E diel, 16.12.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Historikisht ky fshat gjatë historisë përmendet edhe nga rapsodi popullor ku me pietet sot e kësaj dite këndohet trimi i këtij fshati apo Shaip Nebiu-Kaçaku i malësisë që ka luftuar kundër sunduesve osman në vitet 1887 deri më 1893 si dhe kujtimi për 7 nizamët në shekullin e XVIII nga fshati që ende përkujtohen nga gjeneratat e vjetra që sinonim i të gjithë këtyre është Sadin Ramadani i cili i ka përjetuar katër luftëra e që është sinonim i burrërisë, ushtarit të Ballit Kombëtar dhe ideolog i paepur i Çështjes Kombëtare.
Reportazh, fshati Gjergjovisht




Ismet Jonuzi-Krosi



TË DHËNAT E PËRGJITHSHME


Në rrugën që të çon për fshatin e Malësisë së Sharrit respektivisht në Gjergjovisht, rrugë që ka mbi 7 km, e shtruar 4km me asfalt ndërsa pjesa tjetër pritet që së shpejti të asfaltohet. Udhëtimi në këmbë deri në këtë fshat malor zgjatë mbi 50 minuta, futesh në një ambient ku ndeshen dy botë ajo e së kaluarës së largët që është evidente në këtë fshat ku kanunet, doket dhe zakonet ende janë të gjalla, por ky fshat është vetëm sinonim i shumë fshatrave tjerë që gravitojnë në Malësinë e Sharrit Plak.

Para se të futesh në fshatin e vogël ku përroi të lidh me rrugën që të drejton në Gjergjovisht ku në të gjenden shtëpi me oborre të zbukuruar me lule e me pemë e perime, të rrethuar me gardhe e tela, ndërsa shtrirja karakteristike e shtëpive të ndërtuara nga mjeshtëria e rrallë të jep përshtypjen e fshatrave që mund t’i paramendosh se i takojnë të kaluarës së afërt edhe pse në këtë fshat piktoresk frymojnë me përditshmërinë e këtyre malësorëve ku kohën e fundit janë ndërtuar mbi 20 shtëpi të reja. Fshati ndahet në katër lagje; Mbas Lisat, Muhalla e Cakeve, Muhalla e Kicave dhe Muhalla e Imerallarve. Si në të gjithë fshatrat e Sharrit edhe ky fshat është fare i ndriçuar në rrafshin e historisë, folklorit e çka jo, por një dëshmi e cila është evidente në terren dhe në fjalorin e tyre janë tri palë varreza që ata u thonë; vorret plaka, vorret e karëzve-shkieve dhe vorret e reja. Fshati Gjergjovisht graviton në Komunën e Negotinës së Pollogut. Ky fshat gjendet në Malësinë e Sharrit 7 kilometra larg Negotinës, lartësia mbidetare është mbi 920 metra, numëron mbi 80 shtëpi dhe mbi 750 banorë.

HISTORIKU

Gjergjovisht haset në historiografinë t 116/-shih më hollësisht rof.dr. Qemal Murati “DËSHMIME ONOMASTIKE PËR AUTOKTONINË E SHQIPTARËVE NË TROJET ETNIKE TË TYRE NË MAQEDONI”-Shtëpia botuese “FAN NOLI”-Tiranë, 1993 në faqen 88./

Historikisht ky fshat gjatë historisë përmendet edhe nga rapsodi popullor ku me pietet sot e kësaj dite këndohet trimi i këtij fshati apo Shaip Nebiu-Kaçaku i malësisë që ka luftuar kundër sunduesve osman në vitet 1887 deri më 1893 si dhe kujtimi për 7 nizamët në shekullin e XVIII nga fshati që ende përkujtohen nga gjeneratat e vjetra që sinonim i të gjithë këtyre është Sadin Ramadani i cili i ka përjetuar katër luftëra e që është sinonim i burrërisë, ushtarit të Ballit Kombëtar dhe ideolog i paepur i Çështjes Kombëtare.

Është fshat tipik me elemente të traditës, dokeve dhe zakoneve shqiptare. Në këtë fshat që shtrihet në shpatet e Malësisë së Sharrit gjegjësisht në zemër të bjeshkëve të Sharrit. Si në shumë fshatrat e tjerë edhe Gjergjovishti i ka Bashkësinë Vendore me 7 anëtarë, Shkollën territoriale “NAIM FRASHËRI” dhe atë me objekt të ri, 1996 është rindërtuar shkolla e re me kontributin e Ministrisë së Arsimit dhe Agjencisë për Zhvillimin e vendeve të pazhvilluara dhe ka kushtuar 110 mijë euro, mësimin e vijojnë 132 nxënës, ambulancën e shëndetësisë të ndërtuar më 1998 ku aktualisht mjeku është nga Negotina e Pollogut, një xhami që është rindërtuar më 1982 ku imam është Xhemil Fetahu nga Bojana e Shkupit, ka 3 lokale ku prej atyre 1 është shitore.

Edhe këtë fshat plaga e rëndë e kurbetit e përfshinë me mbi 50% e popullatës që gjenden me punë të përkohshme jashtë vendit që do të thotë se çdo familje ka nga një mërgimtarë. Si në gjithë Malësinë e Sharrit edhe në këtë fshat ka mbi 50% që jetojnë nga ndihmat sociale edhe pse 15 raste ka që nuk kanë shtetësi, njëherit edhe nuk kanë të drejta elementare në këtë shtet e jo të marrin ndihma sociale e të ngjashme.

Ismet Jonuzi-Krosi
Mërgimtarët më të përqendruar janë në vendet e Evropës në Itali ku janë gati 90, Gjermani, Zvicër, Austri e gjetiu. Rinia e fshatit, edhe pse me përgatitje të mesme janë një numër simbolik dhe pjesa dërmuese me fillore, nuk janë të punësuar apo vetëm simbolikisht janë në administratën shtetërore gjegjësisht vetëm disa persona janë të inkuadruar në punë. Por, duhet theksuar se nga ky fshat pas Fillimit të ri në Maqedoni kanë një polic Rufat Bekteshi, që e ka kryer kursin dhe së shpejti pritet të starton në punë. Sektori privat i ekonomisë së ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme është pak i zhvilluar ku aktualisht funksionojnë afro 3 lokale afariste.

Shumë pak merren me blegtori gjegjësisht 3 familje me mbi 700 kokë dhensh Vesel Iljazi, Musli Kadriu dhe Gafur Misimi, para një dekade kanë pasur mbi 8 mijë dhenë. Në këtë vend arat e këtij fshati thuajse janë simbolike ku më së shumti përdoren për kullota ngase gati çdo shtëpi ka nga një apo dy lopë respektivisht gati 100 lopë edhe pse para një dekade ka pasur mbi 350 lopë. Këtu bujqit kultivojnë këto rendimente si: grurin, patatet, domatet, thekrën, elbin e për habi këtë vit ka të mbjellë vetëm 4 dynim misër e kështu me radhë të cilat janë shumë të pakta si dhe pemëtaria ku veçohen mollët, dardhat e malësisë, gështenjat, arrat, thanat etj. Atari i tokës së këtij fshati kufizohet me atë të Llomnicës, me kufirin e Kosovës-bjeshkët apo Liqeni i Zi i Novosellës II, Rakovecin, Gorjanin, Sënakosin, Negotinën e Pollogut dhe me Kalishtin që i ndan Mosdaçe- emër karakteristik i këtij lumi që siç shprehen malësorët e këtij fshati se emrin e ka marrë ngase kur vijnë lumi bën kërdi, vërshimet prandaj edhe e ka marrë emrin MOSDAÇ.

INFRASTRUKTURA

Konfiguracioni i këtij fshati të malësisë është karakteristik me të gjitha vetitë dalluese nga fshatrat e fushës për shkaqe të njohura. Edhe pse ka 80 shtëpi në kohë të fundit janë ndërtuar mbi 20 shtëpi të reja. Nga Gjergjovishti migrimi është evident që për të flasin argumentet siç thonë se në fushën e Pollogut ka mbi 160 shtëpi nga ky fshat që nënkupton dyfish. Më të përqendruar janë nëpër këto fshatra të fushës së Pollogut; Debresht, Vrapçisht, Gradec, Kamjan, Reçicë e Vogël, Pallaticë, Trebosh si dhe në Turqi që janë shpërngulur nga koha antishqiptarizmit me sinonim Rankoviçi.

Me vetë kontribut apo krah pune dhe Agjencisë për rajonet e pazhvilluara 1996 është sjell uji për pije që e marrin 5 km larg, në vendin e quajtur “Guri i Ukut” është zgjidhur deri diku çështja e ujit për pije, por ngase një burim nga furnizohet ky fshat është tharë, janë duke kërkuar ujë të ri për të cilën kanë edhe projekt të gatshëm e që ua kanë dorëzuar përfaqësuesve të OSBE-se që ata ta adresojnë nëpër shoqatat e ndryshme për ta përkrahur këtë nismë jetike. Gjithashtu siç kuptojmë nga kryetari i Bashkësisë Vendore Zaim Arifi se kanë dorëzuar projektin për ndërtimin e rezervuarit të ujit tek shoqata franceze “Solidaritet”, por mjerisht shoqata në fjalë i është drejtuar zyrtarisht kryetarit të Komunës së Negotinës së Pollogut se i kanë ndërprerë investimet në këtë komunë, prandaj kërkojnë inevstime nga cila do qoftë shoqatë. Janë me lidhje telefonike. Kanë defekte serioze me rrymën elektrike ngase shtyllat janë para shkatërrimeve e që duhen ndërruar dhe rryma të jetë trefazëshe e jo dyfazëshe.

Ndriçimi publik i këtij fshati është i rregulluar me vetëkontribut dhe me komunën. Rrugët janë të shtruara, mirëmbahen nga banorët, që nënkuptohet se duhet punuar në këtë rrafsh ku ditëve të fundit shtrohen 3 km asfalt të rrugës që e lidh Gjergjovishtin me botën. Por, bujqit dhe blegtorët e këtij fshati kanë probleme të përhershëm me plasmanin e produkteve të pakta që i kanë. Shfrytëzohen kullotat dhe pyjet e pasura me drunj. Ky fshat duket se ngadalë, por sigurt lidhjet me jetën urbane që vetë banorët thonë se: ”Kemi qenë të lënë pas dore, por falë ndërrimit të sistemit edhe ne jemi duke shijuar frytet e demokracisë” por, edhe për këtë dukuri e cila i preokupon seriozisht ata thonë se lidhja me Negotinën-Gostivarin-Tetovën një ditë do të rregullohet ashtu siç është më së miri, udhëtimi i nxënësve, për plasmanin e produkteve bujqësore, blegtorisë nëpër ditët e tregjeve e kështu me radhë. Këshilli i B. Vendore i cili për rregullimin e kësaj çështjeje thotë se zgjedhje e vetme është rregullimi i rrugës me qëllim që të qarkullojnë në linjën Gjergjovisht-Negotinë që nënkupton edhe kyçjen e këtij fshati. Edhe pse kjo çështje është sensibilizuar mjaft, ka zgjidhje adekuate ngase së shpejti finalizohet rruga.

Por, për të gjitha këto projekte kryetari Bashkësisë Vendore, Zaim Arifi ka shpresë se së shpejti bëhen realitet objektiv. Mbeturinat edhe në këtë fshat janë çështje e pazgjidhur ngase mbeturinat në terren japin pamje të mjerueshme ku në radhë të parë ndotet ambienti, natyra dhe që është dukuri që duhet ndaluar. Është karakteristike se banorët e këtij fshati, Bashkësia Vendore dhe këshilltari komunal i kanë të koordinuara mirë punët edhe me komunën për të mirën e vet fshatit edhe pse ka elemente të kritikave për investime më të mëdha.

SHKOLLIMI

Shkollën territoriale “NAIM FRASHËRI” dhe atë me objekt të ri, 1996 është rindërtuar shkolla e re me kontributin e Ministrisë së Arsimit dhe Agjencisë për Zhvillim të vendeve të pazhvilluara e ka kushtuar 110 mijë euro, e mësimin e vijojnë 132 nxënës ku mësimi vijohet me dy ndërrime deri në klasë të VIII-të, ku janë të punësuar 11 mësim dhënës prej të cilëve 6 arsimtarë, 2 profesorë dhe tre jo përkatës si dhe një punëtor teknik ndërsa përgjegjës është Zaim Arifi. Siç na informoi përgjegjësi se bëhen përpjekje maksimale që të hapet edhe paralele për parashkollorët që është gati edhe projekti i cili është drejtuar në drejtorinë qendrore në Negotinë së bashku me ato të asfaltimit të oborrit të shkollës që pritet të lëvizin për të mirën e nxënësve të Gjergjovishtit.

Zaim Arifi shprehet ” mjetet mësimore për të mbajtur mësim thënë shkurtë nuk i kemi, u jemi drejtuar donatorëve të jashtëm dhe të brendshëm që veprojnë në Maqedoni dhe atë disa herë është biseduar me ta.” Me këtë rast ai thotë :”shfrytëzoj rastin që edhe njëherë t’i ftoj të gjithë arsimdashësit e me theks të veçantë organizatat e ndryshme që veprojnë në Maqedoni që këtë kërkesë tonën le ta marrin në konsideratë serioze ngase nxënësit e këtij fshati nuk kanë asnjë faj e dikush t’i lë pas dore, prandaj është kohë e fundit që të ndërmerren hapa konkrete për të realizuar projektet tona që janë me peshë jetike.”

Nga ky fshat shkollimi sikur ka tendenca të rënies për shkaqe socio-ekonomike edhe pse kanë një shkollare Besarta Iseni në shkollën e mesme të mjekësisë në Tetovë si dhe dy studentë në Universitetin e Tetovës. Po ashtu edhe në rrafshin e shkencave pozitive dhe ato ekzakte kanë dhënë njerëz të spikatur që sot e sot janë mburrje e Gjergjovishtit si Zaim Arifi-arsimtar dhe veprimtar i vyeshëm, Hasim Qerimi-historian, Emshi Imeri-pishtar i arsimit, Lulzim Hasani, Zijad Shabani, Mafiz Hajdari, Nevzat Bejtuli-piktor i mirënjohur që jeton në Reçicë të Vogël, Iljaz Ajdini-spec. mjek në Prishtinë, Gazi Mustafai-urolog në Gostivar, Hasan Hoda-poet që jeton në Negotinë si dhe të tjerë.

Falënderojnë mjetet e informimit dhe na ftuan që më shpesh t’i vizitojmë. Shtabi për mbrojtjen civile gjatë tërë kohës së krizës së vitit të kaluar për fat të mirë nuk kanë pasur probleme ngase siç thonë malësorët ua kanë parë sherrin armiqve dhe se kanë qenë syçelur. Për Fillimin e Ri në Maqedoni thonë se deshëm apo s’deshëm një ditë si komb do të jemi bashkë në Evropën e Bashkuar.
(Botuar: 06.08.2002)

Publikuar: 29.01.2011 | 19:35
Lexuar: 3591 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet
Zaim Arifi (23/11/2013 20:28:00) Ju falemderit z.Ismeti.me kujtohet se ne funde te intervistes ka thene;deshem apo s"deshem nje dit si komb do te jemi ne Shqiperin Etnike. jo ne Europen e bashkur.

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime