E mërkurë, 12.12.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Mjafton të kujtojmë se ajo Piramidë na vështron ende! Është sikur Diktatori endet si fantazmë në jetën tonë, përpiqet të dominojë me frymën e tij diktatoriale.
Piramida, kjo brinjë që kullon gjakun e shqiptarëve




MIRANDA HAXHIA

Mjafton të kujtojmë se ajo Piramidë na vështron ende! Është sikur Diktatori endet si fantazmë në jetën tonë, përpiqet të dominojë me frymën e tij diktatoriale. Dhe nuk është përrallë. Dosierët e gazetave janë mbushur me kujtime rreth tij, kopertinat e revistave janë vendi ku afirmohen gjymtyrët e tij, nuse, nipër, mbesa e më tej. Mjafton të vëzhgosh jetën politike dhe frymëmarrjen e së majtës dhe kupton se komunizmi ka rënë, por përpiqet të lërë hije rreth nesh, e kur hija nuk mjafton, rendet drejt simboleve. Si për të na kujtuar se asnjëherë ai që u vra, ai që u dënua, ai që u zhduk në diktaturë, nuk do kërkohet, nuk do gjendet, nuk do përmendet, nuk do respektohet.

Piramidat u ndërtuan duke marrë nën vete eshtrat e qindra skllevërve. Sot, ato vërehen si objekte kulture në Egjipt, në vendin ku u ndërtuan; nuk besoj që të jetë një turist, të cilit të mos i shkojë mendja se në themelet e këtyre Piramidave janë jetët e qindra njerëzve të rrëzuar nën kamzhikët e padronëve. Rënkimet e tyre, edhe pse vijnë nga dy mijë vjet para Lindjes së Krishtit, trondisin historianët. Nuk besoj që të jetë ngritur një Piramidë në Egjipt pa marrë poshtë vetes helmin dhe tradhtinë, dy elementet e patjetërsueshme të çdo diktature.

Nëse turistët kalojnë përpara Piramidës që ka zënë një anë të rrugës në mes të Tiranës, nuk besoj se dinë dhe ndjejnë disa gjëra që vijnë e interferojnë me ne, me popullin shqiptar. Për sa kohë që ajo Piramidë u ndërtua në kurriz të varfërisë së skajshme të vendit. Vetëm trupin e vdekur të diktatorit nuk e mori brenda vetes. Diktatori ndihej rehat vetëm mes të të vdekurve të tjerë. Shokë nuk kishte më, njëri pas tjetrit i bëri flì të çmendurisë së tij për pushtet.

As hulumtuesit e thekur të së majtës nuk arrijnë të ndërgjegjësohen se ajo Piramidë u ngrit së pari mbi tokën e grabitur të pronarëve të saj, familjes së Andrea Sahatçiut, familjes së Nafiz Jusufatit etj., pasardhës të të cilëve, jo vetëm nuk u respektuan nga ai regjim që i grabiti dhe i dëboi nga toka e tyre, por edhe sot e kësaj dite nuk u është njohur apo më tej kompensuar kjo pronë. E të vetmit që nuk e ngrenë zërin për këtë Piramidë, janë të zotët e tokës. Është tokë e bukur. Aty e zgjodhi kasta ish-komuniste ndërtimin e simbolit të diktaturës. Aty u ngrit Piramida e famshme. Gurët dhe betoni i saj shkeli mbi djersën dhe gjakun e qindra shqiptarëve, dhe tetëdhjetë vjetori i ish-diktatorit, shënoi inagurimin e Piramidës së tij, pamjes më të shëmtuar të gjithë Tiranës. Si për sfidë ndaj një populli të përndjekur, të persekutuar, të përçnuar, të vrarë dhe rivrarë. Fjalimim e inagurimit e mbajti kreu i dëbim-internimeve M.Myftiu.

Ishte po Manush Myftiu që listonte të internuarit, të dëbuarit, që firmoste fatin e dhjetra dhe qindra familjeve duke i degdisur jashtë mureve të "Piramidës komuniste", i cili duke buzëqeshur ëmbël, në ditën e inagurimit të saj theksonte se, "…është nder dhe detyrë e lartë që këtë thesar të paçmuar, siç është etja dhe vepra e madhe e Enverit, këto mësime të mëdha që rrezatojnë energji të pashtershme, t'i ruajmë si sytë e ballit dhe t'i lëmë trashëgim ndër kohëra. Ky muze do të jetë qendër e madhe e edukimit të masave…".(Z.P.15.08.1988)

Për çfarë trashëgimi e kishte fjalën Manush Myftiu, vetëm sot e kuptojmë më së miri. Sot, kur shikojmë se si po shpërthejnë me thirrje gati histerike njerëz që mbrojnë këtë karantinë arti dhe shëmti kulture që është ngulur si brinjë e mprehtë në jetën e gjakun e shqiptarëve dhe i lëndon dita-ditës. Nuk ka asnjë argument dinjitoz prej njerëzve të renditur në krah të mbrojtjes së simbolit të komunizmit, veç konfirmimit të fjalës së Manush Myftiut, atë ditë, pikërisht, kur fliste për mësimet e Enverit, "...që do t'i liheshin trashëgim brezave…".

Nëse ka një argument për të cilin ia vlejn të ngrenë zërin gjithë opozitarët dhe gjithë militantët që janë kundër çdo frymëmarrjeje politike është fushata për të penguar mbjelljen e rrëzës së Dajtit me qindra pallate, pikërisht, aty ku është varreza masive e njerëzve të dënuar nga regjimi diktatorial i Hoxhës. Përse nuk flasin për këtë katrahurë jo vetëm urbane të Tiranës? Përse nuk flasin për varrosjen e madhe që po i ribëhet të humburve, të zhdukurve, të vrarëve që ende nuk janë gjendur e që nuk ka gjasa të gjenden më kurrë, për sa kohë që mbi eshtrat e tyre po ngrihen pallate dhe sërish pallate.

Ky është argumenti që i mungon debateve rreth Piramidës. Janë larg njëra-tjetrës, Piramida që do shembet dhe masivi i varrezës rrëzë Dajtit që po mbulohet nga themele e beton pallatesh pafund.

Nëse prishja e Piramidës më çliron nga makthi i një diktature që më vështron ende, zëri i heshtur i ish të përndjekurve, të të persekutuarve, përfaqësuesve të njerëzve, të cilëve iu mor prona, iu mor jeta, iu mor fryma, edhe sikur një pëshpërimë të jetë, duhet të ngrihet e të mbulojë gjithë sokëllimën e sulmit të ushtarëve të fundit dhe ish-pionierëve të Enverit që mbrojnë Piramidën e faraonit Hoxha.

Publikuar: 03.11.2010 | 09:22
Lexuar: 1882 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime