E mërkurë, 12.12.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Njoftohet se anëtarë e funksionarë të partisë kryesore, bartëse të pushtetit në Maqedoni, ia kanë mësyrë rrugës dhe po krijojnë radhë të shpeshta për të dhënë dorëheqje nga postet e tepërta sepse Komiteti i partisë ka vendos që tani e tutje askush të mos ketë më shumë se një funksion në organet e shtetërore. Pra pas katër vjetëve, Komiteti-pushteti qenka vetëdijesua se kjo gjë nuk është e mirë.
Për shtetin dhe pushtetin







Mahi Nesimi

Kështu e paska tranzicioni i shtetit. Tranzitojnë në të individë që dinë ta respektojnë pushtetin, jo shtetin. Sepse shteti kërkon punë, përgjegjësi e ndërgjegje, por nuk jep asgjë. Ndërkaq, pushteti kërkon vetëm dëgjueshmëri dhe jep më shumë ose më pak privilegje. Sa për sovranin-popullin dhe nevojat e tij do të debatohet pandërprerë deri sa të zgjohet ndërgjegjja e fjetur

Të ushtrosh pushtetin do të thotë të jesh një subjekt ose individ i përgjegjshëm dhe ndërgjegjshëm për besimin e marrë të qeverisësh (drejtosh, orientosh, kujdesesh, shfrytëzosh etj. të gjitha të mirat materiale dhe shoqërore) për të mirën e qytetarëve. Besimi i qytetarëve është gjëja më e lartë që individi mund ta arrijë në jetën e vet. Pikërisht për këtë edhe përgjegjësia është shumë e madhe. “Mos të zëntë besë pazari” është një nam i madh me të cilën dikur është mallkuar ndonjë individ i papërgjegjshëm.

Por, përgjegjësia si akt dhe sjellje morale në shtetet e tranzicionit thuajse është shëndruar në emër kuptimi sepse, fatkeqësisht ende nuk është dëgjuar që dikush të ketë shpreh pendim për veprat e mos kryera me sukses dhe për këtë në shenjë të përgjegjësisë të deklaron se të themi jep dorëheqje. Kjo nuk ka ndodhur në Maqedoni (me ndonjë përjashtim të rrallë) po as në hapsirat tjera shqiptare. Shkase për këtë kanë ekzistuar me qindra e qindra por, ja “luajë mace kryet e bullit”. Nuk e kam ndërmend të potencoj individë konkret që nuk e kryejnë detyrën ashtu siç duhet sepse të tillë ka shumë dhe njeriu nuk din prej kah të ia nis.
Mua më brengos qasja e jonë e përgjithshme rreth fenomenit të përgjegjësisë, si këtu në Maqedoni ashtu edhe në Shqipëri dhe Kosovë. Këto dy shtete kanë organet e veta kompetente shtetërore dhe fare nuk është mirë ne të sugjerojmë se çka duhet bërë.

E këtu, në shtëpinë tonë, situata është identike. Këtu askush nuk mban përgjegjësi për gjendjen shumë të pavolitshme ekonomike. Për gjendjen katastrofale me mjedisin dhe pastërtinë e përgjithshme. Për shitjen e mallrave me afat të skaduar. Për shitjen e mallrave të ushqimit në mjedise të ndotura. Për shkatërrimin e pyjeve. Për kaosin në komunikacion. Për zhurmat dhe çirjet që në pikë të natës e bëjnë individë të papërgjegjshëm. Për arrogancën që shoferët e demonstrojnë në komunikacion. Për mafien urbane që na e shkatërroi ardhmërinë. Për shkatërrimin e plotë të arsimit. Për prostitucionin “legal”. Për shitblerjet e notave. Për vjedhjen institucionale të shumë subjekteve private ose shtetërore. Për përgjimin e mbarë komunikimit elektronik, të shkruar e të folur. Për gjendjen mizore në shëndetësi. Për barërat me afat të skaduar. Për shkeljen institucionale dhe private të të drejtave të njeriut. Për lypsët që të zënë rrugën në të gjitha qytetet tona, dhe shumë e shumë parregullsi të tjera prezente në çdo vendbanim e institucion.

Kur të kemi parasysh atë që ndodh në shtet duhet shtruar pyetja se a ka pushtet? Po ka edhe shtet edhe pushtet. Por, duket se pushteti nuk është në funksion të shtetit por në funksion të vet bartësve të pushtetit. Pikërisht këtu qëndron mbarë problemi i shoqërisë këtu në Maqedoni. Kështu vijmë në përfundim se meqë bartësit e pushtetit, atë e kanë pikësynim, atëherë është e kotë të kërkohet përgjegjësia sepse atë duhet ta përcaktojnë vet bartësit e pushtetit. Meqë puna na del te individët në pushtet, atëherë duhet të konstatojmë se është humbur roli i institucioneve përkatëse dhe çdo gjë ka mbetur në ndërgjegjen e vet pushtetarëve. Po cila është ndërgjegjja e tyre? Ajo është e shurdhër dhe fjetur. Deri te ajo nuk depërtojnë zërat e qindra mijë qytetarëve që vuajnë nga avashllëku ose paaftësia e përgjegjësve pa përgjegjësi. A thua tamam të papërgjegjshëm janë ushtruesit e detyrave që u janë besuar e prej të cilëve populli pret të del pranvera e të çelin lulet? Jo assesi. Ato janë me shumë përgjegjësi, por pa ndërgjegje. Ato e kanë skajshmërisht të ushtruar ndjenjën e përgjegjësisë. Shumë mirë e dinë se ku, dhe para kujt, duhet të japin përgjegjësi. Për ta nuk ka shtet, por ka pushtet, sepse shteti nuk ka nënshtrues dhe të nënshtruar. Ato raporte i vendos pushteti. Pushteti i gjithëfuqishëm që e krijon populli. Pushteti që pajiset me fuqinë gjithëvendosëse. E atëherë e para punë që fshihet nga truri i individëve të tillë është ndërgjegjja, për tu stërholluar ndjenja e përgjegjësisë ndaj bartësit të pushtetit, të madh ose të vogël.

“Do të pyes atje lartë, në qendër të partisë, për cilin kandidatë të përcaktohem”, janë përgjigjet e shpeshta që dëgjohen tash e 20 vjet, prej kur u shkëputëm formalisht nga një sistem i qendrave të fuqishme që mbanin llogari për pushtetin, jo për shtetin. “Po, ti ke qenë listën e parë, por jo në atë që është hartuar pasi është ...!”. “Un e kamë dërguar programin e punës atje ku duhet”, shprehet një drejtor shkolle plot 10 vjet më parë, duke iu përgjigjur kërkesës, me gojë e me shkrim, të institucionit kompetent për program.

Kështu në shoqëritë në tranzicion duken raportet ndërmjet shtetit dhe pushtetit, ndërmjet individit dhe pushtetit. Dhe individi, i jonë, e di se çka është pushteti. Për të pushteti është qendra e vendosjes, ajo ndërtesa ku vendosen fatet e mëdha të njerëzve të vegjël. Pikërisht këto ditë sheshazi po demonstrohet shembull i mirë për shtetin dhe pushtetin. Njoftohet se anëtarë e funksionarë të partisë kryesore, bartëse të pushtetit në Maqedoni, ia kanë mësyrë rrugës dhe po krijojnë radhë të shpeshta për të dhënë dorëheqje nga postet e tepërta sepse Komiteti i partisë ka vendos që tani e tutje askush të mos ketë më shumë se një funksion në organet e shtetërore. Pra pas katër vjetëve, Komiteti-pushteti qenka vetëdijesua se kjo gjë nuk është e mirë.

Por, habit fakti pse krijohen radhë në qendrën e partisë. Pse dorëheqjet jepen në parti e jo në institucionet përkatëse prej ku duhet larguar? Shpjegimi është i lehtë dhe transparent. Institucionet e shtetit udhëhiqen nga pushteti, pushteti nga partia. Partia vendos për funksionimin e tyre. Nuk ka institucion pa parti, prandaj kush duhet të shkoj nga institucioni vendos partia. Udhëheqësi dhe organet e institucionit janë një hiç asgjë. Ky realitet dominon udhëheqjen e tanishme me shtetin. Kështu ka qenë edhe më parë. Kështu ndoshta do të vazhdoj edhe mëtutje? Por do të jetë vështirë të dilet nga ky rreth që nuk po dobësohet. Do të jetë vështirë sepse kudo po ndeshemi me ndërgjegje të vyshkur. Kudo mungon ndjenja për dëshmim të aftësive kreative. Mungon ndjenja për demonstrim të cilësisë. Po si të maten cilësia dhe aftësia nëse ato maten në Komitetin e partisë e jo në institucionet dhe organet përkatëse? Kështu e paska tranzicioni i shtetit. Tranzitojkën në të individë që dinë ta respektojnë pushtetin, jo shtetin. Sepse shteti kërkon punë, përgjegjësi e ndërgjegje, por nuk jep asgjë. Ndërkaq, pushteti kërkon vetëm dëgjueshmëri dhe jep më shumë ose më pak privilegje. Sa për sovranin-popullin dhe nevojat e tij do të debatohet pandërprerë deri sa të zgjohet ndërgjegjja e fjetur.

Publikuar: 19.08.2010 | 16:30
Lexuar: 2168 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime