E martë, 11.12.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Gjatë intervistës, tekniku i “dhelprave” u thur elozhe trajnerëve të rinj që janë emëruar nëpër skuadra si Çelsi, Siti dhe Junajtid dhe jep ndonjë mendim për secilin prej tyre.
Klaudio Ranieri: Si do mbijetoj mes “bishave” të Anglisë
Në një intervistë për “Gazzetta Dello Sport”, italiani tregon emocionet që e presin në Ligën e Kampionëve dhe vështirësinë me të cilën do të përballet në sezonin e ardhshëm. Ranieri zbulon edhe kërkesën që u kishte bërë të gjithë lojtarëve për të mos u larguar, por e kupton edhe zgjedhjen që bëri N’Golo Kante për të zgjedhur Çelsin. Gjatë intervistës, tekniku i “dhelprave” u thur elozhe trajnerëve të rinj që janë emëruar nëpër skuadra si Çelsi, Siti dhe Junajtid dhe jep ndonjë mendim për secilin prej tyre.

Mister Ranieri, kjo është intervista juaj e parë për sezonin e ri, por nuk mund të flasim për futboll duke injoruar atë që ka ndodhur në Nicë dhe në Stamboll…

Veçanërisht duhet folur për atë që ka ndodhur në Nicë. Duhet të mendojmë të gjithë se si mund të luftojmë kundër terrorizmit. Unë si njeri i futbollit nuk hutohem nëpër skema, por kam edhe parimet e mia në jetë. Duhet të jetojmë pa u dorëzuar, por edhe çdo shtet duhet të ketë strategjinë e vet për të parandaluar sulme të tilla. Europa duhet të jetë e bashkuar në këto momente.

Nga Europa tek Europiani. Si e patë këtë kompeticion?

Mendoj se fakti që UEFA vendosi të shtonte numrin e skuadrave në këtë kompeticion ishte diçka e bukur sepse u dha realitet shumë kombëtareve të përballeshin me të mëdhatë e futbollit. Ndonjë ndeshje ishte edhe e mërzitshme, por në përgjithësi ishte një turne i bukur. Italia më ka pëlqyer shumë dhe Konte ka bërë një punë të shkëlqyer. Duhet falënderuar sepse i dha shpirt Italisë. Franca shkoi deri në finale, Gjermania bëri një futboll të bukur. Uellsi gjithashtu është për t’u përgëzuar, por Portugalia meritoi gjithçka. Më vjen mirë për Santosin. Anglia ishte zhgënjim i madh.

Tani Italinë do ta marrë Ventura.

Gjëja më e keqe që do të ndodhë është krahasimi i tij me Konten. Çdo trajner ka historinë e tij dhe momentin në të cilin do të shpërthejë. Ventura është një mësues i futbollit, por nuk mund t’i kërkojmë mrekulli. Sistemi me të cilin do të luajë sigurisht që do ta ndihmojë.

Ranieri do t’i japë një këshillë?

Duhet të mbështetet shumë tek të rinjtë dhe këtë nuk e them për slogan. Ai duhet të ndjekë modelin e Gjermanisë dhe Francës.

Merkaton si e shihni? Vazhdon të flasë për Juventusin.

Juventusi është nga skuadrat që po vrapon e vetme në Itali dhe nuk ka konkurrentë. Në atë ekip mendojnë për të sotmen, por edhe për të ardhmen. Afrojnë edhe futbollistë shumë të rinj.

Pra, kampionatin e ka fituar që tani?

Nuk mund ta themi diçka të tillë, por e shoh të shkëputur. Vetëm Napoli dhe Roma mund t’i bëjnë diçka, por edhe këtë e themi thjesht në teori. Duhet të presim fundin e merkatos për të bërë analiza të tilla. Të tjerët për momentin janë në rresht të dytë.

Cila është skuadra që ju intrigon më shumë në Itali?

Sasuolo. Uroj që ta kalojë fazën eliminatore të Ligës së Europës. Sasuolo mund të bëhet Leiçesteri i Italisë. Disa vite më parë më pëlqente edhe Udineze, e cila e bazonte lojën e saj tek të rinjtë e huaj. Sasuolo, nga ana tjetër, është një ekip që bazohet tek italianët dhe kjo mund t’i japë një ndihmë të madhe.

Si e prisni Leiçesterin këtë vit?

Koncepti bazë është fakti që do të nisim gjithçka nga zero. Ne fituam titullin dhe ishte diçka e bukur dhe madhështore, por tani duhet të ndryshojmë faqen dhe të mendojmë për të ardhmen. Nëse vitin e kaluar koeficientët për titullin kampion ishin 5000, tani do të jenë 6000. Objektivi është për të siguruar mbijetesën, pastaj të shohim se çfarë do të ndodhë. Nëse do të renditemi mes dhjetë ekipeve më të mira, sigurisht që do të jetë një arritje e madhe. Pastaj duhet të luajmë edhe në Champions dhe kompeticione të tjera të rëndësishme.

Keni frikë?

Champions-i është një aventurë magjike, por të djeg shumë energji fizike dhe mendore. Duhet të mësohemi të përshtatemi shumë shpejt me këtë situatë. Duhet të tregojmë se jemi të fortë dhe të reagojmë edhe pas ndonjë dështimi të mundshëm. Është e vërtetë që do të humbasim edhe ndeshje, por forca jonë është ringritja.

Është e rëndësishme që nuk e humbët sulmuesin Vardi?

Sigurisht që po. Ai u ka dhënë një sinjal të gjithëve. Mund të luante me Arsenalin dhe ekipe të tjera, mund të fitonte më shumë dhe të transferohej në një klub të madh botëror, por preferoi të qëndronte te Leiçesteri. Zgjedhja e tij më duket si ajo e Xhixhi Rivas. Vardi duhet falënderuar për zgjedhjen që bëri.

Kante u largua. Geri Lineker tha se Leiçesteri nuk do të jetë më si më parë. Ju si mendoni?

Humbëm një lojtar të rëndë- sishëm, por e dinim që nuk mund t’i mbanim të gjithë yjet. Unë u kërkova të gjithëve të mos largoheshin për të luajtur bashkë në një kompeticion të madh si Liga e Kampionëve dhe një vit më vonë të bënin çfarë të donin, por Çelsi është një klub i madh dhe i parefuzueshëm.

Edhe Mahrez duket se nuk është i kënaqur.

Unë e shoh të qetë dhe të përqendruar.

Konte, Murinjo, Guardiola, Klop, Venger, Poketino. A do të jetë një kampionat mostrash? E nisim me Konten.

Antonio dhe Çelsi duhet ta njohin mirë njëri-tjetrin dhe të përpiqen të kuptojnë diferencat kulturore. Megjithatë, nëse do të shohim një Çelsi në versionin e Italisë, atëherë në Londër do të kënaqen të gjithë.

Murinjo riniset nga Junajtid. Ai mund të bëhet Fergusoni i ri.

Nuk do të qëndrojë 26 vite në këtë skuadër, por do të jetë i rëndësishëm si ai.

U shkarkua nga Çelsi pas humbjes me Leiçesterin. Portugezi do të përballet me ju në 7 gusht.

Kjo është e bukura e futbollit. Sporti që bëjmë ne është fantastik dhe i mbushur me shumë histori.

Guardiola te Mançester Siti.

Më duket njeriu i duhur në kohën e duhur. Ai ka shkuar në një skuadër ku, për vite me radhë, filozofia është loja e bukur. Guardiola di ta bëjë shumë mirë diçka të tillë.

Poketino dhe Klop.

Poketino ishte rivali im vitin e kaluar në duelin Leiçester-Totenhem. Është duke punuar shumë mirë. Klop ka avantazhin që u përshtat menjëherë me kampionatin anglez e njeh mirë ambientin special të Liverpulit.

Ranieri, Konte, Guidolin dhe Maxarri në Premier Ligë pa harruar edhe Di Mateon një kategori më poshtë. Pse italianët po “pushtojnë” Anglinë?

Shkolla jonë e futbollit duhet të jetë krenare për diçka të tillë. Unë, Trapatoni, Mançini, Di Mateo dhe Viali hapëm një rrugë të re për italianët. Vështirësia jonë ishte të shihnim më larg se Italia dhe ne e bëmë. Për trajnerët e tjerë fola më sipër, ndërsa për Maxarrin do të them se edhe ai mund të jetë i rëndësishëm tek Uatfordi.

Ju keni 30 vite që punoni si trajner dhe vazhdoni të jeni i motivuar. Çfarë fshihet pas kësaj dëshire të madhe?

Pasioni. Kjo është arsyeja kryesore për të cilën vazhdoj të punoj.

Përgatiti: GENTJAN ALINANI, Panorama Sport

Publikuar: 19.07.2016 | 15:08
Lexuar: 1480 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime