E diel, 9.12.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

“Fletarrestimet kanë emrat e gjashtë personave, tre prej të cilëve nuk gjenden në Kosovë”, thanë për “Zërin” këto burime, duke kërkuar që të kursehen sa i përket identifikimit të tyre, sepse “këta janë njerëz të rrezikshëm që kanë grupe të armatosura prapa vetes”.
Gjashtë fletarrestime për veriun









Rrugëtimi i gjatë i EULEX-it dhe Policisë së Kosovës që me ndihmën e KFOR-it, të kapin personat që dyshohet se qëndrojnë prapa dhunës në veri, tashmë ka nisur, ndonëse për këtë asnjë prej institucioneve nuk ka dëshirë të flasë zyrtarisht.

Burime vendore dhe ndërkombëtare që merren me çështje të sigurisë i kanë thënë “Zërit“ se përpjekjet e para për arrestimin e këtyre personave kanë dështuar kohë më parë, nga rreziku i madh i përballjes me grupet e armatosura që gjenden në atë pjesë të Kosovës dhe rrjedhja e informatave që bëhet para aksioneve.

“Fletarrestimet kanë emrat e gjashtë personave, tre prej të cilëve nuk gjenden në Kosovë”, thanë për “Zërin” këto burime, duke kërkuar që të kursehen sa i përket identifikimit të tyre, sepse “këta janë njerëz të rrezikshëm që kanë grupe të armatosura prapa vetes”.

Një zyrtar ndërkombëtar shtoi se “e keqja më e madhe në veri është se askush nuk e di se po i hyjmë kësaj pune e deri ku do të shkohet, pasi nuk mund të bëhet një vlerësim i qartë nëse do të ketë pak apo shumë të vrarë, apo nëse gjakderdhja mund të evitohet. Atje (në veri) ka njerëz të gatshëm për gjithçka dhe ata që dalin në bllokada dhe janë të armatosur janë njerëz që lirisht mund të quhen racistë ndaj gjithçkaje që nuk është serbe”.

Sipas vlerësimeve të zyrtarëve që merren kohëve të fundit pothuajse kryekëput me situatën në veri, thonë se ndikimi i Beogradit është i padiskutueshëm te disa grupe njerëzish në veri, megjithëse ka të atillë që kërkohen jo vetëm nga drejtësia e Kosovës. “Ka disa prej tyre që kanë dosje edhe në Serbi apo dhe në Mal të Zi, për krime të kryera në këto dy vende, me një fjalë janë persona që e kanë vetëm një interes dhe ai është paraja e bërë në mënyrë shumë të lehtë”, thotë një nga këto burime.

Pavarësisht që zyrtarët ndërkombëtarë janë shumë të rezervuar për atë se kush janë personat që do të arrestohen, NATO duket se e ka shumë të qartë se kush me çfarë merret në veri. Së fundi, portali lajmeshqip.com ka publikuar dokumente sekrete të NATO-s për disa nga personat që konsiderohen si bossat e krimit ekonomik dhe etnik në veri, në mesin e të cilëve janë dhe Marko Jakshiq dhe Oliver Ivanoviq, ky i fundit tani sekretar i të ashtuquajturës Ministri për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.

Sidoqoftë, këto dokumente nuk do të thotë domosdoshmërisht se çojnë deri te personat që po kërkohen, pasi ato ka shumë vjet që janë shkruar.

Ekskavatori i “Srbija Šume”, çon te Beogradi për Portën 1?

Mundësia që këta persona të kenë dijeni për mundësinë e arrestimeve mund të jetë verifikuar edhe të dielën në mëngjes kur njësitë e EULEX-it u bllokuan para objektit të Agjencisë shtetërore serbe për Mbrojtjen e Pyjeve, “Srbija Šume” nga serbët që u tubuan sipas skenarëve të njëjtë si për aksionin e ROSU.

Vetëm pas sqarimit të KFOR-it se nuk po bëhet përpjekje për arrestimin e ndonjë personi, ekipet e EULEX-it janë lënë të lirë që të kryejnë punën për çfarë kishin shkuar në Leshak të Leposaviqit, ku gjendet, “Srbija Šume”.

Prokuroria e EULEX-it kishte dhënë urdhër për konfiskimin e një ekskavatori, i cili besohet se ishte përdorur për shkatërrimin e pikës kufitare Porta 1, ekskavator ky që pas asaj ngjarjeje ishte zhdukur. Sidoqoftë, nëse verifikohet se ai i takonte kësaj agjencie shtetërore serbe, atëherë pa dyshim se kjo mund të përdoret si element që e përfshin edhe vetë Beogradin në shkatërrimin e Portës 1, pasi “Srbije Sume” financohet nga shteti i Serbisë.

Zyra për informim e EULEX-it e konfirmon konfiskimin e pajisjes, mirëpo nuk komenton më shumë nëse kjo çon te ndonjë adresë e veçantë e atyre që qëndrojnë prapa shkatërrimit të Portës 1.

Në prononcimin e Zyrës për informim të misionit për sundim të ligjit megjithatë konfirmohet se aksioni i së dielës ka të bëjë me ngjarjet e fundit të veriut, ku ndër të tjera është djegur Porta 1.

"Prokurorët e EULEX-it e kanë autorizuar një operacion mëngjesin e së dielës në veri të Kosovës në lidhje me hetimet që udhëhiqen nga prokuroria e EULEX-it. Ky ishte një operacion i përbashkët mes policisë sonë dhe Policisë së Kosovës, i ndihmuar nga KFOR-i. Këto hetime kanë të bëjnë me ngjarjet e fundit në veri të Kosovës”, thuhet në përgjigjen e EULEX-it ndaj pyetjes së “Zërit”.

Një zyrtar i një misioni tjetër ndërkombëtar në Kosovë kujton për “Zërin” se pak çaste para se të niste shkatërrimi dhe djegia e Portës 1, ai e ka parë të njëjtin ekskavator para pikës kufitare, i gatshëm për përdorim.

“E kam parë vetë se si çelësat kanë qenë të vendosur në të, shumë pak minuta para nisjes së shkatërrimit të kufirit. Tani e kam të qartë se plani për shkatërrimin e Portës 1 nuk ka qenë diçka e rastësishme, por pjesë e një plani të përgatitur paraprakisht, ndërsa gjetja e njeriut që e udhëhiqte atë, mund të sqarojë shumëçka”, thotë ky zyrtar.

Publikuar: 22.08.2011 | 12:58
Lexuar: 1047 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime