E diel, 9.12.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

- Dështim i shpejtë i Vilës, Likës, Balajt, Sukajt dhe Hykës. Askush nuk ia doli të zërë një vend titullari në skuadrat e tyre -
Speciale/ Talentet shqiptare, kthim në Superligë




Gjergji Mima

Disa nga talentet shqiptare që provuan të luajnë jashtë, të tillë si Emiljano Vila, Gilman Lika, Bekim Balaj, Xhevair Sukaj janë kthyer në shtëpi.

Së fundi, kësaj liste pritet t'i shtohet edhe Jahmir Hyka, një tjetër futbollist i talentuar, por që mesa duket nuk mundi të ketë sukses jashtë shtëpisë, edhe pse provoi Norvegjinë, Gjermaninë dhe Greqinë.

Gjithsesi, ka të tjerë lojtarë shqiptarë si Hamdi Salihi, Elvin Beqiri, Edmond Kapllani, Migen Memelli, Admir Teli, Ansi Agolli, që janë lojtarë të rëndësishëm te ekipet ku ata luajnë.

Xhevair Sukaj është aktivizuar në Shqipëri me vetëm dy klube: Vllazninë (ekipin ku është formuar) dhe Elbasanin, por trupi I sulmuesit shkodran ka veshur fanellat e katër ekipeve të huaja, e që u përkasin tre shteteve: Turqisë (2 ekipe), Egjiptit dhe Kroacisë. Në 4 gusht të vitit 2008, Xhevair Sukaj, një sulmues premtues i Vllaznisë, u transferua në Turqi te Hacettepe, së bashku edhe mbrojtësin Admir Teli dhe mesfushorin Gilman Lika.

Futbollisti i Shpresave e i Kombëtares shqiptare u aktivizua në pjesën e parë të sezonit te klubi turk Hacettepe, duke zhvilluar 8 ndeshje, por pa shënuar asnjë gol. Sukaj u largua nga Hacettepe më 7 janar 2010. Një ditë më pas, më 8 janar të vitit 2009, ai nënshkroi
një kontratë gjashtëmujore me presidentin e Vllaznisë, Valter Fushaj.

Ky ishte dhe rikthimi i tij i parë. Pas përfundimit të sezonit 2008-2009, u fol se për të ishin të interesuar Herta e Berlinit dhe Kaizerslauterni, Sllavia e Sofjes dhe Hansa Rostok, madje te kjo e fundit shkoi për provë, por pa firmosur dot.

Më 30 gusht të vitit 2009, Orduspori u bë stacioni i dytë turk për Xhevair Sukajn. Me këtë skuadër luajti vetëm fazën e parë: 10 ndeshje, 2 gola. Prishi kontratën me këtë ekip më 4 janar 2010. Më 20 janar të vitit 2010, sulmuesi shkodran, Xhevahir Sukaj, firmosi gjatë merkatos dimërore një kontratë “faraonike” me klubin elitar egjiptian, Al-Ismaili (u fol se shuma e transferimit kapi vlerën e 1.1 milionë eurove, Sukaj do të merrte 366 mijë euro në sezon). Sukaj qëndroi thuajse në stol, pasi luajti vetëm 3 ndeshje me ekipin egjiptian. Në 27 korrik të vitit 2010, Xhevair Sukaj u transferua në Kroaci te NK Zagreb. Gjashtë muaj më pas, Sukaj prishi kontratën me klubin kroat, ndërkohë që i ka hedhur ata në gjyq, në FIFA, për shkak të mos pagimit të tij. Në ditët e para të janarit të këtij viti Xhevair Sukaj firmosi për Vllazninë. Një rikthim në shtëpi.

Edhe mesfushori shkodran Gilman Lika tashmë është pjesë e Tiranës në Superligë, por aventura jashtë Shqipërisë, kurrsesi nuk mund të quhet e suksesshme për lojtarin e Kombëtares shqiptare (11 ndeshje).

Në 4 gusht të vitit 2008, anësori i Vllaznisë, Gilman Lika, u transferua në Turqi te Hacettepe, së bashku edhe mbrojtësin Admir Teli. Një paraqitje mesatare me Hacettepenë (19 ndeshje/4 gola), për të kaluar pas një viti te Boluspori i kategorisë së dytë turke (23
ndeshje/7 gola). Problemet financiare të klubit u bënë shkak që Lika të kalojë te Diyarbakırspor. Tani ai është te Tirana, ekipi i tij I dytë në Shqipëri, pas Vllaznisë.

Më 19 qershor 2009, Emiljano Vila u transferua nga Teuta e Dinamo së Zagrebit në Kroaci për shumën e 200 mijë eurove. Pas përgatitjeve me klubin më të famshëm kroat, durrsaku u huazua te ekipi satelit i Dinamos, Lokomotiva, për të mbërritur në janar të vitit 2010 te Dinamo e Tiranës, e për të vazhduar akoma dhe sot aty. Vila konsiderohej një nga talentet e rinj të futbollit shqiptar dhe ka fituar një vend në Kombëtaren shqiptare. Një rikthim i hidhur.

Më 16 qershor të vitit 2010, sulmuesi i ri shkodran, Bekim Bala, një nga zbulimet e sezonit 2009-2010 (19 vjeç, 17 gola në të dy kompeticionet, kampionat e kupë), fitues i trofeut “Talenti më i ri I vitit 2010”, u transferua në Turqi te skuadra turke Gençlerbirligi.
Lojtari i Kombëtares U-21 firmosi një kontratë 5-vjeçare. Përgatitje me skuadrën e parë, por aktivizim me ekipin e dytë. Vetëm katër here në 18-she, një ndeshje në kampionat (disa minuta) dhe një në Kupën e Turqisë. Shumë pak. Balaj vendosi të prishë kontratën me klubin turk, me të cilin aktivizohen edhe kosovarët Debatik Curri dhe Labinot Harbuzi. Rikthim në Shqipëri. Për ta nisur edhe njëherë tjetër nga shtëpia.

I konsideruar si një nga lojtarët shqiptarë më virtuozë të viteve të fundit, Jahmir Hyka, është pranë rikthimit në shtëpi: te Tirana. Fantazisti i Kombëtares shqiptare dhe autorit i golit më të shpejtë në historinë e përfaqësueses (pas vetëm 46 sekondash, në një
miqësore kundër Lihteshtejnit) ka një eksperiencë të hidhur jashtë Shqipërisë, ku nuk ka mundur të ketë sukses dhe të tregojë aftësitë e tij.

Pas eksperiencave me Rozenborgun e Norvergjisë në vitin 2006 dhe Olimpiakosin e Pireut (2007) në Greqi (në fakt, u aktivizua me ekipin e dytë), Hyka luajti te Tirana (2007-2008). Pas një paraqitjeje mjaft të mirë në miqësoren Poloni-Shqipëri (27 maj 2007), Hyka ia doli të transferohej në Gjermani te Mainz 05, atëherë në Bundesligën 2, me një shumë astronomike për një lojtar të ri shqiptar, dhe për më tepër nga kampionati shqiptar: 3 milionë euro dhe një kontratë 4-vjeçare. Për shkak edhe të konkurrencës së fortë dhe politikës së klubit gjerman, aktivizimi i tij ishte shumë i pakët, sidomos kur Mainzi u ngjit në Bundesligën 1.

Më 2 gusht të vitit 2010 Hyka u tranferua në Greqi te Panionos, për shumën e 150 mijë eurove. Jahmir Hyka ishte një emër i njohur në futbollin grek, pasi 22 vjeçari ishte pjesë e ekipit të dytë të Olimpiakosit në sezonin 2007-2008, përpara se të huazohej te Tirana e
të kalonte përfundimisht te Mainz 05. Shumë pak minuta me Panionosin (8 ndeshje), ekipin ku më parë kishin luajtur dhe Foto Strakosha, Arjan Bellaj, Sulejman Demollari dhe Hamdi Salihi. Te Panionosi luan dhe lojtari i Kombëtares U-19, sulmuesi 18 vjeçar Vasil Shkurtaj.

Ndërtimi i stadiumit të ri, Kombëtarja rrezikon të luajë jashtë Shqipërisë

Publikuar: 19.01.2011 | 14:51
Lexuar: 1343 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime