E hënë, 17.12.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Nënë Tereza e Kalkutës, siç nuk e kishte treguar askush deri atëherë. E bëri GENTE, në numurin 39 të 30 shtatorit 1997, me një intervistë të posaçme për të nga Age Bojaxhiu, mbesa italiane e fetares, që sot është 64 vjeçe.
Halla ime e ëmbël vuajti në heshtje













“La Shqipërinë kur ishte 18 vjeçe dhe regjimi i ndaloi të shihte nënën dhe motrën”, tregon mbesa Age. “Por i fali ata që i kishin bërë atë padrejtësi”

Nga Paolo Scarano

Nënë Tereza e Kalkutës, siç nuk e kishte treguar askush deri atëherë. E bëri GENTE, në numurin 39 të 30 shtatorit 1997, me një intervistë të posaçme për të nga Age Bojaxhiu, mbesa italiane e fetares, që sot është 64 vjeçe. Ai shërbim, që sot po e risjellim, ishte firmosur nga kolegu ynë i paharrueshëm Paolo Scarano, që na la në tetorin e 2013-ës.

Fetarja, e mësuar të përballonte me guxim dhimbjen e të sëmurëve dhe të të fundmëve të Tokës, duroi me dhjetëvjeçarë në heshtje një dramë familjare që qe sfilitja m’e madhe e jetës së saj: mungesa e dashurive më të shtrenjta, një mizori që i u shkaktua nga trashësia mendore e një regjimi komunist nga më të mbyllurit. Një vuajtje e përballuar me shumë dinjitet, e mbajtur gjithmonë fshehur nga murgesha.

Ageja është vajza e vëllait të madh të Nënë Terezës, Lazrit, që më 1939 la Shqipërinë për t’u shpërngulur n’Itali, ku në Lucca u martua me Maria Sanguinin dhe pati vetëm një vajzë, pikërisht Agen. Lazri gjeti pastaj punë në Palermo, drejtonte një veprimtari shpërndarjeje barnash në farmacitë dhe spitalet, duke u vendosur atje deri në vdekje, më 1981.

Zonja Bojaxhiu, e martuar me dy fëmijë, jeton tani në Palermo dhe në vitet para vdekjes së Nënë Terezës ka patur mundësinë të takohet në disa raste me Shënjten e Kalkutës.

Në këtë intervistë zbulon para së gjithash dramën vetiake të jetuar nga Shënjtja e Kalkutës. “Halla ime, që kur më 1928, braktisi Shqipërinë ku kishte lindur, për të filluar misionin e saj fetar, qe e shtrënguar të mos shihte më nënën dhe motrën që vazhduan të jetojnë n’atë Vend.

Një sërë rrethanash të veçanta, të lidhura me misionin e saj fetar e ndaluan, deri në fund të luftës së Dytë botërore, të kthehej e t’i përqafonte. Pastaj, mbas mbarimit të luftës, qenë autoritetet komuniste shqiptare që i ndaluan familjarëve të saj të linin Shqipërinë”.

Via Crucis e Nënë Terezës zgjati shumë, siç na tregon e mbesa : “ Në 1972 nëna e saj vdiq. Mbas pak më shumë se dy vjetësh u shua edhe motra e saj. Halla ime në vitet e mëpastajmë pati mundësi vetëm të shihte varret e tyre, të mbetura pa kryqe për ndalimin e diktaturës që detyronte ateizmin.

Kryqet mbi varret i vuri ajo në kujtim të njerëzve që kishte dashur aq shumë e që pasojat ogurzeza të një epoke politike i ndaluan të vazhdonte t’i donte nga afër”.

Zonja Bojaxhiu, a mund të përshkruani prejardhjen familjare të hallës suaj, Nënë Terezës ?

“Halla ime në familje thirrej Gonxhe, që në shqip do të thotë lule e paçelur. Kishte të njëjtin mbiemër timin : Bojaxhiu. Lindi më 26 gusht 1910 në Shkup, kryeqyteti i tanishëm i Maqedonisë. Familja e Nënë Terezës ishte shqiptare dhe kishte një traditë të fuqishme katolike”.

[b] Kush ishin prindërit e saj ?

Babai quhej Kolë, n’italisht Nicola. Zotëronte një ndërmarrje të lulëzuar të materialeve të ndërtimit. Ndërsa nëna e saj, Drane, ishte një grua me karakter të fortë, që dinte të mbante të bashkuar familjen. Në familje Gonxheja, Nënë Tereza e ardhëshme, ishte m’e vogla. Kishte një motër, Agen, nga e cila kam trashëguar emrin, pesë vjet më të madhe dhe një vëlla, babain tim Lazrin, tre vjet më të hershëm.

[b] Si e kaluan fëmijërinë Nënë Tereza dhe vëllezërit e saj ?

“Një fatkeqësi e theu atë klimë familjare aq të qetë. Ngjau në 1919 kur gjyshi Kolë u zhduk papritmas në rrethana dramatike. Drania dhe fëmijët e saj u desh të përballonin një kohë shtrëngesash ekonomike. Gjyshi Kolë kishte një ortak italian që i dha pjesën e tij të ndërmarrjes së vesë në të holla.

Me ato para arriti të mbante familjen dhe e bëri me një shpirt të pabesueshëm flijimi. Bojaxhinjtë, siç më kanë treguar ati im, Lazri, dhe vetë Nënë Tereza, në vështirësi u bënë edhe më të bashkuar, edhe atëherë kur rrethanat e jetës i detyruan të mbeteshin larg njëri tjetrit.”

[b] Kush u largua nga familja?

“Mbasi kishte kapur thirrjen e Zotit, më 1928, kur ishte 18 vjeçe, Nënë Tereza u nis në drejtim të Dublinit, n’Irlandë, për të filluar kohën e provës së rishtarit në kuvendin e murgeshave të Loreto-s, një urdhër që karakterizohej për veprën misionare, kryesisht në Hindi. Halla ime dëshironte me gjithë shpirt të bëhej një misionare.

[b] Nga se buroi prirja e saj ?

“Besoj se në edukimin fetar të hallës sime roli i shembullit të nënës ka qenë vendimtar. Im’atë më ka thënë se nuk kishte natë që gjyshja Drane nuk i mblidhte fëmijët për t’u lutur. Nuk kishte të dielë që nuk shkonin në meshë e, gjatë muajit të majit, i kushtuar Zojës, ato shkonin çdo ditë për të recituar Ruzarin.

Nëna ime i përcolli hallës sime edhe dashurinë për të varfërit, që ajo i ndihmonte me përkushtim të përzemërt. Përcaktues ishte edhe roli i disa jezuitve jugosllavë të pranishëm në Shkup. Prej tyre Nënë Tereza mësoi historitë e para mbi veprimtarinë e misionarëvet.”

[b] Kur e pe për herë të parë Nënën Terezë ?

“E njofta për herë të parë hallën time më 1960 në Romë, ku ajo kishte arritur gjatë etapës së parë të udhëtimeve të saj të gjata nëpër botë. Ishte hera e parë që kishte lënë Hindinë. Është e kotë të them se sa prekës ishte takimi, kryesisht për babain tim.

Sapo e pa mbeti i befasuar. E kuptoi se trupi i saj ishte i raskapitur nga mundimi e ishte mbledhur në vetvete. Ishte katandisur n’atë gjëndje nga travajët të lidhura me veprimtarinë e saj të dëndur e të palodhur. Babai që ishte i gjatë një metër e 86 cm., u desh të përkulej më dysh për t’arritur t’a përqafonte.”

[b] Ҫfarë i thatë njëri tjetrit gjatë atij takimi ?

“Babai dhe halla filluan të flasin në mënyrë të ngjeshur. Nuk kuptova pothuaj asgjë nga ajo bisedë aq e rrasur. Flisnin shqip, një gjuhë që e njoh pak. Më parë , gjatë bisedave telefonike e në takimet e tjera, flisnja me të gjithmonë n’anglisht. Mbas pak im’atë më tha se përse kishin biseduar ai dhe e motra.

Babai i foli menjëherë për nënën dhe motrën Age : “Duhet të bëjmë diçka për t’i nxjerrë nga Tirana”, i tha Nënës Terezë. “Besoj se mund t’a bëjmë”, u përgjigj ajo, duke i dhënë kurajë. “Kam miq shumë të rëndësishëm nëpër botë që munden të na ndihmojnë”, i u hap ajo.

[b] Ҫfarë ndodhi më shumë gjatë këtij takimi të parë mes jush dhe Nënës Terezë ?

“Në Romë e pamë edhe katër ditë të tjera. Ҫdo herë na kushtonte vetëm një orë bisede, mbasi ishte shumë e zënë me Shoqatën e saj fetare. Nënë Tereza vazhdoi të inkurajojë babain: “Do të shohësh se do t’arrijmë t’i bëjmë të dalin nënën dhe Agen nga Shqipëria”, i përsëriste. Që atëherë halla i u përvesh punës, duke biseduar me përfaqësuesit më të lartë të diplomacisë ndërkombëtare.

Pikërisht n’ato ditë Nënë Tereza shkoi n’ambasadën shqiptare n’Itali, në të cilën hasi një mur moskuptimi. Edhe mbasi la Romën, halla ime vazhdoi ndërmjetësimin e brishtë për t’i kthyer lirinë nënës dhe motrës së saj.”

[b] A pati ndonjë përfundim inkurajues ?

“Në fillim dukej se gjithshka shkonte mirë. Ҫështja e Nënës Terezë dhe babait Lazër kishte prekur zemrat e të mëdhenjve të botës. Mjaft personalitete që vlerësonin hallën time e që ishin thirrur prej saj bënë çmos për të zgjidhur këtë dramë familjare: personalitete si Sekretari birman i Kombeve të Bashkuara U-Thant, si Presidenti francez Charles De Gaulle, si Presidenti amerikan John Kennedy, si Kryeministreja e Hindisë Indira Gandhi. Por as ata nuk arritën të shkundin autoritetet e Tiranës. Koha kalonte dhe shpresat pakësoheshin.”

[b] Kur filluat të frikësoheshit se nuk do të mbetej asgjë tjetër për të bërë në lidhje me lirimin e gjyshes suaj Drane e hallës suaj Age ?

“Një ditë babai mori një mesazh që të këpuste shpirtin nga gjyshja. I drejtohej edhe hallës sime, Nënë Terezës. Nga ajo letër morëm vesh se ajo dhe halla Age ishin të sëmura: “I vetmi hir që i kërkojmë Zotit”, shkruhej, “ishte ai që të mund t’u përqafonim edhe një herë”.

Tashmë ishte kthyer në një vrap kundër kohës. Halla kërkoi ndërhyrjen e ministrit të punëve të Jashtëme të Francës, Couve de Murville, që kishte lidhje shumë të fuqishme me Kinën Popullore të Mao Ce Dunit. De Murville mori nga Tirana një përgjigje çarmatosëse”.

[b] Në ç’mënyrë u përgjigj ministri i Jashtëm shqiptar ?

“Tha : “Ato dy gra janë në kushte fizike të tilla që nuk mund të përballojnë udhëtimin për të dalë nga Shqipëria”. Ishte një gënjeshtër e stërmadhe. N’atë pikë babai dhe halla humbën çdo shpresë. “Në jetë”, i tha Nënë Tereza babait, “kam arritur të kem gjithshka kam kërkuar, nëpërmjet dashurisë.

Fatkeqësisht në këtë rast ekzistojnë pengesa që dashuria nuk është e aftë t’i rrëzojë.” Nëna e saj Drane vdiq mbas pak, më 1972. Disa ditë më parë i dërgoi një letër lamtumire murgeshës, bijës së saj, duke e thirrur me emrin e saj të vërtetë : “Gonxhe, po të çoj një të puthur, nëna”. Dy vjet më vonë u shua edhe halla Age. Kishin vdekur më shumë prej vetmisë se prej sëmundjes”

[b] Halla juaj, Nënë Tereza, siç thatë më parë, së paku arriti të kthehej në tokën e saj të lindjes. Kue e pa përsëri Shqipërinë ?

“Ndodhi në qershorin e 1978, kur regjimi i diktatorit Enver Hoxha e liroi pak darën rreth kufijvet të Shqipërisë. Nënë Tereza përfitoi, jo vetëm për të parë vendet ku kishte lindur e jetuar, por edhe për të themeluar një institut të shoqatës së saj.

Shkoi shpejt në varrezat e Kombinatit, që gjinden në rrethinën e Tiranës, ku ishin varrosur nëna dhe motra. Mbi ata dy varre të thjeshtë e pa asnjë simbol fetar, në përputhje me ateizmin e Shtetit, bëri të vendoseshin dy kryqe. Por kjo ndodhi disa vite më vonë, më 1991, kur regjimi komunist ishte shembur”.

[b] Halla juaj, Nënë Tereza, si e komentonte atë mujshi në dëm të familjes suaj ?

“Nuk shprehu kurrë ndonjë fjalë pezmatimi. Pak sepse nuk donte të fliste për politikë. Por, mbi të gjitha, sepse në zemrën e saj kishte falur atë që i shkaktoi atë dhimbje kaq dërmuese e të gjatë. Ndoshta, e gjithë kjo, n’emër t’atij virtuti heroik, pothuajse kurrë të ndjekur nga qëniet njerëzore, që quhet mëshirë”.

[b](Marrë nga revista GENTE SPECIALI, Numuri 1, Shtator 2016/E përktheu nga italishtja Eugjen Merlika)

Publikuar: 31.08.2016 | 16:57
Lexuar: 1609 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet
Lena (21/12/2016 19:30:02) Në grua e guximshme Qe ju ka ndihmuar te gjithve

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime