E mërkurë, 19.12.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Asokohe në Romë flitej me lanë për 10 vjet, s’paku, gjuhën slave në shkolla e n’administratë. Atë qi bam për vendin e gjuhës shqipe në shkolla shum kush e din.
Ernest Koliqi: Si e futa arsimin shqip në Kosovë









“Nisëm me përgjegjësi personale, pa ardhur ende udhëzime të përgjithshme nga Roma për tokat e lirueme 200 mësues e profesorë në Kosovë e u përpoqa me i vu themelet arsimit shqiptar para se të dihej formula me të cilën Kosova do t’i këthente Shqipnisë.

Asokohe në Romë flitej me lanë për 10 vjet, s’paku, gjuhën slave në shkolla e n’administratë. Atë qi bam për vendin e gjuhës shqipe në shkolla shum kush e din. Mirpo, me mija vetësh i shërbyen italjanvet pa kundërshtue (kundërshtimet filluen kur Italia shifej qartas se po humbte luftën), me qindra mija vetësh u pasuruan e përfituen – e sot “tradhtar” mbetem vetëm unë“

(Nga letërkëmbimi mes Ernest Koliqit dhe Karl Gurakuqit)

I dashuni Karl


Më ka ra në dorë me kohë letra e jote. Petraqi (Petraq Vuçani –) me gojë më vuni në dijeni për punët e atyshme. Ai Ty të don. Or e ças ia ban profesori tha këtë, shkoi aty, foli kështu. Më kallzoi qi kujdesesh për ta. Të falem nderit q’i don, i këshillon e i përkrahë. Thueju të mos merrem me politikë pa krye studimet. Kanë kohë se kur me e prishë gjakun vetes. Tashti t’ia venë menden mësimeve, bukuris së natyrës e t’artit, grave (me masë). Politika e mplakë njerin para kohe. Ata t’a ruajnë sa më gjatë atë thesar qi asht rinia. Mue e ty, mjerisht na shpëtoi doret. E po themi vetëm doret! Artikujt të tuj, jo vetëm pranohen, por kërkohen. E ke për ne asht botue ai i pari. Ky i dyti, qi i çove Ismailit (Ismail Verlaci – shënim i redaksisë), do të botohet në numrin e ardhëshëm.

Për punën t’ande s’asht nevoja qi të më porositish m’u kujdesue. E kam përher para sysh. Shpresoj me vjetin e ri akademik diçka do të bahet. Mos shpreso përpara, veç më baftë Zoti mrekulli. Ndër këto dit do të këthehem në Relazioni Culturali ku tash prap asht emnue nji mik i em. Jam gzue shum për Spiron: njiherë për operacionin qi i shkoi mirë e mbandej për rregullimin (ashtu si mund u bante) të pozitës së tij shkollore. Për Pashkë po shkoj në Rapallo: mësimet do t’i rifilloj me 3 prill.

Sivjet kam zhvillue kët argument: “La poesia di Naim Frashëri e gli influssi orientali nella letteratura albanese”. U detyrova të lexoj historinë e letersis persiane e vjershat (në nji anthologji frengjisht ba mirë) të Hafizit e të Rumiut…. I fola Ismailit dhe më premtoi qi për Pashkë do më kujtojnë të shamet e belbacukvet të gjuhës shqipe nepër radjo të Tiranës e të Londrës (me më sha mue janë d’akord) e shkrimesh epileptike të mistrecave qi çohen në majë të gishtave edhe trashojnë zanin për m’u dukë politikan serjoza, nuk më bajnë mu as të nxeh as të ftoftë. Ndërgjegjen e kam të qetë.

Kam krye gjithmonë detyrën si Shqiptar i mirë në rrethanat më të vishtira, tue ia vu menden substancës së shqiptarizmit, jo dukjes. Ata qi më njofin mirë e dijnë se akuzat qi më drejtohen janë krejt pa themel. Ti je nji prej atyne qi më je gjetë pranë si bashkëpuntor në rasat më kritike.

Ti e din mirfilli se gjatë kohës s’eme këshilltarët italjan nuk pijshin uj. Pregatitme tekste, vendosem njëherë e mirë mbi terminologjinë shkollore, themeluem Institutin e studimeve Shqiptare edhe komunistat tue i ndrrue natën emnin e mbajtën, permirësuem gjendjen e mësuesve e të profesorve, çuem arsimtarë ndër klinika e sanatoriume.

Kryefjala e jonë kje (në nji kohë në të cilën italjanët zotnojshin): kultura shqiptare mbi të gjitha. Dërgova studjoza me mbledhë lajme historike në të gjitha degët e bektashinjvet, nisa studentë ndër male me mbledhë pasunin folklorike, futa xhakona në Kosovë para lirimit, konviktorë vendas me libra shqip. Sa dhe si ministër, mora rishtas në shërbim Lasgush Poradecin e Gjergj Kokoshin të pushuem nga predecesori e u dhaç rrogat e mbrapambetuna. Lirova nën garanci personale, mbas nji konflikti t’ashpër me gjeneral Guzonin para të cilit asokohe dridhej mbarë Shqipnija, Tajar Zavalanin – Vasil Andonin – Mihail Zallarin. Mora në sherbim Abaz Ermenjin sa këtheu nga Greqia (mos ta merrshim në sherbim do të shkonte qyshë atëherë në Ventotene).

Vasil Andonin, në kundërshtim me mendimin e të gjithë shefave të ministris, e emnuem drejtor konvikti në Prishtinë kur u lirue Kosova. Nisëm me përgjegjësi personale, pa ardhur ende udhëzime të përgjithshme nga Roma për tokat e lirueme 200 mësues e profesorë në Kosovë e u përpoqa me i vu themelet arsimit shqiptar para se të dihej formula me të cilën Kosova do t’i këthente Shqipnisë. Asokohe në Romë flitej me lanë për 10 vjet, s’paku, gjuhën slave në shkolla e n’administratë.

Atë qi bam për vendin e gjuhës shqipe në shkolla shum kush e din. Mirpo, me mija vetësh i shërbyen italjanvet pa kundërshtue (kundërshtimet filluen kur Italia shifej qartas se po humbte luftën), me qindra mija vetësh u pasuruan e përfituen – e sot “tradhtar” mbetem vetëm unë: Unë e solla Italinë, unë desha t’a çrrënjosi shqiptarizmin (tue botue tekste shqip), unë vetëm u pasunova, unë shtypa intelektualët. Unë e dërrmova arsimin tue ngranë si katallanjt nji profesor në çdo mëngjes, dy mësuese në drekë e nji drejtor konvikti ferlik të pjekun në hell në darkë. A jam i zoti, a s’jam?

Unë i vetëm me ba të gjitha këto punë? Kur e mendoj, fryhem si bibani prej krenis (sidomos kur më kujtohet se kapa telefonin e i thashë Musolinit): urdhno e merre Shqipnin, pse po t’a shes me çmim të lir! Edhe Musolini mbas telefonatës s’eme erdh e e mori?! A jam
i zoti! Shëndet e të mira ty e zojës.

Romë, 16 – 3 – 1951
ERNEST KOLIQI

/GAZETA INFOPRES

Publikuar: 24.05.2016 | 16:28
Lexuar: 1691 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:





Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime