E hënë, 17.12.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

“Bënça ka kushte të favorshme klimaterike. Kjo ka ndikuar në zhvillimin e kulturave drunore, të bimëve dhe të gjësë së gjallë”, thekson Spaho, 55 vjeç, babai i dy fëmijëve të rritur. Sipas tij, blegtoria është e zhvilluar, ka një klimë të mrekullueshme, si dhe burime ujore të pafundme.
Bënça, fshati që mburret me këngën dhe traditën labe



E favorizuar nga natyra, banorët “fanatikë” për të qëndruar

Pranvera në Bënçë, rreth 6 km në jug të Tepelenës, ka ardhur përpara kohe dhe, siç thotë Bajram Spaho, çoban, ky fshat është i bekuar nga Zoti.

“Bënça ka kushte të favorshme klimaterike. Kjo ka ndikuar në zhvillimin e kulturave drunore, të bimëve dhe të gjësë së gjallë”, thekson Spaho, 55 vjeç, babai i dy fëmijëve të rritur. Sipas tij, blegtoria është e zhvilluar, ka një klimë të mrekullueshme, si dhe burime ujore të pafundme.

“Qyteti i Tepelenës shuan etjen nga uji i Bënçës”, mburret Spaho, ndërsa nënvizon se aktualisht në fshat jetojnë 40 familje me 200 banorë nga 300 familje që ekzistonin tre shekuj më parë.

Më tej, Spaho tregon se Bënça ka një sipërfaqe 5001 hektarë, prej të cilave 105 hektarë tokë buke, 7 hektarë tokë frutore, 21 hektarë vreshta, 220 hektarë kullotë, 2225 hektarë pyje, 390 hektarë sipërfaqe shkëmbore, 3 hektarë sipërfaqe banimi, ndërsa pjesa tjetër livadhe. Spaho shton se Bënça kufizohet në jug nga fshati Lekdush, në lindje nga Luzati, ndërsa në perëndim ndahet nga fshatrat Veliqot dhe Turan.

“Rrushi dhe qumështi janë me nam”, shprehet Spaho, mbarështues i 80 krerëve dele, sakaq thekson se emri Bënçë vjen nga ilirishtja që me themelimin e tij në shekullin II pas erës sonë.

Ai sqaron se në luginën e Bënçës kanë jetuar disa fise ilire si, Bishqevi, Bathesi, Bukshi, Dilqni, Ludova e Tola. “Atëherë këto fise jetonin në autonomi nga njëri-tjetri”, pohon ai.

Ndërkaq, Tahir Barka, 70 vjeç, babai i katër fëmijëve, i cili ndjek bisedën, tregon se fshati Bënçë është mbipopulluar në shekullin e 17-të nga fise të mëdha, të shpërngulur nga hasmëria.

“Unë origjinën e kam nga Bodrishta e Gjirokastrës, sot zonë minoritare. Dikur kemi qenë fis i madh”, kujton Tahiri. “Me Barkat e Bodrishtët kemi lidhje gjaku. Ata janë arvanitas, ndërsa ne shqiptarë”, shton Tahiri, duke kujtuar se gjatë sundimit 500-vjeçar otoman, 49 burra janë shpërngulur njëherësh nga Bodrishta në Bënçë për të shmangur gjakderdhjen.

“Në Bënçë kemi gjetur mirëpritjen e banorëve”, thotë Tahiri, duke cituar gjyshin e tij, ndërsa nënvizon se fisi Barka nuk ka ekzistuar kurrë në Greqi. Për të, në fshatin Bënçë ka edhe emra të huaj si, romakë, sllave, islamik, pasi, sipas tij, këto kanë ardhur si rezultat i periudhave të ndryshme historike të pushtuesve. “Deri në shekullin 6-të para erës sonë nuk ka pasur besime fetare. Feja e parë ka lindur në shekullin 12-të. Ajo ishte katolike dhe islamike.

Ndërsa në shekullin 16-të bençorët ishin të besimit Muhamedan”, sqaron Tahiri, i cili pretendon se e njeh në pëllëmbë të dorës historinë e fshatit të Bënçës. Ai thotë se gjatë sundimit të Ali Pashë Tepelenës në Bënçë u ndërtuan shumë vepra, një nga këto ishte ujësjellësi, por regjimi komunist e dëmtoi, pasi, siç thotë ai, restauratorët në “vend të hiqnin vetulla, i nxorën syrin”. “Nga 24 harqe prej guri, vetëm 6 kanë ngelur”, shprehet Barka, ndërsa mburret se banorët e fshatit nuk e kanë braktisur vendlindjen, përkundrazi kanë ndërtuar jetën e tyre. T. Skuqi

Publikuar: 13.07.2011 | 13:03
Lexuar: 2522 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime