E diel, 16.12.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Muzeologia Sotirulla Hoxha, që është pjesë e grupit të punës shpërehet në një prononcim për ATSH-në, se një nga objektet më të reja që do përfshihen në pavion është fjalori anglish-shqip i ish-kolonelit Idriz Ruka prej 55.000 fjalësh, të cilin ai e kishte realizuar gjatë viteve të tij të burgut.
Pavioni i terrorit komunist sjell dëshmi të reja







Besi Londo

- Pavioni i Terrorit Komunsit në Muzeun Historik Kombëtar do të sjellë për vizitorët fotografi, dokumente, objekte të reja që pasqyrojnë në mënyrë kronologjike dhe tematike Shqipërinë e viteve '45-'90.

Muzeologia Sotirulla Hoxha, që është pjesë e grupit të punës shpërehet në një prononcim për ATSH-në, se një nga objektet më të reja që do përfshihen në pavion është fjalori anglish-shqip i ish-kolonelit Idriz Ruka prej 55.000 fjalësh, të cilin ai e kishte realizuar gjatë viteve të tij të burgut.

"Ajo ç'ka do të jetë ndryshe në këtë pavion është fakti se do të ketë më shumë informacion, më shumë fotografi, dokumente, objekte, të cilat falë kontributit të konsulentëve, do të plotësojnë periudhën '45-'90", tha Hoxha.

Me rihapjen e këtij pavioni nuk ndryshon vetëm emri, nga "Pavioni i Genocidit" në Pavioni i Terrorit Komunist", pasi materiale të reja të pa ekspozuara më parë do të prezantohen për vizitorët.

Vitrinat dhe stendat e pavionit do të pasurohen me objekte personale të të përndjekurve politikë si: veshje, enë, lugët, pjata prej alumini, etj, por edhe punime shkencore, dorëshkrime, ndër to dhe dorëshkrime të Pjetër Arbnorit.

Në Pavionin e Terrorit Komunist do të ketë pjesë të ndryshme si: organet e diktaturës, gjyqet e deputetëve, lëvizjet opozitare, e deri në rrëzimin e monumentit të diktatorit Enver Hoxha.

Muzeologia Hoxha tregon për ATSH-në se, "brënda pavionit do të ngrihet edhe një kinema e vogël e cila do të shfaq pamje filmike, dokumentarë që pasqyrojnë karvanin e vuajtjeve të asaj kohe".

Puna për mbledhjen e materialeve nga grupi i punës ka përfunduar, platforma është gati dhe aktualisht po përgatiten dokumentat e tenderimit pas akordimit të fondit prej 5 milion lekë nga MTKRS.

Forma dhe përmbajtja e këtij pavioni është konceptuar nga grupi i muzeologëve Enver Kushi, Fredi Gusho, Sali Kadria, Fatmir Boshnjaku, Etleva Demollari, etj.

Njëkohësisht Muzeu ka bashkëpunuar edhe me Agim Mustën, përfaqësues i Institutit të të Përndjekurve Politikë dhe Kastriot Dervishin, drejtor i Arkivit të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Ndërsa konceptimi arkitekturor është realizuar nga arkitekti Latif Lami.

Pavioni i Terrorit Komunist do të jetë në katin e dytë të Muzeut Historik Kombëtar në një sipërfaqe prej 360 metrash katrorë.

Pavioni i Genocidit u hap në vitin 1996 në Muzeun Historik Kombëtar, por në vitin 2008 ai mbyll për arsye të ristrukturimi të Muzeut. Muzeologia Sotirulla Hoxha thotë se pavioni i ri pritet të hapet brënda këtij gjashtë mujori pas kërkesave në mënyrë të veçantë të vizitorëve të huaj.

Publikuar: 25.02.2011 | 16:16
Lexuar: 2248 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime