E mërkurë, 12.12.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Shteti i Kosovës, jo vetëm që ka telashe të mëdha ekonomike dhe sociale, por nuk ka fare strategji për dalje nga kjo gjendje e rëndë.
Rinumërimi i rritjes së rrogave




Blerim Shala

Rritja e rrogave ka shkuar në rinumërim. Dhe në rinegociim.

Më së shkurti, mbase, kështu do të mund të përshkruhej se çfarë ndodhi me ngritjen e pagave në sektorin publik, të premtuar nga Kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi, gjatë fushatës për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 12 dhjetorit, dhe të kthyer në vendim qeveritar, në kundërshtim me të gjitha procedurat e mundshme, më 6 janar të këtij viti.

Thaçi dhe PDK’ja, kjo mund të thuhet me një siguri të madhe, kanë arritur të fitojnë në zgjedhjet më të këqija që i ka pasur Kosova që prej se këndejpari ka demokraci, më së shumti falë ofertës për një rritje të madhe të rrogave. Disa dhjetëra mijëra vota janë siguruar në këtë mënyrë. Për këtë shkak, po që se Kryeministri Thaçi dhe Qeveria e re e Kosovës nuk arrijnë dot ta përmbushin këtë premtim, atëherë, s’do mend që pakçka do të mbetet prej atij legjitimiteti edhe ashtu të cunguar të institucioneve të reja qendrore të Kosovës.

Politikë dhe parime (e premtime), pa para nuk ka. Askund në Botë. Kështu është edhe në Kosovë. Shfrytëzimi i përgjegjshëm i buxhetit të një shteti, është detyra e parë e një qeverie. Qeveritë, në shtetet pak a shumë stabile, shkojnë dhe vijnë, fitojnë dhe dështojnë në zgjedhje, fund e krye për shkak të mënyrës se si e menaxhojnë arkën e shtetit, sa e shtojnë/rrisin atë, si përmirësojnë gjendjen sociale në vend, sa vende të reja të punës krijojnë, thjeshtë, si bëjnë që qytetari mesatar të ndihet më mirë në përfundim të mandatit të një Qeverie.

Cilësia e jetës së qytetarëve përcakton kualitetin e rezultatit në përballjen e politikanëve dhe të partive me vullnetin e popullit.

Kryeministri Thaçi, për shkak të rrethanave të njohura (vetëm PDK ishte parti në pushtet para votimit të 12 dhjetorit), ishte i vetmi në situatë që të marrë kredi nga qytetarët, kredi në trajtë të votave të cilat me siguri nuk do t’i shkonin PDK-së, ashtu që t’ua kthejë borxhin me kamatën prej 30-50% të rritjes së rrogave.

Tash ka ardhur koha e kthimit të kredisë me kamatat më të larta në Evropë (askund më në shtetet stabile demokratike nuk mund dot të premtohet rritja e të ardhurave e këtyre përmasave), ndërsa para nuk ka sa duhet. Hesapet nuk janë bërë mirë, prandaj është “urdhëruar” (nëse mund të thuhet ashtu), rinumërimi i buxhetit. E ky rinumërim nuk mund të bëhet dot si duhet, pa marrëveshjen me IMF-në (Fondin Monetar Ndërkombëtar) dhe me faktorët e tjerë relevantë ndërkombëtarë.

Ata që thonë, duke qitur përpara gjoksin pseudopatriotik që Kosova është shtet i pavarur dhe që vetë vendos se si do ta harxhojë buxhetin e saj, harrojnë së pari që ne kemi euron si valutë (që na bën të varur prej eurozonës në të gjitha aspektet e mundshme) dhe që Kosova ka marrëveshje me IMF-në, sendërtimi i së cilës është kusht për marrjen e mbi 400 milionë eurove të ndihmave ndërkombëtare.

I gjithë ky rrëfimi për rrogat të cilat do të duhej të rriteshin, qiti në sipërfaqe një mori të metash që i kemi si shoqëri.

Para se të gjithash, para se të ndodhë ngritja e të ardhurave në sektorin publik, nisi rritja e çmimeve, mbase, e ndikuar dyfish nga Qeveria e Kosovës: Kur shtohen rrogat, supozohet që rritet edhe fuqia blerëse e qytetarit, ndërsa paralajmërimi për ngritjen e TVSH-së nga 16% në 19% (gjë që do të mund të efektonte që çdo mall të ketë një çmim për gati 30% më të lartë se deri më tash), pati ndikimin e vet. Nuk bënë gjë punë përgënjeshtrimet e qeveritarëve kosovarë – në rastin e TVSH-së. Efekti psikologjik tashmë e bëri të veten.

E meta e dytë përkon me hutinë dhe habinë që lidhi tok Qeverinë e Kosovës dhe sindikatat e pavarura, kur më 1 shkurt pasdite, u mor vesh lajmi i cili ndryshe, ishte i njohur për të gjithë ata që pak a shumë marrin vesh në politikë dhe në ekonomi, që rroga të reja pa vendimin e Kuvendit të Kosovës për miratimin e Ligjit për buxhetin për vitin 2011 dhe pa pëlqimin e Fondit Monetar Ndërkombëtar, nuk mund të ketë.

Këtë mbase e kanë ditur edhe në Qeverinë e Kosovës, edhe në sindikatat kosovare, por disi i kanë besuar lajmit që megjithatë, prej fillimit të muajit shkurt do të ketë përmirësim të ndjeshëm të rrogave dhe të standardit të të punësuarve në sektorin publik.

E meta tjetër na dëftoi që te vetë sindikatat e vendit, ka telashe evidente në komunikimin e tyre me anëtarësinë e tyre, apo, me aftësinë për ta qartësuar vullnetin e kësaj anëtarësie. Prijësit e sindikatave ngritën zërin dhe paralajmëruan protesta sociale, po që se në fillim të marsit nuk do të jetësohet vendimi i 6 janarit i Qeverisë së Kosovës. Rëndom, ata nuk kanë qenë në gjendje t’i grumbullojnë më shumë se disa qindra veta në këto tubime, por kësaj radhe, mund të ketë greva që do të paralizonin sektorë të tërë të jetës në Kosovë.

Ky kërcënim sindikalist, gjithsesi mund t’ia forcojë pozicionin negociator të Qeverisë së re të Kosovës, në bisedat që do të pasojnë me IMF-në, por kjo nuk do të thotë që vendimi i Qeverisë do të mund ta përballojë presionin ndërkombëtar, i cili bazohet mbi numrat realë që tregojnë peshën e buxhetit të Kosovës, që ngritja e rrogave të jetë më modeste sesa që është paraparë.

Në anën tjetër, synimi i Qeverisë së Kosovës për të grumbulluar sa më shumë para/tatime prej ekonomisë së lodhur kosovare, po shihet, prej odave ekonomike vendore, si kërcënim ndaj biznesit kosovar dhe si një tjetër pengesë për investime nga jashtë.

E meta më e madhe që doli në shesh me këtë rast është që shteti i Kosovës, jo vetëm që ka telashe të mëdha ekonomike dhe sociale, por nuk ka fare strategji për daljen nga kjo gjendje e rëndë. Gjithçka është improvizim, me synim të mbijetesës së një Qeverie. E kështu si janë punët sot, kjo mbijetesë do t’u kushtojë tepër shtrenjtë qytetarëve të Kosovës.

Publikuar: 07.02.2011 | 20:50
Lexuar: 1609 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime