E shtunë, 15.12.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Me vendimin e 26 tetorit për "qethjen" e borxhit grek vihet në sprovë edhe siguracioni social në Greqi. Nga përgjysmimi i obligacioneve arkat e siguracionit social do të humbasin rreth 12 miliardë euro. Me gjithë angazhimin e shtetit për të kompesuar humbjet, pensionistët jetojnë me frikën e vazhdimit të shkurtimit të pensioneve. Kjo kryesisht nga recesioni i thellë dhe papunësia që ulin ndjeshëm kontribucionet sociale.
Nga falja e borxheve preken pensionet







Me vendimin e 26 tetorit për "qethjen" e borxhit grek vihet në sprovë edhe siguracioni social në Greqi. Nga përgjysmimi i obligacioneve arkat e siguracionit social do të humbasin rreth 12 miliardë euro. Me gjithë angazhimin e shtetit për të kompesuar humbjet, pensionistët jetojnë me frikën e vazhdimit të shkurtimit të pensioneve. Kjo kryesisht nga recesioni i thellë dhe papunësia që ulin ndjeshëm kontribucionet sociale.

Në sfondin e kundërshtimeve të mëdha që shkaktoi vendimi i kryeministrit grek Papandreu për mbajtjen e plebishitit për konventën e re të kreditimit, të vendosur në samitin e 26 tetorit, rritet edhe pasiguria në lidhje me fatin e arkave të siguracionit social. Ndryshe nga samiti i 21 korrikut, që përjashtonte siguracionin social nga «qethja» e borxhit, ai i Brukselit vendosi që të ulen në “karrige” edhe arkat e siguracionit social grek të cilat edhe më parë ishin problematike.

Pasojat nuk janë aspak të papërfillshme

“Në pamje të parë humbasin përvit rreth 400 milionë euro nga dividentet plus 12 miliardë që është qethja e depozitave të investuara në obligacione direkt nga arkat e siguracionit social ose nëpërmjet Bankës së Greqisë,” i thotë DW eksperti i çështjeve të siguracionit social Kristos Megas. “Arkat me vendim të këshillave të tyre drejtuese kanë investuar 8 miliardë euro në obligacione, pjesën tjetër 16 miliardë euro i ka investuar Banka e Greqisë me iniciativën e vet. Arkat kanë të drejtë të kërkojnë kesh paratë e tyre nga Banka që është ruajtës dhe jo menaxhues i pronës së tyre,” thotë nga ana e tij eksperti tjetër Jorgos Romanias, duke fajesuar qeverinë për “dizinformim në lidhje me dëmet në siguracionin social”.

Sipas të dhënave, humbjen më të madhe do ta ketë Arka e të Punësuarve të Pavarur (marrin pjesë mjekët, avokatët dhe inxhinjerët) e ndjekur nga arka e rrogëtarëve të Institutit të Siguracionit Social (IKA), me obligacione respektivisht 5.5 dhe 2.2 miliardë euro. “Kokëçarje” e madhe për arkat e siguracionit janë ndërkohë edhe aksionet prej 2.5 miliardë eurosh që kanë në dorë bankat dhe të cilat pritet të reduktohen si rrjedhojë e “qethjes” që do t'i nënshtrohen edhe ato.

Pensionistë

“Ombrellë” qeveritare për humbjet e siguracionit social


Për qeverinë, nuk ekziston asnjë rrezik, si për arkat e siguracionit social ashtu edhe për pensionet. “Kemi marrë vendim që të mbështesim me çdo kusht arkat duke kompesuar çdo humbje nga qethja e obligacioneve,” thotë ministri i Punësimit Jorgos Kutrumanis, për të shtuar se për vitin 2011 nga buxheti i shtetit janë akorduar 1.1 miliardë euro për mbulimin e nevojave të arkës së siguracionit social IKA dhe të arkave të tjera problematike për pensionet por edhe shërbimin shëndetësor. Ministri sqaron se me qethjen e borxhit prej 100 miliardë eurosh do të kursehen 4.5 miliardë euro nga kamatat ,një pjesë e të cilave mund të shkojë për nevojat e arkave të siguracionit social. Tek e fundit, siç sqaron, vetëm një pjesë e vogël 2-3% nga obligacionet shkon për mbulimin e shpenzimeve të arkave. (Kutr 3.10) “Na duhen 40 miliardë euro dhe në çdo 100 euro që paguajmë, 57 janë kontribucionet, 40.5 janë subvencione nga shteti dhe vetëm 2.5 nga prona e arkave të siguracionit, që edhe po të mos ekzistonte do të krijonte vetëm një defiçit të vogël,” sipas ministrit grek. Ndërkohë vazhdon lufta me korrupsionin dhe abuzimet në fushën e ilaçeve dhe të pensioneve fiktive duke kursyer miliona euro.

Ndihmë vetëm me miratimin e treshës

Ndihma ndërkohë e shtetit ndaj arkave problematike të siguracionit social si obligim kushtetues, sipas ekspertit Kristos Megas, nuk është absolute. “Në Greqi në këto momente buxheti i shtetit është nën mbikqyrjen e troikës. Kjo do të thotë thjesht se shteti nuk mund të shtojë shpenzimet, duke rritur defiçitin pa aprovimin e kreditorëve tanë”. Të shënojmë se për 15 vitet e ardhshme parashikohet të akordohen për pensionet 600 miliardë euro, nga të cilat vetëm 240 nga buxheti i shtetit.

“Qethja” nuk u bën... mirë edhe pensioneve

Nuk ka dyshim se “qethje” do të thotë më pak para në arkat e siguracionit social. Çështja shtrohet nëse kjo do të thotë dhe më pak para për pensionistët, kur për kuotën e pensioneve mbi 1.200 euro nga 1 tetori është bërë një tjetër shkurtim prej 20%. “Do të vazhdojë i njejti avaz,” i thotë DW pensionisti Sotiris Janakas që më parë “shijoi” dy shkurtime të tjera, 400 dhe 60 euro. Frika ka sigurisht bazën e saj dhe nuk buron nga “mania qeveritare” për të pasur vazhdimisht pensionistët në “shtratin e Prokrustit”. “Rreziku i reduktimit të mëtejshëm të pensioneve është real, por jo detyrimisht për shkak të qethjes së borxhit. Reduktimi i kontribucioneve sociale për shkak të papunësisë dhe recesionit në rritje, por edhe uljes së pagave u privon arkave të siguracionit social mbi 6 miliardë euro në vit në krahasim me vitin 2009. Kjo humbje është e pakompesueshme,” thekson Kristos Megas, për të cilin është e sigurt se deri në vitin 2015 pensionistët do të përballen me një shkurtim tjetër të pensioneve të tyre. Shkaku, sipas tij, nuk do të jetë “qethja” e borxhit por problemi i madh i recesionit dhe i papunësisë alarmane. Problemi numër një i ekonomisë dhe shoqërisë greke, që tani me referendumin e shpallur do të vihet dhe para dilemës t'i thotë po ose jo dhe pensionit në euro, qoftë edhe të cunguar. (dw)

Publikuar: 09.11.2011 | 10:26
Lexuar: 1159 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime