E hënë, 17.12.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Mbas diktaturës komuniste, nga viti 1992 e në vazhdim, tashmë është traditë që mijëra pelegrinë të vizitojnë këtë vend të shenjtë ku festimet kulmojnë më 22 gusht. Dhe për të shkuar deri në vendin e shenjtë duhet të kalosh Bogovën, fshatrat: Kakrukë, Çorovodë, Qafën e Devrisë për të mbërritur në Qafën e Kulmakut.
Mali i Tomorit;















-Disa mijëra pelegrinë të pranishëm në ditët e Tomorit-


- Disa mijëra pelegrinë të të gjitha besimeve fetare, të ardhur nga të gjitha trojet shqiptare, por edhe nga Amerika dhe vende të ndryshme të Europës, ndodhen edhe këtë vit në Ditët e Tomorrit (20-25 gusht), një mal i konsideruar i shenjtë dhe ku në lartësinë 2416 metra mbi nivelin e detit prehet Abaz Aliu, një klerik bektashi, që me emrin e tij njehsoi këtë vend.

Mbas diktaturës komuniste, nga viti 1992 e në vazhdim, tashmë është traditë që mijëra pelegrinë të vizitojnë këtë vend të shenjtë ku festimet kulmojnë më 22 gusht. Dhe për të shkuar deri në vendin e shenjtë duhet të kalosh Bogovën, fshatrat: Kakrukë, Çorovodë, Qafën e Devrisë për të mbërritur në Qafën e Kulmakut.

Poeti i mirënjohur Xhevahir Spahiu, në poezitë e tij e quan malin e Tomorit "një luan të shtrirë" . Piktori anglez Eduard Lir (1848) i ka kushtuar një pikturë Malit të Tomorit , të cilin e quan Mal Mbretëror. Ndërsa Naim Frashëri shkruante : "Abas Aliu zu Tomor, erdhi afër nesh, Shqipëria s'mbet e gjorë , se Zoti e desh".

Xhevahir Spahiu e konsideronte Malin mitologjik të Tomorit si malin e bashkimit dhe të besimit të shqiptarëve".

Në fakt nga kulti pagan i majave të larta, kulti i malit të Tomorit ka mbijetuar në rrjedhë të shekujve e të ndërrimeve fetare. Duke gëzuar një prestigj të veçantë në botën shqiptare, ai ka fituar atributin e malit të shenjtë. Fakti që ky mal në gojëdhënën popullore, në periudhën antike e mesjetare dhe në letërsinë romantike përfytyrohet si Olimpi shqiptar, është dëshmi e njësisë kulturore ballkanike.
Mali i Tomorit

Tomori është mali më impozant në Shqipërinë e Jugut. Me majën më të lartë 2416 metra, ai ngrihet vetmitar në një rrafshinë pa fqinjë që ta rivalizojnë dhe zotëron kështu pamjen nga të gjitha pikat e horizontit. Kjo e bën atë madhështor, si e bëjnë të bukur livadhet malore, e të frikshëm majat e thepisura shkëmbore, humnerat e thella dhe stuhitë e befasishme.

Etnologia angleze Margaret Hasluck, që u ngjit në majë të tij më 1930, konstatoi midis të tjerave se pelegrinët besonin në një fuqi të mbinatyrshme me seli në atë majë e se betimi për Baba Tomorin ishte më i fortë se betimi mbi Ungjill ose Kur'an. Kuptohet se ky adhurim është mbeturinë e kultit pagan të natyrës, brenda të cilit kanë mbetur besimet e shqiptarit.

Ata i besojnë gojëdhënës se Haxhi Babai, duke parë pelegrinë që ngjiteshin në Tomor çdo mes gushti për t'iu falur një hyjnie pagane, shkoi në Qerbela, mori një dorë dhe nga varri i vërtetë i Abas Aliut, e hodhi në majë të Tomorrit dhe e konsakroi atë si varrin e dytë të shenjtorit. Burime të pavërtetuara bëjnë fjalë për një tyrbe të vitit 1620 kushtuar heroit të Qerbelasë, kurse teqeja bektashiane është ngritur më 1916.

Kështu vit pas viti kulti i Tomorit u shndërrua në kultin e malit ku ka selinë perëndia e lashtë e shqiptarëve. "Shqiptarët e moçëm, - shkruan poeti kombëtar Naim Frashëri, - besoninë Hyjninë, dhe në mal të Tomorit ish falëtore e ti, që thuhej Dodonë".
Mali i Tomorit

Ky kult nacional i shqiptarëve në letërsinë romantike u kthye në një kult poetik, të cilit iu drejtuan shumica e shkrimtarëve romantikë si K. Kristoforidhi (1830-1895), Naim Frashëri (1846-1900), A. Z. Çajupi (1866-1930), Asdreni (1872-1947), H. Mosi (1885-1933), N. Mjeda (1866-1937), etj.

Kristoforidhi, themeluesi i prozës moderne shqiptare, shkrimtari që solli në shqip Dhjatën e Re dhe shumicën e shkrimeve të shenjta, një prej rrëfimeve të tij, Gjahu i malësorëve (1884) i vë si nëntitull Hieja e Tomorit, d.m.th. sipas etimologjisë që jep ai, Perëndia e Tomorit.

A. Z. Çajupi përmbledhjen e tij më të rëndësishme poetike e titulloi "Baba - Tomori" (1902). Vjersha me të njëjtin titull e kësaj përmbledhjeje është ndërtuar si një dialog poetik midis autorit dhe baba Tomorit që është personifikuar si dëshmitar i ndodhive historike të shqiptarëve dhe si një orakull që parathotë të ardhmen e kombit.

Në poezinë e Naim Frashërit, poeti më i madh kombëtar i shqiptarëve, tradita pagane e kultit të Tomorit u rigjallërua në një sfond mitologjik si Olimp i shqiptarëve dhe si seli e zanave të maleve. Ky element i fundit paraqet interes të veçantë si një figurë tradicionale mitologjike e trashëguar nga lashtësia ilirike. (atsh)

Publikuar: 25.08.2010 | 20:34
Lexuar: 5931 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet
silvia zaimi (14/09/2010 15:30:10) ,eshte mali me i bukur................

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime