E diel, 9.12.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Ai vitin e kaluar, kur e kishte deklaruar pasurinë në Agjencinë Kundër Korrupsionit, ndryshe nga të tjerët, kishte kërkuar që pasuria e tij të mos bëhet publike. Pacolli këtë kërkesë për mospublikim të pasurisë e kishte bërë me arsyetimin se publikimi i pasurisë së tij është në kundërshtim me konventat ndërkombëtare, për shkak të kompanive që ka nëpër vende të ndryshme të botës, si dhe për shkak të rrezikut që mund t’i kanoset atij dhe familjes.
I kërkohet publikimi i pasurisë







Selvije Bajrami

Me gjithë privilegjet që do t’i gëzojë si president, i porsazgjedhuri në krye të shtetit, biznesmeni Behgjet Pacolli nuk do ta ketë më “luksin” që pasurinë e tij të mbajë sekret për publikun, siç kishte bërë vitin e kaluar.

Ai vitin e kaluar, kur e kishte deklaruar pasurinë në Agjencinë Kundër Korrupsionit, ndryshe nga të tjerët, kishte kërkuar që pasuria e tij të mos bëhet publike. Pacolli këtë kërkesë për mospublikim të pasurisë e kishte bërë me arsyetimin se publikimi i pasurisë së tij është në kundërshtim me konventat ndërkombëtare, për shkak të kompanive që ka nëpër vende të ndryshme të botës, si dhe për shkak të rrezikut që mund t’i kanoset atij dhe familjes.

Dy zyrtarë të Agjencisë Kundër Korrupsioni në një takim të mbajtur katër ditë para se Pacolli të marrë mandatin e presidentit, ia kanë bërë me dije atij se më nuk do të ketë tretman të veçantë dhe se pasuria e tij do të publikohet për vitin 2011, ashtu siç do të publikohet pasuria e të gjithë zyrtarëve të tjerë publikë të Kosovës.

“Me datën 18.02.2011, dy zyrtarë të Agjencisë Kundër Korrupsionit kanë pasur një takim me z. Pacolli dhe ia kanë bërë të qartë procesin e deklarimit të pasurisë për vitin 2011 dhe publikimin e pasurisë për të gjithë zyrtarët e lartë publikë”, ka deklaruar për “Zërin” shefi i Divizionit për Mbikëqyrjen e Pasurisë dhe Dhuratave në AKK, Agron Behrami.

Deklarimi i pasurisë për zyrtarët publikë do të fillojë më datën 1 mars të këtij viti dhe pritet të përfundojë me datën 31 të të njëjtit muaj, ndërsa për zyrtarët e rinj që për herë të parë e kanë obligim që të deklarojnë pasurinë, ky afat do të jetë 60 ditë.

Behrami ka bërë me dije se pasuria e tashmë presidentit Pacolli, nuk ishte publikuar në të kaluarën, ngase vetë Pacolli kishte kërkuar një gjë të tillë.

Në shkresën që Pacolli ia ka dërguar AKK-së në mars të vitit të kaluar, e që gjendet në faqen zyrtare të AKK-së, thuhet mes të tjerash se kohëve të fundit me të në Kosovë është duke jetuar familja e tij e ngushtë, për të cilët, sipas Pacollit, ekziston arsyeja reale që të jetë gjithmonë vigjilent për parandalimin e çdo rreziku, duke i parë rrethanat në Kosovë.

“Publikimi i këtij raporti do të rrezikonte sigurinë time dhe të familjes dhe njëkohësisht do të binte në kundërshtim po ashtu edhe me ligjet që e rregullojnë funksionimin e kompanive me aksione anonime në Zvicër, ku ende jam pjesë e tyre në formë të aksionarit kryesor, edhe pse jam tërhequr nga udhëheqjet e tyre”, thuhet mes të tjerash në arsyetimin e Pacollit.

Pos kësaj, Pacolli ka dhënë edhe një arsyetim tjetër, pas disa muajsh drejtorit të AKK-së, Hasan Preteni. Në letrën e shkruar më 19 maj të vitit të kaluar, Pacolli kishte pohuar se rasti i tij është i veçantë pasi që një pjesë e të ardhurave të tij, përbëhen nga shoqëri aksionare anonime, gjë që sipas tij, në Kosovë nuk rregullohen me ligj ndërsa në Perëndim, në vendet ku ka vepruar ai, janë të rregulluara.

“Të dhënat e mia në shtetin origjinë ku ato janë gjeneruar, mbrohen nga ligji për privatësinë e informatave, të cilat publikohen në raste të një persekutimi gjyqësor, e kurrsesi për konsum publik”, thuhet në letrën e dytë të Pacollit.

Kjo edhe është respektuar nga AKK, megjithatë pasurinë tashmë presidenti i Kosovës e ka deklaruar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Ndryshe nga formularët shumëfaqësh të AKK-së, ata të KQZ-së kanë vetëm dy faqe. Në këto dy faqe, Behgjet Pacolli ka treguar se merr pagë vjetore si deputet në vlerë 22 mijë euro dhe se ka të ardhura vjetore në vlerë 500 mijë euro nga pasuria dhe biznesi dhe atë përmes kompanive të ndryshme biznesi.

Por, ai nuk ka plotësuar hapësirën ku kërkohen të dhënat për paratë e gatshme që i ka deri më datën 11 dhjetor 2010. Ai në një rubrikë tjetër ka treguar se ka 210 mijë euro në një bankë dhe 190 mijë në një bankë tjetër.

Pacolli po ashtu në këtë aplikacion ka treguar se ka në pronësi Bankën Ekonomike, vlera e së cilës është 15 milionë euro, si dhe kompaninë e sigurimeve Siguria me vlerë 22 milionë euro. Aksionet, letrat me vlerë, si dhe obligacionet e Pacollit deri më datën 11 dhjetor 2010 sipas formularit të plotësuar nga vetë ai kapin vlerën 100 milionë euro. Ai po ashtu ka deklaruar se ka pasuri të patundshme, troje e shtëpi, në vlerë 26 milionë euro.

“Sikurse të gjithë zyrtarëve të tjerë, edhe pasurinë e z. Pacolli e kemi publikuar pa u sqaruar më askënd”, ka thënë shkurt, drejtoresha e Zyrës për Regjistrimin e Partive politike në KQZ, Miradije Mavriqi. (zëri)

Publikuar: 25.02.2011 | 11:44
Lexuar: 1257 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime