E shtunë, 17.11.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Mjeku i famshëm grek, Hipokrati, i cili ka jetuar midis fundit të shekullit V dhe fillimit të shekullit IV, i kundërvë evropianë e aziatikë në dritën e konflikteve që panë qytetet greke të ngriheshin kundër perandorisë persiane dhe që padyshim përfaqësojnë shfaqjen e parë të antagonizmit Lindje-Perëndim; luftat persiane në të cilat Davidi greku mundi në Maratonë Goliathin aziatik. Me thënien e Hipokratit, evropianët janë kurajozë, por edhe luftëtarë e luftarakë, ndërsa aziatikët janë të mençur e të kulturuar, përveçse paqësorë e të privuar nga energjia.
Europa, në kërkim të origjinës, mes trashëgimisë dhe kufijve





Jacques Le Goff

Evropa qe fillimisht një mit dhe konceptim gjeografik. Miti e bën Evropën të lindë në Lindje. Fjala dhe ideja e bëjnë shfaqjen e tyre në mitologjinë greke, bërthama më e vjetër e qytetërimit të pranishëm në territorin e asaj që më pas do të bëhet Evropë. Evropa figuron si bijë e Agenorit, mbretit të Finikisë, Libani aktual. Zeusi, mbreti i zotave grekë dashurohet me të dhe, duke e transformuar në dem, do ta transportonte për në Kretë. Nga dashuritë e tyre do të lindë Minosi, mbret civilizator dhe legjislator, i bërë pas vdekjes një nga tri gjykatësit e Ferrit. Grekët u dhanë emrin e evropianëve banorëve të ekstremit perëndimor të kontinetit aziatik. Kontrasti midis Lindjes dhe Perëndimit - me të cilin Evropa vjen e ngatërrohet - mishëron për grekët një konflikt themelor midis qytetërimeve.

Mjeku i famshëm grek, Hipokrati, i cili ka jetuar midis fundit të shekullit V dhe fillimit të shekullit IV, i kundërvë evropianë e aziatikë në dritën e konflikteve që panë qytetet greke të ngriheshin kundër perandorisë persiane dhe që padyshim përfaqësojnë shfaqjen e parë të antagonizmit Lindje-Perëndim; luftat persiane në të cilat Davidi greku mundi në Maratonë Goliathin aziatik. Me thënien e Hipokratit, evropianët janë kurajozë, por edhe luftëtarë e luftarakë, ndërsa aziatikët janë të mençur e të kulturuar, përveçse paqësorë e të privuar nga energjia.

Evropianët i qëndrojnë lirisë dhe janë të gatshëm të vdesin për të. Regjimi i tyre politik i preferuar është demokracia, ndërsa aziatikët e pranojnë qetësisht shërbëtorllëkun në shkëmbim të prosperitetit dhe të qetësisë. Ky imazh i lindorëve ka vazhduar ndër shekuj. Në Shtatëqindën, filozofët evropianë të Iluminizmit kanë përpunuar teorinë e despotizmit illuminist, i individualizuar si regjimi më i përhapur në Azi dhe, në të njëjtin drejtim, marksizmi i Tetëqindës do të përkufizonte një mënyrë prodhimi aziatike, bazë e regjimeve autoritare.

Origjina

Greqia antike i lë kështu Evropës një trashëgimi të dyfishtë: atë të opozicionit ndaj Lindjes, ndaj Azisë, dhe atë të modelit demokratik. Pavarësisht se demokracia antike greke është larg së qeni një demokraci e vërtetë - duke parë se përjashton gratë, të huajt dhe skllevërit - ajo ia transmeton këtë ideal një Evrope që do të bëhet demokratike gjatë Tetëqindës dhe Nëntëqindës, por termi Evropë përdorej sidomos nga gjeografët për të caktuar ekstremitetin perëndimor të kontinentit euraziatik. Qenë ata që ngritën një pyetje, e cila dhe sot përbën një nga problemet e mëdha relative në përkufizimin e Evropës. Nëse në veri, në jug dhe në lindje deti përbën kufirin natyror të Evropës, cili është kufiri lindor i saj? Stepat e Rusisë aktuale, vendi i Shiitëve në Antikitet, Bosfori dhe rrafshnaltat, që ndajnë Anadollin nga luginat e Eufratit dhe Tigrit, janë zona të papërcaktuara, në të cilat Evropa buron nga Azia.

Kjo papërcaktueshmëri ngre në ditët tona problemin e madh të përkatësisë ose jo në Evropë të Turqisë në juglindje dhe sidomos të Rusisë në lindje. Turqia dhe Rusia i përkasin hapësirës demokratike që përfaqëson aktualisht një nga karakteristikat thelbësore të Evropës? Gjeografët e Greqisë antike, si normë, mendonin se kufiri midis Evropës e Azisë ndoshta përbëhej nga lumi Tanai - Doni aktual - që derdhet në Detin Azov, që përfshin Bjellorusinë dhe Ukrainën aktuale, por thuajse e cek Rusinë. Në epokën moderne është menduar se kufiri ndiqte zonën aksiale të maleve Urale. Nëse udhëtohet me linjën e famshme hekurudhore Transiberiane, që lidh Perëndimin e Rusisë me ekstremitetin lindor të Siberisë, në kilometrin 1777 është e mundur të lexohet mbi një obelisk "Evropa", nën një shigjetë të orientuar nga perëndimi dhe "Azia", nën një shigjetë të drejtuar drejt lindjes. Por bëhet fjalë për një dallim gjeografik pakashumë arbitrar, përballë një problemi i cili është thelbësisht politik.

Një rrugë e mundimshme

Periudha vendimtare për lindjen dhe parafigurimin e Evropës është Mesjeta. Por duhet shmangur rënia në dy gabime. Evropa nuk është rezultati i ndërtimit të gjatë të një entiteti që është formuar pak nga pak gjatë historisë. Nuk është një objektiv i amëshuar. Është një qëllim i vonë, qartësisht i afirmuar vetëm pas Luftës së Dytë Botërore dhe i ndjekur nga një grup i ngushtë ekonomistësh e politikanësh. Midis tyre eksponenti kryesor qe francezi Zhan Moné (1888-1979), i ndihmuar nga një treshe demokristianësh të përfaqësuar nga gjermani Konrad Adenauer (1876-1967), nga italiani Alçide De Gasperi (1881-1954) dhe nga francezi Robert Shuman (1886-1963). Evropa duhet akoma të bëhet, megjithëse janë shënuar përparime të rëndësishme, si adoptimi i një monedhe të përbashkët: euro.

Nga ana tjetër, deri në Mesjetën e vonë, Evropa nuk ka qenë kurrë as një krijim i vazhdueshëm, as një individualitet kolektiv i njohur. Në perspektivën e një ndërtimi evropian janë verifikuar avancime dhe tërheqje, veçanërisht si pasojë e ndarjes së Evropës në vende të mbyllura në vetvete. Janë verifikuar edhe eklipse të ndërgjegjjes evropiane. Kristianizmi e ka zhdukur Evropën në Mesjetë dhe Revolucioni Francez ka zëvendësuar me imazhin e tij atë të revolucionit, ndërsa dy luftat e mëdha të shekullit XX e kanë mbytur Evropën në konflikt. Por, në çdo rast, qysh nga Antikiteti, janë sedimentuar trashëgimi që pak nga pak kanë formuar pasurinë e Evropës dhe kanë kontribuar për t'i dhënë trup idesë së saj, ashtu dhe modelimit të personalitetit të saj.

Një identitet kompleks

Midis gjërave kryesore të Antikitetit duhen nderuar gjuhët greke dhe sidomos ato latine, të cilat përbëjnë bërthamën më antike e më solide të kulturës e të dijes evropiane, në mënyrë të veçantë - edhe pse jo vetëm - në vendet që kanë adoptuar gjuhë romane (Spanja, Franca, Belgjika valone, Zvicra romande, Italia, Portugalia). Por nuk duhen harruar as filozofia, arkitektura, skulptura, teatri e sporti, të lëna si trashëgimi nga grekët, as e drejta dhe artet liberale, sidomos retorika, të trashëguara nga romakët. Në fushën e ushqimit, grekë e romakë na kanë lënë verën, vajin dhe bukën e ardhur nga Lindja e Mesme. Mesjeta e vonë, në periudhën që shkon nga shekulli IV deri në shekullin VII, nuk u kënaq së shtuari ndonjë shtresë suplementare të vagullt. Nga dy historianët që i kanë dhënë jetë "Annales" dhe kontribuar në një rinovim të thellë të historisë njëri prej tyre, Mark Blok, ka shkruar: "Evropa ka lindur kur Perandoria u shemb"; tjetri, Lysien Febvre, e ka marrë këtë frazë, duke i shtuar: "Le të themi se Evropa u bë një mundësi në momentin kur Perandoria shpërbëhet".

Ajo që në këtë pikë e bëri të mundshme Evropën qe se pjesa perëndimore e Perandorisë u nda nga pjesa lindore dhe se pjesa perëndimore iu hap popujve "barbarë" të Veriut dhe të Lindjes - keltë, gjermanë e më vonë sllavë - për t'u dhënë jetë atyre popujve të metizuar që më pas do të bëheshin evropianët. Qe edhe fakti që të gjithë banorët e saj u konvertuan gradualisht në kristianizëm, i cili u dha atyre çimenton fetare, ideologjike e kulturore të nevojshme në realizimin e një uniteti idesh, ndjenjash dhe praktikash. Evropa e sotme dhe e nesërme nuk duhet të jetë një Evropë kristiane.

Pas Mesjetës, Evropa ka fituar lirinë në çështjen e besimit dhe besimi fetar mund të bashkëjetojë me një laicitet të bërë rregull mazhoritar. Por në procesin ngritës të një "komuniteti", kristianizmi ka pasur qysh në fillim një rol thelbësor. Nga ana tjetër, vetë kjo gjurmë fetare i ka shtyrë evropianët në gabime, bile dhe krime, që rëndojnë goxha mbi historinë e Evropës. Ngjyrimi fetar i identitetit primitiv evropian (në Mesjetë Evropa tenton të konfondohet me kristianizmin) çoi në persekutimine heretikëve, të cilët e kundërshtonin doktrinën e Kishës, dhe atë të hebrejve, që në territorin evropian përbënin një trup jokristian që bënte rezistencë; Inkuizicioni iu drejtua torturës. I njëjti ngjyrim fetar shtyu në Kryqëzata, replika ushtarake ndaj ekspansionit musliman, që e transferoi luftën jashtë Evropës dhe ngjalli një urrejtje të zgjatur midis popullsive jashtëevropiane, duke kundërvënë një lloj xhihadi kristian kundër xhihadit islamik. Një identitet kolektiv u plazmua nëpërmjet faktorësh të shumtë të brendshëm e të jashtëm. Në rastin e Evropës, faktori ekstrem u përfaqësua nga Islami. Një fe e re e predikuar nga Muhamedi lindi në Arabi në shekullin VII dhe në harkun e njëqind vjetëve u përhap në pjesën më të madhe të Lindjes dhe Afrikës Veriore. Muslimanët sulmuan kristianët në Lindje të Mesme dhe në Afrikën Veriore, që iu muar bizantinëve, dhe më pas, duke filluar nga viti 711, kaluan në Evropë, ku pushtuan me shpejtësi Spanjën deri në Pirenej. Në vitin 732 një armatë muslimane përparoi në veri të Pirenejve; mbreti frank Karl Shtiza, në krye të një armate kristiane, e ndaloi në afërsi të Puatjesë, duke e shtrënguar të tërhiqej.

Një kronikë kristiane e kohës thotë se bëhej fjalë për një fitore të "evropianëve" mbi "të pabesët", duke shënuar me këtë termin "evropian", që përveç se të jetë vetëm një shprehje gjeografike, shpreh tashmë edhe një ndjenjë fetare e kulturore të vulosur në vlera identitare. Rifitimi i Gadishullit Iberik mbi muslimanët, i përfunduar më 1492 me marrjen e Granadës, është një nga ndërmarrjet kolektive të evropianëve gjatë Mesjetës. Nga ana e tyre, muslimanët pushtuan për një kohë të shkurtër një pjesë të Provansës e të Sicilisë dhe për dy shekuj qenë padronë të Palermos, përpara se të përziheshin nga normanët.

Fe dhe politikë

Historiani i madh belg Henri Piréne (1862-1935) ka stabilizuar një marrëdhënie, veçanërisht nga pikëpamja ekonomike, midis pushtimit arab dhe ndërtimit evropian, duke krahasuar Muhamedin me Karlin e Madh. Por, në kundërshtim me një ide të përhapur, nuk besoj se Karli i Madh ka qenë babai i Evropës. Perandoria e tij qe shumë më e vogël se Evropa. Ajo nuk përfshinte as Gadishullin Iberik, as botën anglosaksone apo atë skandinave; nuk bënin pjesë Qendra dhe Lindja e Gjermanisë, as vendet sllave të Evropës qendrore dhe Ballkani, të cilat sot gjenden në kufijtë e Evropës politike, por që historikisht janë evropianë.

Kryeqyteti i perandorisë karolinge, Akuisgrana, nuk ishte evropian në kuptimin që kishte qenë Roma në Antikitet apo që është sot Brukseli. Karli i Madh nuk konceptoi projektin e Evropës, por më shumë atë të një rikthimi në Perandorinë Romake të së kaluarës. Gjithsesi, duke shkruajtur në një latinishte të rinovuar, duke bashkuar në oborrin e tij njerëz të kulturës dhe poetë të ardhur nga të gjitha anët e Perandorisë, edhe nga zona të jashtme të saj - spanjollë, irlandezë, anglosaksonë, frankë e gjermanë, italianë etj., - ai ka kontribuar në farkëtimin e një Evrope kulturore.

Ai ka demonstruar se vatra e unitetit evropian, lidhja substanciale e një komuniteti evropian, duhej të ishte kultura dhe se ajo kishte nevojë për një legjislacion të përbashkët, atë të kapitullarëve, të dobishëm sidomos për të inkuadruar dhe stimuluar aktivitetin ekonomik. Midis shekullit IX dhe X, kristianizmi i dha jetë ngritjes së një Evrope pa emër, duke ndjekur në mënyrë të veçantë dy linja drejtuese: konvertimin e vendeve të reja dhe zhvillimin e popullsive kristiane. Konvertimi - bashkuar me ripushtimin iberik - pati të bëjë më pas me gjermanët, skandinavët, hungarezët dhe sllavët e Perëndimit (polakë, serbë, sllovakë, sllovenë, kroatë). Përpara Karlit të Madh, kristianizmi evropian e kishte shmangur rrezikun e madh të një ndarjeje midis kristianëve "katolikë", të quajtur orotodoksë dhe kristianëve "arianë", të konsideruar heretikë. Disa mbretër, visigotë në mënyrë të veçantë, kishin kaluar nga arianizmi në katolicizëm, por kristianizmi perëndimor, që i bindej Romës dhe fliste latinisht, u shkëput nga kristianizmi lindor që fliste greqisht dhe nuk e njihte Papën. Shkëputja u konsumua në vitin 1054, edhe pse ngjarja më e rëndësishme u verifikua në fundin e shekullit X, me konvertimin në kristianizmin greko-ortodoks të Vladimirit, Princi i Kievit.

Duke filluar nga Kostandinopoja dhe Kievi, Evropa lindore u bë kristiano-ortodokse. Në shekullin XX, perandoria sovjetike e gllabëroi këtë Evropë ortodokse dhe kështu filloi të acarohej një frakturë e thellë që mbetet deri më sot në zemër të Evropës. Në çdo rast, duke filluar nga viti 1000 dhe deri në mesin e shekullit XIII, një prosperitet i përhapur dhe një progres i konsiderueshëm i përfshinë pakashumë të gjitha rajonet evropiane, përfshi dhe rajonet periferike; ato kontribuan në forcimin e një ndjenje të përbashkët evropiane dhe njëkohësisht shpëtuan, nganjëherë dhe i favorizuan, diversitetet rajonale. Një nga karakteristikat thelbësore të Evropës - për t'u ruajtur me çdo kusht - është pikërisht diversiteti i saj që mund dhe duhet të bashkëjetojë me unitetin e saj.

Një hovi të tillë i është dhënë emri i "revolucionit të parë evropian". Në shtegun e çelur prej tij ndodhi zhvillimi intensiv urban; qytetet u rritën dhe u shumëfishuan me zgjerimin e autonomive e të institucioneve të konsoliduara, si dhe me përparimet e urbanizmit. Midis vitit 1000 dhe shekullit XIII, një shtim i konsiderueshëm demografik e dyfishoi popullsinë evropiane; për pasojë u desh që të zgjeroheshin sipërfaqet e destinuara për kulturat dhe të futeshin përsosjet teknike në mënyrat e përpunimit të tokës, në transporte, në industrinë tekstile e në ndërtimin e ndërtesave e rrugëve, të mullinjve dhe të varkave. Njëkohësisht me to një fermentim i madh fetar, edhe pse shumëfishoi numrin e heretikëve, konsolidoi lëvizjen qytetare dhe promovimin e laikëve, nëpërmjet krijimit të urdhërave të rinj të domenikanëve dhe franceskanëve. Atyre iu bashkangjit një ethe e madhe artistike, me lindjen e artit romantik dhe më pas atij gotik. Njohje dhe mësime u shtuan në mënyrë të konsiderueshme dhe thirrja ndaj arsyes, shoqëruar fesë, u bë gjithnjë e më e madhe.

U krijuan shkolla dhe bëri shfaqjen e tij arsimi i lartë me krijimin e universiteteve në të gjithë Evropën. Më së pari në Itali (Bolonja), në Francë (Parisi), në Angli (Oksford e Kembrixh), në Gadishullin Iberik (Salamankë e Koimbra); kështu midis shekullit XIV e XV, në Evropën Qendrore (Hejdelberg, Pragë, Krakovi) dhe së fundi në shekullin XV në Evropën Veriore (Upsala). Kudo, në të gjithë Evropën, u përhap skolastika. Zhvillimi i tregtisë, me panairet dhe tregjet e saj, kontribuoi që të shëndosheshin mangësitë e ekonomisë mesjetare evropiane: numri i tepruar i taksave mbi shumë mallra, papërshtatshmëria e monedhës qarkulluese për shkëmbime që bëheshin gjithnjë e më shumë të rendit monetar. Qarkullimi i monedhës ishte shumë i copëzuar. Edhe monedhat italiane më të çmuara, fiorina dhe dukati, qenë të pamjaftueshme. Ekzistenca e një monedhe të vetme ndoshta do t'i kishte bërë një kërcim përpara ekonomisë mesjetare që çoi, midis jo pak vështirësive, në kapitalizëm.

Por, duke parë se jeta ekonomike dhe monetare ka nevojë gjithmonë për kushte politike të favorshme, duke filluar nga shekulli XIV lufta, epidemi dhe revolta e ngadalësuan progresin ekonomik, edhe pse ndërgjegjja e identitetit evropian mbeti gjithmonë e gjallë. E dëshmojnë figura si ajo e Enea Silvio Pikolominit, pontifiku me emrin e Piu II (1458-1464) apo e shkrimtarit e politikanit Filip Komiens, aktiv nga Flandra në Itali midis shekujveXV-XVI.

Publikuar: 23.09.2010 | 23:56
Lexuar: 1444 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime