E mërkurë, 19.12.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Kjo vlen për vajzat që po mendojnë të bëjnë ndonjë rregullim të vogël në trupin e tyre. Sipas një seksologeje, femrat nuk duhet t’i nënshtrohen kirurgjisë estetike, për të zgjidhur krizat në çift.
Silikoni nuk i zgjidh problemet në çift







Numri i femrave që iu nënshtrohen ndërhyrjeve kirurgjikale estetike po rritet dita-ditës. Edhe atyre vajzave, që nuk kanë rënë ende pre e këtij tundimi, është e sigurt se ndonjë mendim i tillë turbullues u kalon nëpër kokë. Pjesa tjetër pastaj ndahen në dy kategori. E para, “as e vdekur nuk do ta bëja një gjë të tillë” dhe e dyta “do të më pëlqente, por nuk kam mundësi”. Zakonisht meshkujt, këtu përjashtohen ata që e aplikojnë kirurgjinë estetike në trupin e tyre, preferojnë të qëndrojnë larg kësaj çështjeje.

Fundja nuk mund të bëjnë asgjë nëse e dashura, gruaja, motra ose nëna, shpreh dëshirën për të ndryshuar pamjen e jashtme, duke iu nënshtruar kirurgjisë estetike. Shprehja e meshkujve, të cilët i shoqërojnë gratë e tyre për të bërë një vizitë te kirurgu estetik është kjo: “Nëse të pëlqen të bësh një ndryshim, bëje, për mua nuk ka shumë rëndësi”. Për të kuptuar se çfarë mendojnë me të vërtetë meshkujt për kirurgjinë estetike, nëse tërhiqen nga një gjoks i madh i bërë apo buzët e fryra nga silikoni, na e shpjegon më mirë një docente e seksologjisë klinike.

Doktoresha ka bërë publike përfundimet e një studimi lidhur me temën në fjalë. Sipas saj ka shumë të reja që mendojnë se mund ta zgjidhin përmes kirurgjisë estetike një krizë në çift. “Kjo është tendenca e fundit e përhapur mes femrave. E keqja është se vajzat nuk e kanë ende të qartë se asnjë ndërhyrje estetike nuk mund të jetë çelësi i suksesit për të zgjidhur një problem. Gjithashtu nuk mund ta mohoj faktin se, kur një grua i nënshtrohet një ndërhyrjeje të tillë, e bën duke menduar që të rrisë vetëvlerësimin, të ndihet mirë me trupin e saj dhe të jetë gjithnjë në qendër të vëmendjes së partnerit”, shpjegon doktoresha.

Zakonisht kur femrat u nënshtrohen ndërhyrjeve të tilla, ndihen tepër të sigurta në vetvete. Shumë prej tyre vendosin të ndryshojnë pamjen e jashtme, sepse nuk ndihen më në harmoni me trupin e tyre. Si pasojë kjo gjë krijon probleme edhe në intimitetin e çiftit. Gjithashtu, duke e krahasuar veten me femrat e tjera, u duket sikur janë të humbura.

Pyetjes se sa ndikon trupi në planin seksual, docentja i është përgjigjur: “Ndryshimi qëndron te fakti se cila është gjendja e marrëdhënies: është diçka e përkohshme apo fikse? Në rastin e parë, trupi është motivi që shkakton tërheqjen erotike. Në të dytin, është më pak i rëndësishëm, sidomos kur kanë kaluar shumë kohë dhe lidhja është konsoliduar”.

Nuk janë vetëm femrat që duan t’i nënshtrohen ndërhyrjes. Ndonjëherë meshkujt gjejnë guximin për t’u kërkuar partnereve të tyre këtë gjë, sepse janë të bindur që ato do t’ua vënë veshin. Kjo është një kërkesë tepër delikate dhe jo të gjithë guxojnë t’ua kërkojnë të dashurave të tyre, sigurisht nëse nuk bëhet fjalë për çifte mes të cilëve ekziston një çekuilibër i madh e ku mashkulli i propozon dhe i vë kusht gruas të bëhet më e bukur, mundësisht që ndryshimi të jetë sa më i dukshëm. Në këtë rast vlen të thuhet se ky është një lloj shantazhi.

Meshkujt që i drejtohen seksologeve shprehen se nuk tërhiqen më nga partneret e tyre, nuk kënaqen seksualisht dhe se do t’u pëlqente të kishin në krah vajza të reja dhe me trupa të bukur. Është e gabuar që meshkujt nxjerrin si justifikim pakënaqësinë dhe e lidhin me partneren e tyre, e cila nuk është më aq e bukur si atëherë kur janë njohur. Po ta analizosh me kujdes, kjo i ngjan shumë një alibie. Sigurisht që një trup i bukur në momentet intime është i rëndësishëm, por nuk është përbërësi i vetëm. Duke e thelluar edhe më tej këtë temë, zbulohen dinamika të tjera që nuk kanë të bëjnë fare me pamjen fizike.

A ndodh që mashkulli të bëhet xheloz kur partnerja shpreh dëshirën për t’iu nënshtruar kirurgjisë estetike? “Po, ka gjasa që kjo kërkesë të nxisë dyshimet e tradhtisë. Në fund të fundit, një grua tërheqëse, mbetet e tillë për të gjithë. Unë nuk arrij ta kuptoj faktin se si disa djem të rinj pranojnë të lidhen me gra më të mëdha në moshë, kur ankohen për vajzat që nuk kanë trupa të bukur. A u bie në sy pamja e jashtme e grave në moshë, apo i detyrojnë ato t’u nënshtrohen kirurgjisë estetike për të ‘ndalur kohën’?. Nga ajo që kam kuptuar, pas shumë viteve punë, është se femrat që shkojnë me djem më të rinj se vetja përpiqen me mish e me shpirt të jenë në formë të përkryer dhe kjo është një e dhënë faktike. Pastaj nuk duhet harruar që tërheqja nuk kalon vetëm përmes trupit”, thotë docentja.

Për një mashkull, gjoksi i madh i parë nga ekrani i televizorit mund të duket joshës, ndërkohë që është i papranueshëm për motrën, të dashurën ose gruan. Dihet se të gjithë kanë një ideal, pastaj vjen realiteti. Janë dy aspekte shumë të ndryshëm nga njëri-tjetri, por njëkohësisht tepër prezentë. Këtu qëndron edhe gabimi: një burrë i cili e quan të bukur trupin e një zonje në moshë, nuk i jep mesazh të mirë gruas që ka përkrah. Atij mund t’i pëlqejë kjo situatë. Shpeshherë meshkujt janë të pakuptueshëm. Preferojnë të dobëtat, ndërkohë që u pëlqen të prekin diçka të bëshme. Kërkimi i perfeksionit është karakteristikë femërore. Pra vendimi për t’iu nënshtruar kirurgjisë estetike vjen nga dëshira e gruas.

Por, pavarësisht të gjitha varianteve të mundshme, nëna, edhe në këtë rast, mbetet e paprekur. “Nëna është një grua ‘pa seks’. Ashtu sikurse nuk njeh aspektet e jetës seksuale, mund t’i mungojë edhe dëshira për të pasur një trup të bukur”, përfundon docentja. (shqip)

Publikuar: 20.07.2010 | 15:31
Lexuar: 2038 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime