E premte, 14.12.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Lajmin e ka konfirmuar kryetari i Qendrës Kombëtare Kinematografike, Artan Minarolli, sipas të cilit, pas përgjigjes negative të Academy of Motion, Picture, Arts and Science, komisioni do të mblidhet sërish sot për të vendosur për një tjetër kandidaturë, mes tre filmave të mbetur.
Oscar, Akademia amerikane djeg “Faljen e gjakut”

Alma Mile

“Nuk është mjaftueshëm shqiptar”! Kështu ka gjykuar Akademia e Oscar-ve në lidhje me kandidaturën shqiptare, për garën më të madhe të kinematografisë botërore, duke e skualifikuar kështu nga lista e pretendentëve.

Kjo do të thotë se filmi “Falja e gjakut”, zgjedhur nga një komision i posaçëm, nuk do ta përfaqësojë kinemanë shqiptare në edicionin e radhës së çmimeve “Oscar”, duke ia lënë vendin një tjetër prodhimi shqiptar.

Lajmin e ka konfirmuar kryetari i Qendrës Kombëtare Kinematografike, Artan Minarolli, sipas të cilit, pas përgjigjes negative të Academy of Motion, Picture, Arts and Science, komisioni do të mblidhet sërish sot për të vendosur për një tjetër kandidaturë, mes tre filmave të mbetur.

“Gjatë kësaj periudhe kemi mbajtur kontakte të vazhdueshme me Akademinë dhe shpresuam që zgjedhja jonë të mund të pranohej prej tyre. Kishte hapësira që kjo të bëhej e mundshme, megjithatë, ata u mblodhën, e shqyrtuan këtë rast dhe na kthyen një përgjigje negative.

Në të njëjtat pozita ishte edhe Rusia e Kina. Për këtë arsye, ata na e shtynë afatin e dorëzimit të filmit përfaqësues deri në datën 10 tetor dhe ne do të mblidhemi sërish për të zgjedhur një tjetër kandidaturë. Në fund të fundit, janë kriteret e tyre”, tha Minarolli për gazetën “Panorama”.

“Falja e gjakut” po penalizohet sepse në grupin realizues nuk ka mjaftueshëm shqiptarë, ndërsa për publikun kjo pak rëndësi ka, ai ishte një film më shqiptar se shqiptarët.

Përzgjedhje dhe protesta

Historia nisi në datën 22 shtator, kur komisioni i përbërë nga Teodor Laço, Esat Musliu, Bujar Lako, Durim Neziri dhe Agron Tufa vendosi që mes filmave “Maya”, “Ballkan pazar”, “Amnistia” dhe “Falja e gjakut”, vendosi këtë të fundit si përfaqësuesin shqiptar në garën për “Oscar”.

Edhe pse filmi mban për regjisor amerikanin Joshua Marston, i cili është edhe bashkëskenarist me Andamion Muratajn, bordi e konsideroi boll shqiptar filmin për të pasur statusin e përfaqësuesit.

Në motivacionin e vendimit të tyre thuhej se “filmi është tërësisht në gjuhën shqipe; njëri nga autorët e skenarit, Andamion Murataj, është shqiptar; ‘Lissus Media’, është kompani shqiptare, bashkëprodhuese në realizimin e filmit; filmi është xhiruar tërësisht në Shqipëri; aktorët e filmit janë të gjithë shqiptarë; shumica dërrmuese e stafit realizues janë qytetarë të Republikës së Shqipërisë; filmi është pritur shumë mirë nga publiku dhe kritika shqiptare për trajtimin me origjinalitet dhe freskinë artistike, të një problemi që mbetet i mprehtë për shoqërinë tonë”. Por, përzgjedhja e filmit të Marstonit shkaktoi jo pak pakënaqësi mes kineastëve shqiptarë.

Ai që reagoi menjëherë ishte një tjetër kandidat për në këtë garë, Bujar Alimani. Ai i drejtoi një letër jo vetëm ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, QKK-së, por edhe Akademisë së Oscar-ve, ku ka kërkuar rishikimin e këtij vendimi, pasi ai është i kundërligjshëm dhe se “Falja e gjakut” nuk i plotëson kriteret e vendosura nga Academy of Motion, Picture, Arts and Science për kategorinë e filmave të huaj.

“QKK dhe komisioni përzgjedhës ka shkelur në mënyrë flagrante të drejtën e projekteve të tjera, duke e kaluar filmin ‘Falja e gjakut’ të marrë pjesë në këtë kategori, edhe pse nuk plotësonte kriteret kryesore, siç janë produksioni në maxhorancë, regjisori, skenaristi… kompozitori dhe art designer (skenografi)”, shkruante Alimani, i cili, pas skualifikimit të filmit të Marston me shumë gjasë e ka derën e hapur për në garën e madhe.

Kush e zëvendëson “Faljen e gjakut”

Komisioni përzgjedhës i filmit konkurrues të Academy of Motion, Picture, Arts and Science – 2012 do të mblidhet sot për të vendosur se cili mes filmave: “Maya”, me regji të Pluton Vasit, “Ballkan pazar”, me regji të Edmond Budinës dhe “Amnistia”, me regji të Bujar Alimanit, do të hyjë në listën e gjatë të pretendentëve për “Oscar”.

Ndonëse vendimi nuk është marrë ende, me shumë gjasë do të jetë “Amnistia” ajo që do ta fitojë këtë të drejtë. Një film, i cili është pritur mirë nga publiku shqiptar e i huaj dhe është vlerësuar edhe me çmime, që nga Festivali i Berlinit, ai i Leçes, PriFilmFest etj.


Publikuar: 07.10.2011 | 15:13
Lexuar: 1538 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime