E mërkurë, 12.12.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Rastet janë të freskëta e po të shikosh kronikën e javëve të fundit dy precedente fyejnë trashëgiminë dhe identitetin tonë kulturor.
Skënderbeu i Maks Velos dhe lokalizimi i monumenteve

Shkruan:
Aranita BRAHAJ


Hedh një budalla një gur në lumë e njëqind të mençur hidhen për ta marrë. Morali i shprehjes është mos shko për një guriçkë budallai. Por budallai është dikush i deleguar të bëjë urbanistin dhe arkitektin në projektet më ambicioze të rregullimit të territorit. Guriçka e lumit riskon të rrëzojë nga piedestali monumentet e vërteta e të vërë nga një gur apo gradaçelë në vend të tyre.

Ky realitet i hidhur po përsëritet dendur këto vite. Rastet janë të freskëta e po të shikosh kronikën e javëve të fundit dy precedente fyejnë trashëgiminë dhe identitetin tonë kulturor. Monumenti i Luftëtarit Kombëtar në Korçë u zhvendos për të disatën herë nga piedestali, kësaj radhe për t’u strehuar me turp në një magazinë të rëndomtë. Njëkohësisht, një zë i zhurmshëm i fenomeneve urbanistike shqiptare ligjëron për heqje të monumentit të Skënderbeut në Prishtinë.

Liliputizmi monumental. Në një artikull të fundit Maks Velo (“Përse Skënderbeu i Krujës nuk duhet të jetë edhe i Prishtinës”, Revista Mapo-4 shtator) këtë ndryshim monumentesh e shpall duke propozuar si të mundshëm një model të imagjinatës popullore. Deri këtu diversiteti i mendimit civil e artistik pranohet. Por në pjesën ilustruese ku rekomandohet modeli artistik, heroi ynë kombëtar nuk ka shpatulla, trup, parzmore, nuk ka shpatë, por thikë; në vend të përkrenares legjendare e pagane me brirët e dhisë ka një çallmë të shëmtuar në formë topi.

Thënë pak më thjesht, heroi nuk mbart lavdinë e luftëtarit strateg, artistikisht është larg imazhit të dhënë në rrëfime folklorike të imagjinatës popullore apo në tekste të Rilindjes Kombëtare. Kali i luftëtarit legjendar, si model i një gdhendësi në dru, artist amator me emrin Iljas Turhani, është një karikaturë e gdhendur, e me gjithë respektin për artin popullor ngjan shumë me vizatime parashkollorësh.

Në vitin 2001, monumenti i heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu i vendosur në kryeqytetin historik të Krujës, me autor skulptorin Janaq Paço u mor si model për të derdhur një monument me të njëjtat përmasa për Prishtinën, kryeqytetin e të dytit shtet shqiptar në Ballkan. Procesi i derdhjes u realizua nën kujdesin e një ekipi teknik profesional.

Titullari i ministrisë dhe një ekip specialistësh të trashëgimisë kulturore vlerësuan dhe argumentuan procesin duke u motivuar nga konteksti historik i binjakëzimit në monumente, njëkohësisht duke peshuar çdo detaj të mbrojtjes ligjore sipas normave në fuqi. Në simbolikën kombëtare të luftës për vetëvendosje dhe identitet, binjakëzimi kulturor i dy monumenteve të dy qyteteve shqiptare në dy shtete është një ogur i mirë.

Ky binjakëzim artistik mbart vlerë kundrejt sakrificave e luftërave shekullore që për fat të keq kombi ynë i përjetoi edhe në kohët moderne (1999, Lufta e Kosovës). Maks Velo argumenton se ky binjakëzim nuk ka origjinalitet dhe se fyen banorët e të dy qyteteve. Madje zëri shkon më tej, duke u shprehur se vendimi i Ministrisë së Kulturës që ka lejuar këtë binjakëzim artistik (me kërkesë të autoriteteve Kosovare), është i cenueshëm, pasi kompetencat i takojnë Bashkisë së Krujës. Sipas Velos, Skënderbeu i Krujës u përket vendasve. Ky argumentim lokalist për monumentet bie ndesh me mbrojtjen ligjore të monumenteve kombëtare.

Lokalizimi i monumenteve është një element negativ, që dukshëm ka cenuar në mënyrë të pandreqshme kulturën, trashëgiminë dhe civilizimin. Për fat të keq, lokalizimi i monumenteve po cenon ekzistencën e shumë simboleve artistike të kombit, të poseduara padrejtësisht nga të zgjedhur vendorë. Monumentet janë trashëgimi kulturore dhe i përkasin jo vetëm banorëve të një njësie administrative, por në tërësi ndërgjegjes kombëtare. Krutanët autoktonë apo të ardhur, kanë arsye të jenë krenarë dhe të privilegjuar për simbolikën historike që mbart qyteti i tyre si kryeqendër historike të dy shteteve (Republika e Shqipërisë dhe Republika e Kosovës) dhe miliona shqiptarëve të mbarë botës.

Si gazetare, nuk do doja të argumentoja rreth gurit proverbial. Por si qytetare me ndërgjegje dhe imagjinatë të thjeshtë kombëtare, si individ me njëfarë kulture mbi mbrojtjen ligjore të monumenteve, trembem se ai që rekomandon e lobon për monument “guriçke”, mund të bëhet anëtar i ndonjë komisioni për urbanistikën e Prishtinës. Dora vetë është ndër anëtarët e jurisë për planin urbanistik të sheshit “Skënderbej” në Tiranë. Po ky zë zhurmues i arkitekturës urbanistike është një nga ish-dirigjuesit e byrosë së projektimeve në kohën kur në Tiranë arkitektura monumentale e kishave përshtatej në objekte sportive në emër të ateizmit.

Lokalizimi i monumenteve kombëtare. Çdo vendim i marrë nga këshillat e rregullimit të territoreve për ndërhyrje ose ndërtim në zonat e shpallura monument kulture ose zonë e mbrojtur pranë një monumenti kulture, pavarësisht nga pronësia, është i pavlefshëm. Fraza si më sipër nuk është pjesë e një debati mediatik. Shkruar e zezë mbi të bardhë është neni 38 i Ligjit “Për Trashëgiminë Kulturore”, dt. 07.04.2003 me fuqi vepruese në mbarë Republikën. Luftëtari Kombëtar i Odise Paskalit është monument kulture i kategorisë së parë, vendosur në Korçë më 1933.

Trualli rreth tij është gjithashtu nën mbrojtje ligjore. Sipas nenit nëntëmbëdhjetë, ministri i Kulturës është i vetmi titullar i shtetit që mund të urdhërojë shpalljen monument, zhvendosjen, restaurimin, konservime e të tjera veprime për monumentet e kategorisë së parë. Secili urdhër titullari sipas frymës së ligjit dhe klauzolave të tij shoqërohet me ekspertiza të institutit dhe grupeve të ekspertëve. Në asnjë rast vendimet për monumente të trashëgimisë kulturore nuk merren nga titullarë apo organe kolegjiale të të zgjedhurve vendorë.

Luftëtari Kombëtar është një nga veprat më origjinale të skulpturës kombëtare. Punuar nga mjeshtri i madh Odise Paskali, kjo skulpturë me elemente epike është simbol i luftëtarëve shqiptarë kundër pushtimit otoman. Plani i miratuar nga Këshilli i Rregullimit të Territorit për Bashkinë bëhet nul në rast se nuk ka një urdhër të ministrit të Kulturësm si titullar kompetent me ligj, që planifikon zhvendosje të monumentit dhe përdorim të truallit rreth tij. Nga ana tjetër, ministri i Kulturës, z. Aldo Bumçi, është i vetmi person që mund të ndërhyjë duke iu drejtuar gjykatës për të konstatuar pavlefshmërinë e Planit Rregullues dhe rikthimin në gjendjen fillestare të monumentit.

Sipas nenit 32, po të ligjit për Trashëgiminë, “Për monumentet e kulturës përcaktohet një sipërfaqe toke ose trualli përreth, si zonë mbrojtëse, në përputhje me vlerat e tyre arkitektonike, me përshtatshmërinë e tyre urbanistike-estetike, me rrethinën dhe me rrethanat ekologjike. Përmasat e zonës mbrojtëse përcaktohen nga organi që shpall objektin monument.

Pra, edhe territori i një monumenti të kategorisë së parë si Luftëtari Kombëtar është njësoj nën mbrojtjen e ligjit dhe nuk mund të tjetërsohet për ndërtim pallatesh apo rrugësh vetëm me vendim të këshillit rregullues.

Rasti i Luftëtarit Kombëtar, monument i kategorisë së parë me mbrojtje të posaçme ligjore, është tipik rast i zaptimit lokal të asaj që nuk është kompetencë e të zgjedhurit vendor. Demonstron mungesë të theksuar të vullnetit dhe kulturës ligjore të titullarit dhe dikasterit kompetent për ndërhyrje në raste të tilla. Sa kohë që Ministria e Kulturës nuk ka vënë në lëvizje gjyqësorin për të pezulluar punimet dhe rikthyer monumentin në vend, titullari është në kushte të neglizhencës që e bëjnë bashkëfajtor në këtë përvetësim e lokalizim të trashëgimisë. (Mapo)

Publikuar: 22.09.2011 | 12:25
Lexuar: 5550 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime