E mërkurë, 12.12.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Një kolonë e pandërprerë e veturave kryesisht me regjistrim të Kosovës, ia mësyjnë kufirit të Kosovës me Shqipërinë, që nga orët e para të mëngjesit e deri në mesnatë. Janë shqiptarë të Kosovës, të të gjitha vendeve të Kosovës që ia mësyjnë Shqipërisë, ia mësyjnë bregdetit shqiptar.
Bregdeti shqiptar, aty ku pushohet shqip





Bajrush Morina

Pse duhet të pushohet në Shqipëri


Përveç autostradës moderne që të dërgon në bregdet për 3 orë prej kufirit me Kosovën, është “shija” shqiptare e bregdetit që i fton të gjithë për pushime atje.

Shumë vite më parë, në kohën e shtetrrethimit të egër policor në Kosovë, shumë herë është shkruar dhe është thënë se “të gjitha rrugët e të rinjve nga Kosova i qojnë në Perëndim!” Tash kur udhëtimi për në Evropë është kushtëzuar me vizë apo bëhet më shumë përmes ajrit sesa përmes rrugëve, ka dalë në “skenë” një thënie e re e kohës: “të gjitha rrugët e shqiptarëve nga Kosova i qojnë ata në bregdetin shqiptar!” Dhe ka shumë arsye, ka më shumë arsye që këtë vit të gjitha rrugët qojnë drejt Durrësit, portit të Kosovës, Shën Gjijnit, Velipojës, Vlorës, Sarandës, Dhërmisë...

Kufiri pa ndalesa!

Një kolonë e pandërprerë e veturave kryesisht me regjistrim të Kosovës, ia mësyjnë kufirit të Kosovës me Shqipërinë, që nga orët e para të mëngjesit e deri në mesnatë. Janë shqiptarë të Kosovës, të të gjitha vendeve të Kosovës që ia mësyjnë Shqipërisë, ia mësyjnë bregdetit shqiptar.

Në kufirin në Vërmicë bëhet kontroll rutinor vetëm në anën shqiptare. Një kontroll sa për sy e faqe, sa për të evidentuar numrin e vizitorëve...Ky kufi që deri dhjetë vjet më parë ishte kufi i ndarjes, kufi me xhemba, tash e tutje nuk është fare kufi, është vetëm një shenjë e vijës shtetërore të dy shteteve ku hyhet e dilet lirisht. Është një kufi që së shpejti do të shndërrohet në një “minishengen” rajonal.

Duke të dëshiruar mirëseardhje në Shqipëri, polici shqiptar të dëshiron edhe rrugëtim të mbarë për në bregdet. E rrugëtimi i mbarë merr krah me të hyrë në tokën shqiptare. Autostrada e tre korsi është një mrekulli shqiptare e shekullit të ri. Kjo rrugë e re e kombit ka zëvendësuar bunkerët e shumtë të kohës komuniste. Shqipëria ka ndryshuar. Shqipëria po ndryshon!

Rruga e bashkimit

Me çdo lloj veture, prej pikës kufitare deri në Durrës arrin më pak se për 3 orë. Nëse të “ngutet” dhe nëse ke veturë të shrenjtë, kushtet e rrugës të lejojnë që të arrish edhe më shpejtë. Autostrada shqiptare është një mrekulli që duhet ta përjetojnë të gjithë shqiptarët. Dhe kjo mrekulli bëhet më interesante sidomos kalimi përmes tunelit të Kalimashit.

Ata që kanë pasur “fatin” të udhëtojnë për më shumë se 2 orë nëpër të gjitha ato kthesa të rrezikshme të majës së malit të Kalimashit, tash gjithë atë udhë e bëjnë vetëm për 7 minuta. Matanë tunelit prapë autostrada me 2 korsi të shpiejnë në bregdet me të lindur dielli. Duke e shijuar këtë mrekulli shqiptare, nuk ka shqiptar i të gjitha “ngjyrave” politike që nuk nxjerr së paku njëherë nga thellësia e shpirtit falënderimin për shtetin shqiptar, për Sali Berishën. E kemi falënderuar familjarisht me dhjetëra herë “të lumtë o Sali Berisha!” gjatë rrugëtimit tonë të parë për në bregdetin shqiptar në mes të korrikut të këtij viti. Madje na bëhej se nuk shfryheshim sa duhej e sa donim duke e uruar kryeministrin shqiptar për këtë mrekulli shqiptare. Pothuaja gjithë rrugëtimi ynë është përcjellë me urimin për Sali Berishën.

Pushimi shqip

Në plazhin e çdo pëllëmbe të bregdetit shqiptar pushohet shqip. Është bregdet shqiptar. Kudo flitet shqip. Shërbehet shqip. Pihet kafeja shqip. Lexohen gazetat shqip. Madje madje edhe noti bëhet shqip. Në bregdetin shqiptar gjithçka është shqiptare. Pse të mos krenohemi edhe ne shqiptarët kudo që jetojmë, madje edhe jashtë shtetit shqiptar se është nder të jesh shqiptar sot. Edhe më tutje në shumë radiostacione e në lokale pranë bregdetit emetohen këngë me vargjet “O sa mirë është të jesh shqiptar!”.

Durrësi është vërshuar nga shqiptarët e Kosovës. Aty kanë ardhur po thuaj të gjithë yjet e estradës së Kosovës. Durrësi këndon shqip nga këngët e këngëtarëve të Kosovës.

Derisa shijoj freskinë e orëve të para të mëngjesit pranë plazhit të Durrësit, drejt portit vijnë vaporet nga Italia. Janë plot me mërgimtarë që vijnë në vendlindje dhe që patjetër ndalen në Durrës. Janë të bardhë nga lëkura dhe ngjyrën e parë e marrin nën përcëllimën e rrezeve të diellit në Durrës. Për ata edhe këto rreze janë shqiptare. Janë rreze që reflketojnë ngrohtësi shqiptare.

Pushimet verore mund të kalohen edhe në shumë vende të tjera. Mbase me kushte dhe komoditet edhe më të mirë.

Por vetëm në bregdetin shqiptar mund të pushohet shqip. Vetëm bregdeti shqiptar ka ngrohtësinë shqiptare. Prandaj shqiptarët duhet të pushojnë shqip, vetëm në bregdetin shqiptar.

Publikuar: 16.08.2010 | 17:25
Lexuar: 5375 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime