E mërkurë, 12.12.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Gjithashtu, “vëllai” i Hashimit, u bë objekt i këtij shkrimi edhe për shkak të paqartësisë rreth mbështetjes që po merr pikërisht kryeministri në largim nga “vëllai” i tij, dhe papritmas fillon të bëhet edhe më enigmatike pse e pati dërguar para pak muajsh, komplet kabinetin qeveritar atje, bashkë me dyshimet për pazare të fshehta, të cilat asnjëherë nuk u sqaruan deri në fund.
“Vëllai” i Hashimit







Fadil Lepaja

Larg qoftë, familja e kryeministrit në dorëheqje assesi nuk është objekt i këtij shkrimi, dhe kërkoj ndjesë nga çfarëdo asociimi eventual me ngjarjet apo zhvillimet në frontet politike apo antikorruptive, ku është lakuar me raste edhe emri i ndonjëri nga vëllezërit biologjikë të ish-kryeministrit.

Jo se mund të ketë rrezik që ndonjëri nga ata të më sulmojë në ndonjë lokal të kryeqytetit të Kosovës, sepse kjo tashmë shpresojmë të jetë logjikë e tejkaluar për këtë shoqëri, por sepse “vëllai” për të cilin do të flas, ka marrë një rol tejet të rëndësishëm në këtë vend, shumë më shumë se vëllezërit e vërtetë të kryeministrit.

Gjithashtu, “vëllai” i Hashimit, u bë objekt i këtij shkrimi edhe për shkak të paqartësisë rreth mbështetjes që po merr pikërisht kryeministri në largim nga “vëllai” i tij, dhe papritmas fillon të bëhet edhe më enigmatike pse e pati dërguar para pak muajsh, komplet kabinetin qeveritar atje, bashkë me dyshimet për pazare të fshehta, të cilat asnjëherë nuk u sqaruan deri në fund.

Këtu nuk do të flas as për sukseset e kompanive turke në tenderët me rëndësi nacionale në këtë vend. Nuk e abstrahoj faktin se Turqia moderne, paraqet njërën nga fuqitë e reja ekonomike jo vetëm të rajonit, e cila sipas disa prognozave deri në vitin 2020 do të jetë ekonomia e dytë evropiane, po ashtu nuk e injoroj as faktin se ajo luan një rol të dorës së parë edhe në gjeopolitikën globale.

Po ashtu nuk lihet jashtë vëmendjes as fakti se Turqia nuk po pranohet si një vend evropian dhe se ka rezerva të mëdha lidhur me politikën e saj të brendshme (të drejtat demokratike të qytetarëve dhe komuniteteve) por edhe me fqinjët.

Por, për përmbylljen e linjës së dilemave apo argumentimeve të këtij shkrimi është me rendësi të theksojmë peshën dhe përgjegjësinë politike të dy kryeministrave, dhe është krejt e arsyeshme të pyetemi se cila do të jetë kosotoja e kësaj “vëllazërie” për qytetarët e këtij vendi dhe shtetin e Kosovës?

Çka po ndodh?

Pa dyshim, Turqia e kohës më të re është një vend mik i Kosovës, dhe kjo për arsyen e thjeshtë se e ka mbështetur luftën tonë për çlirim e jo për arsye tjera historike për të cilat do të mund të aludonte ndokush, nostalgjik ndoshta për kohët e perandorisë së perënduar osmane. Është vend mik, sepse në konjukturat rajonale krijon një baraspeshë të favorshme për interesat strategjike të vendit tonë. Po ashtu interesi ekonomik i Kosovës na orienton shpeshherë andej sepse rrugët e biznesit janë të shtruara dhe të pashtruara por gjithsesi në fund maten me normat e fitimit.

Por, kur flasim për vëllazërinë në nivel nacional, dhe për identitetin tonë, nuk mund të mbulohet fakti historik se më se një milion qytetarë turq me origjinë nga Kosova, me siguri se nuk kanë
shkuar atje përmes një politike vëllazërore mes të dy shteteve tona, apo popujve tanë, por në bazë të marrëveshjeve sekrete të shtetit turk me Jugosllavinë e krajlit dhe më vonë të Titos e Rankoviqit.

Ata sot e kësaj dite janë të regjistruar si turq dhe janë asimiluar krejtësisht.

Projektet e akademikut Çubrilloviq, e më vonë edhe nobelistit Andriq, për pastrimin etnik, kishin gjetur mikun e mirë në politikën e atëhershme turke. Ekzistimi i këtyre marrëveshjeve ishte dikur sekrete por tashmë nuk ka dilema rreth kësaj.

Nuk duhen shumë mend dhe informacione për të shikuar më tutje këtë çështje dhe për të kuptuar se orientimi kah orienti në këtë kohë e largon Kosovën nga kontinenti amë dhe proceset integruese evropiane.

E rrasur deri në fyt në korrupsion dhe krim, kjo klasë politike po lyp aleatë andej nga ligji nuk e ka fuqinë që e kërkon Bashkimi Evropian dhe se po e eskivon projektin rajonal për vendet ish-komuniste për ndarjen e krimit nga shteti dhe përgatitjen institucionale për integrim në BE.

“Vëllezërit” e Demaçit dhe të Hashimit

Asgjë nga e kaluara nuk asocon për lidhje vëllazërore mes Turqisë dhe shqiptarëve, e veçanërisht kosovarëve, nëse nuk e marrim parasysh prezencën e një numri të madh të kosovarëve në Turqi , të cilët mbërritën atje në bazë të marrëveshjeve sekrete mes shtetit turk dhe Jugosllavisë, dhe në funksion të spastrimit etnik sistematik të zhvilluar nga shteti serb që nga koha e Lidhjes së Prizrenit e këndej.

Marrëdhëniet miqësore me Turqinë janë interes i këtij vendi, për arsye ekonomike, por edhe për arsye se një numër i qytetarëve të Kosovës kanë shfrytëzuar lirinë kushtetuese dhe janë deklaruar me nacionalitet turk. Kjo natyrisht nuk është rasti me shqiptarët që jetojnë në Turqi.

Por, kjo nuk paraqet një arsye të mjaftueshme për të deformuar historinë apo për të luajtur me orientimin tonë strategjik kah zhvillimi dhe afirmimi i identitetit tonë evropian.

Interesat e grupeve ekonomike, nuk mund të jenë arsye e mjaftueshme për të luajtur me të kaluarën apo të ardhmen e këtij vendi dhe qytetarëve të tij.

Dikur bëhej humor nëpër “odat” tona politike me “vëllezërit e Adem Demaçit” ku aludohej në serbët edhe pse shteti serb e kishte mbajtur në burg mbi 27 vjet, ndërkohë që tash po na del në skenë edhe “vëllai” i Hashimit, i cili erdhi në krye të shtetit, që na kishte pushtuar për 500 vjet rresht, dhe krejt kjo po synohet të na shitet si një “hamburger” politik, të cilin qytetarët e këtij vendi duhet ta hanë pa bërë shumë fjalë.

Derisa Adem Demaçi këtë e bënte në emrin e tij personal, dhe si viktimë e cila donte të tregonte zemërgjerësi dhe të dallonte qytetarët serbë nga shteti serb, Hashimi e shpall vëllazërinë e tij nga pozita e kryeministrit në largim të këtij vendi dhe pas një bisede zyrtare, ndërshtetërore duke përdorur foltoren e kryeministrisë së këtij vendi.

Publikuar: 08.11.2010 | 21:28
Lexuar: 1899 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime