E shtunë, 17.11.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

“Bukureshti dikur është quajtur Parisi i Vogël. Gjithçka u ndërtua duke e imituar atë”, iu përgjigj shoferi habisë së fytyrës sime. “Por Çaushesku nuk i kishte qejf vilat. Ai preferonte pallatet e mëdha, kështu që aty ku pati mundësi, shkatërroi dhe ndërtoi” (Çaushesku, diktatori rumun, do të më shoqëronte në të gjitha ditët e mia në këtë qytet).
22 vjet pas Çausheskut


Nga Arlinda Gjypi

Mbërritja në aeroportin e Bukureshtit në orën 8:00 të mbrëmjes dhe ajri i nxehtë që thuajse të merrte frymën, nuk ishte shumë shpresëdhënës. Ndërkohë, kolegu im vazhdonte të këmbëngulte se ky aeroport 7 muaj më parë nuk ekzistonte. Madje, për hir të profesionit, nisi të thoshte cilat punime nuk ishin bërë siç duhej, në mënyrë që të vidhnin para mjaftueshëm, por edhe të deklaronin se punën e kishin bërë.

Jashtë shoferi priste me një tabelë në dorë ku ishin shkruar emrat tanë. Nuk mund të them se të gjithë shoferët janë llafazanë, por ky ishte tmerrësisht i tillë. Fjalë pa fund për të përshkruar se politikanët në Rumani ishin të gjithë të korruptuar dhe vidhnin. M’u duk vetja ende në Tiranë ndërsa ai përsëriste: “Ne në Rumani themi: nëse do të vjedhësh, mos e përdor gishtin e madh, kështu të paktën, nuk merr gjithçka. Por këta vetëm vjedhin…”

Por ndërsa qyteti nisi të shfaqej, m’u duk se natyra njerëzore ishte gjithnjë e pakënaqur. U mahnita nga ajo ç’po shihja. Parqe të pafundme në të dyja anët e rrugës që na “ndiqnin” përgjatë udhëtimit, ndërtesa të stilit barok, rrugë të gjera, lulishte në mes të rrugëve dhe më pas “Harku i Triumfit”.

“Bukureshti dikur është quajtur Parisi i Vogël. Gjithçka u ndërtua duke e imituar atë”, iu përgjigj shoferi habisë së fytyrës sime. “Por Çaushesku nuk i kishte qejf vilat. Ai preferonte pallatet e mëdha, kështu që aty ku pati mundësi, shkatërroi dhe ndërtoi” (Çaushesku, diktatori rumun, do të më shoqëronte në të gjitha ditët e mia në këtë qytet).

Përsëritjet e kolegut tim gjatë kohës në avion se Bukureshti ishte një qytet shumë i bukur, nuk kishin pasur asnjë efekt deri në momentin e përballjes me kryeqytetin e një vendi postkomunist. M’u desh të hidhja poshtë gjithë paragjykimet e faktit se Rumania ishte thjesht një vend si gjithë të tjerët në Ballkan, vende të cilat komunizmi i kishte shkatërruar. Kjo nuk kishte lidhje me atë që po shihja. Të paktën jo me Bukureshtin.
22 vjet pas Çausheskut

Mbërritja në hotel ishte normale. Pas darkës, një shëtitje në mesnatë nëpër qytetin ku nxehtësia të bënte të mendoje se ishe më pranë Ekuadorit. “Për shkak se Bukureshti është i sheshtë dhe nuk ka male pranë”, më shpjeguan. Një pallat i madh dhe i pafund, me ca gri në të dhe dritare jo kushedi ma ktheu vëmendjen në vendin tim. “T’i bëjmë një foto kësaj për të treguar se edhe Bukureshti ka probleme”, thashë me të qeshur, megjithëse ishte një mendim që nuk e realizova. Nuk ia vlente të prishje panoramën për një gjë të tillë.

Të ecësh në vizat e bardha në Tiranë (apo kudo tjetër) do të thotë të presësh të ndizet “burri jeshil”, të sigurohesh se makinat nga të gjitha drejtimet kanë ndaluar dhe se ti je e sigurt për të kaluar. Në Bukuresht u ndjeva e respektuar nga drejtuesit e mjeteve. Pavarësisht shpejtësisë (që për të qenë të sinqertë, e linte pas atë të shoferëve në Tiranë), këmbësori respektohej në momentin që shkelte “zebrat”

“Shtëpia e njerëzve” ishte vërtet diçka për mos t’u humbur. Godina e dytë më e madhe në botë pas Pentagonit, në Amerikë. Për të vizituar vetëm një pjesë të saj, e hapur për publikun, duheshin të paktën dy orë. Ishte e ndërtuar nga Çaushesku dhe për të kishin punuar 700 arkitektë. Gjithçka ishte bërë siç kishte dashur ish-diktatori, i ekzekutuar në 1989-n gjatë revolucionit ku mbetën të vrarë mbi 1600 vetë.

Rumunët krenoheshin me të, pavarësisht se, siç më treguan, në kohën e ndërtimit të saj, Rumania kishte vetëm 4 orë energji elektrike në ditë dhe 20 orët e tjera rrinin në errësirë, pasi po ndërtohej “Shtëpia e Çausheskut”. “Çdo rumun ka sakrifikuar për atë godinë dhe ka dhënë një pjesë të vet për të”, më tha Simona, me të cilën ishim bashkë gjatë vizitës. Ciceroni na bëri të ditur se gjithçka e përdorur për Shtëpinë e njerëzve ishte prodhim rumun: ari, mëndafshi, mermeri, druri, gjithçka.
22 vjet pas Çausheskut

Bukureshti mbahet mend për jetën e natës. Në fakt, shumë prej shqiptarëve Rumania u kujton vajzat që njihen për namin jo të mirë mes nesh (fundja, edhe shqiptarët nuk kanë një emër të mirë jashtë), por gjithsesi ajo çka shihet atje, është shumë e ndryshme. Lokalet janë plot dhe mëngjesi mund të të gjejë përpara një gote birrë në rrugë, ku veç teje ka edhe plot të tjerë të rinj, të cilëve muzika vazhdon t’iu mbajë peng gjumin.

Fundjava është e bukur. Jo thjesht për faktin se Bukureshti ka plot parqe ku familjet mund të shkojnë e të qëndrojnë. As për shkak të liqeneve (ku këshilla më e mirë është të mos lahesh) që kanë një gjatësi për t’u admiruar dhe përqark të cilëve mund të biesh nga pesha. Një kompani private kishte mundur të merrte lejen e Bashkisë së Bukureshtit për të bllokuar një nga rrugët kryesore të qytetit, duke e kthyer atë në një vend argëtimi për të rinjtë (dhe familjet).

Në një gjatësi të konsiderueshme (anash rrugës ishte parku) ishin vendosur tavolina pingpongu, rrjeta volejbolli, tabela basketbolli, biçikleta me të cilat mund të bëje shëtitje. Gjithçka ishte falas. Objektet instaloheshin të premten pasdite dhe qëndronin aty deri në orët e para të mëngjesit të së hënës. Përshtypja kryesore e organizatorëve? “Çuditërisht askush nuk ka vjedhur asgjë dhe të premten njerëzit na presin që të na ndihmojnë për instalimin e pajisjeve”. Një mënyrë e mirë për t’iu gëzuar fundjavës.

Një orë ecje në Bukuresht nuk është ide e keqe. Më mirë akoma nëse bëhet në mëngjes. Mund të shohësh më shumë seç të japin mundësi udhëtimet me programe të fiksuara. Veç rrugëve të shumta me të gjithë sinjalistikën në rregull, ajo çka të bën përshtypje, është larmishmëria e godinave. Secila prej tyre një stil i ndryshëm e secila të bën të ndalosh dhe të përqendrohesh për të shijuar bukurinë e saj.

Një nga gjërat që më habiti vërtet në Bukuresht, ishte muzeu i fshatit. Ekzistonte që në 1930-n dhe ishin munduar ta pasuronin vit pas viti. Në të mund të shikoje shtëpitë tradicionale të 4 krahinave të Rumanisë, duke filluar nga Transilvania (me shtëpitë karakteristike hungareze) e duke përfunduar në shtëpitë prej balte e ato të ndërtuara gjysmë nën tokë. Perdet dhe qilimat e punuar me dorë, varfëria dhe pasuria e dikurshme ishte shumë e dukshme, ndërsa pranë shtëpisë së “beut” ndodhej edhe ajo e “argatit”.
22 vjet pas Çausheskut

“Kemi ende shumë për të bërë”, tha kryebashkiaku i Bukureshtit në një takim me gazetarë të huaj në kuadër të promovimit të këtij qyteti: një unazë e tretë për Bukureshtin, një stadium madhështor, vendparkime të shumta, ndërsa ajo që më mbeti ndërmend, ishte një urë që kalonte mbi rrugët e qytetit dhe që përbënte në vetvete një investim gjigant dhe që lehtësonte trafikun e mbi 3 milionë makinave që zotëronte qyteti me 2.8 milionë banorë.

“Hera e fundit në këtë qytet ishte gjashtë vjet më parë dhe që atëherë ka një ndryshim të paimagjinueshëm”, ishin fjalët e një gazetari britanik, pjesëmarrës i takimit me gazetarë të Evropës Juglindore, organizuar në Bukuresht në korrik nga “Forum Invest”. E njëjta gjë u përsërit nga kolegu im, i cili kishte vetëm 7 muaj që ishte larguar nga Rumania. “Po përpiqemi të bashkëpunojmë”, na tha organizatorja e takimit, “në mënyrë që të bëjmë më shumë. Të vetëm nuk do t’ia dilnim mbanë”.

Largimi nga Bukureshti nuk ishte i vështirë. Unë e dua Tiranën. Aty kam njerëzit e mi, aty kam ndërtuar jetën time. Por, teksa kthej kokën pas, mendoj: si një vend postkomunist që kemi vite që e justifikojmë veten me diktaturën, kur do të mund të bëhemi, të paktën, të ngjashëm me Bukureshtin?

1927

Krijohet në Rumani një parti e fortë fashiste e quajtur zyrtarisht “Legjionet e Kryeëngjëllit Mikael”. Kjo parti kishte trupat e veta paramilitare të quajtura “Garda e Hekurt” dhe visheshin me jeshile. Veprimet e tyre ishin aq monstruoze, sa edhe Hitlerit iu desh të urdhëronte një Qarkore për ti kufizuar ato.

1921

Është viti kur Moldavia u bë pjesë përbërëse e Rumanisë së madhe. Ajo qendroi pjesë e mbretërisë deri më 1940, e përsëri nga 1941-1944. Në Moldavi flitet rumanisht, dhe më parë se të bëhej pjesë e Rumainsë së Madhe kishte qenë pjesë e Besarabisë.

1966

Viti kur Çaushesku filloi të merrte masa kundër rënies së popullsisë. Prezervativët, gjendeshin me shumë vështirësi, u ndaluan abortet për gratë nën 40 vjeç, dhe grave të martuara nën 40 vjeç u ndalohej të përdornin kontraceptivë. Këto masa shiheshin me tmerr nga bota e jashtme dhe ishin tepër jo-popullore në Rumani. Në mes të viteve ’80, Çaushesku ngriti “policinë e bebeve” që i detyronte gratë e martuara pa fëmijë (nën 45 vjeç) të bënin teste poshtëruese gjinekologjike. Si rezultat i këtyre masave, numri i shtatzanive të padëshiruara u rrit dhe njerëzit, thjesht i braktisnin bebet. Prandaj fundi i viteve ’80 e gjeti Rumaninë me një numër të madh jetimësh.

1,944,367

Është popullsia e Bukureshtit sipas numërimit të janarit, 2009. Por, të dhënat jozyrtare konsiderojnë se popullsia i kalon të 3 milionët. Bukureshti është qyteti i 6-të më i madh në Bashkimin Evropian për sa i përket numrit të popullsisë që jeton brenda kufinjve të qytetit.

Fotot te realizuara nga: Voros Szabolcs

Publikuar: 01.08.2011 | 13:38
Lexuar: 2240 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime