E enjte, 13.12.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Në dukje ky ishte dëmi i vetëm fizik që iu shkaktua, ndërkohë që pas këtij incidenti, personaliteti i tij ndryshoi tërësisht. Nga një njeri i përgjegjshëm, i sjellshëm dhe i qetë ai u bë një person i ashpër, i pamëshirshëm dhe madje shoqërisht i papërgjegjshëm.
Materia gri që na jep identitetin








KLARITA BAJRAKTARI

Truri është organi më i ndërlikuar, më i pakuptueshëm dhe enigmatik i trupit tonë. Ne mund të emërtojmë pjesë të tij, por dija jonë është e kufizuar në lidhje me funksionin e këtyre pjesëve dhe mbi të gjitha me lidhjen që ato kanë me njëra-tjetrën. Në një libër të fundit të një mjekeje që është marrë për një kohë të gjatë me studimin e këtij organi jetik të trupit tonë janë përmbledhur të gjitha faktet e njohura shkencërisht deri më tani për trurin, si edhe shpjegohet struktura, funksioni dhe problemet e tij.

Truri moral

Kur punëtori i hekurudhës Fienas Gage pësoi një goditje në fytyrë ndërsa po shponte me eksploziv një mur në vitin 1948, pa dashur dha një nga informatat e para në lidhje me funksionimin e këtij organi. Shpërthimi kishte shkaktuar një vrimë që niste në faqe dhe përfundonte në tru, madje në majë të kokës dhe kjo i kishte shkaktuar humbjen e shikimit në syrin e djathtë. Në dukje ky ishte dëmi i vetëm fizik që iu shkaktua, ndërkohë që pas këtij incidenti, personaliteti i tij ndryshoi tërësisht. Nga një njeri i përgjegjshëm, i sjellshëm dhe i qetë ai u bë një person i ashpër, i pamëshirshëm dhe madje shoqërisht i papërgjegjshëm. Kjo tregoi se dëmi fizik që shkaktohet në disa zona të trurit mund të çojë në ndryshim rrënjësor të personalitetit.

Besimi dhe supersticioni

Sistemi i besimit të njerëzve është një ndërthurje e gjeneve me kulturën, mënyrën e rritjes. Të gjitha këto përbëjnë edhe kornizën e përvojës njerëzore. Por, disa aspekte mund të kenë një ndikim të drejtpërdrejtë në aktivitetin e trurit. Disa shkencëtarë sugjerojnë se përvojat e mbinatyrshme që deklarohen se janë përjetuar nga disa njerëz mund të jenë edhe pasojë e "shqetësimeve" të trurit. Ndjesia e ekstazës që i shoqëron përvoja të tilla të çuditshme dhe të rralla u është atribuuar deri më sot çarjeve të vogla në lobin temporal. Shqetësimet në lobin temporal lidhen edhe me ndjesinë e një pranie të padukshme, që disa njerëz thonë se përjetojnë në momente të ndryshme të jetës së tyre. Të tilla janë për shembull, përvojat e dikujt me shpirtrat apo fantazmat. Ndërsa për sa u përket të ashtuquajturave përvoja jashtë trupit, ato, sipas disa shkencëtarëve, janë të lidhura me aktivitetin e pakësuar të lobeve paralele, të cilat normalisht japin një qartësi dhe ekuilibër në lidhje me perceptimin tonë të kohës dhe hapësirës.

Krijimtaria

Tru të ndryshëm kanë karakteristika të ndryshme. Madje, ndryshimet janë të mëdha edhe në trurin e muzikantëve, mes atyre që improvizojnë dhe atyre që luajnë duke pasur përballë një pentagram. Studimet kanë nxjerrë në dritë se lobet frontale aktivizohen kur muzikantët lexojnë notat, por nuk funksionojnë kur muzikanti improvizon notat, duke u lënë kështu hapësirë ideve momentale. Studiuesit thonë se kjo reflekton shumë në proceset e krijimtarisë. Kur truri pushon pas një aktiviteti shumë të ngarkuar, valët që lëshon janë të ndryshme nga ato që emeton në momentet e pikut të punës.

Dallimet seksuale

Truri është shumë individual te njerëzit, madje po aq individual sa edhe fytyra. Çdo njeri ka një tru me një ndërtim dhe fiziologji të ndryshme. Ky dallim vlen edhe për gjinitë. Kështu, i ashtuquajturi corpus callosum, që lidh dy hemisferat e trurit, është më i zhvilluar te meshkujt se sa te femrat. Sipas disa shpjegimeve, ky është shkaku që femrat janë emocionalisht më të ndërgjegjshme se meshkujt, pasi ana e djathtë e trurit që lidhet me emocionet është më e lidhur me të majtën, që është edhe qendra analitike e trurit. Skanimi i trurit të homoseksualëve është i ngjashëm me atë të femrave, pra ata janë më të prirur që të kenë një botë emotive dhe ndjeshmëri tipike femërore. Ndërsa te femrat lezbike, për shembull, ana e djathtë e trurit është më e zhvilluar, një tipar që ngjan me meshkujt heteroseksualë. Tiparet e trurit janë të përbashkëta mes femrave lezbike dhe meshkujve heteroseksualë.

Personaliteti

Studimet në lidhje me trurin kanë nxjerrë në dritë se personaliteti mund të jetë "i dukshëm" edhe nga aktiviteti i zonave të ndryshme të trurit. Kështu, njerëzit që pëlqejnë aventurat, gjërat dhe eksperiencat e reja kanë një lidhje më të fortë mes hippocampus-it dhe striatum-it, ndërsa njerëzit e turpshëm shfaqin reagime të forta në amygdala. Optimizmi, bashkëpunimi dhe agresiviteti janë pasojë e aktiviteteve të zonave të ndryshme të trurit.

Rëndësia e përmasave

Tru të ndryshëm kanë madhësi dhe peshë të ndryshme, por ka edhe përjashtime. Jonathan Swift, autori i "Udhëtimet e Guliverit", kishte një tru që peshonte 2000 gramë kur vdiq në vitin 1754, ndërsa truri i Ivan Pavlovit, biologut të shquar rus që zbuloi reagimet e Pavlovit, peshonte vetëm 1500 gramë. Kësisoj mund të thuhet se deri tani nuk ka ndonjë teori për sa i përket lidhjes mes peshës dhe intelektit, por tipare të tjera mund të jenë shumë të rëndësishme.

Plakja e trurit

Shumë neurone në tru mbeten të shëndetshme deri në vdekje. Por truri vetë ndryshon 5-10% në moshat nga 20 deri në 90 vjeç. Ndryshime të tjera përfshijnë zmadhim të hapësirave të ndryshme të kafkës dhe formim të pllakave të caktuara trunore e ndryshime të tjera sipërfaqësore në dukje. Shkaku i këtyre ndryshimeve nuk është shpjeguar ende. Megjithatë, një gjë është e sigurt, se një dietë e mirë ushqimore është shumë e dobishme për shëndetin e trurit, veçanërisht përdorimi i peshkut në mënyrë të vazhdueshme. Ndërkaq, këshillohet për "fizkulturë" të trurit edhe loja e shahut.

Dhimbja e kokës dhe migrena

Një dhimbje koke është një nga arsyet më të zakonshme që na bën të përdorim aspirinat apo paracetamolët. Në rastin e migrenës nuk kemi një shpjegim fiziologjik të kësaj sëmundjeje, por mendohet se ajo shkaktohet nga procese të funksionimit të trurit. Zakonisht migrena prek frontin ballor të trurit dhe lëvizja e përkeqëson dhimbjen. Atë e shkaktojnë disa stimuj si ushqimi, lodhja, ndryshimet hormonale, faktorë emocionalë apo qoftë edhe një ndryshim moti. Një dhimbje klasike migrene mund të zgjasë disa ditë dhe përsëritet pas disa muajsh.

Gjumi dhe ëndrrat

Pa gjumë do të kishim vdekur. Gjumi është thelbësor për shëndetin dhe nëse fle më më pak nga sa kemi nevojë jemi të hutuar, të papërqendruar dhe humbasim aftësinë e kujtesës. Megjithatë, gjumi vazhdon që të mbetet një mister. Ciklet gjumë-zgjim janë të kontrolluara nga neu-rotransmetuesit që funksionojnë në zona të ndryshme të trurit. Ëndrrat janë një tjetër mister shumë pak i njohur i gjumit. Ajo çka dihet është vetëm fakti që gjatë gjumit aktiviteti i trurit pakësohet dhe ndodh një lloj pastrimi kimik.

Publikuar: 21.07.2010 | 18:43
Lexuar: 1578 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime