E hënë, 17.12.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Sipas nenit 3 pikës 6 të këtij Ligji “objektet e përfshira në Listën e trashëgimisë kulturore për mbrojtje të përkohshme duhet të jenë nën mbrojtje të përkohshme për një vit”.
Deklaratën e Pavarësisë s’e mbron Ligji për trashëgimi kulturore







Deklarata e Pavarësisë, e cila mbahet në zyrat e Kuvendit të Kosovës, nuk mbrohet nga Ligji për trashëgimi kulturore, shkruan sot “Koha Ditore” Ani pse Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore, kishte propozuar që ajo të jetë artefakti numër një në listën e përhershme për trashëgimi kulturore, përpilimi i saj tash 12 vjet pas luftës nuk është kurrkah.

Origjinali i dokumentit të shpalljes së shtetësisë së vendit, i shkruar në pergamenë, është futur në Listën për mbrojtjen e përkohshme më 10 shkurt të vitit të kaluar. Por në këtë listë artefaktet gëzojnë mbrojtje vetëm për një vit.

Sipas nenit 3 pikës 6 të këtij Ligji “objektet e përfshira në Listën e trashëgimisë kulturore për mbrojtje të përkohshme duhet të jenë nën mbrojtje të përkohshme për një vit”.

Gjejlane Hoxha, drejtoreshë ekzekutive në KKTK, dhe Arbër Hadri, drejtor i Muzeut të Kosovës, megjithëkëtë kanë bindjen se Deklaratën e mbron ligji. Pos kësaj ende nuk është rregulluar as statusi për vendndodhjen e saj të përhershme. Muzeu i Kosovës i ka bërë kërkesë Kuvendit që ajo të jetë një artefakt muzeor.

Mbrojtjes me ligj i ka skaduar afati tash tre muaj

Për Gjejlane Hoxhën ky dokument është regjistruar si objekt i luajtshëm i trashëgimisë kulturore dhe si i tillë ka hyrë në regjistrin nacional të trashëgimisë. Për të, mbrojtja e përkohshme dhe e përhershme janë njësoj.
“Mbrojtja e përkohshme dhe e përhershme është e njëjtë, por tash kërkohet që të bëhen studime se si të bëhet vendosja dhe interpretimi i saj, gjë që kërkon një elaborat prej shumë këndvështrimeve”, ka thënë Hoxha. Një gjë të tillë, sipas saj, duhet ta bëjë Muzeu i Kosovës.

“Ajo është përjetësisht e mbrojtur, por studimet sa jemi të zot ne si ekspertë t’i bëjmë, është çështje tjetër”, ka thënë ajo.
Hoxha është e bindur se duke qenë në listën e objekteve që ruhen përkohësisht, ajo gëzon mbrojtje nga shteti automatikisht, ani pse afati prej 365 ditësh - sa Ligji për trashëgimi kulturore mbron përkohësisht një monument a eksponat - ka skaduar tash tre muaj.
“Ajo është e futur në regjistrin nacional apo në inventarin e trashëgimisë kulturore, që nënkuptohet që është lista e shtetit për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore”, ka thënë Hoxha.
Idenë që Deklarata e Pavarësisë së Kosovës të shkruhej në pergamenë e kishte dhënë Muzeu i Kosovës. Arbër Hadri, që edhe kur është shpallur pavarësia e Kosovës, më 17 shkurt 2008, ka qenë drejtor i Muzeut të Kosovës, thotë se Deklarata duhet të jetë në mesin e eksponateve që patjetër të futet në mbrojtje të përhershme.

Por ai nuk e di saktë se kur mund të ndodhë një gjë e tillë. Tash 12 vjet pas luftës institucionet e vendit nuk po mund të finalizojnë listën e përhershme për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore. Lista pret të rifreskohet tash gati katër dekada.
“Kjo duhet të bëhet në të ardhmen e afërme. Duhet të ndodhë brenda këtij viti”, ka thënë Hadri.
Ai ka thënë se ka njoftuar Kuvendin e Kosovës se Deklarata është në listën e përkohshme të objekteve të mbrojtura. Si e tillë, Hadri thotë se është i bindur që ky dokument gëzon mbrojtje njësoj si të ishte në listën e përhershme.

Në bazë të Ligjit për trashëgimi kulturore, të miratuar në Kuvendin e Kosovës, në vitin 2006, “vendimi për përfshirjen e objekteve në Listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përhershme të përcaktuar nga Këshilli i Kosovës për trashëgimi kulturore, nënshkruhet nga ministri, me ç’rast hyn në fuqi mbrojtja e përhershme e tyre me këtë ligj”. Përveç kësaj, në nenin 4 pika 4 të këtij ligji thuhet se edhe “Lista e trashëgimisë kulturore do të jetë e hapur për publikun”.

Për Sali Shoshin, drejtor i përfaqësisë në Kosovë i organizatës suedeze “Trashëgimia pa kufij”, Deklarata është një dokument unik që ka qenë dashur të hyjë moti nën mbrojtje të përhershme me ligj.


Deklarata, ende pa adresë të përhershme

Prej se është shpallur Pavarësia e Kosovës, Deklarata e shkruar nga grafiti Shyqri Nimani, mbahet në Kuvendin e Kosovës. Muzeu i ka bërë kërkesë që ta marrë nën mbrojte Deklaratën.
“Segment kryesor i trashëgimisë kulturore është prezantimi i saj”, ka thënë Hadri, teksa ka garantuar se kanë kushte ta ruajnë atë. Sipas tij, nëse Kuvendi dëshiron ta mbajë, duhet të investojë në krijimin e kushteve për një mbrojtje dhe ruajtje adekuate.

“Ajo kërkon temperaturë dhe lagështi të veçantë”, ka thënë Hadri.
Në anën tjetër, Ismet Krasniqi, sekretar i Kuvendit të Kosovës, ka thënë se Muzeu nuk ka kushte për ta mbrojtur Deklaratën.
“Konsiderojmë se tek ne është shumë më e sigurt, ngase së pari objektin e ruan policia. Gjithashtu ajo mbrohet në kushte të dritës dhe lagështisë të përshtatshme për llojin e letrës papirus (sic!) në të cilën është shkruar”, ka thënë Krasniqi.

Ai ka treguar se Deklarata ruhet në një dhomë të posaçme të Kuvendit të Kosovës. Ekspozohet vetëm në përvjetorë.
Sipas Sali Shoshit, mbajtja e Deklaratës nga Kuvendi i Kosovës nuk është e jashtëligjshme, por është punë që duhet të rregullohet me komunikim mes institucioneve.

“Ajo është çështje që duhet të vendosin institucionet. Nëse bëhet artefakt muzeor, atëherë publiku duhet të ketë qasje në të. Kish qenë mirë që ai të jetë një artefakt muzeor, në mënyrë që njerëzit të kenë mundësi ta shohin”, ka thënë Shoshi.
Edhe Gjejlane Hoxha është e bindur se Kuvendi i Kosovës ka kushte për ta ruajtur Deklaratën.

“Ajo është te krijuesi, te Kuvendi i Kosovës dhe aty për momentin janë kushtet të ruhet origjinali, sepse kërkohet shumë përgjegjësi që ta ruajë atë”, ka thënë Hoxha. Por për vendin e saj të përhershëm, Hoxha hedh një tjetër ide.
“Ajo kërkon një muze të veçantë, që e ka çdo shtet në botë, e që është muzeu i pavarësisë”, ka thënë ajo.

Deklarata e Pavarësisë së Kosovës sot mund të gjendet e reprodukuar në shumë objekte afariste anembanë. Aktualisht, nuk është e rregulluar as kjo çështje. Për Hadrin kjo i ka dy anë të medaljes.
“Së pari është mirë që ajo bëhet pjesë integrale e popullit të Kosovës, por nga ana tjetër përdorimi i saj në objekte të ndryshme duhet të bazohet mbi leje të marrë nga institucioni gjegjës”, ka thënë Hadri. “Por kjo çështje nuk është rregulluar ende”, ka shtuar ai.

Publikuar: 27.05.2011 | 11:00
Lexuar: 2675 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime