E diel, 9.12.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Ka edhe surpriza të tjera, ndërsa dhjetë kilometrat nga qyteti vështirësohen, sepse kurrkund nuk shikon tabelë. Sikur ta ndjejnë vështirësinë, sepse befas të parakalon ndonjë furgon, që i troshit egër kokat e njerëzve, të përkulura të gjitha në një anë për të na këqyrur. Më kot, nuk i ngjallim askujt kureshtje...
Burgajeti, atje ku flitet për Shqipni etnike






Shkruan : Ben Andoni


Ura mbetet shpejt pas. Burreli ose Mati, qyteti, që i flitet njëkohësisht me dy emrat, po ashtu. Deri këtu ka qenë edhe rruga e mirë. Paskëtaj fillon Malësia. Mati, Dibra, Mirdita të përziera në memorie dhe pas kohëve... të ndara. Tani, sërish afrohen. Një nga drejtimet, majtas rrugës nacionale të ngjit në viset e mbretit Zog. Do përshkosh një rrugë bajagi të gjatë, që pak nga pak mungesa e asfaltit, e tejzgjat.

Dhe vetëm po të kesh një makinë të lartë do mbërrish. E ndërsa Burgajeti nuk duket, rruga e vështirë ndanë një peizazhi të bukur, ku pjesa kodrinore i ngjitet pllajës ku është Mati - i bën që të gjithë shoferët me të cilët ndërrohemi, të na shikojnë nga fund-barku i makinës: Po kalon, - thonë me sy. Ka edhe surpriza të tjera, ndërsa dhjetë kilometrat nga qyteti vështirësohen, sepse kurrkund nuk shikon tabelë. Sikur ta ndjejnë vështirësinë, sepse befas të parakalon ndonjë furgon, që i troshit egër kokat e njerëzve, të përkulura të gjitha në një anë për të na këqyrur. Më kot, nuk i ngjallim askujt kureshtje...

Në fillim-oaz

Kureshtje na ngjall vetëm hapësira dhe thyerja e ëmbël e territorit dhe pasi kalojmë Zenishtin dhe meandrojmë - do të shfaqet ai, Burgajeti. Është një fshat më se i zakonshëm në Mat. Ishte emri i Mbretit Zog, që lindi aty dhe që e bëri aq të njohur. Neve na tërheq dhe vetë kompozita e emrit: Burg. Prapashtesë e vendeve urbane gjermanike. Ahmet Zogu, në të ritë e tij, pati një goditje të madhe nga Vjena, kryeqyteti perandorak. Por, të dyja vendet nuk i lidh asgjë, veç emrit të njërit prej shtetarëve të pakët të shtetit shqiptar. Tashmë, pasuesit e tij tashmë kanë vdekur, ndërsa të rinjtë, që shikojnë veç të ikin, votojnë për PD-në.

Gjithsesi, të gjithë e duan Legalitetin. Identifikohen. “O Zot, po pse don me e marr komunistat”, na ka thënë shoferi i parë, që hasemi. Po çon me një furgon të tmerrshëm disa njerëz në Macukull... Dhe, socialistët, alias komunistët për ta, ua kanë shpërblyer. Në tetë vitet në pushtet i kanë lënë si qëmoti. Pa rrugë, me ujë të reduktuar dhe me drita të kufizuara. Njësoj dhe demokratët, alias neo-komunistët. Kjo ka pak rëndësi për burgajetasit.

Memoria mbaron, kur ndalojmë në kafen e parë dhe të vetme të fshatit, ku një 40-vjeçar ka vendosur dhe një pompë karburanti. Na këqyr dhe pastaj na pyet. Pa fund. Por, emrin nuk na e thotë. Në fund, na lut mos t’ia përmendim. Nuk ka njeri dhe ne i dukemi objekt i mirë për të shtyrë mesditën. Ja shuajmë shpejt muhabetin, ndërsa i kërkojmë një mundësi për të gjetur kryeplakun. Baristi i fshatit përtypet. E kupton që është i rëndësishëm. Fillon ngatërresën: Nuk ka celular; ka; humba numrin; e ka shtëpinë larg; nuk mund të na shoqërojnë djemtë etj. E qetësojmë.

Në fakt na ka shërbyer, pa dashje, kur ka rrëfyer se pak më parë ishte mësuesi i vjetër i fshatit. Ai na duhet-i themi. “Kur shkon për në Lis do kthehesh majtas, do ulesh poshtë... do kthehesh...”. Në drejtimet, që na thotë ai, do humbisje dhe me fillin e Ariadnës. Fillon e pyet kinse për Tiranën, por me mendjemadhësi e nxjerr se ka bërë një shtëpi në Tiranën e Re. Është pra metropolitan post ’90. Mexhit Stafasani, mësuesi i vjetër i fshatit, ka qenë vërtetë pak më parë. Po e gjetëm ia hodhëm. Vetëm se për ta gjetur shtëpinë do na duhet që të endemi...

Për fat, pak minuta më vonë, ndërsa “Mercedesi 240” ngjitet me vështirësi në një rrëpirë, një burrë poshtë një peme na jep indikacionet e fundit të Mexhitit. Kanë qenë bashkë, pastaj ai është varur për në shtëpi. Na drejton më saktë, por sërish amullt. Pra, mësuesi ekziston... Pak fjalët, që na thotë burri -janë njësoj me të tjerat... Hedh sytë: Të varfër. Ikin..., e dëgjoj si në jerm. Askush nuk “do me ndejt. Ah me pas për Mretin ky vend do kish lulëzue”.

Mexhiti

Ashtu si e kemi parashikuar, Mexhiti vërtet e ka shtëpinë poshtë rrugës. Adresimi i burrit na ka ndihur. Varemi poshtë. Në një kthesë janë gjurmët e një rruge të shtruar, që e ka bërë një makinë e madhe. Tej disa pemëve është një kullë. Një burrë punon i qetë. Peizazh baritor. E përshëndesim me dorë dhe i kërkojmë shtëpinë e Mexhitit. “Jam vetë... po kush jeni. Miq?... Hajde, për hajër”. Mësuesi është shumë më i mbajtur nga parashikimi ynë. Simpatik dhe me një trup të fortë, të mbledhur, na shikon ngultas. E sqarojmë me pak fjalë. Na prin në kullë. I kërkojmë të rrimë në kopsht, bash atje ku një gomar shtriqet në tokë dhe një hije peme na preh në paqe. Lëshon.

Pak minuta më vonë jemi ulur mbi dy qilima, që i ka sjellë i biri, Arbeni, 38-vjeçar. Me veshët e mëdhenj dëgjon dhe kur s’duron ndërhyn. E adhuron të atin. E përsërit nënzë fjalët, sepse duhet t’i ketë dëgjuar me dhjetëra herë rrëfimet e tij. Jemi ulur rreth burrit. Dy vocërrakë biondë na shikojnë në sy. Burri është i shtruar dhe flet një shqipe standarde me pak nuanca të krahinës së tij. Bën grimasa. Dhe, si i mësuar me njerëz që e dëgjojnë..pushon pak, që të nderë kureshtjen. Është krenar për dijeninë e tij.

Këtu karatët maten nga afërsia e shtëpisë me ish-Sarajet e mbretit. Dhe, ne jemi bajagi, pak dhjetëra metra poshtë tij. “Kështjella”, si e kemi parë të shkruar në një foto të hershme, nuk duket. Ndërsa, gishti i mësuesit rri nderur, drejt saj. Tonat rreth një gote rakie. Ka dalë prej kohësh në pension fillimisht të pjesshëm dhe pastaj me pension të plotë. Ka jetuar dhe jeton këtu. “Nuk kam ndërmend të lëviz që këtu. Më duket qetësi”. E pyesim për fshatin dhe namin e tij: “Dëgjo! Hesht. I pëlqen auditori, që në këtë rast e përbëjmë vetëm ne. Burgajeti nuk është ndonjë gjë krejt tjetër nga fshatrat e tjerë të rrethit të Matit”. Ku është ndryshimi? - e pyesim.

“Asgjë. Të gjithë matjanët janë krenarë”. Sipas tij, historia e Matit nuk është shkruar dhe nuk është as në plan për t’u njohur. Këtu ishte Zogolli, sipas tij, por po të studiosh Barletin, edhe Kastrioti i Madh ka qenë në Mat. Nuk e ka lexuar historinë e Kristo Frashërit. E urren. Për të historia e fshatit është historia e racës së Skënderbeut. Zogollët për të janë stër, stërnipërit e Jellës, motrës së Skënderbeut.

Zogollët

Hesht sërish dhe hedh një sy andej, ku është “Kështjella”. “Në Mat kanë qenë pesë oxhaqe: Zogolli - në Burgajet, Allamani në Bulgari, Çela në Paticë, Skënderi dhe Bozhici në Klos... Mirëpo drejtimin e kanë pasur Zogolli. Ai priste për çdo ditë nga 40-50 veta në ditë njerëz të zakonshëm... Ata vinin nga të gjithë fshatrat”. E beson, kur mendon se Burreli i dikurshëm ka qenë sivëlla me fshatrat përreth, ndërsa rruga kryesore në këto troje ndiqte Qaf Murrizin dhe nga Qafë Bualli, nga ku pastaj dilte drejt Qafë Shtamës dhe rruga tjetër për në Pukë, që lidhej me Mirditën. Burri është shkëputur pak nga realiteti.

“Këta pashallëkun e kanë bërë në Manastir. Valiu ka qenë në Manastir, qoftë i ati i Ahmet Zogut, qoftë Xhelal Pashë Mati, gjyshi i Ahmet Zogut. Mustafa Pasha ose Haxhi pashë Sakati që është vrarë këtu në Saraj dhe ai ka qenë vali andej. Duke përjashtuar Ahmet Pashën dhe Hasan Pashën që kanë vdek në Irak. Këta janë pinjollë të Jellës”. Jella, e motra e Skënderbeut, ka qenë e shoqja e Pal Stres Balshës. Të tjerë biografë thonë se kanë lidhje me Mamicën. Kurse, mësuesi e lidh historinë e Zogollëve në një vend, që quhet Gropët. Gropët, tashmë është një lagje, ndërsa më parë ka qenë thjesht një çezmë. “Ai ka pasur katër djem, Fizllajt, shkurtimisht Fejz, Et’hemi, Abdiun, të katërtin Zogun.

Ky ka qenë një emër i përbërë tek ne. Ishte më i vogli... I fundit në Turqi ka marrë titullin pashë, gradë luftarakë dhe Bej njëkohësisht... Se çfarë në atë fillim ka mësuar doktor apo inxhinier, por titullin bej e ka marrë vëllai i vogël. Zogu. Ai ka blerë atë kodrën aty dhe kështu Zogollët janë të ardhur këtu”. Edhe Mexhidi, 66-vjeçar ka një histori tjetër të vetën. Ai rrjedh nga Veqilharxhi i Ali Pashës. Ymer Stafa, i biri i Stafa Hasanit, që ka qenë dhe në momentin që Aliut të ngratë i ndanë përjetësisht trupin.

Zogu ka lindur më 1897???

E ndërpret historinë e familjes së tij. A e dini kur ka lind, Zogu? - na thotë. “Nuk është e vërtetë që ka vdekur më 1908, Xhemal Pasha. Baba i mbretit ka vdekur në janar të vitit 1903 në Kodër Saraj. Datëlindja e Ahmet Zogut nuk është e vërtetë se është 1895, por 1897. Ai është më 8 tetor të atij viti. Në Kongresin e Lushnjes ishte vendim që nuk merrje pjesë si delegat dhe pastaj në qeveri, nëse nuk ishe 25 vjeç. Ndaj ai e bëri atë 1895”.

Historia që tregon është disi e besueshme: “Xhaxhai im, hafëz, ka qenë i lindur tre ditë më pas dhe Dibra, kryemyftiu i gjithë Shqipërisë ka kërkuar me vërtetu për të bërë be gjyshin tim, Sut Hoxhën në Rremull dhe Kadri Metën, prefektin e Elbasanit apo të Vlorës për të bërë be që nuk është ditëlindja më 1897, por 1895”. Në fakt, biografët e Zogut ndalojnë tek 1895, dhe kështu është shkruar edhe në librin biografik të Familjes mbretërore... Mexhiti është krenar për të fshehtën e madhe. Po Kështjella, Kodër-Saraj... A do të na çojë vallë. I kërkojmë djalin, si guidë. Mësuesi do të vazhdojë monologun. E vazhdon.

Sarajet

Më në fund, e ndërpresim. Ia arrijmë. E falënderojmë për mikpritjen dhe shpirtin e bardhë. Ndjehemi keq, kur dy djemtë e vegjël na shikojnë teksa gjerbim rakinë dhe hamë pak rrush. I kërkojmë të na shoqërojë, meqë nuk e lë djalin-burrë. Është gati dhe çohet vrik. Vjen bashkë me të birin, që nuk i ndahet dhe që nuk i përgjigjet fare kulturës së tij. Burri i ri na tregon një bëmë dhe ‘namuzin’ e matjanit, si e ka mbajtur në Greqi. Çfarë ka mbetur nga Sarajet? -e pyesim ndërsa udhëtojmë me makinë. Asgjë - na përgjigjet burri. I shkrumboi Bajram Curri. Dhe, Zogu ia hoqi kokën, në fakt. Sarajet, në kujtesën e tij, kishin një kuzhinë të veçantë; Dhomën e Pritjes - Selamllëkun; shumë njerëz, që qëndronin gati për gjithçka; furrë buke.

“Atje hynin e dilnin 50 veta në ditë. Rrallëherë edhe më shumë. Kishte njerëz dhe zabitllarë. Tek ai vendi: te shkëmbi aty, është një çezmë që e quajnë Krroi i Axhës... Si toponim një i pari i tyre... Këtu ishte fisi i Abdies... Fizllajt kanë shkuar në Lis... Ndërsa Zogu ka blerë kodrën dhe në vitin 1500 janë vendos në kodër Saraj...”. Kodra e dominon Burgajetin dhe është në kuotën 300-400 metra mbi nivelin e detit...”. Puset e ujit kanë qenë poshtë mullarit, na tregon me gisht, kur afrohemi dhe një erë ia merr zërin dhe ia përhap në eter. “Muri i avllisë ka qenë deri te kumbulla aty dhe atje ku janë ferrat.

Poshtë ka qenë lavenderia, furra, ka qenë mejhania ose kuzhina, ndërsa aty sipër selamllëku. Këtu ka qenë kulla e poshtme, kulla e Seit Beut; këtu kulla e kollçakëve, zaptijeve. Kanë qenë këtu 5-6 pashallarë. Marrëdhëniet i kanë pas me bejlerët e Gjakovës, Dibrës. Këtu ka qenë edhe sheshi... Është gërmuar dhe e ka dërmuar buldozeri, atë që kishte mbetur nga kullat. Një kat ka qenë nëntokë dhe pjesa tjetër mbi tokë. Burri i ka thënë Princ Lekës, se në këtë vend duhej një pllakat, që të tregonte se këtu kanë jetuar Zogollasit. Lulëzimin e fundit, sarajet i kanë pasur, kur Zogu, sipas burrit, ka ardhur me Geraldinën. Pastaj...hiç. Me burrin sorollatemi dhe pak në një hiçnajë, që ai mundohet të ma identifikojë sërish: ”Kulla e madhe ka qenë atje. Ndërsa rreth ishin të tjerat.

Ato i kishin banjot me bishta guri. Te kullat e tjera. Ndërsa godina në katin e katërt ka qenë me bisht druri, kur kanë vrarë Haxhi Pashë Sakatin. Atje u futën. Edhe Esat Pasha kur ka dash me e vra Zogun, aty ka dalë. Atje ishin edhe kullat e zaptijeve. I gjithë ky vend ishte me saraje. Në kohë të Enverit i nxorën themelet dhe e bënë pemëtari. Ishin të gjithë llojet e pemëve: Mollë, dardha. Fiq dhe ullinj”. Po Zogu, ia mori hakun dajës Esat për Avniun, e pyesim. Plaku fillon e bërtet. Jo... dhe jo. Pastaj na drejton gjetkë: E shikon atë pyllin. Sërish vazhdon monologun e tij dhe tashmë dora i prehet tek do varre që quheshin vorret e Markjet. Mark Kastrioti ishte në Shtjefën. Dhe të parët e Skënderbeut ishin nga Shtjefni. A po vjen të shkojmë në Stelush? - e mbyll. Jo, - i themi.

Kanuni

Vetëm se Skënderbeu nuk ka vend në krenarinë e tyre. Zbatohet kanuni i Lekës dhe jo i Skënderbeut. Logjika është e thjeshtë dhe pragmatiste. Skënderbeu në drejtësinë e tij mendonte se gjaku i të mirit dhe i të keqit nuk janë njësoj. Kurse Leka thoshte një për një. Kaq u mjafton këtyre që ta shpjegojnë si e duan vetë. Në këtë eklektizëm tashmë flitet për Zogun, që mbrojti vendin nga serbët dhe i shpërndau forcat për të mbrojtur katër qafat, që ishin si portat e Matit: Qafë Shtamën, të Buallit, të Murrës dhe Murrizës. Burri, që ka gati vetëm 50 vjet i vdekur, prodhon pa fund bëma. Por, e meriton. 25 vjet ministër, 27 - kryeministër dhe 33 mbret do ishte një bilanc i admirueshëm dhe për ndonjë nga pinjollët e familjeve të vjetra perandorake.

Burgajeti

Por, me burrin gati vazhdohet në një muhabet absurd. I kërkoj pikat e horizontit: Këtu në Veri ka qenë kulla e pashës, i bie nga Qafa e Shënkollit; në jug kemi Malin me Gropa. Gurin e Bardhë në lindje me Malin e Dejës, Shën Mërinë dhe në Perëndim kemi malin e Skënderbeut. I kërkojmë të na thotë se kush ishte koncepti i të mirit dhe i të keqit. Ah. I Kemi gjetur damarin. Lufi, Stafasani, Droba, Koçi, Ballabani, Brici, Ruci, Bajramajt, Hetajt ishin fiset e fshatit dhe duhej që të kalonin tre breza e më shumë nga çdo fis, që pleqtë (Ishin nëntë të tillë në Burgajet-të tjerët kishin pesë) të përcaktonin në bazë të virtytit nëse ia vlente kjo shtëpi apo jo.

Kështu u përjetësua nga koha në kohë dhe brezi në brez, fshati i madh, që gjithsesi ishte më i vogël se Lisi me 300 shtëpi, Bulgari, Macukulli, Rremlli, që ishin fshatra të mëdhenj. I kërkoj të më flasë për të sotmen, por burrat janë ende në të shkuarën. “Burgajeti ka qenë 100 shtëpi. Tani janë shpërngulur krejt. Në kohën e kooperativës bujqësore kanë qenë 200 shtëpi, ndërsa tani 100 shtëpi. Janë 300 e ca banorë. Kaq kanë qenë votues, të paktën na sqaron. Mund të jenë edhe më shumë 500-600 në fakt”, shton djali. Nja dy banorë që afrohen e plotësojmë kuadrin për fshatin. Votohet për PD, që të mos ndahet PD me Legalitetin. Çfarë ndihmë ju ka dhënë PD?-i themi. Asgjë, ma kthejnë natyrshëm, të bindur se nuk ka se çfarë t’u japë. Ujë i pishëm me orar edhe pse “Këtë vit kemi pasur se është bërë depozita e Malit të Shën Mërisë.

Kemi pasur 4-5 dhe gjashtë orë në ditë, më thotë tjetri që e quan këtë mirë. Sa për dritat... Fillojnë e qeshin bashkë. Një grua e mbuluar krejt me të zeza, që kullot lopën mbi saraje, afrohet nga larg dhe shikon pa gojë. “Vinë në katër pasdite dhe rrinë deri në 12- 01 të natës. Pastaj në 00.03 të natës deri në 00.07 paradite”. Kjo është dita e banorëve, që gjithsesi të rrëfejnë se infermieria mjaftohet me një gjilpërë dhe se duhet të ikin në Mat për të lindur. E sërish besojnë...

Burrat për Mbretin dhe Shqipërinë etnike. Shkëputem dhe flas pak me gruan që më thotë se i ka vdekur e bija dhe me një zë të shuar më bën një panoramë të dhimbshme të shtëpisë. Burrat vazhdojnë të justifikojnë sërish Zogun. Për serbët, për fashizmin...për Ikjen. A e di, më thotë befas, Arbeni- “Për televizor jemi të vobektë....Shiko mos ban diça. S’kemi takat dhe antena të tjera nuk funksionojnë dhe asgjë”. Të tjerat janë në rregull. Sikleti i burgajetasve nuk mbaron këtu. Mësuesi jeton me pak lekë dhe është i kënaqur dhe me kaq dhe plaka, që heshton.

Ndahemi. Në klubin, nga ku kemi ardhur 10 minuta më vonë takojmë Qazim Lufin, të nipin e Sali Lufit, një nga njerëzit e shpurës së Zogut. “Falem, që është djali në Itali, më thotë. Nuk ka asnjë ndryshim dhe nuk kanë bërë gjë. Këta që janë në fuqi nuk kanë bërë asgjë, qoftë për Burgajtin dhe qoftë për Shqipërinë Sepse nuk ka forcë Legaliteti. Ndryshe, po të ishte në fuqi Legaliteti, do të ndryshonte gjithçka brenda pesëvjeçarit... dhe shqiptarët do jetonin në mënyrë të përsosur. Më vjen keq për Princin Leka që është djal i ri dhe akoma boll nuk po e kupton se nuk ka forcë me shpirtin e tij, paçka se do ti bëjë shumë Shqipërisë”.

Ish-minatori 60 vjeçar nuk ka shkollë por bën hokatarin. Ka shkollën e fisit dhe 50 vjet shkollë falë PP-së, më flet pa ndalur. Pensionisti është shumë i mbajtur dhe jo besues për vuajtjet. Por të bën përshtypje shprehja se Shqipëria Etnike, do jetë shumë shpejt. Kujtoj mësuesin, kur e pyes se çfarë do donte: Të asfaltohej rruga. Të kishte ujë vaditës dhe në kodrën e Sarajit të bëhej diçka që të njihej se ka qenë mbreti i shqiptarëve..Sa pak. Ikim. “Ma tepër se organizimi teknik i një shteti, duhet kultura e morali, naltësimi i edukimit, i cili na shpie sigurisht në Idealin Kombëtar”, kujtoj fjalët e Zogut, që gjithsesi janë të huaja për këtë vend.

Më ka mbetur në fund, vetëm plaka e përvuajtur. Ajo më ka treguar se i ka vdekur e bija dhe dhëndri nuk ia var. Nga ajo kam mësuar më shumë për Burgajetin, më duket. Mësuesi e përfytyroj të vazhdosë me historinë e tij, ashtu si Qazimi cinik me pjesën tjetër. Ne na pret rruga. Muzgu ka filluar të lëshohet mbi male të Matit, ndërsa ne i afrohemi Urës së qytetit. Është vjeshtë’08.


Publikuar: 13.08.2010 | 06:42
Lexuar: 2878 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime