E premte, 14.12.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Të moshuarit duhet ta dinë, se ilaçet që u ka përshkruar mjeku për të fjetur nuk janë kurat që duhen ndjekur përgjithmonë.
Të moshuarve, ilaçet nuk ua sjellin gjumin





Benzodiazepina, ashtu siç quhen substancat që gjenden më shpesh tek ilaçet për gjumë, nuk duhen marrë për më shumë se tre muaj me radhë, përndryshe rrezikojnë ta shqetësojnë më shumë gjumin, në vend që të përmirësojnë cilësinë e tij.

Studimi

“Cilësia e gjumit në përgjithësi me kalimin e viteve tenton të përkeqësohet dhe për këtë arsye shumë të moshuar u drejtohen ilaçeve për të fjetur më mirë. Në Kanada është një fenomen shumë i përhapur. Një në katër të moshuar i drejtohet mjekut për të fjetur. Por, sipas të dhënave, më shumë se 80 për qind e këtyre personave, pavarësisht kurës, vazhdon të ketë probleme me gjumin dhe cilësinë e tij”, shpjegon Sarah Gabrielle Beland, kërkuesja kanadeze që e ka trajtuar këtë çështje në një artikull të fundit të publikuar në revistën “Journal of Geriatric Psychiatry”. Megjithatë është e vështirë të kuptohet kush është shkaku dhe cilat janë efektet: gjyshërit nuk heqin dot dorë nga ilaçet, sepse përndryshe nuk arrijnë të flenë, apo e kundërta, që lidhet me faktin se mund të jenë ilaçet ato që përkeqësojnë situatën më tej? “Për të kërkuar përgjigjen e kësaj pyetje mblodhëm të dhënat e mbledhura në një hetim të bërë në provincën e Kebekut në një numër të konsiderueshëm personash mbi 65 vjeç. Nga studimi doli se përkeqësimi i cilësisë së gjumit brenda dy vjetëve ishte më i madh mes atyre që prej kohësh përdornin benzodiazepinë në krahasim me ata që e kishin marrë vetëm për një kohë të shkurtër”, tregon Beland, një nga autoret kryesore të studimit. Të dhënat konfirmonin edhe një aspekt shumë të qartë, që të gjithë ne vërejmë në jetën e përditshme: ishin gratë ato që vuanin më shpesh nga pagjumësia dhe që e kërkonin shpëtimin tek ilaçet.

Komenti

“Studimi konfirmon një indikacion shumë të njohur për rolin që përbërësi i njohur me emrin benzodiazepinë luan në rregullimin e personave që kanë probleme me gjumin”, komenton Diego Inghilleri, psikiatër i Qendrës Europiane për Shqetësimet Motive dhe Ankthin. “Në fakt, edhe pse njohjet shkencore tregojnë se marrja e këtyre ilaçeve nuk duhet të zgjasë më shumë se tre muaj, në praktikën klinike zakonisht mjekët përpiqen të kënaqin kërkesat e pacientëve. Nuk duhet harruar asnjëherë që një gotë me qumësht të ngrohtë apo një çaj kamomili mund të bëjë më shumë mrekullira se ilaçet, madje pa shkaktuar asnjë efekt anësor”. Në fakt, sipas të dhënave për konsumin e ilaçeve, nga popullsia në shumë vende të Europës vihej re se benzodiazepina, së bashku me ilaçet e tjera për ankthin dhe depresionin, renditeshin të parat në listë. Miliona euro të harxhuara e të hedhura dëm, që në asnjë rast nuk garantojnë gjumë të ëmbël dhe ëndrra të bukura.

Këshillat

1. Mos pini kafe apo substanca që përmbajnë kafeinë në mbrëmje. Evitoni alkoolin para se të shtriheni, sepse ndikon shumë në cilësinë e gjumit.
2. Vendosni kohën e konsumit të darkës të paktën tri orë para se të shtriheni për të fjetur.
3. Flini dhe zgjohuni pothuajse në të njëjtën orë edhe kur jeni me pushime apo në fundjavë.
4. Vendosni dhe mbani një ritual para se të flini (lahuni me ujë të ngrohtë, lexoni, pini ndonjë gotë çaj apo qumësht).
5. Evitoni ambientet shumë të ftohta apo shumë të ngrohta: dhoma e gjumit duhet të ketë temperaturë konstante dhe të jetë e qetë pa zhurma.
6. Mendojeni krevatin, jastëkun dhe dyshekun si vendin më çlodhës dhe më komod në botë.
7. Mos flini kurrë duke parë televizor. Fikeni dhe pastaj shtrihuni. Zhurmat mund t’ju prishin gjumin.
8. Mos mendoni për asgjë, ose të paktën mendoni pozitivisht për ditën e re.
9. Nëse nuk ju zë gjumi, mos u përpiqni me zor. Ndizni televizorin apo kompjuterin derisa ta ndieni që doni të flini.
10. Evitoni ilaçet që mund të ndikojnë te gjumi. Përpiquni t’i merrni disa orë para se të shtriheni.

Publikuar: 01.11.2011 | 20:19
Lexuar: 1186 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime