E premte, 14.12.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Ky vendstrehim luftarak u ndërtua në fillim të viteve 1970 dhe kishte si qëllim akomodimin në rast sulmi luftarak të ish- udhëheqjes lokale të qytetit të atyre viteve, madje për të qenë sa më efikas në këtë drejtim, njëra prej hyrjeve të tunelit ndodhet fare pranë godinës së ish- Komitetit të Partisë, ku aktualisht është vendosur Bashkia e qytetit.
Vendstrehimi i Enver Hoxhës, “kurthi” i të huajve







Albana Allushaj

Një prej tuneleve luftarake të ndërtuara në qytetin e Gjirokastrës për strehimin e ish- udhëheqjes komuniste gjatë Luftës së Ftohtë, në këto ditë të sezonit turistik është kthyer në një ndër pikat më të preferuara të guidave turistike për vizitorët e huaj që mbërrijnë në qytetin e gurtë. Grupet turistike të huaja që mbërrijnë në Gjirokastër, porsa marrin informacionin e nevojshëm për vendstrehimin luftarak, që ndodhet afër godinës së Bashkisë dhe Prefekturës, preferojnë të nxitojnë për të parë nga afër këtë objekt të ndërtuara gjatë viteve të Luftës së Ftohtë.

Ky vendstrehim luftarak u ndërtua në fillim të viteve 1970 dhe kishte si qëllim akomodimin në rast sulmi luftarak të ish- udhëheqjes lokale të qytetit të atyre viteve, madje për të qenë sa më efikas në këtë drejtim, njëra prej hyrjeve të tunelit ndodhet fare pranë godinës së ish- Komitetit të Partisë, ku aktualisht është vendosur Bashkia e qytetit. Tuneli, i cili përshkon pjesën e poshtme të shkëmbinjve mbi të cilët ngrihet Kalaja e qytetit, është i gjatë rreth 800 metra. Në mjediset e brendshme të tij janë ndërtuar një sërë aksesorësh, të cilët do të shërbenin për akomodimin e ish- udhëheqjes komuniste lokale të atyre viteve në rast të një sulmi eventual nga jashtë.

Vendstrehimi përbëhet prej gati 100 dhomash, salla mbledhjesh, ambiente pune, pushime madje pjesë e tij janë edhe një depo për furnizimin me ujë të pijshëm, centrali elektrik etj. Duket se vizitorët e huaj vazhdon t’i tërheqë kurioziteti dhe kërshëria për të parë nga afër këtë “qytezë” nëntokësore, e gjitha me beton, e ndërtuar për të përballuar kontradiktat e Luftës së Ftohtë. Tashmë të gjitha këto mjedise të derdhura në beton, edhe pse të braktisura dhe të harruara nga destinacioni fillestar, vazhdojnë të tërheqin grupet turistike që vizitojnë qytetin e gurtë.

Brenda ditëve të sezonit turistik, ky vendstrehim vazhdon të vizitohet nga grupet turistike që mbërrijnë në Gjirokastër. Vendndodhja e tij, pranë sheshit “Çerçiz Topulli”, ku dhe parkohen autobusët e grupeve turistike, bën që ai të jetë një pikë interesante për t’u parë nga afër nga grupet e vizitorëve. “Me thënë të drejtën, vizitën në këtë vend na i sugjeroi shoqëruesi ynë turistik”,- thotë Sara P, një vizitore nga Gjermania. Ndërsa ngjit shkallët e gurta që të çojnë në ish- vendstrehimin e Luftës së Ftohte, ajo flet me kuriozitet dhe kërshëri për objekte të tilla. “ Gjatë vizitave të mia në disa prej vendeve të Europës Lindore kam parë nga afër objekte të tilla”,- thotë turistja gjermane ndërkohë që qëndron në njërin prej sheshpushimeve të shkallareve të gurta për të marrë disi frymë.

“Mendoj se njohja nga afër e këtyre objekteve është diçka interesante jo vetëm për të shuar disi kuriozitetin, por për të parë nga afër edhe efektet që shkaktoi Lufta e Ftohtë”. Ndërkohë pasi ka arritur në krye të shkallareve të gurta që të çojnë në vendstrehimin e dikurshëm luftarak, vizitorja e huaj fillon të shkrepë blicin e aparatit fotografik për të fiksuar në celuloid konturet e betonta në hyrje të tunelit. Falë ndriçimit të vendosur javët e fundit, ajo përshkon me këmbë disa metra prej korridorit të betontë, i cili të çon në “zemër” të ish- vendstrehimit luftarak. “Me të vërtetë interesante, diçka tërheqëse”,- thotë ajo teksa fikson ne celuloid pamje nga hyrja kryesore. Mes të tjerash ajo përmend edhe rastin e një vendstrehimi të tillë luftarak në ish- Gjermaninë Lindore, për të cilin pas zbulimit u vendos që të mbahej hapur për vizitorët për tri muaj rresht dhe më pas të mbulohet përgjithmonë me beton. “Mund t’iu them me bindje se ai është kthyer në një vend vërtet tërheqës, i cili krahas personave të interesuar për historinë e Luftës së Ftohtë tërheq edhe vëmendjen dhe kërshërinë e vizitorëve të tjerë”,- thotë turistja gjermane ndërkohë që thekson me bindje se raste të tilla duhet të vihen në funksion të zhvillimit të turizmit. Së bashku me të, në shkallaret e gurta që të çojnë në ish- vendstrehimin luftarak janë ngjitur edhe pjesëtarë të tjerë të këtij grupi turistësh.

Duke se historiku i këtij ish- vendstrehimi luftarak i gërshetuar me gjithë historinë e Luftës së Ftohtë, krahas informacionit historik, shërben edhe si një element atraktiv turistik. Ndërkohë që përshkojnë hyrjen e tunelit të betontë vizitorët e huaj kundrojnë me kërshëri çdo element të vendstrehimit, i cili gjatë Luftës së Ftohtë do të shërbente si ambient pune për ish- udhëheqjen komuniste lokale në Gjirokastër. Dhe gjatë bisedave me njeri-tjetrin ata nuk harrojnë të sjellin edhe shembuj të tjerë kur objekte të tilla kanë tërhequr interesimin e vizitorëve, duke shërbyer si qendra të rëndësishme për nxitjen e turizmit në zonat ku ishin ndërtuar.

Duke parë interesimin në rritje të turistëve për këtë vendstrehim të Luftës së Ftohtë, Bashkia e qytetit në bashkëpunim me zyrën e “Packard”në Gjirokastër muaj më parë kanë vendosur t’i rikthejnë atij një pjesë të fizionomisë së mëparshme, duke e kthyer kështu në një pikë të vizitueshme dhe tërheqëse për vizitorët që mbërrijnë në qytetin e gurtë. “Projekti në fjalë parashikon pastrimin dhe sistemimin e gjithë gjatësisë së vendstrehimit, riparimin e rrjetit të ndriçimit etj”,- thonë burime nga bashkia e Gjirokastrës, por deri tani gjithçka ka mbetur vetëm një tentativë. “Tashmë, në të gjithë Europën Lindore mjedise të tilla janë mjaft atraktivë dhe të kërkuar nga turistët”,- është shprehur për mediat Sadi Petrela, koordinator i “Packard”. “Në bashkëpunim edhe me pushtetin lokal, ka nënvizuar Petrela, ne mendojmë ta vendosim këtë vendstrehim të Luftës së Ftohtë në shërbim të zhvillimit të turizmit në qytet”. Aktualisht zyra e “Packard” ka përfunduar një projekt të detajuar në lidhje me ndërhyrje të ndryshme në këtë vendstrehim.

“ Turistët dëshirojnë ta përshkojnë me këmbë këtë tunel, i ndërtuar i gjithi me beton, duke parë nga afër edhe dhomat dhe mjediset që ish- udhëheqja komuniste lokale kishte parashikuar për t’u akomoduar gjatë një sulmi eventual nga jashtë në periudhën e Luftës së Ftohtë”,- thotë Petrela. Sipas koordinatorit të “Packard”, Sadi Petrela, “krahas vlerave të saj të pasura historike dhe arkitektonike, duket se Gjirokastra do të ofrojë për grupet turistike edhe elementë të tillë të veçantë për sa i takon kërshërisë dhe kuriozitetit të vizitorëve për periudhën e Luftës së Ftohtë”. Projekti parashikon sistemimin e disa prej pjesëve të shembura të tunelit, riparimin e rrjetit të ndriçimit të energjisë elektrike, sistemit të ajrimit, vendosjen e sinjalistikës orientuese përgjatë gjithë gjatësisë së tunelit etj. Madje synimi final i këtij projekti është ndërtimi në këto mjedise i një Muzeumi të Luftës së Ftohtë. Duket se vendosja në jetë e këtij projekti do të pasurojë me elementë të rinj guidat turistike të qyteti të Gjirokastrës, duke e bërë atë edhe më tërheqës për grupet e vizitorëve vendas dhe të huaj.

Tuneli

Tunel përbëhet nga gati 100 dhoma dhe mjedise të tjera të brendshme që përshkon nën dhe gjithë qafën historike të pazarit nga sheshi Cerciz Topulli deri te këshilli i qarkut. Mu në zemër të zonës historike dhe nën rrugët e kalldrëmta Tuneli ka katër dalje, një prej të cilave nën kala, tjetra në Bashtenë e Teqesë, ndërsa njëra prej tyre në Këshillin e Qarku. Me tre degëzime të ndryshme ai përshkuan më shumë se 800 metra për çdo degëzim të gjitha dhomat që janë ndërtuar në të dy anët janë të përmasave 4 me 4 apo edhe 4 me 6 metra. Veç dhomave, në dyert e të cilave javën shënuar emrat e ish-krerëve komunist që do të strehoheshin në secilën prej tyre, ka edhe dhoma të tjera për ajrosje tualete, dushe etj, të cilat i japin këtij vendstrehimi pamjen e një qyteti nëntokësor .

Edhe qytetarët autoktonë në Gjirokastër dinë pak ose aspak për këtë vendstrehim Ai është ndërtuar në vitet 70 dhe do të shërbente si strehë e drejtueseve të lartë komunistë në rast të ndonjë agresioni. Është kjo arsyeja pse ai është ndërtuar në afërsi të ish- komitetit të partisë së punës, sot Bashkia dhe Prefektura .Turistët që janë vizitorët e parë të këtij tuneli janë interesuar të dinë më shumë rreth ndërtimit të këtij vendstrehimi, vlerës së ndërtimit, qëllimit të tij etj.

Publikuar: 12.09.2010 | 17:25
Lexuar: 2776 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime