E mërkurë, 12.12.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Hillary Clinton në Beograd nuk sjell propozime konkrete, por mbështet Serbinë në rrugën e anëtarësimit në organizmat ndërkombëtarë, pohojnë ekspertët.
Pse vjen zonja Klinton në Ballkan?






Marina Maksimoviq dhe Bahri Cani

Vizita e sekretares amerikane të shtetit Hillary Clinton në Ballkan dëshmon se vëmendja e Uashingtonit nuk është larguar aq shumë nga ky rajon, me gjithë problemet e mëdha në "vatrat e tjera të nxehta". Disa ekspertë janë të mendimit se administrata e presidentit Obama tani ka një qëndrim më miqësor ndaj Beogradit, pasi ai ka ndryshuar kursin e ashpër në politikën ndaj Kosovës.

Pritet edhe presion ndaj Prishtinës për fillimin e dialogut me Serbinë

Megjithatë, përveç vëmendjes dhe mbështetjes verbale, deri tani SHBA-ja nuk i ka ofruar asgjë konkretisht Serbisë. Raportet ekonomike mes këtyre dy vendeve janë të pakta, ndërkohë që mbështetja e Serbisë në rrugën drejt anëtarësimit në BE ende është vetëm në nivelin retorik. Beogradi shpreson që Uashingtoni do të ushtrojë presion ndaj Holandës, për të ndryshuar qëndrimin e saj të ashpër ndaj anëtarësimit të Serbisë.

“Çështja e ndikimit tek Holanda ka qenë një temë edhe më parë", thotë eksperti Marko Papiç, nga Agjencia Stratfor dhe shton: "Presioni i SHBA-së në këtë rast mund të jetë i mirë, por Holanda është një partner më i ngushtë i Uashingtonit se shumë vende të tjera evropiane. Prandaj Amerika nuk mund t'i garantojë Serbisë ndonjë ndryshim të politikës holandeze, në veçanti pas raportit të fundit në parlamentin holandez, për bashkëpunimin jo tepër të shkëlqyeshëm të Serbisë me Gjykatën e Hagës për krime lufte".

Ajo, që mund të pritet, është një presion më i madh i Uashingtonit ndaj institucioneve kosovare për dialog me Serbinë. Uashingtoni deri tani ka mbështetur Prishtinën pa rezerva. Ekspertët e Stratforit janë të mendimit se kjo tani po ndryshon.

Sipas tyre Uashingtoni nuk është tepër i kënaqur me hezitimet e Prishtinës për fillimin e shpejtë të dialogut me Beogradin për shkak të zgjedhjeve, që priten në këtë vend, pas dorëheqjes së presidentit Fatmir Sejdiu.

Po ashtu është dërguar sinjal i qartë se në Kosovë nuk do të lejohen korrupsioni dhe shkeljet e ligjit. Marko Papiç pret vazhdimin e presionit amerikan ndaj Kosovës.

“SHBA-ja përfundimisht po bën presion ndaj Prishtinës. Amerika nuk do të ndryshojë qëndrimin ndaj sovranitetit të Kosovës, por ka shumë çështje të tjera të hapura. Gjatë vizitës së Hillary Clinton në Prishtinë do të dërgohet sinjal i qartë se duhet të bisedohet me Beogradin, i cili ka bërë lëshime të shumta në rezolutën e fundit para OKB-së."

Rregullimi i gjendjes në Ballkan në duart e BE

Papiç është i mendimit se Amerika i ka lënë BE-së rolin kryesor në rregullimin e gjendjes në Ballkan. SHBA-ja është marrë me Ballkanin intensivisht në vitet 90-të. Ndërkohë që, sipas ekspertëve të Stratforit, tani kanë ndryshuar interesat gjeo- srategjike amerikane, që shihet edhe nga mesazhet e sekretares Klinton që priten në Beograd.

„Ajo nuk do të sjellë mesazhe dhe propozime konkrete, por do të shprehë mbështetje. Uashingtoni ka pranuar që BE-ja të udhëheqë dialogun e ardhshëm mes Prishtinës dhe Beogradit, ndonëse Kosova është e interesuar për një rol dominant amerikan. Dallimet sa i përket kësaj çështje mes Prishtinës dhe Uashingtonit paraqesin dëshmi se BE-së i është lënë roli kryesor për zgjidhjen e këtij problemi", mendon Papiç.

Publikuar: 12.10.2010 | 23:35
Lexuar: 1317 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime