E premte, 14.12.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Dinos Kubatis, (emri i të cilit takohet shpesh i shkruar si Dino Kubati, poet arvanitas) së bashku me kolegun e tij, shkrimtarin e njohur jo vetëm në Greqi, Kostas Valetas, kanë qenë mysafirë nderi në Mitingun e sivjetmë të poezisë.
Dy poetë që promovojnë Kosovën në Greqi










Kur Dinos Kubatis dëgjoi emrin e tij si fitues i çmimit për poezinë më të mirë të lexuar në edicionin e 47-të të Mitingut të Poezisë në Gjakovë, u ndie paksa i befasuar. Por poeti i njohur grek thotë se ka prezantuar një poezi, të cilën e kishte nxjerrë prej brenda, disa kohë pasi kishte vizituar Kosovën.

Mirëpo për të shkruar “Nuk isha në Kosovë…”, më parë i është dashur ta vizitonte vendin dhe të njihej me përjetimet e dhimbshme që ka kaluar populli i Kosovës.

“Isha i emocionuar shumë. Ishte një vendim që nuk e prisja, u nderova shumë, por edhe u gëzova për faktin që emocionova njerëzit me një poezi për Kosovën”, thotë ai. “Është një poezi që është nxjerrë direkt nga shpirti im, nga zemra ime. Këtë e kam shkruar disa kohë pasi isha në Kosovë për herë të parë, ku njoha vendin, pashë plagët e luftës e dhembjet që ka përjetuar ky popull”, shton ai gjatë një darke të shtuar për poetët pjesëmarrës në manifestimin tradicional, njofton Koha Ditore.

Dinos Kubatis, (emri i të cilit takohet shpesh i shkruar si Dino Kubati, poet arvanitas) së bashku me kolegun e tij, shkrimtarin e njohur jo vetëm në Greqi, Kostas Valetas, kanë qenë mysafirë nderi në Mitingun e sivjetmë të poezisë. Të dy ka kohë që janë lidhur me shqiptarët, ndërsa në rrethin e tyre të intelektualëve tashmë kanë edhe shumë miq nga shkrimtarët shqiptarë.

Ardhja e tyre në Kosovë ishte mundësuar falë bashkëpunimit që shkrimtarë nga Greqia dhe Kosova kanë nisur më herët, ndërsa kulmi është arritur kur në Greqi para disa javësh është botuar një libër me poezi të poetit Ali Podrimja. Për këtë Kubatis dhe Valetas kanë qenë iniciatorë. “Harta e grisur”, e Podrimjes, përkthyer nga Iljaz Bobaj, ka disa javë që po qarkullon tek lexuesit grekë, ndërsa është libri i parë i një autori kosovar që i prezantohet publikut në shtetin helen.
“Në këtë mënyrë ne tashmë kemi krijuar disa oaza kulturore, të cilat nuk janë të vogla aq sa duken, por brenda tyre janë njerëz që kanë ndikim të madh në shoqërinë greke, veçanërisht tek intelektualët. Qëllimi i këtij bashkëpunimi është që të vëmë në plan të parë njohjen e kulturës kosovare në këtë rast, e të cilën grekët nuk e njihnin aspak”, ndërhyn Bojaj.

“Harta e grisur” për shkrimtarin Kostas Valetas “është Shqipëria e copëzuar, është një komb i madh të cilin imperializmi dhe forca e kanë ndarë dhe e kanë copëtuar”.

“Por mendoj se së shpejti drejtësia do të vjen në vend”, thotë Valetas, njëherësh redaktor i librit të Podrimjes në greqisht.
Ka kohë që në shpirtin e tij ka mbjellë dashurinë për popullin e Kosovës. Për më tepër, përveç bashkëpunimit kulturor, ai tashmë në rrethin e intelektualëve po propagandon edhe për çështjen e Kosovës.
Ka dëshirë që kjo t’i kurorëzohet me njohjen e shtetit më të ri në botë nga vendi i tij Greqia. Sipas tij, ky është një realitet që nuk mund të ndryshohet.

“Qeveria greke e po ashtu edhe ajo e Qipros, do ta njohin shumë shpejt Kosovën si shtet i pavarur, dhe do të ndihmojnë për hyrjen e Kosovës në BE”, ka shprehur bindjen ai. Valetas thotë se në Greqi është ndryshuar mendimi për Kosovën si shtet.

“Disa herë kam biseduar me intelektualë të njohur. Tek ata ka ndërruar mendimi për shtetin e Kosovës. Më herët kanë qenë përkrahës të Serbisë, por tash thonë se kanë gabuar”, ka thënë Valetas, shkrimtari, i cili deri më tash ka botuar rreth 60 libra, dy prej të cilëve janë përkthyer edhe në gjuhën shqipe.

Kubatis ka bindjen se fjala e një shkrimtari çon peshë te politika.
“Është shumë e rëndësishme. Shkrimtarët janë njerëz me ndikim të madh në shoqëri”, thotë Kubatis. “Unë kam qenë edhe më parë për atë që Kosova duhet të njihet, pasi realisht Kosova është shtet i pavarur dhe funksionin si i tillë. Definitivisht duhet të njihet si një vend i tillë. E ka paguar shtrenjtë me gjak pavarësinë e saj, ashtu siç e kanë paguar edhe grekët”, shton ai. Sipas poetit të njohur, deri tash janë bërë lojëra politike dhe diplomatike, që nuk i japin rëndësinë e duhur Kosovës.

“Por dua të besoj që qoftë në Greqi dhe në shtete të tjera do ta njohin Kosovën si shtet të pavarur”, ka thënë ai.

Publikuar: 23.05.2011 | 13:06
Lexuar: 1921 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime