E mërkurë, 19.12.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Në vitin 1810 Wilhelm von Humboldt themeloi këtu universitetin e një tipi të ri, që synonte pavarësinë e shkencës në unifikimin e hulumtimit dhe mësimdhënies. Universiteti lufton për titullin universitet ekselence.
Universiteti me histori 200 vjeçare





Në vitin 1810 Wilhelm von Humboldt themeloi këtu universitetin e një tipi të ri, që synonte pavarësinë e shkencës në unifikimin e hulumtimit dhe mësimdhënies. Universiteti lufton për titullin universitet ekselence.

“…i fundit në galeri është Werner Forßmann, i cili në vitin 1956 është nderuar me çmimin Nobel për mjekësi”.

Një grup i grave dhe burrave kryesisht me flokë të thinjura është ndalur para murit të kuq me portretet e 29 laureatëve të çmimit Nobel. Juliane Kuczynski thotë se vizitorët janë veçanërisht të interesuar për historinë e Werner Forßmann.

„Ai është nderuar me çmimin Nobel, sepse është i pari që vendosi kateterin në zemrën e njeriut, duke e eksperimentuar te vetja. Shpoi krahun e tij dhe i vendosi vetes një kateter."

Kjo ka ndodhur në vitin 1929, ndërsa më vonë Forßmann u bë anëtar i NSDAP, (partisë naziste të Hitlerit) dhe i shoqatës së mjekëve nazistë. Megjithatë për meritat si kirurg në kardiologji ai u nderua në vitin 1956 me çmimin Nobel. Kuczynski thotë se kjo biografi shpjegon një pjesë të së kaluarës së Universtitetit Humbold, ku gjithmonë janë ndërruar epokat e studimeve inovative shkencore me epokat e dekadencës politike dhe shpirtërore.

Pas themelimit "qendër botërore e shkencës"

Pas themelimit të tij në vitin 1810 idetë e Humboldit mbi unifikimin e hulumtimeve dhe mësimdhënies dhe lirinë e shkencës e bënë universitetin të shquar në botë. Georg Wilhelm Friedrich Hegel ka mbajtur këtu ligjërata, ndërkohë që këtu kanë studjuar Karl Marx, Heinrich Heine dhe Otto von Bismarck. Max Planck, Robert Koch dhe Albert Einsteini janë nobelistët, që ka nxjerrë ky institucion - nga viti 1828 ai quhej „Universiteti Friedrich-Wilhelm“. Pas ardhjes në pushtet të Hitlerit zhduket fryma përparimtare e viteve të themelimit: nga Universiteti dëbohen, bojkotohen, pushohen dhe rrahën shkencëtarët dhe studentët hebrenj dhe komunistë. Ndërsa në vitin 1933 u organizua edhe djegia e librave.

“Librat u nxorën prej bibliotekave private dhe librarive dhe u dogjën nga studentët, që ishin anëtarëve të shoqatave naziste”.

Ingrid Graupner shpjegon se në atë kohë nuk është djegur asnjë libër i bibliotekës së Universitetit. Për fat ato i kanë shpëtuar nëpunësit, të cilët nuk kanë lejuar që ato të digjen.

Konfliktet të reja gjatë luftës së ftohtë

“Gjithçka merr rrugën e vet socialiste…”

Pas luftës erdhi shpejt një krizë tjetër, studentët protestojnë para ndërtesës kundër rritjes së ndikimit të administratës ushtarake të Bashkimit Sovjetik. Sërish ka denoncime, largime, pushime dhe arrestime. Dy reforma shkollore në vitet 50-të dhe 60-të krijojnë kushtet për një punë studimore dhe kërkimore sipas parimeve të ideologjisë së shtetit. Kritikët ia kthyen shpinën. Gerlinde Kempendorff, e cila në vitin 1974 u regjistrua në degën e muzikës kujton:

„Meqenëse në këtë kohë kishte një sensibilitet të madh ndaj atyre që dëshironin të largoheshin nga vendi dhe shoqja ime më e ngushtë në vitin 1976 iku përmes Hungarisë në Perëndim askush nuk dinte për lidhjet tona, askush. Dhe sigurisht sigurimi i shtetit mendonte se është krijuar një qark, rreth gardës së ardhshme të akademikëve. Një qark."

Megjithatë protesta të mëdha studentësh nuk pati. Deri në vitin 1989.

Përpjekjet për titullin universitet ekselence

Sot 20 vjet pas ribashkimit të Gjermanisë problemi më i madh janë paratë. Këtu studiojnë rreth 34.000 studentë, në më shumë se 250 degë, prej të cilëve rreth 4.500 studentë nga më shumë se 100 vende. Ata së bashku me rreth 400 profesorë nga 30 fakultete dhe drejtime speciale janë të vendosur në më shumë se 300 godina në Berlin dhe Brandenburg. Profesori Jan-Hendrik Olbertz thotë se ato do të angazhohen me të gjitha fuqitë që universiteti të fitojë titullin universitet ekselence dhe t'i mbetet besnik frymës së Humboldtit.

“Shpresoj që Universiteti Humboldt si njësim i universitetit hulumtues dhe mësimdhënës të ofrojë studime akademike në shumë lëmi. Në qoftë se do të jemi të suksesshëm në kërkimet shkencore dhe në shpjegimin e tyre teorik do të jemi një universitet ekscelent, sepse në shumë lëmi tashmë e kemi arritur këtë nivel”.

Publikuar: 27.10.2010 | 09:50
Lexuar: 1682 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime