E mërkurë, 12.12.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Behgjet Pacollin gjithë jetën e ka përcjellë një fat i jashtëzakonshëm. Kështu ndodhi edhe të martën. Por nuk është e sigurt nëse fat i njëjtë do ta përcjell edhe Kosovën gjatë mandatit të tij. Aq më pak kur dje u zyrtarizua përçarja në PDK dhe çarja e skenës politike të vendit.
Rrota e fatit







Leonard Kerquki

Tridhjetë vjet më parë, më 17 Gusht 1981, Behgjet Pacolli ishte shtrirë për të pushuar pak, i dërmuar nga rruga Prishtinë-Lubjanë, derisa timonin ia kishte lënë vëllait të tij, Ismetit.

Posa e merr gjumi, vetura përplaset me një kamion.

Dy orë më pas, mjekët sllovenë - të gjendur në një rrëmujë të madhe aksidentesh - nuk ishin marrë shumë me kosovarin e aksidentuar, por e kishin dërguar në morg, të bindur se kishte vdekur.

Lajmi mbërrin në Prishtinë, tek Mahmut Bakalli, funksionar ky komunist që kishte pasur një lloj miqësie me djaloshin nga Marevci.

Fat i madh.

Bakalli telefonon në Spitalin e Lubjanës dhe kërkon që të bëhet ç’është e mundur për ta shpëtuar mikun e tij.

“Ku është Behgjet Pacolli?”, kishte pyetur infermieren Dr.Kushak, pas telefonatës së funksionarit të lartë.

“Ai tashmë ka vdekur. E kanë çuar në morg”, ia kthen infermierja.

Dr.Kushak nuk e merr për të mirëqenë fjalën e infermieres dhe zbret në morg, heq çarçafin dhe vëren se viktimës po i rridhte gjak nga goja.

“Për shkak të ndryshimit të temperaturës, në morg ishte diku temperatura 4 gradë, zemra ishte nxitur të punonte sërish”, rrëfen Pacolli në librin e tij historinë e vet, të treguar nga mjekët sllovenë.

“Dr.Kushak me një bisturi të rëndomtë shpejt m’i bëri dy prerje, një të venës në hyrje dhe një tjetër në dalje të zemrës”.

Mrekullisht, Behgjet Pacolli shpëton.

Pas disa muajsh, ai i kthehet jetës së tij prej biznesmeni.

Megjithëse, dëmtimet e këtij aksidenti e përcjellin akoma.

Këtë njeri fati nuk e kishte braktisur edhe herëve tjera.

Atij i iku aeroplani i linjës Washington-Varshavë dhe të nesërmen lexoi në gazeta se po ajo fluturake u rrëzua, pak para aterimit në aeroportin polak.

Fati ishte me të edhe të martën, kur deputetët po votonin “për” dhe “kundër” kandidaturës së tij për President.

Tash, jo Dr.Kushak, por Hashim Thaçi iu gjend në ndihmë.

Mblodhi Grupin e tij Parlamentar dhe “votat u ndreqën”.

Me 62 vota “për”, Behgjet Pacolli u zgjodh President i Republikës së Kosovës, në një ditë kur e pa fundin e karrierës së tij politike.

***
Nuk e di nëse fatin e Behgjet Pacollit do ta ketë edhe Kosova gjatë mandatit të tij pesëvjeçar.

Shenjat e tanishme janë të këqija për këtë vend, e Presidenti i ri nuk duket njeriu i duhur për ta përmbysur këtë situatë.

Ai po hyn në Presidencë me një mal dyshimesh në opinion për personalitetin e tij, madje duke lexuar këtyre ditëve reagimet e shumta, kam përshtypjen se njerëzit po vënë në pikëpyetje vetë ekzistimin e Shtetit të Kosovës me Behgjet Pacollin President.

Këtu kam parasysh ato reagimet e njerëzishme, e nuk po flas për pështymat që po hidhen pa të drejtë në personalitetin e tij, veçmas ato referencat “rus”, “serb”, “dhëndër i Rusisë”...

Personalisht i frikohem aftësisë së Behgjet Pacollit për të krijuar skandale sa herë që ta hap gojën, natyrës së tij aventuriere në politikë apo veprimeve sharlatane që ndërmerr shpeshherë.

Në një bisedë me Nexhat Dacit, Kryetar i LDD’së, para zgjedhjeve, e pata pyetur çka nëse Behgjet Pacolli bëhet President.

“Në këtë rast, unë atij ia kisha vu mbrapa pesë CIJA (fjala për Agjencinë Amerikane të Inteligjencës)”, pat thënë ai.

***
Ndoshta Hashim Thaçi ka menduar se si do ta menaxhojë Presidentin e ri, por nuk besoj se ai e di se si ta menaxhojë partinë e tij, pas asaj që ndodhi të martën, kur sheshazi dolën ndarjet në Partinë Demokratike të Kosovës.

S’ka fjalë, kundërshtarët e tij të rinj janë Fatmir Limaj e Jakup Krasniqi, dy njerëzit më të rëndësishëm pas Hashim Thaçit në PDK.

Kjo s’është luftë parimesh, por është luftë për primat.

Hashim Thaçi duhet të ketë fat të madh për ta shpëtuar këtë parti nga ndarja e madhe dhe për të zbutur sadopak çarjen e madhe që ndodhi të martën, mes dy blloqeve të partive politike - PDK, AKR, minoritetet në njërën anë, e LDK, Vetëvendosje dhe AAK në anën tjetër.

Publikuar: 23.02.2011 | 15:45
Lexuar: 1983 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime