E hënë, 17.12.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Po përhapet me shpejtësi moda e shkurtimit të frazave. Anglezët janë ata që mbajnë rekordin.
Akronimet, gjuha moderne flitet me iniciale






PS (Partia Socialiste), PD (Partia Demokratike), 3G (Third Generation), GPSR (General Packet Radio Service), MJ (Ministria e Jashtme), KM (Këshilli i Ministrave), MPVD (Ministria e Pushtetit Vendor dhe Decentralizimit), CEO (Chief Executive Officer). Po të vazhdonim do të na duheshin faqe e faqe me radhë. Akoma nuk është e qartë përse, por gjithmonë e më shumë ne shkruajmë dhe flasim me akronime.

Domethënë me ato fjalë të përbëra nga tri ose katër germa, ndonjëherë të shkruara të gjitha me të mëdha, që janë të formuara me shkronjat apo rrokjet me të cilat fillojë fjalë të caktuara të një fraze apo një përcaktimi. Pra, akronimet janë fjalë, shkurtesa të formuara nga germat e para të secilës fjalë që bën pjesë në shprehjen që e shkurton në një fjalë të vetme. P.sh., etj = për shembull, e të tjera. Fenomeni është universal. Po lulëzon në të gjitha gjuhët, por mbi të gjitha në anglisht, një gjuhë që gjithmonë i ka pëlqyer dhe përdorur në masë shkurtimet. CEO (Chief Executive Officer) e ka zëvendësuar plotësisht tashmë përcaktimin e plotë të kreut drejtues të një kompanie.

Ashtu si në Itali dhe shumë vende të tjera, CEO shkruhet dhe përdoret më shpesh se sa administratori i deleguar. Akronimet kanë pushtuar ekonominë dhe financën, por edhe sindikalizmin, forcat e armatosura, shërbimet e sigurisë, botën akademike, sportin dhe median. Ne lexojmë gjithmonë e më tepër për At&T, për Centcom (Central Comand), komanda qendrore e forcave të armatosura amerikane, për MAD (Mutually Assured Destruction), shkatërrimi reciprok i siguruar, formula që mbante botën në paqe gjatë Luftës së Ftohtë, duke u kujtuar të gjithëve se cili do të ishte rezultati i një lufte termonukleare, me pak fjalë MAD, e çmendur.

Nga CIA te FBI, nga KGB te STASI, nga ETA baske tek IRA irlandeze, pa harruar këtu BBC, DW dhe WC. Pastaj ekziston një kategori e dytë akronimesh, që IL (akronim i Inteligent Life, një shtojcë e britanikes “Economist” që del çdo tre muaj) e cilëson inicializëm, ose ndryshe mania për t’i thënë gjërat duke përdorur vetëm inicialet: OMG, Oh my god; LOL, Laugh out Loud (një e qeshur me të madhe); ASAP (as soon as possibile) dhe sigurisht WAGS (Wifes and girlfriends), gratë dhe të dashurat e futbollistëve të kampionatit anglez të futbollit, që në krye me Victoria Beckham bëjnë lloj-lloj çmendurish.

Një gjuhë, në bazë të inicializmit, që tashmë dominon totalisht nëpër mesazhe (SMS), dhe e-maile ku ekziston gara për të qenë më telegrafikë për të bërë ekonomi gjuhësore me fjalët, madje edhe me shkronjat si CUl8r, që në anglisht lexohet, see you later (shihemi më vonë). Gjuhëtarët i quajnë “vandalë” ata që po shkatërrojnë gjuhën, mosha e tretë e kupton si mënyrë e ardhur nga kushedi se ç’planet tjetër. Ndërsa të rinjtë e adhurojnë. Më të çrregulltit janë adoleshentët dhe të rinjtë, të cilët për të komunikuar me SMS duket sikur po e shkatërrojnë gjuhën. Askush nga kategoritë e sipërpërmendura, pavarësisht dëshirës për të shkruar “mirë”, nuk u ka shpëtuar shkurtimeve. Raste të “jashtëzakonshme” të atyre që shkruajnë mesazhe saktë, bukur dhe pa gabime janë fanatikët e gjuhës.

“Ok, flm, ?, lol, ... (tri pika), SMS, tksh, tdsh, puc, ëhë, cuq, pa merak, mir, thxs, pls, t2, p.sh., d.m.th., etj., janë disa grimca të repertorit shumë të madh të gjuhës që përdorim për të shkruar tekstet e mesazheve në telefon. Më modernët janë ata që shkruajnë shpejt brenda një kohe të shkurtër. Më të prapambeturit janë ata që shfrytëzojnë të gjitha karakteret e mesazhit. Ekonomia gjuhësore, pra përpjekjet e ligjëruesit për të shprehur të njëjtën përmbajtje a domethënie me sa më pak fjalë të jetë e mundur, sot arrin kulmin. Përdoruesit nisen nga aspekti financiar, kohor dhe praktik.

Ka edhe nga ata që i mbyllin komunikimet me njerëzit duke shkruar në fund TA, për të kursyer ndonjë bashkëtingëllore, sepse ndoshta e kanë më të lehtë që në vend që të shkruajnë apo të thonë Thanks përdorin TA. Sigurisht që rregulli kryesor ka lidhje me shkurtimin: kursim kohe dhe hapësire. Të komunikosh më shpejt, që të tjerët mos të shpërqendrohen. Akronimet, për hir të së vërtetës, kanë një histori të gjatë. Duke i marrë me radhë të gjitha etapat, revista e famshme britanike “Economist” kujton se FDR dhe JFK thirreshin dy presidentët e mëdhenj të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Franklin Delano Roosvelt dhe John Fitzgerald Kennedy, por mund të kthehemi akoma edhe më pas.

Kohët e fundit, këto germa të japin përshtypjen e pushtimit të planetit, sikur nuk mundemi ose nuk dimë të flasim në mënyrë tjetër. Por, nëse nga njëra anë është një tendencë e kritikueshme, nga ana tjetër lidhet edhe me format e reja të kreativitetit dhe ironisë. ISAF, akronim i International Stabilization Force for Afghanistan, sigla e kontingjentit ushtarak të NATO-s që lufton kundër talebanëve nga disa ushtarë përkthehet edhe si “I suck at fighting”. Po ashtu ALITALIA, kompania shtetërore gjigante italiane, me tendencë të keqe konsiderohet në anglisht akronim i “always late in take-off, always late in arrival”, gjithmonë me vonesë në ulje, gjithmonë me vonesë në nisje. (shqip)

Publikuar: 08.09.2010 | 18:49
Lexuar: 2433 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime