E premte, 14.12.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Islami ka ndërtuar një sistem të qartë të mirëmbajtes së të drejtave civile, siç janë fjala bie të drejtat e kurorëzimit, shkurorëzimit, trashëgimisë, kodet e veshjes, sjelljes dhe mendimit, e gjithë kjo me të vetmin qëllim adhurimin e të Vetmit Zot.
Universaliteti i Islamit










Nëse një religjion favorizon një racë duke i quajtur pjesëtarët e saj si “njerëz të zgjedhur”, është e qartë se ky religjion nuk është universal. Ndarja e njerëzve në raca dhe ndërtimi i raporteve hierarkike mes tyre, është shembull i favorizimit.
Ekzistojnë tre kritere esenciale që duhet të vlerësohen në universalitetin e çfarëdo religjioni. Le ti shikojmë dhe le ti vlerësojmë se ku sipas këtyre kritereve klasifikohet Islami.

Një Krijues i Vetëm

Para se gjithash feja universale duhet të jetë e bazuar në besim të plotë në Një Zot të Vetëm, Udhëheqësin e Universit. Duhet të jetë e qartë për qenien intelektuale se koncepti i universalitetit, sipas definicionit, largon çdo ndarje dhe çdo jo amshueshmëri të Sunduesit i Cili e kontrollon Universin.
Nëse do të ekzistonin më shumë zota, do të kishte divergjenca që do të çonin në konflikte. Njerëzit që do të preferonin njërin zot ndaj tjetrit dhe për rrjedhojë gjithmonë do të ishin në konflikt. Në Kur’an, Libri i cili është Fjalë e Zotit sipas besimit Islam, gjendet sqarimi për mendimin e sipërpërmendur:

”Sikur të kishte në to (në qiej e në tokë) zota pos Allahut, ato të dyja do të shkatërroheshin. Larg asaj që i përshkruajnë është Allahu, Zot i Arshit.” (El-Enbija, 22) Lëvizja e përkryer dhe në harmoni e Diellit, planetëve, hënës dhe yjeve vërteton Njëshmërinë e Krijuesit dhe uniformën e ligjit që Ai e cakton. Ekologjia, edhe pse një lëndë e re, na jep fakte të pakontestueshme të nënshtrimit dhe harmonizimit reciprok mes pjesëve të pakrahasueshme të kozmosit. Në të vërtetë, universaliteti i ligjeve natyrore shumë qartë vërteton Njëshmërinë e Zotit. Mosbesimtarët anojnë kah injorimi, mohimi, dhe jo meditimi mbi ligjet natyrore.

“Është fakt se në krijimin e qiejve dhe tokës, në ndërrimin e natës dhe ditës, të anijes që lundron në det që u sjell dobi njerëzve, në atë shi që e lëshon Allahu prej së larti e me të ngjall tokën pas vdekjes së saj dhe përhap në të nga çdo lloj gjallese, në qarkullimin e erërave dhe reve të nënshtruara mes qiellit e tokës, (në të gjitha këto), për një popull që ka mend ka argumente.” (El- Bekare, 164)

Ajeti i përmendur na tregon se koncepti i trilluar religjioz, siç është politeizmi apo besimi në trinitetin e shenjtë (Ati, Biri, Shpirti i Shenjtë), rrëzojnë bazat themelore të universalitetit. Sipas Islamit, thelbi i universalitetit është monoteizmi absolut-tewhidi. Rrënja e tevhidit apo baza e Islamit qëndron në disa fjalë të thjeshta, por ama tejet domethënëse: “Nuk ka Zot tjetër përveç Allahut.”

Allahu na e sqaron në Kur’an se çka është tevhidi:

“Thuaj: Ai Allahu është Një! Allahu është Ai që çdo krijesë i drejtohet (i mbështetet) për çdo nevojë. As s’ka lindur kë, as nuk është i lindur. Dhe Atij askush nuk i është i barabart.” (Ihlas, 1-4)

Këto ajete, si dhe shumë të tjerë, në mënyrë eksplicite dhe kategorikisht vërtetojnë Njëshmërinë e Krijuesit. Zoti ka sundimin absolut dhe kontrollon gjithçka që ka krijuar. Ai i mirëmban krijesat dhe shpall ligje sipas së cilëve duhet të punojmë.

Parimi i barazisë

Kriteri i dytë i rëndësishëm sipas së cilit vlerësohet universalitetit i fesë është shpallja e saj për tërë njerëzimin, pa marrë parasysh prejardhjen, racën, nacionalitetin etj. Vërtet një fe e tillë nuk duhet t’i jap përparësi një populli ndaj tjetrit.
Nëse feja favorizon një racë duke i emëruar ithtarët e saj “Njerëz të zgjedhur”, është e qartë se kjo fê nuk është universale. Ndarja e njerëzve në territore dhe ngritja e raporteve hierarkike mes tyre, është shembull i favorizimit. Përkundër një besimi të tillë, Islami insiston në Njëshmërinë e Zotit dhe unitetin e popullit.

Zoti në Kur’an thotë:
“O njerëz! Në të vërtetë, Ne ju krijuam ju prej një mashkulli dhe një femre dhe ju bëmë popuj e fise, për ta njohur njëri-tjetrin. Më i nderuari prej jush tek Allahu është ai që i frikësohet më shumë Atij. Vërtet Allahu është i Gjithëdijshëm dhe për Atë asgjë nuk është e fshehtë.” (El-Huxhurat, 13)

Barazia e të gjithë njerëzve para Zotit është një koncept që është nxjerrë drejtë për së drejti nga parimi i Njëshmërisë së Zotit. Një Zot, një njerëzi, dhe një fê – janë bazat e Islamit.

Plotësimi i fesë

Kriteri i tretë është plotësimi i fesë, çka nënkupton udhëzimin, sqarimin e të gjitha kodeve të sjelljes etike që caktojnë raportet mes njerëzve. Në këtë mënyrë pamundësohet veprimi i individëve dhe grupeve sipas tekave të tyre.

Islami paraqet sistemin e jetës. Kur lexojmë Kura’nin apo historinë e të Dërguarit s.a.v.s. gjejmë udhëzimin dhe kahen e të gjitha aspekteve jetësore: qoftë aspektin politik, ekonomik, etik dhe kulturorë. Madje Islami nuk pranon sekularizmin apo ndarjen e fesë nga jeta publike. Në çdo sferë të jetës duhet të jetë e pranishme ndjenja për Zotin, dhe mu për këtë është jo e logjikshme ndarja e fizikes nga shpirtërorja (materiales nga spiritualja). Myslimani obligohet të deklaroj:

“Thuaj: “Në të vërtetë, namazi im, kurbani im, jeta ime, dhe vdekja ime, i përkasin vetëm Allahut, Zotit të botëve. Ai nuk asnjë ortak. Kështu jam urdhëruar dhe unë jam i pari që i nënshtrohem Atij.” (En-En’amë, 162- 163)

Islami ka ndërtuar një sistem të qartë të mirëmbajtes së të drejtave civile, siç janë fjala bie të drejtat e kurorëzimit, shkurorëzimit, trashëgimisë, kodet e veshjes, sjelljes dhe mendimit, e gjithë kjo me të vetmin qëllim adhurimin e të Vetmit Zot. Gjithashtu, ka sqaruar edhe rregullat për mënyrën e udhëheqjes së shtetit dhe rregullat e luftës.

Duke analizuar këto kritere, është e logjikshme të vijmë në përfundim se në të vërtet Islami i posedon të gjitha karakteristikat e fesë universale.

__________________
Burimi: readingislam.com
Shqipëroi: Arsim Dauti

Publikuar: 08.12.2010 | 09:19
Lexuar: 1488 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime