E premte, 14.12.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Jeta e përditshme e të Dërguarit tonë Muhammedit s.a.v.s. mund të analizohet nga këndvështrime të ndryshme, mirëpo, ngado që t’i qasemi, kemi për të gjetur vepra, tradita dhe fjalë të cilat e udhëzojnë tërë njerëzimin.
Një ditë nga jeta e Profetit Muhammed










Dr. Abdulhakim Yuce

Të përshkruash vetëm 24 orë, d.m.th. një ditë nga jeta e ndonjë individi, nuk do të mjaftonte plotësisht që vetëm nëpërmjet kësaj ta njohim atë individ, kjo ngase thuaja se asnjë ditë nuk përjetohet njëjtë sikur dita tjetër. Kjo detyrë, pra përshkrimi i një dite të vetme akoma më shumë peshon kur është në pyetje individi i posaçëm, siç edhe në të vërtetë është i Dërguari ynë Muhammedi s.a.v.s.

Përkundër vështirësisë së kësaj detyre, jam përpjekur që t’a përshkruaj një ditë të tijën, duke e ndarë atë në periudha të caktuara duke e vënë theksin kryesor mbi atë se çfarë është kryer gjatë atyre periudhave, madje edhe nëse ndodhia nuk ka ndodhur në të njëjtën ditë, gjithnjë duke u bazuar në burimet autentike.

Duke u nisur nga ajo se ditët në kohën e të Dërguarit s.a.v.s. më së shumti përqendroheshin rreth xhamisë dhe namazeve, atë, pra ditën e kam ndarë sipas periudhës së pesë namazeve ditore. Meqë orët e vona të natës kishin një domethënie të veçantë për të Dërguarin s.a.v.s. dhe ata që e pasojnë atë, edhe këto orë i kam vënë si periudhë të veçantë të ditës.

Mëngjesi

Dita në këtë planet si zakonisht fillon në mëngjes para agimit. Nga shfaqja e muzgut e deri sa të gdhinë, të gjitha qeniet rrinë të mbledhura në një hallkë deri sa të lind Dielli, duke bërë dhikër me gjuhët e tyre unike ndaj Krijuesit të gjithçkaje. Njeriu gjithashtu me plot vetëdije merr pjesë në këtë dhikër dhe e fillon ditën e tij me format e ndryshme të dhikrit dhe aktiviteteve, kurse nga gjithë kjo veçohet namazi.

Muhammedi s.a.v.s. gjithashtu ditën e tij e fillonte me namaz. Por, pasi që Abdullah ibn Ummi Mektumi, njëri nga sahabët, e thërriste ezanin e sabahut, i Dërguari ynë s.a.v.s. e falte sunetin e namazit të sabahut në dhomën e tij dhe pastaj dilte në xhami që t’i prijë xhematit në faljen e farzit të sabahut. Me përjashtim të atyre ditëve që vërtet kishin shkak për mos-dalje, të gjithë muslimanët në Medinë përpiqeshin që të falin çdo farz bashkë me Muhammedin s.a.v.s.

Ç’do mëngjes pas namazit, i Dërguari s.a.v.s. së pari lexonte tesbihë dhe pjesë nga Kur’ani deri sa Dielli nuk kalonte nga pozita e caktuar, dhe fill pas kësaj kthehej nga sahabët dhe bisedonte me ta. Në këto biseda diskutohej mbi shumë çështje që kishin të bëjnë me nevojat njerëzore: Nga temat aktuale e deri tek kujtimet historike, nga komentimi i ëndrrave deri tek shërbimi ndaj fesë, njëkohësisht parashtroheshin pyetje dhe jepeshin përgjigje, si dhe zgjidheshin aksh çështje. Thënë ndryshe, fill pas hallkës së ibadetit, menjëherë formohej hallka e dijes dhe kulturës. Ç’ka në të vërtetë kjo orë dhe ky shoqërim me të Dërguarin s.a.v.s. në pjesën më produktive të ditës u ofronte të pranishmëve, këtë gjë mund ta dinë vetëm ata që e kanë përjetuar, dhe pikërisht këtu duhet kërkuar karakteristikat e posaçme që i posedononin sahabët…

Nëse nuk kishte të shkonte dikundi pas namazit, atëherë i Dërguari s.a.v.s. kthehej në shtëpi dhe pyeste se a ka ushqim. Nëse kishte – hante, e nëse jo, atëherë thoshte: “Atëherë agjëroj!” dhe agjëronte këtë ditë. Kur kishte ushqim, ai rëndom përbëhej nga qumështi, hurmatë, buka nga elbi etj. Hante çfarë do që të ndodhej në shtëpi dhe nuk e zgjidhte ushqimin.

Për dallim nga koha e sotme, ushqimi i të Dërguarit s.a.v.s. nuk ishte në qendër të vëmendjes së tij jetësore, orari i ushqimit nuk organizohej sipas kohës së drekës apo darkës, me një fjalë nuk harxhohej shumë kohë për ushqimin, dhe fare nuk e kishte problem edhe nëse nuk kishte ushqim, e as që organizoheshin darka të veçanta, thënë shkurt: ushqimi nuk përmendej gjithnjë në biseda e s që udhëtohej me kilometra për shkak të ushqimit të mirë, nuk bëheshin përgatitjet vjetore, e as që tryezat shtroheshin sikur sot etj. Në rrethana të këtilla, për dallim nga ne sot, koha dhe paratë më së shumti dedikoheshin për qëllime tjera më të rëndësishme.

I Dërguari s.a.v.s. pak para drekës pushonte. Gjatë natës dhe ditës pushohej dhe flihej për shkak të mungesës së gjumit dhe pushimit nga namazi i natës dhe aktivitetet e ngjashme, si dhe për shkak të mungesës së koncentrimit nga puna e lodhshme dhe stresi si dhe lodhja e trupit nga klima e nxehtë. Ky pushim i shkurtër i para-drekës njihet në literaturën islame dhe me fjalë të tjera mund ta quajmë fjetja e paradrekës apo fjetja e drekës.

Dreka

Dreka është koha kur dita e arrinë plotninë e saj dhe fillon avash-avash të lëshojë… Kohë kur obligimet ditore janë plotësuar deri në një masë të caktuar dhe shfaqet nevoja që ta ndërpresim aktivitetin dhe një çikëz të pushojmë, madje edhe shpirtit i nevojitet pushim nga mundimi dhe lodhja që shkakton kalueshmëria e kësaj bote dhe puna e mundimshme. Shpirti i njeriut ndjenë shqetësim të madh dhe nevojë që të falë namazin e drekës, me qëllim që t’i ikë atmosferës së tensionuar dhe të ngritet në praninë e Zotit të Madhërishëm, që duke i shtrirë duart të tregojmë falënderim ndaj begative dhe të kërkojmë ndihmë; të tregojmë pafuqinë tonë dhe të përkulemi ndaj të Madhërishmit dhe të Plotëfuqishmit, e sidomos nëse ky namaz do të falej pas të Dërguarit s.a.v.s…

Po, vetë i Dërguari s.a.v.s. ishte ai që i printe namazit të drekës në mes të ditës, përkatësisht sahabëve që vraponin për në xhami me një zell të pa-përmbajtur. Në qoftë se ishte ditë e premte (xhuma), atëherë ata për këtë namaz përgatiteshin krejtësisht në një mënyrë tjetër: Me një entuziazëm të plotë dhe shpirt festiv. I prenin thonjtë, laheshin, vishnin tesha të reja, parfumoseshin, në xhami vinin më herët se herat tjera, e dëgjonin hytbenë e të Dërguarit s.a.v.s. dhe pastaj faleshin. Gratë dhe fëmijët vinin më shpesh në këtë namaz se sa në namazet tjera.

Ngrënia e drekës nuk përmendet shpesh në burimet islame. Sasia e cila jepet për fitra është llogaritur sipas dy ngrënieve gjatë ditës, që tregon se nuk ka ekzistuar vakti i tretë i ngrënies përveç mëngjesit dhe darkës. Kjo gjë shpjegon se fare lehtë mund të agjëroj ai i cili hanë ushqim në kohën e syfyrit. Ngrënia e vetëm dy vakteve ushqim në kohën e sotme është sunnet i cili jo vetëm duhet që të rekomandohet, por edhe të praktikohet, ngase një veprim i tillë kursen kohën dhe paratë, por besa edhe vetë shëndetin. Nga kjo kuptohet që bëjnë përjashtim të sëmurët me diabet dhe probleme të tjera.

Ndonjë herë Muhammedi s.a.v.s. i vizitonte sahabët, i kryente obligimet ditore, i përkushtohej problemeve të shoqërisë si prijës që ishte, bënte diktimin e ajeteve të shpallura shkruesve të tij, i lajmëronte njerëzit mbi urdhërat urgjente dhe pranonte mysafirë. P.sh. në vitin e 8 pas hixhretit mjaftë ambasadorë i erdhën në vizita. Një pjesë të ditës e kalonte në takimet me ta, përgjigjet ndaj pyetjeve e kërkesave të tyre dhe përcjelljes së mysafirëve.

Mbasdita

Mbasditja është koha kur orari ditor i afrohet fundit dhe kur veç më mblidhen frytet e shëndetit, paqes dhe mirësisë që janë kryer gjatë tërë ditës.

Sipas mësimit të Kur’anit Fisnik, i Dërguari s.a.v.s. i kushtonte një vëmendje të posaçme faljes së këtij namazi dhe ishte Bilali r.a. ai që me zërin e tij të ëmbël e ftonte bashkësinë muslimane për faljen e këtij namazi. Meqë iqindija është koha e namazit kur ndërrohen engjëjt rroje të ditës me ato të natës, të cilët i mbrojnë besimtarët, ndaj dhe dhikri pas këtij namazi është më i gjatë.

Kjo transmetohet edhe në një hadith: “Një grup engjëjsh janë me ne gjatë ditës, kurse grupi tjetër gjatë natës. Ata mblidhen në kohën e sabahut dhe të iqindisë që të ndërrojnë rrojet. Edhe pse Krijuesi yne më së miri e di gjendjen e robëve të Tij, Ai i pyet engjëjt: “Si i latë robërit e Mi?”; Ata i përgjigjen: “I lamë duke u lutur dhe ishim pranë tyre gjersa ishin në lutje.”

Muhammedi s.a.v.s. e kishte një shprehi të cilës gjithnjë i përmbahej: Pas iqindisë i vizitonte gratë e tij për t’i pyetur se si janë dhe a u nevojitej diçka, kurse ata e gostisnin me atë çka u qëllonte të kishin pranë tyre.

Mbrëmja

Mbrëmja na përkujton se ngjashëm sikur shumë krijesa që vdesin në fund të verës, ashtu edhe njeriu do të vdes një ditë dhe se bota do të shkatërrohet në fillim të Ditës së Gjykimit. Në këto momente shpirti i njeriut dëshiron që të qëndrojë në prani të Atij i Cili i realizon tërë këto dhe të thotë: “Allahu është më i Madhi!” duke lënë gjithçka tjetër që është kalimtare mënjanë dhe, edhe një herë t’a madhërojë Madhështinë e Tij. Duke pasur këtë dëshirë, i Dërguari s.a.v.s. shpesh-herë fillonte që ta pret namazin e akshamit qysh nga perëndimi i Diellit dhe posa të thirrej ezani, qëndronte përpara Allahut. Pas faljes së farzit, falte edhe 2 deri në 6 reqate sunete dhe po të njëjtën gjë e rekomandoi që ta bëjnë edhe besimtarët.

Pas namazit të akshamit, i Dërguari s.a.v.s. e tubonte familjen tek ajo bashkëshorte ku do ta kalonte natën dhe ia fillonte bisedës familjare. Shtëpia e të Dërguarit s.a.v.s. u shndërrua në mjedis ku mësimi dhe nxënia e dijes kurrë nuk u ndëpre, si gjatë jetës së tij, ashtu edhe pas vdekjes së tij. Pas vdekjes së të Dërguarit s.a.v.s., gratë e tij i vazhduan këto aktivitete, duke e hapur atë për një masë të gjerë njerëzish.

Jeta familjare e të Dërguarit s.a.v.s. luajti një rol jashtëzakonisht të madh në përcjelljen e disa parimeve për gratë, si dhe shumë parimeve tjera të përgjithshme islame, ndërsa në gjithë këtë tejet të rëndësishëm ishin pikërisht këto “biseda të mbrëmjes.” Ato ishin, si të thuash një lloj shkolle dhe burimi për shumë nxënës të etshëm pas dijes, me në krye Ajshenë r.a. Natyrisht, nuk bisedohej vetëm për dijen, por njëkohësisht zhvillohej edhe lidhja mes anëtarëve të familjes që vinin nga mjedise, kultura dhe karaktere të ndryshme, por që të gjithë aspironin që të Dërguarit s.a.v.s. t’ia lehtësonin barrën e ëmbël profetike, ndaj dhe kohë pas kohe edhe bënin shaka… Thënë shkurt, kështu, në këtë mënyrë krijohej një atmosferë e duhur për një familje të lumtur.

Nata

Në kohën e namazit të jacisë gjithçka është e mbuluar nga errësira, ajo çka shihet gjatë ditës thuaja se më nuk ekziston… Ngjashëm sikur njeriu që vdes, shpërngulet për në ahiret dhe harrohet tërë ajo çka e ka poseduar. Kështu, na shfaqet fundi i plotë i jetës së kësaj bote e cila nuk është asgjë tjetër pos vetëm një sprovë…

Madhështia e të Madhërishmit edhe një herë i tregohet njeriut i cili shpesh ndodhet sikur të jetë i groposur në atë çka e rrethon, ngase Allahu me lehtësi lëviz, shkruan, fshinë dhe ndërron ditën dhe natën, verën dhe dimrin, këtë botë dhe ahiretin, njëjtë sikur fletët e librit. Njeriu, të cilit tani, në këtë periudhë kohore e ardhmja i duket e errët, pa shpresë, i dobët dhe nevojtar, në këtë kohë kryen namaz dhe i kthehet e mbështetet Allahut të Madhërishëm, Mikut të Vërtetë, Fuqia e të Cilit është Gjithëpërfshirëse. Njeriu edhe para gjumit, falë namaz me qëllim që ta përfundojë këtë ditë me të mirë.

I Dërguari s.a.v.s. i printe sahabët në namaz dhe nëse nuk kishte ndonjë situatë të veçantë, tërhiqej në vetmi duke mos folur asnjë fjalë. Para se të binte të flejë lexonte ato lutje që zinin një vend tejet të rëndësishëm në jetën e tij.

Ajsheja r.a. transmeton lutjet dhe shprehitë e të Dërguarit s.a.v.s. para fjetjes: “I Dërguari s.a.v.s. ç’do natë kur binte të flejë i mblidhte shuplakat, frynte në to dhe lexonte suren “El-Ihlas”; “El-Felek” dhe “En-Nas”; dhe më pas me duart e prekte çdo pjesë të trupit, duke filluar nga koka dhe një gjë të tillë e përësëristë tri herë.”

Kuptohet që mund të gjejmë edhe të tjera rekomandime dhe praktika në lidhje me këtë temë, siç është ajo p.sh. të cilën e transmeton Imam Aliu r.a.: “I Dërguari s.a.v.s. më rekomandoi mua dhe Fatimesë: “Kur të bini në shtrat, lexojeni nga 33 herë Allahu Ekber; Subhanallah dhe Elhamdulilah!”

Kur Imam Aliu r.a. tha se kurrë në jetë nuk e ka ndërprerë së vepruari këtë që e porositi i Dërguari s.a.v.s., dikush e pyeti: “Madje as edhe në natën e Siffinit?”; Imam Aliu r.a. iu përgjigj: “Po, as atë natë madje…”

Nata e vonshme

Koha e natës së vonshme njeriut ia përkujton dimrin, varrin dhe berzahun dhe atë se sa shpirti i tij varet nga Mëshira e Allahut të Madhërishëm. Ndaj dhe për këtë namazi i natës është burim i dritës së pazëvendësueshme, i cili do ta ndriçojë rrugën tonë në natën e varrit dhe errësirën e berzahut.

I Dërguari s.a.v.s. pjesën e fundit të ditës së tij, gjegjësisht orët e vona të natës, i kalonte në ibadet. Transmetohet se Ajsheja r.a. thotë: “I Dërguari ynë falej aq shumë natën gjer sa këmbët i ënjteshin. Kur dikush e pyeti: “O i Dëreguar i Allahut! Allahu t’i ka falur mëkatet e kaluara dhe ato të ardhshmet, ndaj përse akoma po vazhdon të mundohesh kaq shumë?”; I Dërguari s.a.v.s. iu përgjigj: “Vallë a të mos jem një rob falënderues?”

I Dërguari s.a.v.s. pushonte pas faljes së namazit të natës dhe ngritej në mëngjes kur dëgjonte thirrjen e myjezinit. Bilali r.a. e thirrte ezanin para agimit dhe i zgjonte njerëzit për syfyr dhe namazin e natës, ndërsa Abdullah ibn Ummi Mektumi e thërriste ezanin në agim, duke sinjalizuar kështu hyrjen e kohës së faljes së namazit të sabahut.

Përfundimi

Jeta e përditshme e të Dërguarit tonë Muhammedit s.a.v.s. mund të analizohet nga këndvështrime të ndryshme, mirëpo, ngado që t’i qasemi, kemi për të gjetur vepra, tradita dhe fjalë të cilat e udhëzojnë tërë njerëzimin. Në kohën kur jeta e përditshme është shndërruar në një makth të vërtetë, vallë sa të lumtur janë ata që e mësojnë jetën e të Dërguarit s.a.v.s. dhe marrin mësim nga ajo…
__________________
Nga boshnjakishtja:
Ahmed R. Ramadani

Publikuar: 18.12.2010 | 13:59
Lexuar: 1992 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime