E diel, 16.12.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

I zhgënjyer keq nga njerëzit, as që e ktheja kokën prapa, hapat i hidhja me nxitim drejt asaj rrugice që gjarpëronte përmes fushës, doja të isha sa më larg e të mos dëgjoja asnjë zë
Ndjekja e kameleonit






Shkruar nga Ahmet Selmani


I zhgënjyer keq nga njerëzit, as që e ktheja kokën prapa, hapat i hidhja me nxitim drejt asaj rrugice që gjarpëronte përmes fushës, doja të isha sa më larg e të mos dëgjoja asnjë zë. Thjesht kisha vendosur të ikja prej të gjithë atyre që më kishin rethuar, sepse ishin bërë helm për mua. Tek barisja e ndieja se dëshpërimi ishte dallëgëzuar në shpirtin tim si ndonjë enë e madhe të cilën e bart mbi kokë, që të pikon pandërprerë, që të lag e të bën qull. E unë nuk ndalesha duke rendur tutje si ndonjë i marrë. Vallë, për ku jam nisur kështu, e pyesja veten duke mos e ndalur hovin.
Por zhgënjimi ishte aq i madh sa nuk mendoja më për t'u kthyer prapa. Më shumë se për çdo gjë tjetër, pas të gjitha atyre përjetimeve, unë kisha nevojë për qetësi. Po si ta gjeja atë në këtë botë kaq të zhurmshme? Në kokë vazhdimisht më sillej një përfytyrim për vetminë. Ndaj nisa t'i kujtoja të gjitha ato që ishin ngulitur në kokën time, thjesht që kishin të bënin me vetminë njerëzore. Mbi të gjitha, Robinson Krusoja më rrinte si një kështjellë e madhe së cilës i sillesha rrethepërqark, doja të hyja brenda, të strukesha aty. Atë e përfytyroja si një vetmi tepër të virgjër. Aty çdo gjë niste nga fillimi.
Kështu renda drejt rrugicës fushore, dhe pasi kisha ecur më tepër se një orë në mes të asaj vape gushti që të piqte, ndjeva nevojë për freski. Shikova gjithandej mos po më zinte syri ndonjë vend të qetë. Pas pak, në afërsi e pashë një hije dardhe. Vendosa të ndalem aty dhe të marr pak frymë. Vetëm unë ndodhesha aty, s'dukej asnjeri tjetër. Pasi u drejtova drejt hijes, ndjeva një labërgim në shpirt dhe m'u duk se aty do ta gjeja ishullin e Robinson Krusosë. Pikërisht kur isha duke u çapitur, mbi disa gurë që ndodheshin në një gardh, befas dëgjova që diçka lëvizi. Ç'është kjo qenie që lëviz në këtë vetmi natyrore, pyeta veten tërë kureshtje. Megjithëse një kohë mbeta si i shtangur, pa ditur ç'të bëja, dikur vendosa ta sodisja atë qenie. Dhe, pas një kohe të shkurtër, kur u afrova te gardhi, ajo qenie sërish lëvizi. Nuk m'u desh shumë kohë për ta kuptuar se ishte një kameleon. Të them të drejtën, mezi e dallova, ngaqë e kishte marrë ngjyrën e gurëve. Ai pothuajse ishte bërë gurë. Po të mos e kisha pikatur më parë, mbase edhe kam mundur të ulem mbi të. Por ja që deshi fati dhe e hetova me kohë. E, kjo më bëri kureshtar të madh për këtë qenie aq të pëshpëritur nga njerëzit.
Pastaj mendova gjerë e gjatë për të pa lëvizur fare nga vendi. Kisha dëgjuar shumë herë për kameleonin, por nuk e mbaja mend se a kisha parë ndonjëherë me sy. Ndoshta edhe e kisha përdorur ndonjëherë këtë fjalë, por nuk e di në ç'kontekst dhe për ç'farë qëllimi. Sido që të ishte, tani që kisha ikur nga njerëzit ndodhesha pranë një kameleoni, një qenieje krejtësisht tjetër. Mendja ma thoshte se me të do të gjeja pak qetësi shpirtërore, sepse njerëzit gati më kishin çmendur. Por çuditërisht përfytyrimi për njerëzit nuk më hiqej nga koka. Ata i shihja edhe te kameleoni, në hijen e tij, në ngjyrën e tij…
Megjithatë vendosa që ta ndjek atë se ç'do të bënte. Kur unë iu afrova edhe më tepër, ai përsëri lëvizi nga gurët. Tani u fut në disa ferra dhe heshti si kufomë. Për një kohë të shkurtër, tek e vidhja me sy, pak nga pak ai nisi të ndryshonte. Kështu, pas disa çastesh ai vjedhurazi mori një ngjyrë tjetër, atë të ferrave. O Zot i Madh, u bë ferrë kjo qenie, klitha në heshtje. I dalldisur nga kjo pamje, qëndrova një kohë të gjatë duke menduar për këtë dhunti të rrallë të tij.
Megjithatë prapë nuk u bëra i qetë. Thjesht nuk më mjaftoi as kjo lëvizje, prandaj vendosa që ta ndiqja edhe më tej. Ngadalë u afrova rishtaz pranë ferrave. Në atë çast ai u largua prej aty dhe vajti disa metra më tej, në një grumbull barishtesh dhe lulesh. Nuk iu desh kohë që edhe aty ta luante të njëjtën lojë që e kishte luajtur me qindra e mijëra herë, ndoshta edhe brenda ditës. Derisa unë e solla nëpër mend dhuntinë e tij të çuditshme, ai e mori edhe ngjyrën e barishteve dhe të luleve. O Zot i Madh, ky di të duket edhe si barë, edhe si lule, belbëzova krejt i dalldisur. Por, ç'e do, kameleon i thonë, ai nuk e tradhton dhuntinë e tij, nuk del jashtë lëkurës së tij. Ai u ngjan të gjithëve… Vetëm vetvetes nuk i ngjan…
Kur u afrova edhe pranë barishteve dhe luleve ku ishte strehuar kameleoni, e pashë se kisha kaluar disa orë duke e ndjekur atë si ndonjë përbindësh. Ndërkohë ai rrëshqiti me nxitim dhe vajti pak tutje. E ndoqa me sy derisa të ndalej. Pasi i bëri disa metra më tej, ai gjeti një vend tjetër. U ndal pranë një bajge të kalit. Ç't'u desh ai vend, oj qenie e mbrapshtë, e mallkova heshturazi, a s'pate vend tjetër më të mirë? Por ai qëndroi pikërisht aty, si zakonisht duke u pllakosur në heshtje të thellë. Vetëm sytë i lëvizte ngadalë dhe pa u hetuar. Por sytë e mi ishin bërë më të mprehtë se të tij. Atë po e ndiqja si bisha prenë e saj. S'kishte ku të ikte nga ai vend. Në këtë mënyrë, ai, pasi u vendos pranë bajgës së kalit, përsëri m'u duk sikur u tret fshehurazi. E mori edhe ngjyrën e bajgës. U bë si bajgë. Megjithëse e dija se ishte strukur aty, ndjeva sikur ia humba gjurmët. Por nuk u largova prej aty. Ai tani kishte hyrë në shoqëri edhe me bajgën. Asgjë nuk e shqetësonte që rrinte aty. Me rëndësi ishte që të mos e hetoja unë. Sa i shkathët që është, pëshpërita me vete duke qëndruar edhe më tej kundruall tij me sy të gapërruar.
Vallë a ta ngacmoj edhe më tej, e pyeta veten. Ndonëse e kisha të qartë se ai ndryshonte sakaq, kureshtja nuk më linte që ta lija të qetë. M'u ngjall një mëdyshje e kotë. A ka fund shkathtësia e tij? Deri kur mund të hiqet kështu? Deri në pafundësi…!? Pa ta shoh edhe njëherë… Ta ngacmoj edhe pak… Dhe sërish iu afrova. Nuk e duroja erën e bajgës së kalit, por me një tundim të sforcuar u afrova për ta ngacmuar. E, ai nuk më priti t'i afrohem shumë afër, prapë lëvizi nga vendi dhe u zvarrit pak më tutje. Unë e ndoqa pas duke mos ia shkoqur sytë asnjë çast. U orvat gjithandej të fuste kokën në ndonjë vend më të sigurt, por sikur ndjeu se s'kishte ku të strukej më. Ishte vend i zhveshur. S'kishte as gurë, as bajga, as barë, as lule. Thjesht përpara tij doli një gropë e thellë, brenda së cilës s'kishte asgjë, përveç dheut të zi që dukej si skëterrë. Megjithatë, për shkak të rrezikut që ndiente, vendosi të futet edhe aty. Tani do ta kem më mirë për ta parë, thashë me vete. Kur ai u plandos në gropën me dhe të zi, unë qëndrova në këmbë duke mos u afruar menjëherë. Pas disa minutash, si e kundrova i heshtur, mandej vajta edhe përballë gropës. Në të vërtetë sytë nuk më shihnin asgjë, sepse çdo gjë dukej zi. Vallë ku vajti kameleoni? E pyeta veten kot së koti, megjithëse mendja ma thoshte se aty kishte rënë. Ai me siguri më shihte mua, por unë nuk e shihja atë. Ishte bërë si dheu i zi. Meqë nuk i bija në fije se në cilin kënd të gropës ndodhej, mora një shkop nga gardhi dhe vendosa ta trazoj. Ngadalë e futa shkopin në gropë dhe e ngacmova nga të gjitha anët. Atëherë ai lëvizi nga njëri kënd i gropës në tjetrin. Tani nuk mund të ikte më. Si dukej ky ishte fundi i tij. Çdo gjë varej nga unë. Fati i tij ishte në duart e mia. Por unë qëndrova aty pa ndërmarrë asgjë. Më mjaftonte që e shija atë të përmbysur në gropën e thellë nga e cila nuk mund të dilte dot.
Në ato çaste, pasi i kisha kaluar disa orë duke e ndjekur kameleonin, çuditërisht prapë më vajti mendja te njerëzit nga të cilët kisha ikur. Sipas gjasash një fije të atij përfytyrimi sikur e kisha tërhequr me vete dhe e kisha lidhur te kameleoni që ndodhej në gropë. Por edhe një fije tjetër të përfytyrimit tim për kameleonin tani po e tërhiqja nga gropa dhe do ta shpieja te ata njerëz nga të cilët kisha ikur.
Shkopin e mbaja mbi kameleonin pa bërë asgjë. E, ai pëpëlitej i tmerruar në gropën e zezë. Tek e shihja ashtu, ndjeva një lehtësi në shpirt. Pastaj ika prej aty, por fijet e përfytyrimeve edhe më tej stërzgjateshin në kokën time, herë nga njerëzit që më kishin dëshpëruar e herë nga kameleoni të cilin e kisha ndjekur deri në gropë.

Publikuar: 13.06.2009 | 05:01
Lexuar: 2024 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime