E mërkurë, 19.12.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Para 131 vitesh, si edhe të gjithë popujt e tjerë të Ballkanit të cilët ishin nën okupimin osman, edhe shqiptarët vepruan për të fituar shtetin e tyre të pavarur, u tha në ligjëratë.
Në USHT u shënua 131 vjetori i Lidhjes së Prizrenit







Në organizim të Katedrës së historisë pranë Universitetit shtetëror në Tetovë, sot u mbajt ligjëratë për rëndësinë e Lidhjes së Prizrenit në formimin e shtetit shqiptar.

Para 131 vitesh, si edhe të gjithë popujt e tjerë të Ballkanit të cilët ishin nën okupimin osman, edhe shqiptarët vepruan për të fituar shtetin e tyre të pavarur, u tha në ligjëratë.

"Shqiptarët ishin të ndarë në katër vilajete, ndërsa njëra nga kërkesat kryesore ishte të bashkoheshin në një vilajet. Krahas dy vilajeteve të cilët ndodheshin në Shqipëri, kërkohej t'i bashkoheshin edhe vilajeti i Manastirit dhe ai i Kosovës. Por, kërkesa e tyre nuk hasi në mbështetje të askujt", tha prorektori i USHT-së, Fejzullah Shabani.

Në pyetjen gazetareske nëse shqiptarët edhe sot, ashtu si para 131 viteve synojnë bashkimin, Shabani tha se sot, shqiptarët janë të fokusuar në qëllime të tjera.

"Synojmë Bashkimin Evropian dhe ardhmërinë. Të kemi regjim pa viza, ndërsa kufijtë ndërmjet vendeve të Ballkanit të jenë vetëm formalitet", tha Shabani.

Me një platforme ideologjike e një program politik kombëtar, me një strukturë organizative të shtrirë në të gjithë viset shqiptare e të përbërë nga organet lokale e qëndrore, me ushtri dhe me një veprimtari të gjerë propagandistike dhe kulturore, Lidhja Shqiptare e Prizrenit luftoi për çlirimin e vendit nga robëria osmane, për mbrojtjen e tërësisë territoriale të atdheut dhe për formimin e shtetit shqiptar.

Politikisht dhe ideologjikisht kjo Lidhje u formua në kohën kur po ndihej jehona e revolucioneve çlirimtare të Europës dhe Ballkanit. Formimi i saj u përshpejtua pas Traktatit të Shen Stefanit, i cili e gjymtonte tërësinë territoriale të Shqipërisë. Ajo u themelua nga Kuvendi Kombëtar i Prizrenit ku morën pjesë përfaqësues të viseve të ndryshme shiptare dhe ku gjithashtu u miratua statuti dhe "Urdhëresa" ku trajtoheshin aspekte organizative, politike dhe ushtarake të saj.

Lidhja Shqiptare e Prizrenit ngriti pothuajse kudo degë të saj , krijoi një front të gjërë patriotik duke kapërcyer dallimet klasore , fetare dhe krahinore dhe u bë një forcë e organizuar , duke fituar një autoritet të padiskutueshëm në mbarë vëndin.Lidhja Shqiptare e Prizrenit ngriti me forcë para Qeverisë Osmane çështjen e bashkimit të të gjitha trojeve shqiptare në një njësi më vete politiko-administrative, që Porta e Lartë në mënyrë të vendosur e kundërshtoi.

Ajo dërgoi në pranverë të vitit 1879 një delegacion të kryesuar nga Abdyl Frashëri, tek Fuqitë e Mëdha të Europës, i cili mbrojti para tyre çështjen kombëtare shqiptare duke kërkuar njohjen e popullit shqiptar si një të pandarë , respektimin kundrejt tij të parimit të kombësisë, dhe ruajtjen e tërësisë territoriale të tij. Ndër betejat më të rëndësishme të kryesuara nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit ishte mbrojtja e Plavës dhe Gucisë , e Hotit dhe e Grudës.

Lëvizja për mbrojtjen e tërësisë territoriale u shoqërua me luftën për autonomi. E tronditur nga kjo veprimtari e fuqishme "I sëmurii Bosforit" ,Qeveria Osmane, hodhi forca të mëdha ushtarake për ta shtypur atë. Në mars te vitit 1881 u pushtua qëndresa e fundit, Shkupi dhe anëtarët e komitetit të Lidhjes së qytetit u internuan.

Edhe pse u shtyp Lidhja Shqiptare e Prizrenit pati një rëndësi të madhe në historinë e popullit shqiptar. Epopeja e madhe që ajo shkroi i dha një shtytje të re Lëvizjes Kombëtare duke ushtruar ndikim të madh në luftrat e mëvonshme për liri. Luftën e tyre për çlirim mbarëkombëtar shqiptarët e mbështetën në idetë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në përvojën e saj politike organizative dhe ushtarake. Në Lidhje morën pjesë figura të shquara si Abdyl Frashëri, Sulejman Vokshi, Iljaz Pashë Dibra, Ymer Prizreni etj.

Publikuar: 10.06.2009 | 19:23
Lexuar: 1788 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime