për mbledhje dhe shpërndarje të vlerave. Kjo shpërndarje nuk ka mundur të bëhet pa dije. Dija nuk ka mundur të ekzistojë pa alfabetizëm dhe qendra të mësimit të alfabetizmit. Të gjithë këto së bashku nuk do të mund të ekzistonin nëse nuk do të kishte liri autonome. Argumentet më të mëdha të kësaj lirie janë vetë luftërat që kanë ndodhur gjatë të gjitha epokave të historisë. Nëse nuk do të fitonin në këto lufta nuk do ta kishin gjuhën e njëjtë parabiblike si në epet e përmendur botëror. Këto lufta nuk do të fitoheshin nëse nuk do të kishte fazë përgatitore për luftë. Gatishmëria nuk do të ekzistonte pa ligje dhe rregulla. Ligjet dhe rregullat na shpijnë te elementet për mësim dhe ligjërim të tyre.

Prania e religjionit, komunikimit, lirisë dhe shtetit krijon përparim institucional të standardeve jetësore, sigurisë, paqes dhe të gjitha të mirave në këtë botë ku jetojnë njerëzit, e për këtë nevojitet një udhëheqës i modeluar.

Në fund të punimit si zakonisht, kandidati ka vënë konkluzionin dhe bibliografinë që ka përdorur. Në konkluzion në mënyrë rezymuese janë dhënë rezultatet e hulumtimit të tij. Ndërsa në bibliografi është prezantuar lista e literaturës profesionale – shkencore, të shfrytëzuar dhe konsultuar. Punimi është pajisur me aparaturë të domosdoshme shkencore, ku janë përdorur një numër i madh i njësive bibliografike (të dhëna në tekst).

Është e njohur gjerësisht se krijimi i personalitetit ndryshon nëpër botë. Ka dallime në mentalitet nga një kontinent në tjetrin, ose nga një regjion në tjetrin. Njëkohësisht, janë të rrallë rastet kur një etnitet, i madh ose i vogël me numër, ka veçori të posaçme për krijimin e personalitetit.

Me të drejtë thekson kandidati në këtë disertacion doktorature se shumë vlera të qytetërimit shoqëror janë pasqyruar në letërsinë artistike, por gjeneza parësore e tyre është në krijimtarinë gojore të përcjellur nga gjenerata në gjeneratë. Në krijimtarinë gojore qartë vërehet ideja, egoja, dëshira e individit dhe individët.
Në disertacionin e doktoraturës së kandidatit mr. Nazmi Beqiri “Modelimi i personaliteteve (me shembuj nga letërsia popullore shqiptare)” rezultatet janë evidente, të argumentuara, valide dhe mjaftë përmbajtjesore”, thuhet në Raportin e Komisioni për vlerësimin e disertacionit të doktoraturës të mr. sc. Nazmi Beqirit.
Në të dhënat biobibliografike të kandidatit përmendet se, Nazmi Beqiri u lind më 06.08.1960 në fshatin Izvor (Kron) të Kumanovës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje dhe në Sllupçan, ndërsa shkollën e mesme e kreu në Kumanovë. Studimet për Letërsi dhe Gjuhë Shqipe i kreu në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës. Studimet pasuniversitare të magjistraturës, në fushën e letërsisë shqipe, i kreu në Universitetin e Tiranës, ndërsa tezën e magjistraturës me temë: “Drama shqipe në Maqedoni nga fillet e saja deri më sot”, nën drejtimin shkencor të mentorit Prof. dr. Josif Papagjoni, e mbrojti në Fakultetin e Historisë të këtij universiteti, në vitin 2008.

Ndërsa për veprimtarinë krijuese, letrare, publicistike dhe shkencore të kandidatit theksohet se, ai ka botuar një numër të konsiderueshëm të shkrimeve letrare, publicistike dhe shkencore në gazetat dhe revistat e kohës: ,,Flaka”, ,,Doruntina”, ,,Fakti”, ,,Lajm”, ,,Koha”, ,,Jehona”, ,,Studime Albanologjike”, etj. Deri më sot, kandidati mr. sc. Nazmi Beqiri i ka botuar këto vepra:
1. ,,Popullit tim”, Kumanovë, 2002, vëllim me poezi;
2. “Krisma e Heshtur”, Kumanovë, 2003, publicistikë;
3. “Këngët e kaçakëve në Malësinë e Karadakut”, Kumanovë, 2006, studim shkencor;

4. “Drama shqipe në Maqedoni nga fillet e saja deri më sot”, Shkup, 2008, studim shkencor, i financuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës e Republikës së Maqedonisë;
5. “Kroni i kreshtave tona”, Kumanovë, 2011, monografi shkencore për vendlindjen;

6. “Uji dhe dheu nuk digjen”, Kumanovë, 2011, publicistikë;
7. “Rrënjët e kullës”, Kumanovë, 2011, dramë;
8. “Drejt përjetësisë”, Shkup, 2013, studim shkencor në fushën e letërsisë, i financuar nga Ministria e Kulturës e Republikës së Maqedonisë;

9. “Rrugëtimi drejt luftës për paqe (kujtime për 2001-shin”, Shkup, 2014, ditar nga lufta e vitit 2001;

10. “Kuvendi i Karadakut”, Kumanovë, 2015, studim shkencor, i financuar nga Ministria e Kulturës e Republikës së Maqedonisë.
Me këtë rast, vlen të përmendet se, mr. sc. Nazmi Beqiri, përkrah veprimtarisë së bujshme krijuese, ka ushtruar edhe disa funksione të rëndësishme shoqërore dhe kombëtare, ndër të cilat: Zëdhënës i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare gjatë vitit 2001, deputet në Parlamentin e Republikës së Maqedonisë dhe Nënkryetar i partisë Bashkimi Demokratik për Integrim.
Profesor Nazmi Beqiri e mbrojti me sukses disertacionin e doktoraturës nga fusha e shkencave filologjike
Profesor Nazmi Beqiri e mbrojti me sukses disertacionin e doktoraturës nga fusha e shkencave filologjike
Profesor Nazmi Beqiri e mbrojti me sukses disertacionin e doktoraturës nga fusha e shkencave filologjike
Profesor Nazmi Beqiri e mbrojti me sukses disertacionin e doktoraturës nga fusha e shkencave filologjike

Publikuar: 09.05.2016 | 13:57
Lexuar: 1337 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime